Kryeministri Rama priti sot Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, e cila nis nga Tirana turin e saj në rajon, si dhe do të marrë pjesë në Forumin e parë të Investimeve BE – Ballkani Perëndimor.
Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes u mbajt në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e më pas Kryeministri Rama dhe Presidentja von der Leyen zhvilluan një takim kokë më kokë në Kryeministri, i cili u pasua nga takimi mes dy delegacioneve.
Në vijim, Kryeministri Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve! Është kënaqësi e posaçme që të rimikpresim Presidenten e Komisionit Europian në një ditë të ngarkuar me aktivitet, jo thjeshtë për turin e Presidentes në rajon, që nis me Shqipërinë, por edhe për Konferencën e investimeve mes BE dhe Ballkanit Perëndimor që organizohet për herë të parë dhe që do të mikpresë një numër të konsiderueshëm sipërmarrjesh nga i gjithë rajoni dhe synojmë që ta kthejmë në një traditë në vitet në vijim.
Me Presidenten kemi pasur një bashkëbisedim që ka prekur të gjitha temat e interesit të përbashkët dhe natyrisht që për ne, mbetet një moment shumë i rëndësishëm dhe që ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë, fakti që Presidentja dhe Komisioni aktual i japin një rëndësi të posaçme Ballkanit Perëndimor dhe japin një vëmendje të posaçme procesit të përafrimit të vendeve tona me Ballkanin Perëndimor dhe në ketë aspekt, kemi folur për ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE, një proces që në këndvështrimin tonë, por edhe sa unë dëgjova nga Presidentja, është duke ecur me shumë mbarësi dhe me shumë shpejtësi, dhe nga ana tjetër folëm patjetër edhe për planin ri të rritjes që BE, që Komisioni nën udhëheqjen e Presidentes Von der Leyen, i ka vënë në dispozicion Ballkanit Perëndimor, duke i dhënë mundësi çdo vendi që përkundër agjendës së reformave dhe realizimit të objektivave në kuadër të kësaj agjende, të financohet nga BE në mbështetje të thellimit të mëtejshëm të reformave dhe më vjen shumë mirë që edhe në këtë pikw, morëm një vlerësim shumë pozitiv nga ana e Presidentes dhe do vazhdojmë të kryejmë me përpikëri dhe me shumë këmbëngulje të gjitha detyrat që kemi marrë përsipër.
Kemi folur po ashtu për forcimin e bashkëpunimit në rajon dhe për forcimin e sigurisë në rajon duke pasur parasysh domosdoshmërinë që të lidhemi shumë më fort në funksion të qenies sonë në mes, jo thjesht të Evropës, por edhe në zemër të BE nga pikëpamja gjeografike dhe në funksion të së nesërmes sonë që është në BE.
Patjetër që kemi prekur dhe çështjen e rezistencës së Ukrainës ndaj agresionit rus dhe edhe në këtë pikë jemi plotësisht dakord që do të vazhdojmë të mbështesim pa rezervë Ukrainën sepse aty në të vërtetë, përveç të tjerash zhvillohet dhe një përplasje mes një mënyre të të parit të botës dhe të të kuptuarit të bashkëjetesës, bazuar mbi parimet dhe vlerat e BE dhe të Evropës demokratike dhe një mënyrë krejt tjetër të të parit të botës që i sfidon dhe i kërcënon këto vlera dhe këto parime.
Kjo ishte pak a shumë një përmbledhje që unë mund të bëj duke shprehur një falënderim të posaçëm për Komisionin Europian, jo për protokoll apo për formalitet, por për faktin që puna që ne po bëjmë për të çuar përpara proceset e brendshme të lidhura më reformat, të lidhura me kapituj e negociatave, nuk do të ishte dot e suksesshme siç është deri tani, pa mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit dhe të gjithë partnerëve brenda Komisionit që ndërveprojnë çdo ditë më ekipin tonë dhe sigurisht e falënderoj Presidenten von der Leyen, jo vetëm për faktin që rikthehet në rajon, por rikthehet në Shqipëri, por për faktin që rikthehet e palëkundur në mbështetjen e procesit të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen: I dashur Edi, është një kënaqësi që të kthehem përsëri në Shqipëri dhe është një kënaqësi që ta filloj turneun tim vjetor të Ballkanit Perëndimor këtu në Tiranë.
