Fushë Krujë, po formësohet infrastruktura e re rrugore e nëntokësore

Lagjja e re në Fushë Krujë, është pothuajse në gjymën e punës për ndërtimin e infrastrukturës së re rrugore e nëntokësore. Disa qindra familje të mbetura pa shtëpi në natën tragjike të 26 nëntorit do të strehohen në lagjen e re, e cila shtrihet në 10 hektarët ku përveç banesave individuale e kolektive, do të ndërtohen edhe çerdhja, kopshti, shkolla, qendra shëndetësore, zyrat e shërbimeve publike, zonat e gjelbërta, si edhe një treg modern për produktet e zonës.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj ishin sot në kantierin e Fushë-Krujës, për të parë nga afër ecurinë e punimeve, të cilat deri tani janë realizuar në masën 45% sa i takon infrastrukturës rrugore.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj u shpreh se zona në fjalë do të jetë një nga më të bukurat, në aspektin e infrastrukturës dhe atë arkitekturor. “Do të jetë një nga zonat më të bukura, jo vetëm në aspektin e infrastrukturës, por edhe të arkitekturës. Një kombinim i shtëpive individuale me pallatet e ulëta 4 katëshe me akses shumë të lehtë në rrugën kryesore.”

Ndërsa Drejtuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli shpjegoi se, “është kryer 45% e punimeve të kontratës. Është shtruar linja e tensionit të mesëm. Madje është bërë dhe një lidhje unazore. Janë shtuar edhe tubacionet e ujërave të zeza. Është shtuar linja e ujësjellësit.”

Kryeministri Rama e cilësoi lagjen që po ngrihet si një qendër të re, e cila veç të tjerave do të ketë dhe një treg model. “Kjo është qëndra e re tani. Projektin e tregut do ta bëjmë model dhe të gjithë ata që do të vijnë këtu për të shitur të jenë të akomoduar me të gjitha standardet,” u shpreh kryeministri.

Ndërsa lidhur me ecurinë e punimeve, kryeministri theksoi se ajo ka qenë më e shpejtë se në zonat e tjera. “Ecuria këtu është e rëndësishme të nënvizohet ka qënë më e shpejtë, ngaqë nuk kemi patur problem me prona private në mes, gjë që p.sh na ka zgjatur procesin në Laç në Thumanë dhe në Bubq, ndërsa këtu fatmirësisht nuk kemi patur mundësinë të ecim më shpejt,” u shpreh ai.