Me një fond të qeverisë është bërë e mundur strehimi i 12 familjeve të para përfituese nga programi i banesave sociale në Bashkinë e Kuçovës. Kryeministri Rama ka parë nga afër godinat e reja, dikur ish-magazina nafte, të cilat janë kthyer në ambiente banimi falë fondit të strehimi, ku do të akomodohen familjet më në nevojë për të vijuar më tej me shtimin e banesave sociale përmes ngritjes së një tjetër godine.
“Kjo ka qenë zonë industriale, ish-magazinat e naftës. Aty ne bëmë për të pastrehët 12 hyrje me perspektivën që mund të bëjmë dhe shtesa më vonë. Do bëjmë tratativa edhe me Entin e Banesave për të bërë një pallat tjetër,” shprehet kryetari i Bashkisë, Selfo Kapllani.
Nga ana e saj, deputetja e qarkut Berat, Ermonela Felaj tha se përveç këtyre banesave Bashkia e Kuçovës ka kryer edhe rikonstruksionin banesave të 37 familjeve të tjera në nevojë. “Bashkia është ndihmuar edhe me një fond tjetër për të rikonstruktuar disa shtëpi, kryesisht të komunitetit rom,” u shpreh Felaj.