Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Pediatria e re e Tiranës është gati, një ndërtesë supermoderne brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë.  Një infrastrukturë e ëndërruar nga breza të tërë mjekësh dhe një investim i shumëpritur për kryeqytetin. Në përfundimin e fazës së parë të projektit, spitalin e ri e vizitoi Kryeministri Edi Rama, sëbashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Kryeministri Rama u prit nga stafi i mjekëve të Spitalit Pediatrik, me të cilët vizituan së bashku mjediset e reja dhe tejet moderne të spitalit, duke nisur fillimisht nga Urgjenca. “Kemi përfunduar tanimë fazën e parë të projektit të Pediatrisë së Tiranës, ku godina e re tashmë ka përfunduar, duke bërë të mundur rritjen e kapaciteteve. Jemi gati për mobilimin dhe vendosjen në operativitet”, – u shpreh ministrja e Shëndetësisë Manastirliu, e cila theksoi se investimi është i mezipritur nga të gjithë mjekët. “Rrit kapacitetet e pediatrisë dhe vendos e vendos në një standard më të ri shërbimin. Kjo është një godinë tërësisht e re, e cila lidhet me godinën tjetër që do t’i nënshtrohet në fazën e dytë rehabilitimit tërësor”, – u shpreh ministrja.

Spitalit është konceptuar i tëri si një hapësirë komode për fëmijët. “Ky është  një spital miqësor me fëmijët. I gjithë projekti është bërë që fëmijët të ndihen sa më komod”, – vijoi ministrja Manastirliu.

Faza e dytë  e projektit parashikon edhe rehabilitimin tërësor të godinës së vjetër ekzistuese. “Kemi planifikuar buxhetet dhe hapet edhe për investimin e pajisjeve të reja dhe fillojmë fazën e dytë që të përfundojmë sa më shpejt edhe godinën aktuale, pjesë të këtij projekti. Godina e vjetër është pjesë e rehabilitimit, e korpusit të Pediatrisë. Procedurat kanë përfunduar, jemi gati për të filluar”,- u shpreh Ministrja Manastirliu.

Ndërsa iu uroi mjekëve punë të mbarë në spitalin e ri, Kryeministri Rama theksoi se në katër vitet në vijim do të punohet për të kthyer shëndetësinë publike në shëndetësi autonome.

“Pikat nevralgjike janë prekur dhe sistemi nga ana e infrastrukturës është ngritur aty ku duhet. Ta gëzoni spitalin! Do jua rrisim pagën prapë 40% në këto vite që kemi përpara, por ajo që do t’ju sjelli shumë më tepër është autonomia spitalore, që përfundimisht spitalet të administrohen nga vetë sistemi dhe Ministria e Shëndetësisë do të rrijë thjesht në nivelin e politikave dhe administrimit të burimeve njerëzore. Ndërkohë që gjithë pjesa e funksionit do jetë funksion i brendshëm. Do ndodhi ajo që ka ndodhur në Turqi dhe në vende të tjera që paga bëhet pagë sipas punës. Më interesantja është që në sistemin turk, ka qenë një problem shumë i madh para se të hynte sistemi i ri që mjekët, për shkak të pagave të pamjaftueshme punoni dhe në privat. Me futjen e këtij modeli, ata e kanë me ligj në fakt, edhe sot, që nuk lejohet kjo, është shkelje e ligjit dhe përjashtohesh, por nuk është përdor asnjëherë ky ligj, sepse mjekët nuk kanë më interes të ikin e të punojnë në spitale private sepse spitali funksionon sipas punës që ke dhe ti e shfrytëzon sa orë të duash. Plus, me pikët që kanë, pasi çdo mjek sipas kartelës ka pikëzimin e vetë. Kjo fut konkurrencë brenda, plus që çdo shpenzim administrohet vetë” – u shpreh Kryeministri, ndërsa njoftoi se ka filluar puna për legjislacioni e ri, i cili do t’i nënshtrohet procesi të diskutimit brenda sistemit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.