1000 fidanë dru frutorë u mbollën sot në Farkë, si pjesëmarrje e Shqipërisë në edicionin e Festivalit ndërkombëtar “Frymëmarrje për të ardhmen”. I inicuar nga qeveria turke në shumë vende të botës, nën kujdesin e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, festivali i dedikohet gjelbërimit të planetit.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në zonën e liqenit e Farkës me ftesë të ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Zotit Murat Ahmet Yörük, së bashku me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi, si dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të nisur mbjelljen e 1000 fidanëve, në të njëjtën orë me një numër të konsiderueshëm vendesh të tjera.
“Si një kohë për të bërë paqe me natyrën” – i cilësoi Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vepra të tilla në shërbim të mjedisit, të cilat synojnë të rikthejnë ekuilibrin e humbur mes njeriut dhe natyrës ku ai jeton. “Është pjesë e një iniciative të nisur në Turqi nga Presidenti Erdoğan, i një festivali i cili quhet “Frymëmarrje për të ardhmen”. Besoj se një nga gjërat që na bëri shumë të ndjeshëm gjatë eksperiencës me COVID-in ishte fakti i një paqeje që duhet të arrijmë me natyrën. Ne vijmë nga eksperienca e viteve ’90-të, kur i shpallëm luftë natyrës, ku premë çdo pemë, ku ndotëm lumenjtë, duke filluar nga Lana në Tiranë apo dhe lumenjtë historikë, të mëdhenj, të Shqipërisë, ku ndërtuam pa kriter. E besoj se sot, edhe për shkak të pandemisë jemi në një fazë kur kemi reflektuar, për të bërë paqe me natyrën. Sot, fakti që po i kthejmë Tiranës një pajë, e cila në bashkëpunim me komunitetet e zonës, në bashkëpunim me njësitë administrative, duke shfrytëzuar asetet që kemi, siç janë këto liqene dhe këto lumenj, do të jenë një pajë për gjeneratat e ardhshme. Ndoshta nuk ka duk sot një fidan që mbillet, por do të bëjë hije dhe do të sjellë të mira për një komunitet të tëra vitet që vijnë,” – u shpreh Veliaj.
Ministstri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi u shpreh se ngjarje të tilla marrin një domethënie edhe më të madhe në kushtet e pandemisë që po kalon e gjithë bota. ‘Sot demonstrojmë me shumë vende të botës njëkohësisht angazhimin tone, pikërisht për ta kthyer, rajonin dhe planetin në tërësi në një planet të gjelbër. Më shumë se kurrë, sot e kuptojmë se sa te brishtë janë ekuilibrat natyrorë dhe ka një domethënie shumë të madhe ngjarja e sotme, që edhe në këto kushte të një pandemie, ku duket gjithsesi që qënia njerezore mbetet brishtë në këtë habitat të botës. Ky është një sinjal shumë i mirë për brezat,” – tha ai.
Projekti aktualisht po zbatohet në 30 vendet e botës dhe do të arrijë një shifër edhe më të lartë. – u shpreh ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.
Duke falenderuar për këtë iniciativë të rëndësishme në mbrojtje dhe ripërtëritje të mjedisit, Kryeministri Rama theksoi se qeveria shqiptare do t’i bashkohet programeve të tilla me projekte konkrete, që janë në zhvillim e sipër, me ambicien për një Shqipëri me një përmasë të gjelbër, jo vetëm të ripërtërirë, por edhe të zgjeruar.
“Mirënjohje për këtë iniciativë! Për ta ndarë me publikun, ky është edicioni i dytë i një festivali ndërkombëtar, i organizuar nën kujdesin e Presidentit Erdoğan. Në edicionin e parë në shumë vende të botës, në të njëjtën orë janë mbjellë 11 milionë pemë, çka, siç kam mësuar, ka hyrë në librin Guinnes të rekordeve. Sot, në Tiranë jemi së bashku në të njëjtën orë me një numër të konsiderueshëm vendesh të tjera, për të mbjellë këtu, në liqenin e Farkës, 1000 pemë, në një proces ku Tirana ka qenë në vijën e parë me një ndërprerje të vogël ndërmjet dy fazave, gjatë kohës që unë isha kryetar bashkie dhe qysh se Erioni ka rimarë bashkinë në funksion të shumicës dhe vazhdojmë si proces.
Ndërkohë që, unë jam shumë krenar që sot, ne shohim frytet e prekshme të Moratoriumit të vendosur disa vite më parë, që ka ndaluar prerjen e pyjeve, përveçse për nevoja të popullsisë në zona të caktuara, ka ndaluar dhe gjuetinë. Faktikisht kemi një ripërtëritje të vazhdueshme të mushkërive të vendit, si dhe një ripërtëritje të vazhdueshme edhe të faunës së vendit, çka mund të shihet në mënyrën më spektakolare në Parkun kombëtar të Divjakës, ku tanimë kemi edhe një destinacion ndërkombëtar për ata që janë të apasionuar pas specieve të ndryshme.
Njëkohësisht, jemi sot që flasim në një kantier të madh pranë Tiranës në Porto Romano. Aty ku një plagë të madhe mjedisore, një gangrenë prej shumë e shumë dekadash për shkak të grumbullimit dhe malëzimit të plehrave pa asnjë kujdes, pa asnjë trajtim, po e kthejmë në një ekopark, i cili pranverën e ardhshme do të hapet për publikun. Ekoparku do të jetë një shembëlltyrë e ambicies sonë për Shqipërinë e gjeneratave të tjera, një Shqipëri me një përmasë të gjelbër, jo vetëm të ripërtërirtë, por edhe të zgjeruar. Në muajin dhjetor, Ministria jonë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me Ministrinë homologe në Republikën e Turqisë, do të ulen së bashku për të diskutuar një plan të përbashkët, ku ndër dimensionet e tjera është dhe dimensioni i gjelbër, lidhur me pyjet për të cilat Turqia është një nga shembujt më domethënës sot në botë dhe ka një ekspertizë të jashtëzakonshme që bujarisht do të na e përcjellë edhe ne. Edhe njëherë shumë falemindërit për këtë nismë dhe për praninë e vetë ambasadorit, një mik i mirë i Shqipërisë, i shqiptarëve, siç është patjetër i tillë dhe Presidenti Erdoğan.”
Newsroom
“Frymëmarrje për të ardhmen” – 1000 fidanë të rinj në Farkë