Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri:  

 

Shkëlqesi ambasadorë!

Zonja dhe zotërinj të trupit diplomatik!

Ju uroj mirëseardhjen dhe ju shpreh kënaqësinë time të posaçme për takimin tonë të përvitshëm në pragun e festave të fundvitit, i cili tanimë është kthyer në një traditë.

Me këtë rast përfitoj që t’iu uroj mirëseardhjen dhe një punë sa më të frytshme në vendin tonë, Nuncit Apostolik dhe ambasadorëve të Republikës Çeke, Japonisë, Francës dhe Spanjës, që gjenden me ne, këtu, për herë të parë.

Jeni akredituar në një vend ku ndoshta edhe mund të keni nguruar, apo dyshuar se do t’i kaloni mirë disa vite të karrierës tuaj. Duhet të jeni shumë të sigurt se eksperienca e paraardhësve tuaj dhe e të gjithë atyre që vijnë në Shqipëri me ngurrime dhe dyshime për të qëndruar disa vite, mëson se kur të vijë dita për t’u larguar, Shqipëria do t’ju mungojë.

Kaq e vërtetë është kjo, sa në jo një rast, shumëkush prej atyre që ikin, gjejnë apo përpiqen të gjejnë rrugën për t’u kthyer në pozicione tjera. Këtu kemi dëshmi të gjalla të këtij fakti. Njerëz që vijnë nga vende të mëdha, nga vende të zhvilluara, nga vende ku gjithkush do donte të jetonte dhe përsëri, mendjen e kanë të vijnë në Shqipëri. Sepse Shqipëria, së pari, është një vend që nuk të lë kurrë të mërzitesh, është një vend me të papritura, është një vend me momente të gëzueshme dhe surpriza, por edhe sepse Shqipëria është një vend që në këtë fazë të historisë së saj përjeton rrugëtimin e vështirë, shpeshherë të dhimbshëm drejt një rilindjeje përfundimtare, si pjesë integrale e familjes së bashkuar europiane.

Një politolog i shquar francez dhe ish ministër i atij vendi të madh pati shkruar në vitet ’70-të një libër që rezultoi profetik, “Quand la Chine s’éveillera” (“Kur Kina do të rizgjohet”). Shumëkush atëherë e konsideroi këtë libër si një alarm për universin, ndërkohë që sot, gjithkush në bashkësinë ndërkombëtare ecën dorë për dore me këtë vend të madh, duke u përpjekur të skalisë në një proces krejt të ri një multipolaritet politik dhe një multirealizëm politik kaq të domosdoshëm për kohën tonë.

Në të vërtetë, Alain Peyrefitte me mendjen e tij vizionare shprehte nëpërmjet librit në fjalë, një bindje shumë të qartë. Ai e përshëndeste dukurinë e zgjimit të kombeve nga letargjitë shekullore, hera-herës të imponuara prej rrethanash historike të pamëshirshme, apo nga regjime sa jetëgjata, aq edhe në kontradiktë themelore me identitetin dhe vokacionin e këtyre kombeve.

Shqipëria është mikroskopike në raport me Kinën, por historia e kombit shqiptar, ashtu si e atyre kombeve që kishte parasysh politologu i famshëm francez, është një histori e ngjashme dhe vokacioni, identiteti, si dhe prirja e vazhdueshme e shqiptarëve për të parë, siç thoshte një poet i madh i rilindjes sonë kombëtare, “andej ku dielli lind ku perëndon”, u  mbajtën për shumë kohë peng, pikërisht i letargjisë shekullore të imponuar.

Sot, Shqipëria është në një proces që e bën atë një vend tejet dinamik dhe po ashtu tejet interesant. Sigurisht që, nëse do të llogarisnim vitet që e ndajnë dhjetorin e sivjetshëm nga dhjetori i 27 viteve më parë, kur ne hymë në rrugën e zgjimit, mbase do të na dukeshin shumë dhe do na dukeshin edhe shumë koprace në raport me çfarë atëherë, ne parafytyronim dhe si atëherë, ne mendonim se do të ishim pas 27 vitesh. Por, nëse i vendosim këto vite në një kontekst më të gjerë historik, atëherë besoj se mund të thuhet pa frikë se Shqipëria e sotme ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në raport me të djeshmen dhe se është një garanci që Shqipëria e nesërme do të jetë shumë më e mirë sesa e sotmja.

2017-ta ishte një vit interesant, madje shumë interesant, me një proces zgjedhor që u zhvillua me shumë qetësi, larg polarizimeve dhe konflikteve tradicionale, që kanë shoqëruar proceset zgjedhore, por që vetë si i tillë erdhi pas një krize disamujore, një konflikti jo të lehtë, edhe pse goxha artificial, që e cenoi debatin politik, e cenoi ritmin normal të ecurisë së jetës parlamentare, apo edhe të jetës ekonomike të vendit. Por megjithatë tregoi edhe disa anë pozitive, që nga toleranca ndaj manifestimit, tolerancë shembullore besoj dhe ashtu siç duhet të ishte dhe siç duhet të jetë gjithmonë, në respekt të përpjekjes për të mos përsëritur gabimet e të shkuarës dhe nga ana tjetër, një përpjekje e vazhdueshme për të realizuar një dialog që dukej i pamundur.

