Fjala e Kryeministrit Edi Rama në bujtinën e Naum Bicit, një nga shtëpitë e shumta të kthyera në bujtina në fshatin Lin të Pogradecit:
Shumë faleminderit për mikpritjen!
Më vjen shumë mirë që erdhëm këtu dhe këtë herë për të parë diçka konkrete sepse punën për Linin e kemi filluar prej disa kohësh por është dashur të bëhet një vlerësim i përgjithshëm i zonës, i gjendjes aktuale, i potencialeve, pastaj të identifikohen ndërhyrjet dhe në të njëjtën kohë të identifikohen edhe bashkëpunëtorët e mundshëm nëse mund t’i quaj kështu siç është rasti i Naumit, që të mund të kombinojmë forcat dhe të arrijmë në rezultate.
Mbase shumëkush mund të pyesë që si ka mundësi që vijmë gjithë këta njerëz këtu për një bujtinë por arsyeja pse e bëjmë është që të promovojmë këtë model, që të tregojmë jo me fjalë dhe me idera në distancë por me shembuj konkretë se si mund të funksionojë për një familje krejt të zakonshme bashkëpunimi me qeverinë dhe se si mund të arrihet sëbashku në realizimin e diçkaje që përndryshe do të ishte shumë e vështirë në mos e pamundur për një familje me një buxhet modest që mund të disponojë një shtëpi ku transformimi në një bujtinë apo në një argoturizëm është i mundshëm por ku sigurisht mungojnë mjetet financiare.
Ajo që qeveria bën është që i vjen në mbështetje kësaj familjeje duke i dhënë para, jo borxh por grant, dhuratë. Një dhuratë me kushte kuptohet dhe kushtet janë që të realizohet ky projekt me këto parametra dhe të shkohet në këtë drejtim, jo kushte të natyrës financiare por kushte për shpenzimin e fondeve në mënyrën e duhur.
Tanimë, pasi kemi iniciuar këtë program të mbështetjes së bujtinave dhe të agroturizmit me fonde të qeverisë shqiptare, kemi në dispozicion si qeveri edhe një fond të konsiderueshëm nga Bashkimi Europian pikërisht për këtë, për bujtinat dhe për agroturizmin kështu që unë do t’i nxisja të gjithë që duke marrë shembull konkretisht nga këto raste po themi të para suksesi në këtë drejtim, të bëjnë përpjekjen e tyre e të bëjnë aplikimet e tyre. Nuk është diçka e vështirë, apo jo Naum? Është diçka që bëhet.
Me bashkëpunimin e Agjencisë, me një mbështetje teknike po themi dhe një lloj konsulence modeste nga ana e vetë pushtetit vendor, kjo është plotësisht e realizueshme dhe faktikisht një aset, një kapital i fjetur siç është shtëpia, në rastin kur ajo përdoret vetëm për tu strehuar vetë, kthehet në një mekanizëm fitimprurës dhe nëse sot këtu ka disa nga këto bujtina dhe ka një numër turistësh që vijnë dhe këto bujtina janë të rezervuara siç është rasti i kësaj bujtine të re që rezervohet direkt nga interneti, ka dhe pëlqyeshmëri në “Booking”, goxha të lartë. Nëse ky zinxhir shtrihet në gjithë fshatin dhe nëse ky fshat kthehet në një resort turistik, jo me një pronar të vetëm por ku secili është pronar i shtëpisë së vetë dhe merr pjesën e tij të fitimit, atëherë të jeni të sigurt që jo vetëm do të ketë një kërkesë shumë më të lartë por do fillojnë edhe të rriten çmimet ekzistuese që nuk janë të ulëta për hir të vërtetë. Nuk thuhet në televizor tani sa i keni çmimet por unë u habita kur i dëgjova se mu dukën goxha.
Kështu që në aspektin e nismës individuale është e mundur që të merrni mbështetjen e qeverisë ndërsa për sa i përket komunitetit, siç u tha këtu, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në kuadrin e Programit të 100 fshatrave ne do të bëjmë disa ndërhyrje për ta kthyer këtë fshat në një model të suksesshëm transformimi dhe sigurisht për ta bërë pjesë të një transformimi që besojmë do të ndodhë në këto 4 vite që nis mandati i ri me kryetarin e ri të bashkisë, në gjithë bashkinë e re të Pogradecit sepse Pogradeci është një destinacion por goxha i dëmtuar në tërësi në vitet e tranzicionit për shkak të shumë mangësive apo dhe për shkak të shumë dëmtimeve që janë bërë dhe që padisktuim ka një potencial të jashtëzakonshëm.
Unë besoj që këtu kemi një aleat shumë të madh që është natyra e mrekullueshme dhe trashëgimia e pasur dhe na duhet vetëm që të bashkërendojmë forcat në të dyja drejtimet. Një drejtim ju individualisht dhe qeveria, pra për të bërë më shumë bujtina si kjo e Naumit. Në drejtimin tjetër, ne si qeveri, me fondet e Zhvillimit dhe bashkinë, për të zhvilluar më tutje infrastrukturën dhe për të zhvilluar më tutje të gjitha ato elementë që janë të rëndësishëm për it dhënë një forcë tërheqëse shumë më të madhe këtij fshati duke bërë unifikime të karakterit të godinave, duke krijuar një sistem ndriçimi ashtu siç duhet, duke mbështetur edhe projekte të natyrave të ndryshme që me siguri do të lindin në këtë proces, kështu që faleminderit shumë për praninë tuaj dhe për mikpritjen që nuk diskutohet, është traditë kudo në Shqipëri por edhe këtu u pritëm shumë mirë dhe shpresoj shumë që shumë shpejtë ne do vijmë prap për të parë të tjera rezultate të kësaj pune të përbashkët.
Shumë faleminderit!