Gjadër, Lezhë – Situatë e qëndrueshme falë pastrimit të kanaleve kullues

Kryeministri Rama ishte në Gjadër të Lezhës për të parë nga afër situatën në zonë për shkak të rreshjeve me intensitet të lartë të ditëve të fundit.  I shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu dhe nga ministri Mbrojtjes Niko Peleshi, Kryeministri përshkoi në këmbë të njëjtën zonë, e cila nga reshjet e vitit 2010 ishte nën ujë. “Kur kemi ardhur në përmbytjen e madhe të 2010-ës, në këtë zonë këtu ishte gjithë lagja llahtar. Më kujtohet që nuk shkelnim dot për shkak të ujit. Tani kjo është situata dhe ky është rezultati i gjithë punës së bërë nga Ministria e Bujqësisë dhe nga Bashkia e Lezhës për të pastruar të gjithë infrastrukturën e kullimit, që në atë kohë ishte komplet inekzistente, e bllokuar, e taposur me plehra të akumuluara me vite dhe nuk kishte këtu asgjë tjetër, përveç ujti, deri në gjysmën e banesave”, – nënvizoi Kryeministri.

Gjatë bashkëbisedimin me disa banorë të zonës, Kryeministri u kujtoi se 11 vjet më parë, shumë prej tyre kanë fjetur në palestrat e shkollave, një situatë kryekëput e tejkaluar sot. “Në 2010-ën , uji ju erdhi nëpër dhoma. Janë pastruar 40 e më shumë kilometra kanale që sot këtu kemi  situatë që të paktën banesa nuk janë dëmtuar. E mbani mend atëherë se keni fjetur nëpër palestrat e shkollave. Nëse ky kanal nuk do ishte pastruar, këtu do shihnim çfarë do të thotë përmbytje për shkak të njeriut. Përmbytje pastaj për shkak të natyrës është tjetër”, – u shpreh Rama.

Gjatë këtyre ditëve me reshje intensive nuk është humbur edhe asnjë kre bagëtish. Gjithashtu Kryeministri Rama kujtoi se kjo zonë ka qenë e ndaluar për ndërtime, “para se të vinte fadroma me dy gishta dhe kishte një arsye, se edhe në kohën e komunizmit ishte si govatë që mblidhte gjithë ujin, kur kishte shira të mëdhenj”.

Pjerin Nderu, kryetar i Bashkisë së Lezhës informoi se kjo është zona më problematike, por vetëm 10 shtëpi janë problem. “Kemi ndërhyrë me evakuimin e banorëve mbrëmë. Kemi çuar dhe pako ushqimore tek ata që janë në nevojë. Kemi pasur një organizim për t’i qëndruar afër. Kryesorja është që nuk kemi asnjë kosto në njerëz, as në bagëti, i kemi evakuuar”.

Fokusi i vënë në pastrimin e kanaleve të kullimit, sot po jep rezultat, pasi ndryshe nga viti 2010, vetëm 10 familje janë të rrezikuara nga shirat dyfish më me intensitet të këtij viti. “Përtej shqetësimit që u krijon atyre familjeve që janë prekur, që janë numër i vogël, por që për ata është gjë e madhe, ky është testi më i shkëlqyer për punën e bërë. Reshje dyfishi i 2010-ës, me statistika, jo me fjalë dhe urdhëro situata. Tani i gjithë rreziku ende është pjesa pak më lart që sipas parashikimeve do ketë reshje intensive deri nesër në mëngjes dhe ajo është e fundit. Kjo është si lavamani, po i fute presion ai mbushet, ama funksionimi është, nëse në momentin që mbaron, e merr menjëherë apo rri aty, se nuk ke çfarë i bën kur intensiteti vjen përtej kapaciteteve normale, nuk ka kanal e nuk ka tub në botë që mund të mbajë intensitete shirash që shkon përtej parashikimeve të asaj teknologjie që është”, – u shpreh Kryeministri.