Edhe në Fushë Krujë rindërtimi po ecën me ritme të shpejta, teksa shumë shpejt po shkon drejt përfundimit një nga lagjet rezidenciale më të bukura nga Programi i Rindërtimit. 128 shtëpi individuale do të jenë gati në maj dhe 15 pallate, të cilat do të jenë gati vjeshtën e këtij viti, do të formojnë lagjen e Rilindjes.
“Jemi në fazë të avancuar të punimeve. Janë 128 banesa individuale 120 apartamente në pallate”, – u shpreh kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi, teksa shoqëronte Kryeministrin në këtë kantier ku puna vijon me tre turne.
Pallatet gjithashtu janë duke marrë formë, ndërsa nga java tjetër do të fillojë edhe sistemimi i shesheve edhe i hapësirave të përbashkëta. “Duhet bërë dhe një strukturë menaxhimi këtu. duhet të ketë patjetër një strukturë administrimi të të gjitha lagjes. Siç janë të gjitha lagjet rezidenciale që kanë një administrator. Duhet vendosur një administrator për gjithë pjesën që ka të bëjë me detyrimet e përbashkëta, me mjediset e përbashkëta”, – nënvizoi Kryeministri Rama.
Ashtu siç edhe në 3 sitet e tjera te rindërtimit, në territorin e Bashkisë Krujë do te ndërtohet çerdhja dhe kopshti për fëmijët e lagjes së re, së bashku me qendrën shëndetësore dhe atë komunitare, e cila do ofrojë shërbime social – kulturore për të gjithë lagjen e më gjerë. Në këtë zonë do të ndërtohet edhe tregu i ri për produktet e zonës, duke e kthyer këtë lagje në një pol të ri ekonomik për zhvillimin e qytetit të Fushë Krujës.