Fjala e Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë së shpërndarjes së lejeve të legalizimit në Fushë – Krujë:
Përshëndetje të gjithëve!
Përpara pak kohësh ne erdhëm këtu në Fushë Krujë për të çelur Zyrën e Legalizimeve, sepse siç e dini, për vite të tëra, gjithkush që u përpoq që të legalizonte banesën, ka shkuar me dhjetëra herë në Durrës, pasi e gjithë kjo zonë nuk kishte një zyrë.
Jam shumë i lumtur që pasi u çel zyra, vetëm pak muaj më vonë, ne jemi këtu për të filluar konkretizimin e një procesi pa kthim dhe për të mbajtur një zotim madhor ndaj gjithë atyre familjeve shqiptare që kanë lëvizur drejt qyteteve apo që kanë rindërtuar ose ndërtuar shtëpitë e tyre të reja me mundin dhe sakrificat e shumë viteve, mund e sakrifica në emigracion apo në punë, këtu, në Shqipëri dhe që prej shumë vitesh e kanë pasur të pamundur të marrin letrën që e kthen gjithë këtë mund dhe gjithë këtë investim të madh në pasuri të patundshme. E bëjmë këtë sot në këtë zonë, ku në 8 vjet, megjithëse, përgjithësisht zona ka votuar shpesh dhe me shumicë ata që qeverisën 8 vjet rresht, u dhanë vetëm 470 leje dhe nga këto 470 leje, 80 % ishin biznese. Pra, legalizime për godina biznesi që nuk janë ndërtuar për hall apo për të strehuar familjen, por janë ndërtuar për qëllime fitimi.
Kuptohet se për ç’arsye Partia Demokratike, procesin e legalizimeve që ishte “kali i betejës” së saj për 20 vjet e ktheu në një proces korrupsioni të jashtëzakonshëm, duke e katandisur në mundësi për të legalizuar në shumicën dërrmuese godina me qëllim fitimi dhe duke i braktisur familjet që kërkonin të legalizonin shtëpitë e tyre. 470 legalizime në 8 vjet, ndërkohë që vetëm në këta muaj, që kur është hapur zyra, ne sot jemi mbi 1 mijë legalizime. Mbi 1 mijë legalizime që janë legalizim i një mundi, i një djerse dhe i një sakrifice të madhe që keni bërë të gjithë ju. E, për këtë, ne jemi shumë krenarë. Ashtu sikundër jemi shumë krenarë që ky proces për ne nuk është një proces i majtë apo një proces kundër të djathtëve, por është një proces për t’i trajtuar me dinjitet të gjithë shqiptarët, të majtë apo të djathtë, votues ose jo votues të koalicionit tonë, të cilët meritojnë më në fund të kenë dokumentin e pronës së tyre. Besoj që, ky është një ndryshim themelor midis kësaj qeverie dhe pushtetit të mëparshëm dhe për këtë ndryshim themelor unë jam i bindur që ne meritojmë edhe duartrokitjet e shumë demokratëve që janë këtu.
Nga ana tjetër, dua të theksoj që me marrjen e lejes së legalizimit nuk është thjeshtë marrja në dorë e një dokumenti që e garanton përfundimisht shtëpinë, por është marrja në dorë e një dokumenti që krijon një mundësi të re për ekonominë tuaj familjare. Sepse me këtë leje legalizimi dhe me regjistrimin e shtëpisë në hipotekë, ju bëheni pronarë të ligjshëm të investimit tuaj. Keni në dispozicion një mundësi për të shkuar në bankë dhe për ta përdorur shtëpinë si kolateral, për të marrë një kredi, për të hapur një biznes të vogël, për të zgjeruar një biznes të vogël që mund ta keni, për të zgjeruar një fermë, për t’u bashkuar me të tjerë, për të bërë një investim privat, për të mbështetur studimet e fëmijëve dhe kështu me radhë. Pra, ky është një stimul për ekonominë e çdo familjeje. Duke pasur parasysh që shumica dërrmuese e këtyre familjeve i kanë hedhur në themelet e shtëpisë, në tullat dhe çatinë e shtëpisë, të gjitha kursimet e tyre dhe janë përgjithësisht familje që jetojnë në vështirësi, ky është një stimul për të pasur në dorë mundësinë që atë investim që, deri sot është i paregjistruar dhe që nuk figuron asgjëkund, ta ktheni në pasuri të patundshme dhe ta ktheni në një shtysë për t’u vetëpunësuar, përmes një biznesi të vogël apo përmes një iniciative private.