Mesazhi im i parë është shumë i qartë: Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian! Ju keni bërë një rrugë shumë të gjatë, keni bërë progres, por unë tani dua të theksoj që është një progres i mrekullueshëm, një shpejtësi rekord dhe një përshpejtim në tre vitet e fundit. 5 nga 6 grup kapitujt janë tashmë të hapura. Ne planifikojmë që të hapim të fundit këtë vjeshtë dhe unë e di dhe përpjekjen tuaj personale zoti kryeministër edhe ju dhe të ekipit tuaj që keni investuar në këtë udhëtim. Qëllimi juaj është që të mbyllni negociatat deri në vitin 2027, kjo në fakt është ambicioze, por ne na pëlqen ambicia dhe dëshiroj t’ju siguroj që ne jemi të gatshëm, do të jemi me ju në çdo hap të kësaj rruge.
Momenti gjeopolitik është tani, këtu. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka riformësuar kontinentin tonë dhe çdo komb europian duhet të zgjedhë vendin e tij dhe gjithashtu Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj, mjaft e qartë.
Ju jeni plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian dhe së bashku ne veprojmë si një. Që të afroheni me Bashkimin Europian nuk ka të bëjë vetëm për politikat, por ka të bëjë edhe për një biznes të zgjuar dhe këtë do ta diskutojmë sot në Konferencën e Investimeve më vonë dhe në të vërtetë dy vjet më parë ne lançuam Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe parimi tij është mjaft i qartë, ekonomia juaj ka fituar akses në tregun tonë të përbashkët dhe në investime të reja të BE-së dhe në këmbim, ju zbatoni reforma kyçe dhe kjo është si ne marrim një situatë shumë të mirë Ballkanin Perëndimor dhe në tregun e vetëm të Bashkimit Europian.
Pra dyert e sektorit të tregut të vetëm janë të hapura, kompanive tuaja, por edhe për kompanitë tona, sepse kemi një treg të tërë të përbashkët, pra është një situatë “win – win”. Dhe Plani i Rritjes në fakt, ka potencialin që të dyfishojë ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë dekadë.
Ne shikojmë që tashmë ka filluar të japi rezultatet e saj dhe dua të jap tre shembuj koncize:
Shembulli i parë është që ju keni bërë një progres shumë të fortë në reformat kyçe. Në sajë të kësaj arritje, unë jam shumë e kënaqur që të them dhënien e 100 milionë eurove dhe tani kemi për ta zbatuar këtë plan, tani që jemi në rrugën e duhur. Kjo është rruga që Shqipëria të aksesojë të gjithë fondin në bazë të Planit të Rritjes, ka afërsisht 1 miliardë euro.
E dyta është në fakt fusha e pagesave të euros së vetme dhe më kujtohet dy vite më parë, kur ne folëm që Shqipëria do të bëhej pjesë e SEPA, sistemit të pagesave. Në atë kohë, kjo dukej në fakt si një projekt mjaft ambicioz dhe mjaft sfidues, por ju e realizuat atë, e bëtë që të ndodhi ky veprim. Që prej javës së kaluar transferimet e parave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian janë shumë më të sigurta dhe shumë më të lira. Pra, kjo është në avantazh shumë i madh për qytetarët dhe kompanitë.
