Edhe gjatë ditës së sotme ka vijuar gatishmëria e plotë në terren, në të gjithë territorin e vendit, për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të shiut, përmbytjet dhe kushtet e përkeqësuara të motit, me prioritet absolut mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve.
Për shkak të rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e banorëve, Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me autoritetet vendore, ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri në Bashkinë Durrës, si dhe në Njësinë Administrative Novoselë, në Bashkinë Vlorë. Evakuimi po realizohet në zbatim të Ligjit për Mbrojtjen Civile dhe planeve kombëtare e vendore të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefektëve dhe strukturave bashkiake. Prioritet u është dhënë fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve në zona të izoluara, ndërsa transporti po sigurohet nga mjetet e bashkive, Shërbimi i MZSH-së dhe Forcat e Armatosura.
Në qarkun e Fierit, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka ndjekur nga afër situatën në terren, ku strukturat e ministrisë, bordet e kullimit dhe shërbimi veterinar janë angazhuar për evakuimin e bagëtive të rrezikuara dhe parandalimin e dëmeve në bujqësi dhe blegtori. Aktualisht, Bordi i Kullimit po operon me 16 ekskavatorë për riparimin e argjinaturave, ndërsa hidrovoret po funksionojnë me kapacitet të plotë. Paralelisht, po kryhet evidentimi i dëmeve për të garantuar mbështetje dhe dëmshpërblim për familjet e prekura.
Situata në zonën e Urës së Mifolit është inspektuar edhe nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila bëri të ditur se po përgatitet një paketë dëmshpërblimi për banesat dhe pasuritë bujqësore të dëmtuara. Ajo theksoi se situata hidrologjike po monitorohet në mënyrë të pandërprerë dhe se sistemi energjetik ka funksionuar normalisht, pa ndërprerje të zgjatura. Furnizimi me ujë në qytetin e Fierit po vijon, pavarësisht vështirësive në disa pika.
Nga ana tjetër, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka inspektuar nga afër situatën në Sukth, ku ka nisur zbatimi i planit të evakuimit dhe janë angazhuar Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe strukturat e Emergjencave Civile. Aktualisht, mbi 200 punonjës dhe disa mjete të FA-së janë në terren për të garantuar sigurinë dhe transportimin e banorëve drejt zonave të sigurta.
Policia e Shtetit vijon të jetë në gatishmëri të plotë edhe për menaxhimin e qarkullimit rrugor, veçanërisht në akset me borë dhe rrezik ngricash, në qarqet Shkodër, Korçë, Kukës, Gjirokastër, Dibër, si dhe në akset Rruga e Arbërit, Rruga e Kombit dhe Llogara. Në këto segmente është i detyrueshëm përdorimi i gomave dimërore dhe zinxhirëve, ndërsa po vijon pastrimi dhe kriposja e rrugëve në bashkëpunim me firmat e mirëmbajtjes.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me strukturat në terren, të respektojnë udhëzimet e Emergjencave Civile dhe Policisë së Shtetit dhe, në rast nevoje për ndihmë, të kontaktojnë numrin pa pagesë 112. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe strukturat shtetërore mbeten të angazhuara deri në normalizimin e plotë të saj.