Thënë këto, sigurisht që ky është vetëm fillimi i procesit. Këtu janë shumë të tjerë që presin dhe ne do t’i shërbejmë të gjithëve, pa përjashtim. Ne nuk do të lëmë asnjë shtëpi të ndërtuar në zonat informale pa e kthyer në pasuri të patundshme të atyre që e kanë ndërtuar. Po ashtu, ne do të bëjmë atë që na takon për të çliruar edhe shumë banesa që gjenden në zonat e mbrojtura, që gjenden në zonat historike, që gjenden në qytetin e Krujës, si qytet që i takon trashëgimisë tonë historike dhe kulturore, në mënyrë që edhe ata të legalizohen.
Siç e keni parë edhe nga televizori, ne bëjmë aktivitete të tilla në mënyrë të vazhdueshme, sepse duam që të promovojmë këtë nismë me një rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare për Qeverinë e Shqipërisë dhe për shoqërinë tone. Duam po ashtu që të përcjellim edhe mesazhin që koha e ndërtimeve pa leje ka mbaruar. Me legalizimin përfundon edhe epoka e llahtarisë së ndërtimtarisë pa leje kudo e kush të mundet. Ju, besoj, e keni marrë këtë mesazh, kështu që një këshillë; Legalizoni shtëpinë, hipotekoni shtëpinë, ta gëzoni me shëndet e me bereqet, por mos vini më tullë pa leje, se ju e dini vetë. Se është ajo fjala që unë e përdor shumë, por më kanë thënë mos e përdor shumë, edhe s’ke çfarë i bën, se janë të dyja që shkojnë me njëra-tjetrën.
Do t’i merrni të gjitha lejet që janë këtu por siç e kemi zakon, unë do të shpërndaj disa nga këto leje me kënaqësi, sidomos kur ia jap demokratëve sepse kanë kaq kohë që i presin dhe kanë kaq kohë që janë shaluar në rrena e PD-së, saqë me thënë të drejtën e meritojnë më shumë se socialistët, sepse socialistët nuk kanë pas ndonjëherë shpresë se do e rregullonte Saliu këtë punë dhe nuk e kanë ngrënë ndonjëherë sapunin për djathë.
***
Fushë-Kruja ishte sot qyteti që përfitoi legalizimet falas për zonat e saj informale. Zotimi i qeverisë u përmbush, teksa Kryeministri Rama dorëzoi për banorët e Fushë- Krujës 1010 leje legalizimi të shumëpritura ndër vite.
Si një zonë historike tepër e rëndësishme e vendit, Kruja ka problematike specifike përsa i përket legalizimeve, të cilat për shumë vite nuk arritën të merrnin zgjidhjen e duhur. Gjatë 8 viteve në Krujë u dhanë vetëm 470 leje legalizimi nga të cilat 80 % ishin për bizneset.
Drejtori i përgjithshëm i ALUIZNIT Artan Lame shpjegoi se midis problematikave të shumta është edhe mosregjistrimi në zyrën e hipotekës, si dhe ndërtimet buzë rrugëve, infrastruktura e të cilave ka ndryshuar. “Problemi tjetër në këtë zonë ka të bëjë me zyrën e hipotekës qe përveç faktit që në këtë zonë ka akoma zona të pahedhura në sistem, por ka dhe probleme të mbivendosje apo spostime. E fundit problematikë që jemi duke e zgjidhur ka të bëjë me një pjesë të rrugëve të këtyre qyteteve, të këtyre kryeqendrave të banuara që tani janë zmadhuar, por rrugët nacionale të tyre që tani janë kthyer në rrugë të brendshme, në rrugë fshati, rrugë dytësore, ekzistojnë në regjistrat e shtetit si rrugë nacionale, gjë që bën që të mos kryhet legalizimi për shkak të distancave. Është një situatë gati absurde që jemi duke punuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për ta zgjidhur si problem. Janë afro 1 mijë objekte vetëm në këtë pellg që janë të bllokuar për këtë arsye, – u shpreh Lame.
