Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e përurimit të Spitalit të ri të Kirurgjisë “Frederik Shiroka” në QSUT:
Po shikoja këtë fotografinë në sfond, muret e sallës së operacionit, të veshura me pllaka që përdoren për tualetet dhe mu kujtua që kur u bëra kryetari i bashkisë së Tiranës, mu desh të vizitoja kopshtin zoologjik. Kafazin e luanit, e kishin shtruar me të njëjtat pllaka dhe praktikisht e kishin vendosur luanin në një pozitë që në asnjë xhungël nuk ishte vendosur specia e tij sepse nuk ecte dot, rrëshqiste dhe ishte bërë gjysmë delfin në kopshtin zoologjik të Tiranës.
Natyrisht, i përket edhe kjo foto edhe rrëfimi im, kohës kur demokracia erdhi bashkë me pllakat majolike nga Turqia si një shpërthim entuziazmi kundër atyre pllakave uniforme, të bardha, të vogla që prodhoheshin në vend, por ia vlen t’i kthehemi një moment për të parë më mirë se pse duhet kohë, pse duhet durim i madh për të ardhur në realizimin e veprave si ky spital që unë besoj që nuk e ekzagjeroj po të them që është vepra më e madhe e 90 viteve në Shqipëri, në shëndetësinë e vendit për nga cilësia dhe thellësia e projektit dhe kapacitetet teknologjike që vendos në dispozicion të mjekëve dhe të ekipeve mjekësore.
Ndjehem shumë i nderuar dhe njëkohësisht nuk ka kompliment më inkurajues se sa fjalët e profesorit që ka shoqëruar një periudhë të rëndësishme të historisë së kirurgjisë shqiptare dhe fjalia e tij që “kjo është një ëndërr e bërë realitet”. Por sigurisht që nuk mbaron këtu sepse ëndrra ime që në momentin e parë ka qenë që QSUT-ja të transformohet në të gjithë perimetrin e saj në një shëmbëlltyre të ambicies tonë për Shqipërinë dhe për shëndetësinë në Shqipëri. Sot, spitali i kirurgjisë ka përfunduar, por QSUT-ja është një kantier dhe mjafton rruga për të ardhur e për të hyrë deri këtu me ende shumë njerwz nëpër këmbë, gjë që nuk ndodh në spitalet normale, në vendet normale për të kuptuar që është nevoja e një vazhdimësie në punë, në punën transformuese, qoftë pwr sa i përket infrastrukturës së brendshme, qoftë sa i përket gjithë hapësirës rreth e rrotull. E për këtë arsye, jo vetëm puna në vazhdim me spitalin e sëmundjeve të brendshme që do jetë një tjetër model i shkëlqyer transformimi apo me pediatrinë që po ndërtohet në anën tjetër, por edhe puna me gjithë pjesën e jashtme për të pasur më në fund një parkim që do të grumbullojë të gjitha mjetet në hyrje dhe do ta kthejë hapësirën brenda perimetrit të QSUT-së në një hapësirë ku lëvizin vetëm auto-ambulancat dhe jo veturat dhe kamionçinat dhe mjetet e tjera, është një domosdoshmëri.
Nga ana tjetër, më vjen mirë që e dëgjova nga profesori ta përmend këtu, atë që ju e dini patjetër më mirë se të gjithë, unë e kam mësuar për shkak të detyrës, por shumëkush nuk e ka parë situatën që ishte me pajisjet mjekësore, me pikërisht gërshërët që nuk prisnin, pincat që nuk kapnin dhe instrumentet që sterilizoheshin me alkool.
