Fushë Krujë, nis puna për banesat kolektive

Krahas shtëpive individuale që po marrin formë përfundimtare ditë pas dite, në lagjen e re në Fushë – Krujë ka nisur puna për banesat kolektive, të cilat parashikohet të jenë gati në vjeshtën e këtij viti. 120 apartamente të ndara në 8 blloqe pallatesh do të ngrihen për banorët, të cilët humbën shtëpitë e tyre në tërmetin tragjik të 26 nëntorit.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe nga kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi ishin në kantierin e lagjes së re Rilindja, ku më shumë se 1000 banorë pritet të strehohen në përfundim të punimeve.

“Kjo është bërë zonë rezidenciale. Tani duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe sistemimeve jashtë, edhe mbjelljes së pemëve që të marri formë tamam dhe të ngrihet një strukturë menaxhimi që të mos fillojë historia, ngre lloj-lloj gardhesh, po të jetë si zonat rezidenciale që janë të menaxhuara. Duhet bërë një kontratë me çdo banor që këto janë detyrimet, sipërfaqet që ka secili dhe jo hidh e prit ”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Në çdo zonë të prekur nga tërmeti i nëntorit, puna për rindërtimin e shtëpive të rrënuara vijon me ritme të larta, ndërkohë që një pjesë e madhe e familjeve që posedojnë një shtëpi individuale kanë hyrë tashmë në banesat e reja, më të mira, më të forta e sigurisht, më të mëdha se më parë.

“Janë mbi 200 familje që në përfundim do jetojnë ndryshe komplet nga si kanë jetuar më parë”, – u shpreh ministri Ahmetaj në përfundim të inspektimit të kantierit të lagjes së re në Fushë-Krujë.