Shembulli im i tretë është roaming në 2023 këtu në Tiranë, ne arritëm një marrëveshje shumë të rëndësishme me operatorët, juve ju kujtohet kjo. Vitin që do të vijë ne do të heqim të gjitha tarifat e roaming midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dhe kjo është shumë e mirë për bizneset, është shumë e mirë për turizmin dhe veçanërisht është e mirë që t’i sjellim popujt tanë dhe njerëzit tanë së bashku.
I dashur Edi, zoti kryeministër, mesazhi im i fundit është ky. Ndoshta është rasti më i fortë për zgjerimin, nuk është çështja ekonomike apo çështja gjeopolitike, por janë njerëzit. Shqipëria e do Europën dhe një studim i kohës së fundit ka treguar që edhe në qoftë se do të bëhej një referendum sot, 92% e shqiptarëve do të votonin për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe përmes gjithë kontinentit, europianët e rinj, të gjithë janë me ne dhe me ju dhe 2/3 e atyre që janë në moshë nga 15 deri në 40 vjeç mbështesin zgjerimin, dhe kjo është në fakt sinjali më i qartë i të gjithave.
Gjenerata jonë e re do të jetojë në një Europë, me një Bashkim Europian të fortë, të sigurt dhe të bashkuar. Pra, i dashur Edi, të uroj çdo sukses që ju të vazhdoni në rrugën tuaj për anëtarësimin në Bashkimin Europian, edhe unë do t’ju mbështes në çdo hap në rrugën tuaj.
Faleminderit shumë!
* * *
-Pyetjen e parë e kam për ju zonja Presidente. Për vite me radhë BE ka thënë se dera është e hapur për Shqipërinë, por kjo derë nuk po hapet dhe shqiptarët janë lodhur, duke dëgjuar vazhdimisht për procese, për kapituj, për negociata. Kur do hapet kjo derë dhe çfarë ka mbetur ende për t’u bërë?
–Pyetja për ju zoti kryeministër, është për të njëjtën çështje. Ju shpesh keni kritikuar BE për burokraci. Sot, besoni se BE me gjithë burokracitë do të mund të anëtarësojë Shqipërinë në 2030-ën?
Presidentja e KE Ursula von den Layen: Ne të gjithë themi me të drejtë që procesi i zgjerimit është një proces që bazohet në meritat dhe këto merita që Shqipëria meriton janë të dukshme tani. Siç e thashë dhe në fillim, është një proces normal i hapjes së grupkapitujve dhe puna me reformat në mënyrë që të bëheni pjesë e BE.
Për mua, dua të them është mjaft impresionuese të shoh përshpejtimin, shpejtësinë që kemi kaluar në dy tre vitet e fundit dhe jam gjithmonë e impresionuar me ju zoti kryeministër dhe me popullin shqiptar që më thonë “po, ne duam të bëhemi pjesë e BE, të bëhemi anëtare, por e dimë që këto reformat janë për ne në mënyrë që të forcojmë demokracinë dhe të forcojnë vendin tonë. Dhe prandaj kjo është e dukshme dhe e bërë këtu në Shqipëri, sukseset e viteve të kaluara, unë përmenda Sepa, përmenda Roaming, por gjithashtu dhe planin e rritjes që është në fakt po funksionon mjaft mirë në Shqipëri. Do të kemi tani konferencën e investimeve, të gjitha këto janë hapa pozitivë përpara. Prandaj unë mund të them vetëm që jam impresionuar thellë nga shpirti këtu, nga fryma që gjej këtu në Shqipëri dhe jam shumë e përqendruar në ambicien tuaj që deri në 2027 Shqipëria të behet pjesë e BE.
Kryeministri Edi Rama: Pyetja që mu drejtua mua ishte mbresëlënëse për faktin që ne dhe unë personalisht, jo vetëm që e besojmë këtë që themi, por bazuar mbi këtë besim, ne zhvilluam para pak kohësh dhe një fushatë të tërë zgjedhore ku iu kërkuam shqiptareve të na japin mbështetjen, të na japin një mandat të fortë për Shqipërinë 2030 në BE.