Kryeministri Rama nisi dhënien e lejeve të legalizimit, ku e para në radhë ishte një zonjë, Dëshira Hida. Përmes dialogut plot humor me kryeministrin, Dëshira u shpreh se pritja e saj e gjatë, pati një fund të lumtur, duke bërë të vërtetë pronën e ndërtuar me mund e sakrifica. “Ju faleminderit shumë! Unë jam e krahut tjetër, por megjithëse jam e tillë, me këtë që bëtë ju, unë do të jem përherë me ty. Se këtë që bëtë ju, nuk e ka bërë asnjë kryeministër. Kryeministër më adapt, se ti ky vend s’ka për të pasur. Dua të përshëndes dhe këta çunat.” uroi ajo.
Një tjetër urim kryeministri mori nga qytetari Rrush Stema, i cili falënderoi posaçërisht ekipin e ALUIZNI-t për punën e madhe që realizoi. “Ndjej një kënaqësi të veçantë, që ndodhem me Kryeministrin e Shqipërisë. Më në fund Shqipërisë iu gjet njeriu i duhur. Se më mirë vonë se sa hiç. Në pak muaj u bë gjithë kjo punë. As e imagjinoja që do vinte një ditë e tillë për mua”.
Ndërsa Gëzim Kolpepaj, nga komuna Nikel, i ardhur aty nga Tropoja falënderoi kryeministrin, jo vetëm për legalizimet, por edhe se falë risive në ligje, ai mundi të bëjë të vlefshme vitet e tij të punës, deri dje të panjohura nga sigurimet shoqërore. “Është kënaqësi në moshën 60 vjeçare që jam sot t’i jap dorën një kryeministri të nderuar dhe të respektuar. Unë jam tropojan, po ashtu siç ka të djathtë në Vlorë ka dhe të majtë në Tropojë. Krahas kësaj kam dy gëzime sot. Së pari legalizimi i shtëpisë sime. Së dyti me ligjin që keni nxjerrë ju, kam 23 vjet që kam punuar në punë të zezë bashkë me gruan time i pasiguruar. Falë ligjit tuaj me 94 mijë lekë të reja mora 26 vjet kontribute 14 vjet për vete, dhe 12 vjet për nusen. Ju përgëzoj për punën tuaj!”
Kryeministri Rama shpjegoi për banorët se me reformën e re territoriale, Kruja do të jetë një bashki e madhe, organizim, i cili do të sjellë më shumë të mira për komunitetin, duke rritur ndjeshëm investimet.
“Dua që t’u them që ju e dini që me reformën administrative gjithë territori këtu, Kruja, Fushë-Kruja, Bubqi, Thumana janë territor i një bashkie të re, të madhe që është bashkia e Krujës. Unë besoj shumë që ky bashkim i gjithë këtyre njësive dhe krijimi i një bashkie të re dhe të madhe në këtë zonë do të sjellë shumë mirësi për komunitetin, do të na mundësojë që të shkurtojmë shumë nga shpenzimet administrative, të shkurtojmë shumë burokraci. Të kemi më shumë mundësi për të investuar, për të bërë realitet edhe zotime të tjera, ashtu siç kemi filluar me rrugën hyrëse dhe mos harroni që ndërkohë ngelëm duke larë borxhet e atij mikut që ishte. Do të vazhdojmë edhe më të tjera investime të rëndësishme, sepse kjo bashki ka një fat shumë të madh. Ka fat të ketë si një qendër graviteti të vetën, zonën më të rëndësishme historike të Shqipërisë. Një zonë, që me një qeverisje të mirë dhe me një bashkëpunim të mirë, mes qeverisë dhe pushtetit vendor, mund të ketë një zhvillim shumë të madh edhe si një zonë turistike. Unë e besoj shumë fort këtë gjë. Ju siguroj se së bashku ne do të bëjmë të mundur që bashkia e Krujës në 4 vite të jetë një realitet rrënjësisht i ndryshuar. Ju siguroj se do të bëjmë në bashkinë e Krujës çfarë nuk është bërë në 25 vjet të marra së bashku”.