Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në Forumin Qytetar për Sigurinë, në Fier:

Në radhë të parë dua të përgëzoj ministrin dhe ekipin e tij për organizimin e këtyre forumeve të sigurisë me qytetarët dhe shpresoj dhe besoj që do të kthehen në institucione të ndërveprimit mes Policisë së Shtetit dhe komuniteteve.

Pasi të kryhet faza e parë e prezantimeve të këtij formati në mënyrë sistematike, drejtori i policisë së qarkut, sëbashku me drejtuesit e tjerë, periodikisht do të dalë para komunitetit për të bërë transparencën e veprimtarisë së policisë, për të ndarë shqetësimet me banorët dhe sigurisht për të dëgjuar me shumë vëmendje edhe shqetësimet e tyre dhe padyshim edhe kritikat e tyre për veprimtarinë e policisë së shtetit në një zonë apo në një zonë tjetër. Sepse qëllimi themelor i këtij organizimi është krijimi i një lidhjeje të re, mes policisë dhe komuniteteve, duke kaluar në një fazë tjetër që e kthen policinë nga një strukturë që është parë vetëm si një strukturë kontrolli, në një strukturë që duhet të shihet dhe si strukturë shërbimi. Një strukturë shërbimi që do të thotë që, jo thjesht reagon kur merr një alarm, por që është aty e pranishme gjatë gjithë kohës për të dëgjuar, për të kuptuar e për të vepruar sëbashku me njerëzit, pasi siç doli dhe nga pyetjet këtu, roli i policisë është shumë më i gjerë se sa lufta me krimin dhe përballja me keqbërësit, shkon shumë më përtej.

Ne jemi ende në një fazë reformimi të Policisë së Shtetit dhe ndryshimi të qasjes për të thelluar një proces të nisur qysh disa vite më parë që Policia e Shtetit të mos jetë indiferente përballë asnjë shfaqjeje që cenon në një mënyrë ose një tjetër bashkëjetesën, sigurinë dhe qetësinë e njerëzve, që do të thotë; shfaqje të dëmtimit të mjedisit, shfaqje të paligjshmërisë në ndërhyrjet pa leje në territor deri tek të gjitha ato shfaqje që u prekën edhe këtu që shkojnë edhe në detaje të veçanta të sigurimit të marrëdhënieve të ligjshmërisë në ndërveprimet e qytetarëve me shërbimet e ndryshme publike apo private, normalisht duhet të jenë në sferën e interesit dhe të vëmendjes së policisë së shtetit.

Por nga ana tjetër, besoj që njerëzit janë të vetëdijshëm për faktin që kjo kërkon një polici që ka nevojë të rritet në kapacitetin për të dëgjuar, për të kuptuar e për të reaguar në të gjitha nivelet. Që do të thotë nga nivelet më të larta, deri tek punonjësi i policisë në komunitet dhe besoj që ju jeni të informuar edhe për procesin e nisur të vettingut në Policinë e Shtetit që është një proces që përveç asaj që duket ose që thuhet ka edhe një rëndësi të posaçme në forcimin e dinjitetit të çdo punonjësi policie e të çdo njeriu që shërben si pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit. Çfarë do të thotë? Do të thotë që procesi nuk është vetëm i njëanshëm, pra rezultati i procesit nuk është se sa punonjës policie do të dalin jashtë sistemit për shkak se nuk justifikojnë pasurinë apo nuk justifikojnë me aftësitë e tyre detyrën që ju është dhënë, por edhe çfarë do të përfitojnë në pikëpamje të dinjitetit të trupës ata që do ta kalojnë këtë sitë të rëndësishme, sa më e frymëzuar, sa më e motivuar, sa më e energjizuar dhe e vetëdijshme për rolin e vet do të jetë Policia e Shtetit si e tërë, në raport me gjithë këto nevoja dhe kërkesa që ka ndaj saj.

Nga ana tjetër, jam i bindur që organizimi i këtyre forumeve do të rrisë, jo vetëm mundësinë për të komunikuar drejtpërdrejtë, por do të rrisë dhe rezultatet e Policisë së Shtetit në disa aspekte që nganjëherë neglizhohen, pasi sigurisht që fokusi kryesor është aty ku është edhe beteja më e rëndë, me krimin e organizuar apo me kriminalitetin e rëndë po themi, që krijon ato veprat e rënda penale.

