Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja Linda i uruan sot nga Korça, besimtarëve të krishterë dhe gjithë shqiptarëve: “Gëzuar Pashkën!”
Dje në mbrëmje, Kryeministri Rama dhe zonja Rama, të shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi me bashkëshorten, bashkë me qytetarët u bënë pjesë e kremtimeve për këtë ditë të shenjtë dhe në mesnatë ndoqën meshën në Katedralen e këtij qyteti.
Sot në mesditë, ata vizituan Mitropolinë e Korçës, nga ku përcollën mesazhin e ringjalljes së vlerave dhe të punës së përbashkët për rilindjen e Shqipërisë.
“Ka qenë një atmosferë shumë festive ditën e djeshme në qytet. Kemi vendosur që nga Korça të shpërndajmë urimin për gjithë shqiptarët e krishterë, por edhe të gjithë popullin shqiptar, sepse siç është bërë traditë, ne i festojmë të gjithë ditët tona të shënuara fetare, “Gëzuar Pashkën!” E jo vetëm të festojmë, por edhe të marrim mesazhin që posaçërisht në Ditën e Pashkës, mesazhi i ringjalljes vjen e bëhet gjithnjë e më aktual për Shqipërinë. Të gjithë kemi nevojë të rilindim e të ringjallim vlerat tona më të mira, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara, Shqipëria të rilindë e ringjallet në të gjithë dimensionet e veta,” – u shpreh Zëvendëskryeministri Peleshi, pas vizitën në Mitropoli.
Në emër të Qeverisë shqiptare përcollën mesazhin e harmonisë, dashurisë e të bashkëpunimit, që kjo Ditë frymëzon, për një Shqipëri të zhvilluar e të ardhmen së saj, edhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe ajo e Kulturës Mirela Kumbaro, të cilat vizituan Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
“Urojmë gjithë shqiptarët e Shqipërisë së harmonisë të besimeve fetare, që aq bukur di të ftojë në ditë të tilla festë, të gëzojnë sëbashku, të krishterë e myslimanë. Le të jetë kjo një ditë reflektimi për të bashkuar edhe të gjithë politikanët, për të folur më shumë me punë sesa me fjalë, për të shënjuar më shumë siguri përmes punës së përbashkët, siguri të qytetarëve, në familje, në rrugë në shkollë e kudo, për të ecur përpara me vepra në rrugën e inovacionit, për të mundësuar fitimin e kohës së humbur dhe afruar Shqipërinë me vendet e tjera të zhvilluara, për të shënjuar po ashtu progres më shumë për mundësi të barabarta për të gjithë dhe më pak padrejtësi në jetën dhe në të përditshmen e shqiptarëve të vendit tonë të dashur,” – u shpreh Ministrja Nikolla.
“Është një ditë paqeje, një ditë rilindjeje dhe rilindja është për të gjithë, majtas, djathtas, të krishterë, myslimanë dhe kjo është një ndër vlerat e Shqipërisë, e trashëgimisë kulturore shqiptare, që të jemi të gjithë bashkë, në të gjitha festat Sa më shumë bashkëjetesë, aq më shumë festa, aq më shumë dashuri. E një ndër mesazhet e Ditës së Pashkëve është që dashuria triumfon mbi egoizmin. T’ia lëmë dashurisë, sot,” – ishte mesazhi i Ministres Kumbaro.
Mesazhin e reflektimit për më shumë bashkëpunim për Shqipërinë e së nesërmes e dhanë nga Katedralja e Shën Palit në Tiranë, edhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto.
“Të tilla festa janë festa për gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët, qofshin këto myslimanë apo të krishterë. Ky është një leksion shumë i mirë që vendi ynë na jep. Është një leksion, të cilin duhet ta marrin gjithë ne, politikanët, për të folur më pak e punuar më shumë, që Shqipëria jonë të ketë më shumë punë, të ketë më shumë siguri, më pak pabarazi dhe që ky hendek i madh që ekziston midis botës së zhvilluar dhe Shqipërisë të zvogëlohet për çdo ditë e më tepër. Ky është leksioni që ne politikanët duhet të marrim çdo ditë, sidomos nga një festë kaq e madhe, siç është festa e Pashkës,” – u shpreh Ministrja Kodheli.
Ndërsa Ministri Haxhinasto nënvizoi se “ky është një moment që të gjithë reflektojmë për t’i shërbyer më shumë dashurisë, për t’i shërbyer më shumë jetës, sepse kështu bëhemi të gjithë më të mirë dhe shoqëria ecën përpara.”.