E pra, sot edhe ky është një aspekt tjetër i një transformimi të madh që është bërë i mundur falë modelit të mallkuar të partneritetit publik privat, por që përndryshe nuk do të ishte i mundur. Jam shokuar kur kam parë në momentet e para të fillimit të detyrës, raportin mbi infeksionet post operatore që shkaktoheshin edhe si rezultat i instrumenteve mjekësorë në dispozicion. Çfarë kosto për shëndetin e njerëzve, çfarë kosto për xhepin e familjeve, çfarë kosto për spitalin, çfarë kosto morale dhe për vetë mjekët që të mos arrijnë dot të marrin sodisfaksionin profesional nga një punë e kryer më së miri për shkak se nuk kanë në dispozicion instrumente që nuk bëjnë reagime të padëshiruara në trupin e njeriut.
Sot ne kemi një set instrumentesh dhe një sistem sterilizimi siç besoj u bë e pamundur dhe për t’u imagjinuar se mund të ndodhë.
Nga ana tjetër, jam shumë i vetëdijshëm për faktin që shëndetësia nuk është thjesht dhe vetëm spitali kryesor apo ansambli kryesor i vendit.
Është një rrjet i tërë shërbimi për ta lehtësuar ansamblin kryesor, për t’i dhënë kësaj qendre kaq të rëndësishme, mundësinë që të merret me atë që i takojnë e jo me ato që nuk i takojnë. E vetëm deri pak vite më parë, këtu ishte edhe shërbim parësor, edhe urgjence për të gjitha llojet e rasteve që mund të mos ishin as urgjente, edhe për gjithçka.
Lehtësimi i kësaj barre përmes krijimit pak nga pak të gjithë sistemit rreth e rrotull është pjesë e këtij procesi.
Prandaj ne kemi vënë një fokus të veçantë tek mjeku i familjes, prandaj kemi vënë një fokus të veçantë tek rindërtimi i qendrave shëndetësore, prandaj kemi vënë një fokus të veçantë tek ripërtëritja e spitaleve rajonale në mënyrë që t’i japim kësaj qendre mundësinë që të merret me ato që i takojnë dhe duke u marrë me ato që i takojnë, të rritet nga pikëpamja e dijes dhe e kapaciteteve për të përcjellë dije.
Përtej kësaj, dua të theksoj një element që besoj ka një rëndësi të veçantë, që këto mjedise të reja, por dhe mjediset e spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme, do të ofrojnë më shumë mundësi për praktikën klinike të studentëve dhe duke pasur sallën e digjitalizuar të operacionit që tashmë është në dispozicion për mjekët dhe studentët, do të bëhet e mundur që përmes kamerës, në auditorin e studentëve të transmetohen të gjitha ndërhyrjet klinike, pa pasur nevojë që të jesh patjetër brenda në sallë. Sigurisht, prania brenda në sallë është pjesë e të tërës, por në të njëjtin kohë, pasja e mundësisë për të ndjekur drejtpërdrejtë operacionet dhe krijimi i një arkivi operacionesh, një arkivi dixhital operacionesh ku mund të shikohen si në film episodet e ndërhyrjeve të të gjithë profesorëve të nderuar këtu, ku mund të ndërtohen shembujt është një pasuri e re e madhe e kësaj qendre që forcon rrugën e dijes.
Është bërë një zgjedhje e duhur dhe unë e hoqa nga shënimet e mija sepse ndërkohë pa u marrë vesh me njëri – tjetrin, Ogerta e kishte në krye të fjalës së saj, citimin e njohur të profesor Frederik Shirokës, që thashë, është bërë një zgjedhja e duhur duke i vendosur emrin e tij këtij spitali dhe po i referohem emrit të tij për të përcjellë në vëmendje e të gjithëve se në fund të ditës, dallimin e bën dija.
Duke dëgjuar profesor Besimin që fliste për kushtet e operacioneve e duke imagjinuar se sa qindra, mijëra njerëz faktikisht janë sot shëndoshë e mirë falë atyre ndërhyrjeve operacionale në ato kushte, ku një profesor i huaj vjen dhe thotë “më duket vetja student”, vlerësoj se duhet pasur në vëmendje që është një dije shumë e madhe për t’u transmetuar.
