Dritë dhe shpresë ka sot në shtëpitë e reja të 244 familjeve të Fushë-Krujës. Programi i rindërtimit po sfidon shkatërrimin që la pas tërmeti i dy viteve më parë, duke rikthyer mijëra familje në shtëpi më të forta, më të bukura e më të sigurta se sa ato që humbën.
Fushë-Kruja një zonë e prekur rëndë nga fatkeqësia, sot prezantohet ndryshe. Kompleksi i ri me banesa individuale dhe pallate, mes hapësirash të gjelbra, ku çdo fëmijë gjen një vend për t’u çlodhur dhe argëtuar, është kartolina e fundvitit që ofron qyteti.
Për të festuar hyrjen në shtëpitë e reja ishte sot në Fushë-Krujë, Kryeministri Edi Rama.
* * *
Mirëmbrëma të gjithëve! Do përpiqen të mos ju mbaj gjatë sepse jo vetëm keni 2 vjet që prisni këto ditë, por dhe era këtu nuk është edhe aq e butë.
Në radhë të parë, dua t’iu them se këto janë ato momente, që bëjnë t’i bësh hallall të gjitha, jo mundimet, por të gjitha ato që je munduar të mbash në kurriz kur ke nderin të bësh këtë detyrë, gjithë atë baltë, gjithë ato llafe, gjithë ato thashetheme që të shoqërojnë çdo ditë dhe nuk kanë munguar, përkundrazi, edhe në këtë proces.
Unë jam shumë krenar që ia kemi dalë, deri këtu, t’i qëndrojmë pranë, 50 mijë familjeve, që nga familjet që kanë pasur nevojë për një mbështetje, po e quaj minimale, por që për buxhetin shqiptar nuk është edhe aq minimale, për një riparim të thjeshtë të shtëpisë e deri tek familjet që marrin shtëpi të reja dhe që do t’i marrin shtëpitë e reja falas, pa paguar asnjë qindarkë, dhe me titull pronësie, njësoj si ata që i blejnë apartamentet e këtyre standarteve në Tiranë.
Në ndërkohë, cfarë nuk kemi dëgjuar. Në fillim kemi dëgjuar që “Asgjë nuk do bëhet. Dëgjuam që u mblodhën lekët e botës, u futën në një thes dhe thesin e morëm ne dhe e çuam në Surrel. Pastaj kemi dëgjuar që “Nuk ka mundësi të bëhen falas sepse falas nuk i ka bërë askush”.
Është e vërtetë që ne i kemi parë për të mësuar nga të gjitha programet e Rindërtimit që ka ndodhur në vendet ku ka rënë tërmeti këtu rreth e rrotull, jo në gjithë botën dhe nuk kemi gjetur asnjë Program Rindërtimi edhe në vende shumë të fuqishme që të mos jetë me kredi. I ndërton shteti, vë shteti një kontribut të konsiderueshëm, por ama nuk i jep shtëpitë falas. Çdo familje jep një kredi, kuptohet kredi të butë, por ama e butë e butë, por ato janë prapë lekë.
Si mund t’i ngarkonin ne një pjesë të madhe të këtyre familjeve, të cilat u goditën nga tërmeti më keq se të tjerët pikërisht se janë familje më të varfra dhe shtëpitë ishin më të vjetra? E pamundur ta bënim këtë gjë. Ju e dini, se ju jeni të prekur drejtpërdrejtë, por ne e kemi parë në çdo vend një shtëpi ngjitur, në rregull, në këmbë, e ndërtuar mirë dhe një shtëpi tjetër komplet e rrënuar e ndërtuar qysh prej viteve ‘60 ose ’70.
Gjithë këto familje, një pjesë e tyre, janë familje, të cilat pikërisht në atë moment humbën gjithçka dhe nuk kishin asnjë fuqi të ringriheshin vetë dhe nuk mund t’i ngarkonim një kredi dhe që unë jam shumë krenar që sot dhe në vijim, për çdo çelës që jepet, provohet e vërteta, e cila u mor nëpër këmbë për kaq shumë kohë sepse çdo shtëpi është falas. Ju mund t’i mbani, t’i shisni, të bëni ç’të doni, njësoj si çdo pronar. Vetëm me bravat duhet të keni kujdes sepse me kohët që kanë ardhur, bravat mund të bllokohen.