Jam i bindur që rritja e rezultateve në aspekte të tjera, do të ngushtojë, siç ndodh gjithmonë në këtë fushë, edhe territorin, hapësirën e veprimit të atyre që kryejnë krime më të rënda sepse në një territor ku askush nuk respekton rregullat e qarkullimit, ka natyrshëm shumë më tepër kriminalitet, ka natyrshëm shumë më tepër paligjshmëri dhe ka natyrshëm një raport shumë negativ forcash mes krimit dhe shtetit. Ndërsa në një territor ku rregulli dhe respektimi i rregullit janë ligjësia e jetës së përditshme ndërkohë që shkelja e rregullit dhe shkelja e normave të bashkëjetesës janë përjashtimi nga rregulli, është shumë më e thjeshtë, edhe pse është gjithmonë e vështirë, por është shumë më e thjeshtë që fokusi tek shkelësit e ligjit dhe tek keqbërësit të jetë me shumë më tepër rezultat.

Së fundi, unë besoj që ky Forum, ky format, zhvillimi i këtij formati dhe kthimi i këtij formati në një institucion tradicional të bashkëjetesës mes Policisë së Shtetit dhe komunitetit do të rrisë aftësinë komunikuese të të gjithë punonjësve të Policisë, që është një problem më vete.

Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm që ne kemi një nivel shumë të ulët akoma të komunikimit të punonjësit të Policisë me qytetarin. Në këtë rast, tipik është komunikimi i punonjësit të Policisë në rrugë me qytetarin, aftësia për të thënë: Mirëmëngjes! Mirdita! Mirëmbrëma! Ju lutem! Faleminderit! Pavarësisht se qytetari që është ndaluar mund të ketë shkelur një rregull qarkullimi, mund të ketë qenë me shpejtësi, mund të jetë subjekt i një testi alkooli, mirësjellja dhe komunikimi janë të detyrueshme në çdo rast.

Dalja e Policisë së Shtetit nga kështjella e vet në terrenin e bashkëjetesës me komunitetet përmes këtij Forumi ka një vlerë të shumëfishtë dhe me siguri do të ketë një impakt të rëndësishëm edhe në këtë drejtim. Natyrisht, nuk jemi duke shpikur asgjë. Policimi në komunitet është një filozofi e tërë e punës së strukturave policore në vendet e zhvilluara, është një traditë e tërë, është një instrument i patjetërsueshëm dhe që nuk ka një alternativë. Këtu është ende në hapat e parë. Këto aktivitete të para janë premtuese për faktin se ka interes për t’i ndjekur, por janë në embrion të një zhvillimi që do të shkojë duke u bërë gjithmonë e më i prekshëm nga qytetari.

Ajo që tha ministri, që, shtrirja do jetë kapilare, deri te Njësia Administrative, është shumë e rëndësishme, sepse në fund të ditës është shumë e rëndësishme që e gjithë trupa të jetë e përfshirë në këtë ndërveprim, të jetë e vetëdijshme që në mënyrë sistematike do të dalë përpara njerëzve, pra jo thjesht Drejtori i Përgjithshëm, Drejtori i Qarkut, apo një shef komisariati, por edhe zyra policore e zonës, edhe punonjësi i policisë në komunitet. Ky përshkallëzim kapilar i këtij aktiviteti do te ketë një vlerë të shtuar për Policinë dhe do të sjellë një rritje të cilësisë së punës së Policisë në shërbim të njerëzve dhe në funksion të jetës së përbashkët.

Edhe me falënderimin për të gjithë të pranishmit që erdhën e nderuan ftesën e Ministrisë dhe të Policisë së Qarkut, dua ta mbyll fjalën time, duke shprehur bindjen që rezultatet kuptimplota të Policisë së Shtetit në këtë periudhë dhe jo vetëm në ato aspekte që janë lajm i ditës, që kanë të bëjnë me përshkallëzimin e luftës kundër krimit të organizuar, por në aspekte të numrit të vrasjeve, që është më u ulëti në të gjithë trendin historik, – muaji shkurt dhe muaji mars ishin muajt me numrin më të ulët historik, – si dhe të veprave të tjera të rënda penale, tregon që jemi në rrugën e duhur. Jam i bindur që do shkojmë aty ku kemi vendosur të shkojmë dhe ku kemi thënë se do shkojmë, të ndërtojmë brenda këtij mandati një Polici Shteti që të jetë në parametrat e mesatares së policive të Bashkimit Europian, sepse kemi hapur negociatat. Procesi i integrimit nuk do të jetë i shkurtër. Anëtarësimi nuk do të vijë nesër. Por ndërkohë, strukturat tona shtetërore përmes këtij procesi, duhet që, – është apo s’është Shqipëria ende anëtare e Bashkimit Europian, – të jenë në nivelin e Bashkimit Europian dhe Policia e Shtetit duhet të jetë njëra prej tyre.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.