Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Forumi i Agrikulturës dhe Bashkëpunimit rajonal është takimi i zhvilluar në kuadër të agjendës së Ballkanit të Hapur me pjesëmarrjen e sipërmarrësve në fushën e bujqësisë, si dhe të akademikëve, rektorë e dekanë të universiteteve të bujqësisë të vendeve pjesëmarrëse.

Kryeministri Rama theksoi se nënshkrimi i marrëveshjeve të reja dhe posaçërisht në sektorin e bujqësisë do ndryshojë krejtësisht mënyrën e ndërveprimit midis vendeve, pasi praktikisht do të hiqen pengesat për njerëzit që punojnë në këtë sektor, duke lehtësuar ndjeshëm shkëmbimet mes vendeve. “Tashmë, rruga është tejet e hapur dhe është tërësisht një veprimtari pa kufij.” – u shpreh kryeministri.

 

* * *

Përshëndetje të gjithëve dhe mirëserdhët të gjithë atyre që janë bashkuar këtu me ne në Tiranë nga dy vendet e tjera. Jam i gëzuar që po zhvillojmë këtu një forum tematik me sipërmarrës dhe akademikë me theks tek bujqësia.

Ka së paku tri arsye për këtë.

Së pari, bujqësia është jetike për ekonomitë tona dhe ne po bëjmë më të mirën, këtu në Shqipëri, jo vetëm për rritjen e sektorit, por edhe sofistikimin, nëse do thoja kështu, të tij, duke futur teknologji të reja e me radhë.

Së dyti, në Samitin e Beogradit, një muaj më parë, i kërkuam BE të eksplorojë mënyra me të cilat mund të ndihmojë vendet tona që t’i qasen në mënyrë graduale fondeve komunitare. Për t’u përgatitur për këtë hap, duhet të intensifikojmë investimet dhe përpjekjet për të modernizuar sektorin dhe t’u ofrojmë lehtësira fermerëve dhe prodhuesve në të gjitha fazat e ciklit bujqësor, deri në fund, që është eksportimi në tregjet e tjera.

Ne besojmë fort që bashkëpunimi rajonal mund të ndihmojë thellësisht në këtë fazë të fundit dhe kjo është arsyeja pse ministrat e Ekonomisë dhe Tregtisë, ministrat e Bujqësisë janë bashkuar në këtë bashkëbisedim me ne.

Unë jam vërtetë i kënaqur që kemi nënshkruar këtë marrëveshje të rëndësishme në këtë sektor sepse jemi përballur për vite e vite me radhë me shqetësimin dhe kërkesat e fajësimet nga njerëzit e këtij sektori që tregtojnë mes vendeve tona.

Të gjitha këto marrëveshje do ndryshojnë krejtësisht mënyrën e ndërveprimit midis vendeve pasi praktikisht ne, me këtë marrëveshje, kemi hequr pengesat që ua kanë bërë jetën, njerëzve që punojnë në këtë sektor, shumë të vështirë, kur përpiqen të kalojnë kufijtë midis vendeve tona.

Mund të tingëllojë diçka mjaft teknike për shumë jashtë kësaj salle, por jam i sigurt që nuk tingëllon aspak teknike për këtë grup të pranishëm këtu e për të gjithë ata që nuk janë këtu, por që janë pjesë e këtij grupi shumë herë më të madh fermerësh, prodhuesish, eksportuesish e tregtarësh pasi këto marrëveshje, praktikisht, trajtojnë çështjet më thelbësore të veprimtarisë së tyre ndërkufitare.

Jam i sigurt që sot, numri jo shumë i konsiderueshëm por ende apo sërish i konsiderueshëm i njerëzve, i kompanive që shkojnë nga Shqipëria në Maqedoninë e Veriut apo në Serbi për të eksportuar produktet e tyre apo edhe për të sjellë prodhime nga andej në vendin tonë, do jenë të lumtur sepse për ta, tashmë, rruga është tejet e hapur dhe është tërësisht një veprimtari pa kufij.

