Mesazhi i urimit i Kryeministrit Edi Rama:
Po mbyllet edhe ky vit dhe si në asnjë vit tjetër në jetën tonë, festat e këtij fundviti po i kalojmë mbyllur herët në shtëpi.
As meshat e mesnatës së Krishtlindjeve nuk ndodhën dot, as mesnata e fishekzjarrëve në sheshet mbushura plot me njerëz qyteteve tona, nuk do të ndodhë këtë herë.
Ky ishte viti ynë më i vështirë, si banorë të këtij vendi e si qytetarë të kësaj bote. Për ne shqiptarët ardhja e Armikut të Padukshëm ishte një kafshatë thuajse e pakapërdishme, pas tërmetit katastrofik të një viti më parë.
Humbje jetësh e lëndime të mëdha njëra pas tjetrës bashkë me një presion të jashtëzakonshëm psikologjik mbi të gjithë familjet shqiptare dhe mbi të gjithë familjen tonë të madhe; gjyshër e gjyshe të kërcënuar në jetën e tyre, fëmijë të penguar në përditshmërinë e tyre, të reja e të rinj të pamundur në shkollimin normal të tyre, prindër të ndaluar në punën e tyre dhe mes tyre mijëra e mijëra që e humbën vendin e punës për disa muaj të tërë…
Ky vit ishte një nga ato lloj sfidash që rrëzojnë elefantë kur i thonë dhe jam krenar për të gjithë ju, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, siç jam krenar edhe për bluzat tona të bardha në radhën më të parë, sepse falë tyre e falë jush, ne qëndruam, rezistuam, luftuam, e po ia dalim që të dalim më të fortë nga kjo luftë kaq unikale në historinë e jetës sonë.
Ne qëndruam dhe i rezistuam goditjes shumë të egër të tërmetit, e sot shkollat e shembura po rilindin jo vetëm pakrahasimisht më të bukura e shumë më të sigurta, po edhe me hapësira të reja që garantojnë bërjen e mësimit me vetëm një turn më në fund pas dekadash, për të gjithë nxënësit dhe zgjerimin e aktiviteteve sportive e jashtëmësimore në zonën brenda shkollës, jo vetëm për nxënësit po edhe për komunitetin. Po rilindin përditë më të bukura e më të forta edhe shtëpitë e familjeve të mbetura pa strehë në natën tragjike të një viti më parë.
Familjet e varfëra të periferive e zonave rurale ishin ato që u goditën më keq dhe nuk ka kënaqësi e krenari më të madhe për mua, sesa hapja e dyerve të shtëpive të reja për ta njëra pas tjetrës, me mbështetjen financiare qind për qind nga qeveria jonë, e cila tregoi karakterin e saj të fortë social e solidar në këtë vit rezistence të madhe ndaj dy goditjeve të njëpasnjëshme. Puna vazhdon, çdo ditë, çdo natë, falë 25 mijë punëtorëve dhe qindra kompanive shqiptare, të angazhuara si një trup i vetëm, deri kur të hapët dera e fundit për familjet e prekura nga tërmeti.
Ndërkohë vazhdon, çdo ditë, edhe përpjekja jonë në luftën me Armikun e Padukshëm tanimë për të siguruar vaksinën kundër tij dhe nisur vaksinimin menjëherë fillimvitin e ardhshëm, sipas planit strategjik të hartuar nga autoritetet shëndetësore, ku si kudo në botë, do të nisim me grupet më të rrezikuara, bluzat e bardha, pastaj mësuesit, efektivët e policisë si edhe moshat më të mëdha. Vaksina sigurisht do të jetë falas dhe jo e detyrueshme.
Por kjo luftë nuk pritet të mbarojë para fundvitit të ardhshëm dhe natyrisht që vaksinimi do të ndikojë jashtëzakonisht në afrimin e fundit të saj. Ndërkohë ne do të mbështesim deri në fund të luftës me paketat bazë të sëmurët që do trajtohen në shtëpi, si edhe do t’u japim çdo muaj dyfishin e pagës aktuale, familjeve në ndihmë ekonomike.
Viti i Ri do të jetë viti i parë me zero taksë mbi fitimin për 110 mijë biznese të vogla dhe 46 mijë prej tyre do të kenë edhe zero tvsh. Si askund tjetër në rajon! Nga janari bluzat e bardha do të paguhen 40% më shumë çdo muaj dhe paga e mësuesve do të jetë 15% më e lartë. Jo vetëm mjekët e infermierët, po edhe mësuesit e Shqipërisë meritojnë mirënjohjen e respektin tonë më të madh, për punën e tyre vetëmohuese në këtë vit kaq të vështirë. Jemi krenarë për ta!
Ky vit e ka goditur fort ekonominë dhe punën kudo në botë, ashtu sikundër ka goditur e lëkundur fort sistemet shëndetësore në mbarë botën dhe ato më të zhvilluarat dhe më të fortat. Por imagjinojeni vetëm për një çast sikur dy goditjet e mëdha ekstra, tërmeti dhe pandemia, përveç problemeve të trashëguara e halleve të përditshme, të na kishin ndodhur 7 vjet më parë apo të na kishin gjetur siç ishim 7 vjet më parë! Do të ishte krejt e pamundur të përballonim qoftë pasojat e njërit e qoftë plagët e tjetrës. Por ne po i përballojmë falë bazës së re që kemi ngritur, qoftë në ekonomi e qoftë në shëndetësi. Dhe ndërkohë, edhe në këtë vit kaq të vështirë, kemi vazhduar të bëjmë përpara, me infrastrukturën rrugore, shëndetësore, shkollore, me rritjen e bizneseve të vogla të cilat sot në regjistrimin e nëntorit ishin 2965 më shumë sesa në janar para fillimit të pandemisë, si edhe patjetër me pagës minimale, që nga janari do të jetë 300 mijë lekë.
E di fort mirë motra e vëllezër, besomëni, e di fort mirë se rruga jonë e përbashkët është ende e përpjetë dhe ka ende shumë pengesa për të kapërcyer e shumë më shumë punë për të bërë. Por më besoni se falë karakterit tonë dhe bashkimit të fuqive tona, më të keqen sot e kemi lënë pas krahëve dhe më të mirën ne sot e kemi të gjithë përpara!
Gëzuar Vitin e Ri miqtë e mi dhe qoftë ky i riu një vit sa më i mbarë për ju e për familjet tuaja dhe kjo dekadë e re e shekullit XXI e cila po fillon, qoftë dekada më e mbarë e historisë sonë, për Shqipërinë e për shqiptarët!
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ku janë, Zoti e bekoftë Shqipërinë!