Kështu që, në këtë kuptim pyetja është drithëruese. Ndërkohë që, për sa i përket çfarë kam thënë unë për BE tanimë ka një kohë relativisht të gjatë që kam thënë ato që kam thënë dhe të cilave nuk i heq asnjë presje pasi në atë periudhe KE i propozonte Këshillit që të hapeshin negociatat dhe Këshilli refuzonte për shkak të dy a tre vendeve që i bëheshin pengese këtij procesi. Ndërkohë që, sot jetojmë prej disa kohësh dhe nuk është sot, u bë disa kohë që jetojmë në një realitet tjetër në raportet e Shqipërisë me BE. Dhe prandaj pyetja ishte për t’u mbajtur mend sepse sot, ne jemi në një situatë, kur siç tha dhe Presidentja kemi hapur 5 nga 6 grupkapitujt e procesit të negociatave në vetëm 11 muaj, është një kohë rekord për nga shpejtësia. Dhe sigurisht që ne kemi bërë detyrat tona se në Bruksel nuk të dhuron njeri asgjë, duhet t’i fitosh të gjitha ato që kërkon, por nuk diskutohet që nuk do ndodhte sidoqoftë ky proces me këtë shpejtësi, nëse nuk do kishte një vullnet të madh, jo vetëm nga Komisioni, por dhe nga vendet anëtare në këtë fazë. Sepse është i gjithë BE, të paktën unë kështu e shoh që prej disa kohësh nuk ka lëkundje fare, që duhet mbështetur procesi i anëtarësimeve të reja, duhet mbështetur Ballkani Perëndimor, duhet mbështetur Shqipëria. Është vullnet i përgjithshëm dhe prandaj kjo sintoni me komisionin dhe me BE është e plotë.
Ndërkohë që viti 2027 nuk është një vit që e pamë në ëndërr ne këtu në Tiranë dhe tani po ia tregojmë shqiptarëve. Është një vit që e kemi përcaktuar së bashku me KE si objektivin e negociatave. Natyrisht ky objektiv lidhet me detyrat që ne bëjmë këtu, me reformat, me masat që janë të gjitha të kalendarizuara dhe të detajuara. Nëse ne do vazhdojmë kështu me këtë ritëm dhe me këtë këmbëngulje dhe me këtë sukses në çdo hap, ne do t’ia dalim që në 2027 ta bëjmë detyrën tonë. Dhe natyrisht Komisioni në memorien time gjithmonë e ka bërë detyrën e vet. Pra, ka qenë objektiv në vlerësimin e punës sonë. Pastaj do kemi periudhën kur vendet anëtare do duhet të shprehen një nga një për të ratifikuar në parlamentet e tyre anëtarësimin tonë në BE dhe kjo është një fazë tjetër.
Kështu që dhe një herë tjetër, unë jo e besoj, por e kam bindje absolute që është në dorën tonë që të arrijmë objektivin e 2027-ës sepse kam bindjen absolute që Presidentja nuk lëviz nga pozicioni i saj që nuk është pozicioni i sotëm por është pozicioni i ditës 1 kur është zgjedhur ditën e parë dhe në Tëitt-in e parë që ka bërë si Presidente e Komisionit të sapo zgjedhur ka shkruar “ky është një komision gjeopolitik”. Pra, përtej burokracisë se burokracia patjetër, burokracisë nuk i shpëtojmë dot ne se po t’i shpëtojmë burokracisë do të thotë që Silvio nuk do ishte kaq i rëndësishëm për BE këtu në Tiranë.
