Fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbrëmjen e fundvitit me mësues nga e gjithë Shqipëria:
Mirëmbrëma të gjithëve!
Më vjen shumë mirë që jemi këtu sot sëbashku! Është një mbrëmje tradicionale me përfaqësuesit më të mirë të shkollave më të mira të të gjithë Republikës. Sigurisht sot falë edhe një tjetër aspekti të reformës në arsim se kush është shkolla më e mirë, se kush janë përfaqësuesit më të mirë nuk e vendos arbitrarisht protokolli që bën ftesat në Ministrinë e Arsimit, por e vendos rankimi i shkollave, sipas kritereve të përcaktuara dhe karta e performancës së mësueseve, sipas standardeve të saj. Edhe ky është një aspekt tjetër i rëndësishëm i bazës që ne kemi vendosur për arsimin në katër vitet e para, sëbashku me të gjithë ju që jeni këtu e me shumë të tjerë, kolege dhe kolegë tuajt që e kanë bërë të mundur zbatimin e reformës në arsim, në pjesën e parë të saj.
Ajo që besoj është me rëndësi për ju, për të gjithë mësuesit dhe për prindërit, patjetër edhe për nxënësit e interesuar për të ditur se çfarë do të bëjmë ne më shumë, është ajo çka ministrja sapo nënvizoi lidhur me fuqizimin e mëtejshëm të profesionalizmit mes mësueseve, me garantimin e një vazhdimësie të kërcënuar për shkak të lënies pas dore për 20 e kusur vite të mësuesisë dhe faktikisht të transformimit të mësuesisë në një kategori të dytë ndërkohë që mësuesia me patjetër duhet të përfshihet në kategorinë e parë të profesioneve të këtij vendi, duke filluar që prioritizimi i saj si një degë në universitet, më pas, ose paralelisht me këtë, me sistemin e ri të trajnimeve profesionale për të gjithë mësuesit dhe jo për nga rëndësia, në fund, me ndërtimin dhe fillimin e punës së shkollës së drejtorëve që do të jetë një institucion i ri për të mundësuar rritjen e kapaciteteve në drejtimin dhe administrimin e shkollave.
Ju të gjithë jeni dëshmitarë që, sa e rëndësishme është që shkolla të ketë drejtues të mirë dhe sa shumë diferencë bën cilësia e drejtimit të shkollës, ashtu siç jeni dëshmitarë të faktit se me drejtuesit e shkollës për vite e vite të tëra është bërë vetëm politikë, politikë shpërblimesh për militantizmin, aktivizmin, apo shërbimet e tyre ndaj partive. Kësaj tradite ne kemi filluar t’i japim fund, por jemi ende larg së qeni aty ku duhet. Për këtë arsye, shkolla e drejtorëve do të na ndihmojë, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, bazuar në një sistem bashkëpunimi me ekspertizë ndërkombëtare për të profilizuar dhe fuqizuar një figurë drejtuesi të shkollës profesionist menaxher në drejtimin e shkollës. Kjo do të bëjë që të gjithë drejtorët e ditur dhe të përkushtuar të rrisin aftësitë e tyre menaxheriale dhe të gjithë ata që do të jenë të rinj në detyrë, ta fillojnë punën me instrumente që të tjerët nuk i kanë pasur, për fat të keq, deri më sot.
Sigurisht që të gjitha këto janë vetëm disa aspekte të një reforme të mësuesisë që do të jetë e gjerë dhe e thellë dhe faktikisht do të synojë që ne ta konsolidojmë atë bazë që kemi vënë për ta bërë figurën e mësuesit dhe të mësueses një autoritet të padiskutueshëm dhe të paprekshëm as nga politika dhe as nga burokracia e zyrave arsimore që, pavarësisht se kanë ndryshuar shumë, kanë ende nevojë për të ndryshuar edhe më shumë. Për këtë vitin e ardhshëm ne do të fillojmë edhe zbatimin e reformës së drejtimit në arsim, duke transformuar edhe mënyrën e strukturimit në territor, por edhe funksionet e zyrave të arsimit. Siç ka ndodhur dhe në të shkuarën, për të gjitha këto ju do të jeni të informuar paraprakisht dhe patjetër që do të merret mendimi juaj dhe do të mirëpriten sugjerimet tuaja.
E fundit, për ta mbyllur pa ju marrë më shumë kohë me fjalën time është se ne kemi në program rritjen e mëtejshme të pagave për mësuesit. Pagat për mësuesit janë rritur në mënyrë të ndjeshme, ju jeni vetë dëshmitarë, një rritje që ka ardhur edhe nominalisht vitin e shkuar, por që ka ardhur dhe qysh në fillim në mandatin tonë të parë me uljen e taksës mbi rrogën. Megjithatë, ne jemi të vetëdijshëm që është shumë më mirë se ç’ishte, por është shumë më pak se ç’duhet të jetë. Për këtë arsye do vazhdojmë rritjen progresive të pagave për mësueset dhe për mësueset.
Do të jemi shumë kërkues dhe sistemet e testimit, sistemet e rekrutimit, sistemet e zhvillimit në tërësi të mësuesisë do të jenë shumë rigorozë në raport me çka do të kërkohet prej jush, por ama ndaj të gjithë atyre si ju, që nuk janë të gjithë si ju, por dhe të tjerëve që mund të bëhen si ju që dalin gjithmonë me sukses në filtrat e testimeve dhe që e kanë me vlerë pozitive kartën e performancës, do të kujdesemi që paralelisht të rrisim edhe të ardhurat për ju dhe për familjen tuaja. Kjo është pak, por e sigurtë dhe do të bëhet në vijimësi, sepse jemi shumë të vetëdijshëm për mundimin e madh të punës që ju bëni.
Unë drejtoj një qeveri me numrin më të vogël të ministrave në histori edhe e di shumë mirë se çfarë vështirësie është për ta pasur qeverinë të disiplinuar. Imagjino ju që keni klasa edhe me më shumë sesa nganjëherë është norma dhe duhet të mbani të disiplinuar të gjuhe ata fëmijë dhe duhet t’i frymëzoni, duhet t’i motivoni dhe duhet t’i mësoni të respektojnë rregullat për ditë. Pra, krahasuar me mundimin tuaj, mundimi im është shumë më i vogël, ndërkohë që paga ime është padrejtësisht shumë më e madhe se e juaja. Këtë diferencë, sëbashku ne do ta ngushtojmë. Nuk mund t’ju premtoj që në fund të këtyre katër viteve paga juaj do të jetë shumë afër times, por mund t’ju premtoj këtë gjë, që, e imja nuk do rritet, ndërsa e juaja do rritet çdo vit.
Shumë faleminderit!