Si katundar që jam, nga një katund këtu afër, gjëja e parë që do bëj nesër është t’ju sjell një varg me hudhra, ta vendosni tek dera e spitalit. Ne katundarët siç i thonë, “nuk kina shkollë por kina eksperiencë”. Kështu që hudhrat do t’jua sjellë nesër që mos ju marrim ju mësysh.
Në mbyllje të fjalës, për të mos ju marrë më shumë kohë, dua të shtoj dhe faktin se përtej të gjitha investimeve, të cilat ju e dini shumë mirë që në shëndetësi nuk mjaftojnë kurrë, ka 1 ministër që është armik i shpallur në çdo qeveri, të çdo vendit të botës, që është ministri i Financave dhe ka pastaj nga ana tjetër, ministrat që qajnë dhe kërkojnë më shumë. E gjithmonë, me çfarë kam dëgjuar, i pari gjithmonë që kërkon më shumë dhe është më i pakënaqur nga çfarë merr është ministri i Shëndetësisë, për shkak se edhe në vendet më të zhvilluara, me shëndetësinë më të përparuar, asnjëherë nuk është mjaft.
Ne kemi investuar aktualisht në zhvillim, 30 milionë dollarë për këtë qendër, që është jashtëzakonisht shumë në raport me çfarë është bërë më parë, por që është prapë pak, në raport me çfarë nevojash ka dhe lëre pastaj për të gjithë sistemin. Ndërkohë që njerëzit me të drejtë kërkojnë gjithçka, e kërkojnë tani dhe nuk janë ata që duhet t’i marrin parasysh kostot e mëdha që ka çdo rritje e cilësisë apo e volumit të shërbimeve në shëndetësi.
E rëndësishme është që ne nuk do të shkurtojmë asgjë, për shkak të emergjencës së tërmetit që na ka sfiduar rëndë si qeveri dhe si shtet pasi duhet të adresojmë një nevojë kolosale për rindërtim.
Ju i keni dëgjuar mbase propozimet për të ndërprerë partneritetet, pra unë nuk e di, se nuk është as detyra dhe as detyrimi juaj që të ngrini zërin për këtë, por nuk besoj të ketë një mjek të vetëm apo një infermiere të vetme që do të ishte dakord që ne të ndërprisnim financimin për instrumentet mjekësorë e të ktheheshim prapë tek gërshërët që nuk presin, tek pincat që nuk kapin, pse? Sepse na qenka një partneritet publik,privat. Ndërkohë që edhe një herë po e shpjegoj siç e kam shpjeguar vazhdimisht, por sigurisht, kush nuk do të kuptojë, nuk kupton. Kush nuk do të shikojë, nuk shikon, kush nuk do të dëgjojë, nuk dëgjon që, nëse sot ne kemi kapacitetin për të furnizuar me instrumente mjekësorë të cilësisë së parë, të gjitha sallat tona të operacioneve, kjo vjen si rezultat i investimit që ka bërë privati, jo shteti.
Partneritet publik, privat nuk është marrja e lekëve nga arka e shtetit dhe dhënia e tyre në dorën e një privati, por është një marrëveshje e bazuar tek mirëkuptimi që privati investon para që shteti nuk i ka në atë moment, të gjitha bashkë dhe shteti shlyen, përkundër investimit të bërë dhe kur mbaron shlyerjen, merr në dispozicion atë që është investuar. Pra, faktikisht, të gjitha ato sisteme sterilizimi kthehen në pronë të shtetit. Si mundet të ndërpritet ky program? Kjo marrëveshje? Ky proces? Për çfarë? Sigurisht që kjo është një sfidë, ashtu sikundër është një sfidë mirëmbajtja. Ju e dini shumë mirë. Ka qenë një histori e gjatë dhe e trishtuar mungesa e aparaturave, por edhe mosmirëmbajtja e aparaturave që vinin ose deri dhe pastaj mospërdorimi fare i tyre, mbajtja e tyre në kuti për shkak se nuk ishin bërë proceset e duhura të trajnimeve ose ngecja e tyre për një shkak apo një tjetër, për vite të tëra.