– Pyetja ime është e përbashkët. Lidhet pikërisht me faktin e mbylljes së grupkapitujve të anëtarësimit. Ju e përmendët edhe gjatë fjalës tuaj, edhe përdorët fjalën rekord hapjen e grup kapitujve. Ndërkohë cilat janë pritshmëritë tuaja për mbylljen e grup kapitujve të negociatave. Cilat janë fushat prioritare që do duhet të ndjekë qeverisa shqiptare, zoti Kryeministër edhe në koordinim me Komisionin Evropian dhe zonja Presidente, ju e përmendet edhe gjatë fjalës tuaj që shqiptarët kanë treguar vazhdimisht, qoftë nëpërmjet sondazhit, qoftë edhe në zgjedhje qe e duan BE. Janë këto dy sinjale të mjaftueshme për të arritur edhe mbylljen e negociatave? Faleminderit.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen: Pra, ky është avantazhi i një procesi që bazohet në merita sepse Shqipëria ka vepruar kaq mirë në rrugën e saj të reformave, në zbatimin e tyre dhe unë jam shumë e bindur që kështu do të jetë edhe në pjesën e dytë të këtij procesi, që do të thotë mbyllja e grupkapitujve të ndryshëm dhe mendoj që ndryshimi i vërtetë që ka ndodhur disa vite më parë, ka qenë në të vërtetë siç e thashë tashmë, që Shqipëria e ka kuptuar. Ne e duam këtë proces dhe ju po tregoni mjaft mirë se sa shpejt, në një kohë rekord, sa ambiciozë ju mund të jeni, jo vetëm në hapjen e grupkapitujve por edhe në mbylljen e tyre.
Kryeministri Edi Rama: Përgjigjja është po aty ku ishte që në fillim, që kur thuhet 2027 do të thotë që brenda 2027 do të mbyllen kapituj, kështu që nuk e kuptoj pyetjen “ çfarë pritshmërish ke’’. Pritshmëria është që brenda 2027 të mbyllen kapitujt dhe ne nga ana jonë që t’ia dalim kësaj, duhet të bëjmë të gjitha detyrat këtu dhe detyrat janë shumë të mirë përcaktuara kapitull për kapitull dhe plus edhe në planin e rritjes.
Kështu që nëse sot, ne marrim një vlerësim kaq pozitiv, kjo vjen si rezultat i detyrave të bëra deri tani, por që ne të vazhdojmë te marrim vlerësim pozitiv, duhet të vazhdojmë të bëjmë detyrat dhe detyrat, se dua ta theksoj këtë si gjithmonë, ne nuk i bëjmë se na i kërkon BE, as që të kënaqim ata që nesër do të na miratojnë anëtarësimin në Paris, apo në Berlin apo në…, se më erdhi të them në Londër, po Londra ‘’ka ikur në drejtim të paditur”, apo në Romë.
Ne i bëjmë detyrat për veten tonë. Çdo detyrë që ka ky proces dhe që bëhet këtu me sukses, e bën Shqipërinë më të fortë dhe më funksionale si shtet. Për ne procesi i integrimit, i negociatave për anëtarësim, i hapjes së kapitujve, i mbylljes së kapitujve, është proces shtet-bërjeje demokratike dhe në fund të këtij procesi, kur Komisionit të thotë ‘’ne e mbaruam punën tonë’’ do të thotë që ne, Shqipëria, për veten tonë marrim një certifikatë që në bazë te opinionit të Komisionit Evropian, jemi një shtet funksional demokratik dhe kjo është për shqiptarët dhe për gjeneratat e tjera dhe pastaj, si i tillë, ne mund të hyjmë në BE dhe pastaj vazhdon procesi i përmirësimit, se nuk mbaron kurrë. Edhe gjermanët që janë mbajtur për dekada të tëra si më të përsosurit, nuk janë aq të përsosur sa i dinim. Edhe tani po e kuptojnë edhe vetë. Domethënë është proces, nuk është një gjë që mbaron, por ama për ne është fat që jemi në mes të Europës dhe që kemi Bashkimin Europian që na shoqëron në ketë proces, se nëse do të ishim jashtë këtij kontinenti dhe s’do ta kishim BE, ne do ta kishim të pamundur që të bënim një shtet funksional, demokratik për 1001 arsye.
Shumë faleminderit!