Kjo është një arritje e jashtëzakonshme nëse marrim parasysh që për kaq shumë vjet, edhe me “Procesin e Berlinit”, edhe pas të gjitha diskutimeve e drafteve të “Tregut të Përbashkët Rajonal”, kjo platformë shumë bazë e jetike për ta nuk u ndërtua.

Sot ne, praktikisht, e themeluam atë me nënshkrimin tonë e qysh prej janarit të vitit të ardhshëm, ata do të shohin përfitimet e këtij nënshkrimi.

Është posaçërisht inkurajuese nënshkrimi i dokumenteve që kanë efekt të drejtpërdrejtë e ndikim të drejtpërdrejtë në jetët e njerëzve dhe këto dokumente të nënshkruara sot janë të tilla.

Së fundmi, jam shumë i gëzuar që sot kemi dekanë e rektorë të shquar të universiteteve, fakulteteve të bujqësisë të vendeve tona sepse ne të gjithë shpresojmë, e kam fjalën për të tre ne këtu dhe të gjithë aktorët politikë në këtë sallë, ministrat, shpresojmë që ky takim i parë do të jetë vetëm nisja e një pune midis jush, së bashku, duke kuptuar që tashmë është koha për të investuar shumë më tepër në transferimin e dijeve, në bazën e dijes, në novacionin e bujqësisë, në teknologji dhe absolutisht për të ndarë ekspertizën reale, duke pasur përparësi të qeverisë sonë nxitjen e bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar të universiteteve, me këndvështrimin për ta bërë politika të bazuara në dije e këtë regjim të bazuar në njohuri.

Do t’u kërkoja të gjithëve që, prej këtej e tutje, të çelni  një shteg të përbashkët shkëmbimesh dhe për të strukturuar bashkëpunimin, me synim arritjen e programeve të përbashkëta, me synim shkëmbimin e studentëve dhe me synim përfshirjen e sektorit të bujqësisë në këtë shteg tuajin.

Faleminderit shumë dhe më lejoni t’ia jap fjalën presidentit Vuçiç dhe më pas kryeministrit Zoran Zaev, që të plotësojnë mesazhin e përbashkët për të gjithë ju që jeni këtu, për të bërë maksimumin, për t’iu mbështetur të gjithëve ju, për të mbështetur të gjithë njerëzit tanë që janë të përfshirë në ndërveprime midis vendeve në fushën e prodhimit ushqimor, në fushën e import-eksport të mallrave bujqësore.

Mos hezitoni të vini drejtpërdrejtë tek ne për gjithçka që duhet të dimë dhe gjithçka që duhet të marrim parasysh, aty ku duhen bërë përpjekjet më të mëdha për tua bërë jetën më të lehtë e për ta bërë këtë shteg të përbashkët më efikas ndërsa rrekemi të shkojmë drejt së ardhmes sa më shpejt të jetë e mundur.

Faleminderit shumë të gjithëve. Mirëserdhët! Zoti president, fjala është për ju.

 

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç: Faleminderit të gjithëve! Faleminderit edhe një herë që jeni këtu t gjithë sëbashku. Unë besoj që ju të gjithë e shihni tashmë qartazi që ne kemi shumë dëshirë që të bashkëpunojmë në fusha të ndryshme e bujqësia është një nga sferat më të rëndësishëm të këtij bashkëpunimi e që ne do të trajtojmë sëbashku. Kjo fushë nuk ka të bëjë vetëm me qarkullimin e lirë të ushqimeve e as dhe vetëm bashkëpunimin në lidhje me materiale të ndryshme ose me fruta-perime e nuk është thjesht as dhe një shkëmbim i produkteve ushqimore ndërmjet tre vendeve tona, por ka të bëjë me bashkëpunimin edhe në fushën e inteligjencës artificiale, të fushës së robotëve, të softëare-ve, të teknologjisë së informacionit, të gjitha këto që mund ta mbështesin më tej në të ardhmen bujqësinë dhe zhvillimin e saj.