Përtej shakasë, tjetra që thashë, kur kemi ardhur, nuk e harroj, këtu ishte fushë nuk kishte asgjë. Menjëherë “Keni shku atje të boni vila për vete”. Domethënë erdha unë këtu në Fushë-Krujë të bëja vilë për vete. Jo vetëm për vete, por të bëja edhe ca të tjera e t’i shisja, bashkë me Arturin.
Pastaj kur filluan punimet, këtu është bërë 6 muaj punë për atë që është nën tokë, që nuk shihet. Kjo është lagje si çdo vend i Europës, me kanalizime, me ujësjellës, me të gjithë rrjetin dhe faktikisht edhe kur e shikon fotografi sot, është futur mes të tjerave dhe duket realisht sikur është një botë e re.
“Shkoni atje dhe bëni sikur hudhni dhe”. Pafundësisht të tilla, por ajo që është e rëndësishme është që puna në fund të shpërblen dhe vepra në fund flet vetë. Fjalët, të gjitha, i merr era, pavarësisht se deri sa t’i marrë era, duhet t’i mbajmë në kurriz. Ndërkohë që, të mos harrojmë, kur shkon porosit me lekë një apartament për një pallat tek investitori privat, i cili e ka tokën, i ka lekët dhe pret 2 vjet. Ndërkohë që ne kemi pasur, jo pak probleme për të sistemuar njëherë pronën se një pjesë publike e një pjesë private. Pastaj kur mbaronte ajo pjesa private dilte një gjë tjetër. Se hipotekat, gjykatat. Ne na është dashur të përballemi me të gjithë hallet e problemet si shtet që përballet edhe një familje e zakonshme.
Sot që flasim, në Laç, në lagjen numër 2 akoma, që po e ndërtojmë të gjithën me financimin tonë, nuk po arrijmë dot t’i fillojmë të gjitha pallatet sepse ka dalë një gjykatës atje që i ka dhënë një sigurim padije njërit që rri atje, ka marrë gjithë lagjen peng sepse ka një dyqan atje a cfarë ka, që i duhet ta lëshojë, që të ndërtohet e gjitha nga e para e ta marrë ai prapë. Por jo, e mban peng.
Në Krujë, lart, se tani e di unë që kjo lagje këtu do bëhet mollë sherri mes Krujës dhe Fushë-Krujës, se ju e keni pak sherrin kush është më lart e më poshtë e kush është më i vjetri e më i ri, kush është më i zgjuar dhe më hilanjos, por faktikisht, ata lart në Krujë, tani, unë e di që ju shohin ju poshtë e thonë “U bënë këta të futen për Vit të Ri dhe ne presim akoma”?
Fatkeqësisht ka ndodhur sepse duhej sistemuar e gjithë prona, duke bashkuar copat sepse aty do ndërtojmë disa pallate, 9 pallate të mos gabohem. Është një lagje e re komplet dhe atje që ka filluar, shyqyr.
Ama, në dy vjet, u fut në mes edhe pandemia. U bllokuan punët, u bllokuan studiot, u bllokuan vajtje-ardhjet. Ne kemi angazhuar të gjithë arkitektët dhe të gjithë kompanitë e mundshme, 400 kompani shqiptare janë përfshirë në këtë punë, por kemi përfshirë edhe arkitektë të huaj që kanë punuar, edhe ata, pa pagesë. Kjo lagje është konceptuar nga një nga studiot më të mira hollandeze si planimetri.
Humbën kohë nga pandemia, por ama nuk lamë në asnjë mënyrë që një familje e vetme të mbetej në rrugë. Në çadër, sot, janë rreth 100 familje, të cilat qëndrojnë atje për shkak se janë larg, kanë tokën, kanë bagëtinë, por ama dhe ato marrin bonusin e qerasë.
Disa nga ju sot kanë ardhur, do marrin çelësin, por nuk e kanë të mobiluar shtëpinë e ku do kthehen? Do kthehen tek shtëpia me qera dhe qeranë e paguajmë ne, e paguan shteti. Ndërkohë që këtu ka plot që kanë qenë në Itali e pyetini. Sa vite kanë atje që presin shtëpinë nëpër kabina e rulota, pasi ia ka prishur tërmeti? 10 vjet, 12 vjet, 15 vjet ka raste.
