Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me mësuese të shquara me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit:
Së pari, ju jam shumë mirënjohës që sot jeni në këtë sallë, të cilës i jepni një dritë dhe energji shumë të posaçme. Jam shumë i nderuar që të jem unë këtu, në këtë moment të rëndësishëm për secilin prej jush dhe për të gjithë mësuesit dhe mësueset e Shqipërisë, që është 7 Marsi, për t’ju uruar të gjithëve gëzuar këtë festë të mësuesit dhe për të shprehur të gjithë nderimin, respektin dhe falënderimet për të gjitha ju që jeni mësuese të shquara dhe për të gjithë kolegët e koleget tuaja, që çdo ditë kryejnë këtë mision kaq fisnik, por edhe kaq të vështirë.
Kisha shumë dëshirë t’ju bëja një dhuratë për këtë 7 Mars dhe në fund vendosa që t’ju dhuroj një libër të Pier Paolo Pasolinit, i cili besoj do ju pëlqejë, ku flitet për adoleshentët, për adoleshentët e çdo kohe, për adoleshentët përtej kohës, për të rinjtë e pabindur, të rinjtë kokëfortë, të rinjtë që dëshirojnë të përmbysin botën dhe që përmbysjen e botës e fillojnë dhe e mbarojnë nga mëngjesi deri në darkë, duke kundërshtuar prindërit dhe duke kundërshtuar mësuesit. Në libër ka pasazhe fantastike, një ndër të cilat thotë: “Ajo që e bën prozaike dhe imorale jetën e këtyre çunakëve është vetë shoqëria, e cila reagon në mënyrë autoritare ndaj gjallërisë së tyre, duke iu imponuar ideologjinë e saj morale”.
Ndërkohë, duke reflektuar në kushtet e aktualitetit të sotëm, është shumë e lehtë të marrësh me mend se çfarë vështirësish të jashtëzakonshme ka puna e mësuesve përballë çunakëve, të cilëve shoqëria e sotme nuk arrin t’ju imponojë ndonjë ideologji të saj morale dhe mjedisi i sotëm publik, për fat të keq u mëson, apo përcjell shumë më tepër gjëra të gabuara sesa gjëra të duhura, shumë më tepër shembuj të gabuar sesa shembuj të duhur, shumë më tepër heronj të rremë sesa heronj të vërtetë.
Nuk besoj se është e tepërt që unë, sot t’ju kërkoj ndjesë të gjithave ju dhe të gjithë mësuesve të Shqipërisë, një ndjesë të thellë dhe të vërtetë, për faktin që unë dhe raca ime e politikanëve, sidomos e atyre që çdo të enjte zhvillojnë “mësim” në Kuvendin e Shqipërisë, nuk ju ndihmojmë aspak në kryerjen e misionit tuaj thelbësor, që është jo vetëm të përgatisni njerëz të ditur, por dhe të edukoni qytetarë të mirë. Jo vetëm nuk ju ndihmojmë aspak, por, akoma më keq, ju pengojmë çdo të enjte, rregullisht, në kryerjen e misionit tuaj. Edhe ditët e tjera, por sidomos të enjten. Shfaqja e të enjtes rrëzon të gjitha fjalët që ne mund të themi gjatë javës, në raport me virtytet, në raport me dhuntitë e mira dhe kultivimin e virtyteve dhe dhuntive të mira.
Sidoqoftë, duke qenë në këtë detyrë, unë kam edhe mundësinë e madhe që në ditët e tjera të javës, përveç të enjtes, të laj me sa më shumë punë dhe me sa më shumë kontribut në mbështetjen tuaj dhe të të gjithë të tjerëve mëkatet e ditës së enjte. Besoj se në raport me ju, ne kemi shumë ende për të bërë, patjetër kemi shumë më tepër detyrime sesa të drejta, për të thënë sa shumë kemi bërë, por besoj se me çdokënd prej jush, që udhëhiqet nga arsyeja dhe nga faktet, është e qartë që kemi bërë jo pak, në funksion të krijimit të kushteve për të pasur në vendin tonë një mjedis edukimi dhe arsimimi dinjitoz.
Kur mendoj se ku kanë kaluar – një prej zonjave që morën medaljen tha me një fjali, “kemi kryer këtë punë me pasion, edhe në kushte shumë të vështira” – dhe ku e keni përshkuar ju, rrugën e karrierës tuaj në Shqipërinë e rrëmujave dhe paligjshmërive të 20 kusur viteve, padyshim që ju takon edhe ju, ashtu siç iu ka takuar me siguri mësueseve të gjeneratave të tjera, vargu legjendar i Ismail Kadaresë: “Të urtat gjer në dhembje, të thjeshtat gjer në madhështi!”
Unë e besoj me gjithë zemër, të gjithë përpjekjen që bën Lindita, e cila çdo ditë provon si të vërtetë bindjen time, kur e zgjodha ministre, se më mirë një zyshë që vjen nga klasat e betejës së përditshme për të edukuar dhe mësuar fëmijë e të rinj, sesa një profesor i madh, që vjen nga titujt, shpeshherë të rremë, edhe pse të kristaltë të kohës së tranzicionit. E besoj në lotët e saj, kur flet me ju, kur ju drejtohet juve dhe kur është para jush. E këtu pikërisht është edhe baza e të gjithë suksesit, herë të dukshëm, shumë herë të padukshëm, herë të pranuar, shumë herë të refuzuar, të një reforme që po e ndryshon në themel arsimin tonë parauniversitar. Të një reforme që po krijon dita-ditës kushtet për të pasur mësues sipas meritës, për të pasur tekste sipas ambicies, për të pasur mësimdhënie sipas nevojës dhe për të pasur rilindjen e trekëndëshit të patjetërsueshëm për suksesin në arsim, shtet – mësues – prindër.