Ne, Serbia, meqë po flasim për shkëmbimin tregtar, për produktet ushqimore, kemi rreth 70 milionë euro, rreth 230 milionë euro me Maqedoninë e Veriut, që prapëseprapë janë shifra tejet të vogla e që besoj që sëshpejti ne do duhet që të arrijmë shifrën 1 miliardë, në rast se i bëjmë të gjitha punët ashtu siç duhet. Mendoj që nënshkrimi i marrëveshjes në fushën e kontrolleve veterinare, fitosantiare, e të sigurisë ushqimore, do të thotë edhe më shumë siguri për produktet që ne konsumojmë e për bujqësinë do të thotë dhe përshpejtimi i proceseve, edhe në uljen e kostove, të cilat janë dhe të larta, por dhe radhët po ashtu në pikat kufitare.

Po ashtu ne do të nënshkruajmë dhe këto marrëveshje shtesë që kanë të bëjnë me harmonizimin e proceseve e ne besojmë që procedurat do të thjeshtohen së tepërmi për sektorin privat.

Gjithashtu, po punojmë edhe për disa kritere për transportin e produkteve ushqimore, që nuk kërkojnë transportin me frigoriferë, e më duhet të them po ashtu që ka potencial të madh për rritje më shumë të këtij vëllimi tregtar dhe siç e dëgjuat, vetëm për bujqësinë, ne flasim për shifra që për pak vite do të kalojnë shifrën 1 miliardë. Mendoni sa e rëndësishme është kjo për PBB-të e vendeve tona dhe kjo nuk ka për të ndodhur pas 100 vjetësh, por pas pak vitesh.

Dëshiroj po ashtu të shtoj që ne kemi shumë institucione, shumë organizata, institute madje që duhet të jenë më të lidhura me njëra-tjetrën e prandaj e mbështes plotësisht idenë e Edit që të gjitha qeveritë, por jo vetëm institucionet shtetërore, por të gjithë aktorët, që të bëhemi bashkë në një takim më të gjerë në Shkup për shembull apo diku tjetër në Maqedoninë e Veriut, e më pas të mblidhemi dhe në Beograd, pasi ne duhet t’i bëjmë bashkë të gjithë aktorët që të kuptohet qartë ideja e shkëmbimit, pra të praktikave më të mira, në mënyrë që të kemi më shumë rezultate në të ardhmen. Faleminderit!

 

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev: I dashur Edi, i dashur Aleksandar, të dashur ministra, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë  nga rajoni dhe të dashur përfaqësues të fushës së akademisë, të fakulteteve bujqësisë që ju kemi këtu, por edhe përfaqësues të institucioneve tona shtetërore, pjesë të ekipeve tona që po punojnë për këtë gjë, eshtë vërtetë një kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë forum dhe po ashtu, të shpreh mbështetjen time të fortë për bashkëpunimin rajonal në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, si pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”.

Me këtë takim në Tiranë ne mund të tregojmë rezultate konkrete që krijojnë kushte për bashkëpunim në këto fusha që ne të ecim përpara më shpejt, me një dinamikë të re në sajë të këtyre marrëveshjeve që kemi nënshkruar dhe që nënshkruajmë në të ardhmen.

Industria agro-ushqimore është një ndër më të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor, sa i përket  prodhimit industrial vëllimit tregtar, por edhe të vendeve të punës.

Shifrat flasin vetë për rëndësinë e sektorit dhe arsyen pse sektori kërkon  mbështetjen tonë të plotë. Aktivitetet agro-bujqësore përbëjnë 24% në Ballkanin Perëndimor dhe duke u krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, ku bëhet fjalë për 50%, është shumë e qartë se sa rol të rëndësishëm luan bujqësia dhe industria në rajonin tonë.