Për këtë arsye, i kam kërkuar ministres që të hapë një proces për një mirëmbajtje të integruar. Është bërë shumë pak për të mos thënë që është bërë shumë në drejtimin e gabuar për të krijuar sisteme në dispozicion të mjekëve dhe prandaj unë sa më shumë e njoh nga brenda këtë sistem, sa më shumë e shoh nga brenda të gjithë organizmin e këtij sistemi, aq më shumë ndihem realisht keq kur mjekët fyhen, kur mjekët baltosen, kur mjekët mbulohen me lloj-lloj sharjesh dhe etiketimesh nga një perceptim i ushqyer në vijimësi si pasojë e kushteve të vështira patjetër, por po të shikosh se sa shumë kanë mundur të bëjnë mjekët e se sa keq janë shërbyer ata, me ata që duhet t’ju jepnin në dorë instrumentet, pra sistemin e punës, atëherë puna e mjekëve është shumëfish më e respektueshme dhe e admirueshme madje.
Patjetër që ka mjekë që e shkelin, nuk diskutohet. Patjetër që ka si kudo, pyll pa derra, nuk ka, por ama nëse shohim shifrat, një ngjarje fatkeqe në një proces operacioni bën lajm por 60 mijë operacione të suksesshme? Se faktikisht, përderisa nuk bëjnë lajm, janë të suksesshme. 60 mijë në vit dhe plus me mikrokirurgjitë shkojnë 90 mijë njerëz që drejtohen tek bluzat e bardha, që marrin shërbim dhe kthehen në shtëpi dhe vazhdojnë jetë normale dhe fshihen nga 1-2 raste në vit që mund të përbejnë arsye për t’u skandalizuar edhe pse është pjesë e punës së mjekut? Dhe sfida jonë është që t’i vëmë në shërbim një sistem ku dija juaj bën më të mirën e ku motivimi juaj është maksimal.
Mirëmbajtja e aparaturave është një sfidë e madhe. Thyerja e gjithë atyre guaskave të krijuara ndër vite me sfera influencash e me lidhje nëntokësore, qoftë për sa i përket furnizimit me barna, qoftë sa i përket aparaturave, është sfidë.
Tek barnat kemi bërë një progres të madh. Patjetër që akoma kemi nevojë ta forcojmë sistemin. Patjetër që akoma kemi problem, sidomos në spitalet jashtë Tiranës me mjekë që i drejtojnë pacientët tek farmaci private dhe pse barnat i kanë aty në gjendje, patjetër që ka raste, por nuk ka asnjë krahasim me të shkuarën. Ndërkohë që ajo që na duhet të bëjmë me aparaturat është një domosdoshmëri. Një mirëmbajtje të integruar të gjithë sistemit dhe të garantuar, siç e bën pjesa racionale e kësaj bote sepse nuk jemi të pasur dhe nuk mund të vazhdojmë të biem në kurthin e atij që nuk ka dhe i kushton më shumë ajo që harxhon.
Shumë faleminderit për durimin tuaj dhe për vëmendjen dhe po e përfundoj me revolucionin dixhital, me shërbimet online, që do të lehtësojnë shumë, jashtëzakonisht shumë qytetarët, në të gjithë sektorët.
Deri më sot kemi pasur një fluks marramendës, masiv, popullatë në lëvizje. Një popull i tërë në lëvizje, nga zyra në zyrë, për të marrë letra këtej e letra andej, për të mbushur një aplikim, për ta çuar në një sportel e për të marrë një vërtetim, për të marrë kartën e shëndetit. Të gjitha këto, këtë vit mbarojnë dhe aplikimet do të mund të bëhen të gjitha nga shtëpia, nga telefoni, nga cilido kompjuter pranë duke marrë shteti përgjegjësi që çdo dokument që deri sot, deri dje, ia ka kërkuar qytetarit, shkohet tek ish reparti ushtarak, merr vërtetim që ke bërë ushtrinë. Shko këtej, merr vërtetim. Kishte një vërtetim – dhe që ta mbyllim me një buzëqeshje, – që ju nuk do ta besoni, për të kërkuar një njeri të humbur jashtë shtetit.
