Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Një tjetër investim modern i shtohet sistemit shëndetësor në vend. Materniteti i ri i Lezhës, që do t’u shërbejë jo vetëm Bashkisë Lezhë, por edhe qyteteve përreth, është një ndër investimet e rëndësishme, të pritura në dhjetëvjeçarë nga komuniteti i kësaj zone. Materniteti me 80 shtretër dhe tre shërbime është pajisur edhe me të gjithë aparaturat bashkëkohore.

Kryeministri Rama, bashkë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu inspektuan në përfundim të punimeve për maternitetin e ri. Ministrja Manastirliu deklaroi se pas maternitetit të Sarandës dhe Korçës, ky është materniteti i tretë që ndërtohet plotësisht, ndërkohë që pritet të përfundojë brenda këtij viti materniteti i Beratit, ka filluar puna për rindërtimin dhe rehabilitimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe gjithashtu maternitetin e Kukësit.

Krahas modernizimit të infrastrukturës shëndetësore, krijimit të kushteve optimale të punës, në fokus të mbështetjes është edhe rritja e pagave për personelin mjekësor.  “Të gjithë mjekët në vend do të përfitojnë edhe nga rritja e pagës me 40%”, – u shpreh kryeministri Rama.

Forcimi i spitaleve rajonale, në funksion të të cilit është edhe ndërtimi i godinës së re të maternitetit, synon krijimin e kushteve për trajtimin e plotë të pacientëve, sipas standardeve të praktikës më të mirë mjekësore.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.