Bujqësia luan, po ashtu,  një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e Ballkanit Perëndimor. Si sektor parësor, bujqësia përbën 12% të PBB totale të rajonit tonë. Kjo shifër është e lartë në krahasim me atë mesatare të Bashkimit Europian, ku bujqësia përbën 1,56% të PBB totale. Këto shifra tregojnë qartë faktin që në parim, për shumicën e vendeve në rajon, bujqësia vazhdon të jetë një nga shtysat kryesore të rritjes ekonomike të vendeve tona.

Është e qartë, po ashtu, që agrobizneset kanë edhe ndikimin më të lartë afatshkurtër tek vendet e punës, ku në fakt ato gjenerojnë dyfish të vendeve të punës sesa sektorë të tjerë të ekonomisë dhe për arsye të këtij potenciali të madh, bashkëpunimi rajonal në industrinë ushqimore dhe në bujqësi, duke patur parasysh edhe shpërndarjen gjeografike të këtij sektori në të gjithë Ballkanin perëndimor dhe lidhjet nder sektoriale, është e qartë që kjo industri mund të shndërrohet në një motor shumë të fortë për ekonomitë tona, por dhe diversifikimin e këtij sektori, në mënyrë që ne të inkurajojmë bashkëpunimin rajonal, duhet të jemi shumë të motivuar për potencialin që ofron ky sektor në rritjen ekonomike, si dhe për  krijimin e vendeve të reja të punës. Bashkëpunimi rajonal në këtë fushë, mund t’i vendosë vendet e Ballkanit Perëndimor në tregun e Bashkimit Europian, jo vetëm me çmime më të ulëta, por mbi të gjitha, si një rajon nga i cili vijnë produkte të shëndetshme, organike, bio.

Shifrat unë i kam përmendur tashmë dhe janë të forta në vetvete për të treguar potencialin e lartë për bashkëpunimin potencial që ne kemi në këtë fushë, në mënyrë që të jetë e mundur shkëmbimi tregtar, eshtë e rëndësishme që ne të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, por dhe të punojmë të gjithë sëbashku për të promovuar standardet më të larta të mundshme.

Lehtësimi i formaliteteve doganore për qarkullimin e lirë të mallrave, është në fakt një nga aspektet kyçe të rritjes ekonomike. Kjo është dhe arsyeja se pse ne si fillim jemi përqendruar tek këto fusha, pra lehtësimi i procedurave, ulja e kohës që shpenzohet në kufi, në mënyrë reciproke, ne do të njohim certifikatat nga të treja palët nënshkruese, të dërgesave, në mënyre që ky lloj transporti të ecë më shpejtë e kjo do të na japë efikasitet.

Kontrollet e nevojshme kanë të bëjnë me destinacionin përfundimtar, pra ne do të përpiqemi që të kemi barazi të standardeve dhe të cilësisë, gjë që na bën ne më të konkurrueshëm në treg.

Ne besojmë po ashtu që duhet të thellojmë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona, të shkëmbejmë përvoja me njëri-tjetrin, si dhe ide për të ardhmen. Më lejoni që në mbyllje të fjalës sime, të shtoj një çështje tjetër.

Investimet e drejtpërdrejta të huaja në bujqësi janë ende në nivel shumë të ulët sa i përket mundësive që ekzistojnë, e prandaj unë shoh këtu një potencial tejet të madh e për këto arsye, bujqësia është një fushë së cilës ne duhet t’i kushtojmë një vëmendje tejet të madhe e prandaj në nismë Ballkani i Hapur ne flasim se si, si rajon ne duhet të kemi politika të përbashkëta për këto investimet të huaja të drejtpërdrejta. Është e qartë se shanset, mundësitë ekzistojnë, janë të mëdha, e prandaj unë kam bindjen se nga ky forum, ne do të dalim me ide e me nisma të tjera për të promovuar bashkëpunimin rajonal në bujqësi për të mirën e qytetarëve tanë. Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.