Personi që e kërkon, duhet të paraqesë kartën e identitetit të të humburit. Pra nëse të humbet larg qoftë – siç i kishte humbur atij, po ia gjetëm, gruaja kur ra tërmeti, – një i afërm dhe ti do të shkosh të kërkosh ndihmën e shtetit, duhet të kesh me vete pasaportën e të të humburit. Pra, ai para se të humbasi, duhet të dorëzojë ty pasaportën, përndryshe ti nuk aplikon dot. Domethënë një mal me letra nga më të çuditshmet që ne po i heqim dhe mbi të gjitha, të gjitha ato që shteti kërkon, sepse bëmë shumë përpjekje me administratën duke i thënë shkurtoji, “Jo duhet dhe kjo”, “duhet kjo patjetër”, “po nuk u bë kjo..”. Sepse për çdokënd që ka një copë firmë e një copë letër, është pushtet, është thjesht pushtet. Unë kam pushtet të mos ta jap firmën deri kur ti të vish e të kollitesh që të të vë stetoskopin.
Atëherë shumë mirë, zgjidhja është: Duhen këto? Shumë mirë, merri ti. Nuk do ti marr unë qytetari. Merri ti, shtet brenda shtetit, qarkulloni vetë letrat, unë po bëj aplikimin, dua kartën e shëndetit. Duhen gjithë këto letra për mua në shtet? Merri vetë, shteti i ka. Pse duhet të shkojë unë nga një zyrë tek tjetra?
E kështu, deri në fund të vitit, do të kemi komplet një përmbysje në këtë proces me aplikimin, ndërkohë që brenda një periudhe 3 vjeçare, besoj që do të arrijmë dhe të gjitha përgjigjet online, pra të mos kesh nevojë më të shkosh askund për të marrë dokumentin. Pra nëse sot ne kemi futur pjesën më të madhe të aplikimeve për hipotekën, ku është një nga pikat më të rënda të pritjeve, do të arrijmë që jo vetëm të aplikosh, por edhe dokumentin nga hipoteka ta marrësh në telefon, me vulë elektronike. Ta marrësh në kompjuter, të mos kesh punë fare e faktikisht, të gjitha sportelet të mbyllen të mos ketë më sportele, të mos ketë më kontakte. Shteti të jetë njësoj si banka që e ke në telefon apo si karta e vetë telefonit që ti e merr dhe të shërben ty për të bërë thirrje.
Shumë faleminderit dhe një herë, shumë respekte!
* * *
Pas 90 vitesh në godinën e vjetër në QSUT, kirurgjia shqiptare ka një tempull të ri, ku gjithçka është fjala e fundit e teknologjisë dhe po ashtu organizimi në funksion të pacientit është në nivelin më të lartë bashkëkohor.
Ky është spitali i ri “Frederik Shiroka”, investim madhor i qeverisë, me kapacitet 120 shtretër, i cili çon në një tjetër nivel shërbimet mjekësore në Shqipëri.
Spitali i ri kirurgjikal ka një bllok sallash operatore të përbërë nga 7 salla operacioni (që i përgjigjen Kirurgjisë së Përgjithshme, Kirurgjisë speciale dhe Urologjisë). Të gjitha sallat janë të pajisura me aparatura moderne të standardit të lartë, që do të sigurojnë cilësi maksimale në aplikimin e procedurave kirurgjikale si dhe përfshirjen e teknikave të reja.
Spitali gjithashtu ka një njësi të dedikuar të Terapisë Intensive, me 8 shtretër dhe të pajisur me aparatura bashkëkohore dhe kushte optimale.