Jam shumë i vetëdijshëm se sa shumë ka ende për të bërë, por jam shumë optimist në këtë sektor, në këtë fushë, në këtë betejë, sepse jemi shumë të qartë, hap pas hapi, se çfarë duhet dhe si duhet ta bëjmë. Fatmirësisht, e përsëris për herë të dytë, kemi një ministre Arsimi që është një zyshë, mes jush, si ju dhe që edhe pse ka katër vjet e gjysmë në këtë detyrë, për asnjë moment nuk është bërë dikush tjetër dhe në çdo moment ka kërkuar gjithmonë të dëgjojë, të mësojë e të kuptojë prej jush, se çfarë duhet bërë. Prandaj edhe tekstet janë sot shumë më të mira, sepse u pastruan në bashkëpunim me ju, prandaj edhe shumë procese të tjera që kanë nisur janë sot një garanci, sepse kanë nisur e po bëhen bashkë me ju, prandaj reforma e ditës mësimore, 3 lëndë në 6 orë, është e suksesshme, sepse u bë falë jush.
Ndërkohë që bashkë me ju u bë e mundur edhe ajo që dukej e pamundur, një maturë shtetërore dinjitoze, që nuk është më një ekuacion i panjohur që zgjidhet me kopje, por një proces që garanton meritën dhe hap rrugën e universitetit për këdo, sipas meritës.
Nuk do të ishte mundur, nëse nuk do të ishte një proces, të cilit i paraprihet gjatë një viti të tërë me informim të vazhdueshëm në çdo shkollë, që e bëni ju, për çfarë duhet të bëjë çdo nxënës dhe nxënëse për hapin tjetër, atë të universitetit. Ashtu sikundër ka ardhur koha për të hedhur një tjetër hap shumë të rëndësishëm, për t’i dhënë fund një inercie të pakuptimtë, absurde, të përzgjedhjes së mësuesve të ardhshëm nga pjesa më e dobët e atyre që shkojnë në universitet. Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu.
Nuk mund të bëhesh dot mësues, si ju që jeni këtu, me mesatare 6. Është e pamundur! Ashtu sikundër jam i bindur që, nëse do t’i ktheheshim sot mesatares suaj të gjimnazit, unë zor se do gjeja ndonjë që ta kishte jo 6, se 6-a nuk diskutohet,- ju e dini ç’ishte 6-a, kur ju bënit maturën, 6-a ishte kiamet! Prandaj, hapi tjetër do të jetë që kush do të bëhet mësues, duhet të ketë më shumë kredite nga matura dhe nga mesatarja sesa të tjerët.
E patjetër që kjo duhet të shoqërohet e do të shoqërohet me mbështetje për të rritur më tej rrogat e mësuesve. Por ju e dini më mirë se unë, kjo nuk është çështje rrogash thjesht. Mund të kesh një rrogë më të rritur, por, nëse nuk ke kushtet ku ndihesh në pozicionin që mund të japësh atë që ke për të dhënë dhe kur respektohesh për atë që jep, nuk ka rrogë që të motivon të bësh gjënë e duhur. Ashtu sikundër, ju me rroga shumë më të ulëta se këto që keni sot, keni bërë gjënë e duhur, pikërisht sepse keni krijuar vetë kushtet dhe keni imponuar vetërespektin për figurën e mësuesit.
Cila është fitorja e vërtetë, ajo që vjen nga zhurma e duartrokitjeve, apo ajo që vjen nga të rrahurat e zemrave? Përgjigjen, ju mund ta jepni më mirë se kushdo tjetër. Mësuesit nuk duartrokiten kurrë, por të rrahurat e zemrave që provokojnë mësuesit, nuk i provokon askush tjetër. Janë të rrahura zemra nga emocionet e provimeve. Janë të rrahura zemre nga emocionet e takimeve pas shkollës. Janë të rrahura zemre nga emocionet e sukseseve të arritura nga nxënësit, falë insistimit. Janë të të gjitha llojeve dhe janë pasuria juaj e pazëvendësueshme dhe e pakonkurrueshme, që askush tjetër nuk mund ta ketë, për më tepër, për një kohë kaq të gjatë, sa ju e keni nga dita e parë deri në ditën e fundit të punës suaj.
Duke ju siguruar që edhe zemra ime rrahu sot, përpara jush, nga ndjenja e fajit në këtë rast, gjë që më bëri t’ju kërkoj edhe ndjesë shumë të sinqertë dhe duke shpresuar që ju nuk do lini rast, shans, mundësi pa e kritikuar kudo që t’ju dali një vesh që t’ju dëgjojë, të enjten time dhe të enjten tonë, se mbase kushedi krijohet një rrezatim i tillë që t’i vijnë mendtë atij Kuvendi, unë ju uroj me gjithë zemër, shumë 7 marse të tjera.
Mondën, meqë e kam të shtëpisë, të “Liceut Artistik”, dua që ta ndaj veç në fund, duke i thënë, jo vetëm artistët nuk dalin në pension, por as mësuesit nuk dalin kurrë në pension, sepse më kujtohet fjala e një mësueseje kujdestare të 8-vjecares, e cila nuk jeton më. E pata takuar atëherë kur mua kishin filluar të më linin flokët dhe më tha, “mendoja se vdiqa, kur lashë punën dhe ika të mbyllesha në shtëpi, por kjo paska qenë pjesa më e bukur, se nuk ka kënaqësi më të madhe se kur nxënësit e dikurshëm të vijnë tek dera dhe të japin të drejtë për të gjitha mundimet e tua”.
Shumë faleminderit!