Kjo nuk do të thotë që ne jemi më të zotë. Kjo do të thotë që ne i kushtuam këtij programi gjithçka. Nuk ka pasur dhe nuk ka një ditë të vetme që unë të mos mendoj për këtë pjesë, që unë të mos marr informacion për tullat e reja që vihen, për problemet që dalin, për çështjet që duhen zgjidhur sepse është fat të kesh mundësinë t’u gjendesh pranë njerëzve dhe është bekim të shohësh gjithë këto familje që të hyjnë në shtëpi e t’u thonë “Gëzuar Vitin e Ri”, fëmijëve, gjyshërve e gjysheve dhe të mos kthejnë kokën mbrapa, të mos mendojnë si do paguajnë kredinë nesër, por të kenë mundësinë të fillojnë një jetë të re, duke qenë më të pasur seç ishin dje sepse sot kanë një pronë që ka një vlerë shumë më të madhe se prona që kishin deri dje. Tjetër çështje e mbajnë, e shesin, e japin me qera, puna e tyre, por ama sot kanë një bazë të re për të vazhduar jetën.
Kjo nuk mbaron këtu sepse ka akoma shumë gjëra të tjera për t’u bërë, por ama është shumë domethënëse për të kuptuar që ajo shprehja që unë e përdor shpesh “Nuk do iu lëmë kurrë vetëm”, nuk është parullë dhe le të dali dikush e të thotë “Pse më latë vetëm”. Le të jetë ca të dojë, socialist a demokrat le të jetë ca të dojë, ne nuk i kemi ndarë njerëzit majtas-djathtas.
Kryetari i Partisë Demokratike në një katund aty afër Surrelit ishin 4 kurora në një shtëpi. Janë bërë me 4 shtëpi sepse e shfrytëzuam edhe si program strehimi dhe 4 kurorat u ndanë. Demokrati mori 4 shtëpi nga Rindërtimi, dhe e pranon ai. Ai është në hall tani se ka 4 brava për të ruajtur, ju nga një keni.
Ky program ka treguar që ne, me vepra, jo me fjalë, nuk i ndajmë shqiptarët majtas-djathtas. Ndarja, edhe e kateve, janë ndarë me short. Edhe secilën nga këto shtëpitë do bjeri vendi janë ndarë me short. Në një vend e kanë pasur më të mirë demokratët, në një vend socialistët. Nuk dinim këtë punën e hallit që i ndodhi se mund të kishim bërë dhe një favorizim për ta, t’i linim të gjithë në kat të parë që ta kishin më kollaj që të ruheshin. Megjithatë, edhe kati i parë nuk është kollaj me ta se ata të futen nga penxherja të tjerët, se aty është lufta kush do futet nga penxherja.
Nejse, pak humor për këtë se nuk na vlejnë më për asnjë gjë, përveçse na bëjnë të qeshim ata në atë parti atje. Jo demokratët e thjeshtë, flas për ata, demokratët e ngatërruar.
E fundit që dua t’iu them është se ne kemi mësuar shumë nga ky program. Nuk do ta lëmë me kaq. Jo vetëm që do mbyllim patjetër gjithë plagët e tërmetit dhe asnjë familje që pret shtëpinë nuk do mbetet pa e marrë shtëpinë, por do angazhohemi në një program kombëtar strehimi për familjet në nevojë për strehim dhe çiftet e reja. Një program strehimi për çiftet e reja dhe shumë familje, në mënyrë që të rrisim cilësinë e jetës së atyre që janë në pamundësi për t’i blerë vetë shtëpitë me ato çmime që po rriten, sidomos në Tiranë dhe në qytetet kryesore.
Ju uroj me gjithë zemër ta gëzoni shtëpinë! Të jetë Viti i Ri kështu siç po fillon për të gjithë ju, i mbarë. Natyrisht, nuk do ketë shtëpi të re çdo vit, kështu që, si ky vit nuk do ketë, në këtë aspekt, por pruftë sa më shumë të mira dhe mbi të gjitha, qoftë me shëndet për të gjithë familjet tuaja, për fëmijët, për të moshuarit, për vjehrrat padiskutim, për vjehrrin, për krushqit, për fqinjët e për gjithë komunitetin!
Shumë faleminderit dhe paçi e dhënçi sa më shumë!