Furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për Këlcyrën

Këlcyra, ndonëse një zonë e rrethuar nga burime të shumta natyrore të ujit, deri përpara disa muajsh furnizohej me vetëm 6 orë ujë në ditë, pa përmendur fshatrat ku koha e furnizimit ishte edhe më e shkurtër. Sot, situata është krejt tjetër. Investimi i rëndësishëm prej 2,2 milionë euro në ujësjellësin e Këlcyrës mundëson furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë për këtë qytet.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Ujësjellësin e Ri, në Këlcyrë, i cili furnizon me ujë të pijshëm dhe me cilësi nga burimet e zonës, familjet e banorëve të Këlcyrës. “Është bërë restaurimi i godinës, pompat e reja, gjithçka e re. Është një investim afro 2,2 milionë euro, ku është bërë furnizimi me dy faza. Është bërë furnizimi me vetërrjedhje. Pompat më parë harxhonin energji pa fund, ndërsa tani kanë më shumë se 6 muaj që nuk janë ndezur. Energji nuk harxhohet më. Ka që në dhjetor që nuk ndizen pompat sepse Këlcyra ka tani tre linja të jashtme. Është kjo që jemi tani, stacioni i pompimit dhe dy linja të jashtme të tjera që janë me vetërrjedhje, burimi i Fratarit dhe burimi i Gurit. Ka 24 orë ujë. Që nga nëntori i 2019 nuk ka patur asnjë ndërprerje. Këlcyra ka 30 vjet që mbytej nga uji në të gjitha anët dhe s’kishte ujë në qytet. Merrte vetëm 6 orë ujë në ditë.” – shpjegoi kryetari i bashkisë së Këlcyrës Klement Ndoni.

Kryeministri tha se me investimet e reja në shumë zona të vendit, furnizimi me ujë 24 orë është një realitet, duke theksuar se brenda 2022 kjo do të mundësohet për të gjitha zonat urbane të vendit. “Kjo është një tjetër mundësi konkrete për t’ju dhënë të kuptojnë të gjithë atyre që flasin, pa ditur çfarë flasin që thonë “akoma flisni për ujin”, që në fakt, ne flasim për ujin sepse kemi akoma punë për të bërë për ujin, por ndërkohë kemi ujë 24 orë në shumë zona dhe do të vazhdojmë ta çojmë 24 orë në të gjitha zonat urbane të Shqipërisë, brenda 2022 përfshirë edhe zonat ku ka banim intensiv dhe jo vetëm territoret e bashkive të dikurshme që janë vetëm pjesa e qytetit”.