Faktikisht u arrit dhe sot do të ishte e padrejtë të mos kujtohej roli i luajtur nga shumëkush prej jush këtu, për të materializuar marrëveshjen që reflektoi më së miri atë potencial të jashtëzakonshëm dhe do ta quaja rezervë të pashfrytëzuar që mbart politika shqiptare, për të realizuar gjëra që mund të duken të pamundura, thjesht dhe vetëm përmes bashkimit në momente kyçe dhe mbi të gjitha, bashkimit në funksion të aspiratave kombëtare dhe të aspiratave të të gjithë shqiptarëve, pa dallim.

Besoj se ky vit na tregoi edhe sesa e vështira është rruga e zbatimit të reformës në drejtësi, por se po ashtu, zbatimi i kësaj reforme është një proces i pakthyeshëm. Humbëm disa muaj për të nisur procesin e Vetting-ut, por varet si e shikon. Mund të quhet kohë e humbur në raport me shpejtësinë tonë, sepse mos harrojmë që në dy vjet kemi ndryshuar Kushtetutën e vendit, kemi miratuar ligje të reja dhe i kemi hapur rrugë krijimit të një ngrehine të re të sistemit të drejtësisë, gjë që në secilin nga vendet tuaja duket vërtetë e shpejtë si drita, krahasuar me kohën që ju duhet të shpenzoni për të bërë reforma në drejtësi.

Natyrisht, edhe kjo ka një arsye, të cilën unë do dëshiroja që gjithsecili prej jush të mos e harronte asnjëherë, kur sheh Shqipërinë që troket në dyert e shtëpisë së Europës së Bashkuar për të çelur negociatat. Dhe arsyeja është pikërisht nevoja jetike e këtij populli, e këtij kombi, për të mos humbur më kohë në aspiratën që të bëhet një orë e më parë pjesë e kësaj familjeje.

Pavarësisht përpjekjeve që ka bërë gjithsecili, qeveria, opozita, ju, partnerët tanë të pazëvendësueshëm ndërkombëtarë, pavarësisht meritave që ka gjithkush në këtë proces, një gjë është e sigurt, askush nga ne nuk do kishte bërë kurrë një reformë në drejtësi me këtë shpejtësi dhe me këtë thellësi dhe nuk do ishte i nxitur në vazhdimësi për të mbajtur këtë ritëm në zbatimin e saj, nëse nuk do të ishte Bashkimi Europian si destinacion dhe si aspiratë kombëtare, nëse nuk do të ishte shtëpia ku ne duam të hyjmë me të drejta të plota, që i tërheq të gjithë shqiptarët si një magnet shumë i fortë dhe i mundëson politikës shqiptare që, pavarësisht mungesës së traditës demokratike, pavarësisht historisë aspak bujare të të shkuarës, të mos lëvizë sidoqoftë nga ky drejtim strategjik i patjetërsueshëm dot nga askush dhe për asnjë arsye.

Është padyshim një ndërmarrje madhore, por lëvizja nga rrethi vicioz i të shkuarës dhe inercisë së një tranzicioni të gjatë drejt rrethit virtuoz të 12 yjeve të artë në fushën e kaltër është sot më i qartë se asnjëherë dhe ne, sot jemi më afër se asnjëherë çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Këtu dua t’ju përsëris edhe publikisht thirrjen time, të gjithëve ju që e njihni Shqipërinë nga brenda, që i njihni shqiptarët nga afër, që çdo fjalë e duhur në drejtimin e duhur, për ta mbështetur këtë proces e për ta mundësuar çeljen e negociatave në 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm, nuk është diçka që e meritoj unë, e meriton qeveria e Shqipërisë, e meriton opozita, apo e meritojnë politikanë e prandaj duhet ta bëni, por është diçka që e meritojnë shqiptarët. E meritojnë të gjithë shqiptarët, e meritojnë ata që jetojnë këtu, e meritojnë ata që jetojnë diku tjetër dhe ata që duan të lindin fëmijë këtu, apo duan të rikthehen për pjesën tjetër të jetës së tyre. Natyrisht që kjo varet në radhë të parë, nga ne që i përfaqësojmë shqiptarët, të cilët prej shumë e shumë vitesh, madje shekujsh, aspiratën e tyre për se ku duhet të ndodhen dhe ku duhet të ndodhet Shqipëria, vendi ynë, e kanë pasur gjithmonë, po këtu ku e kemi ne të gjithë sëbashku sot.

Duke thënë se jemi ne të parët, unë besoj se ajo çka ne arritëm për të realizuar zgjedhjet e shkuara, zgjedhjet e këtij viti, të cilat u dukën si një katastrofë e paralajmëruar dhe u kthyen në mënyrë të befasishme në një eksperiencë të shkëlqyer mirëkuptimi dhe komunikimi, është një thesar, të cilin unë personalisht dhe ne në shumicë duam vetëm që ta shtojmë, ta pasurojmë, ta vlerësojmë me të tjera akte dhe me të tjera përpjekje, për të mbajtur hapur rrugën e një dialogu që, sipas nesh, sipas meje, duhet të ngrihet në një nivel tjetër.

Prandaj, unë as jam lodhur dhe as nuk do lodhem së përsërituri shprehjen e këtij vullneti, përmes ftesave konkrete, edhe më tej në ditët e mbetura të vitit, edhe në vitin e ardhshëm dhe deri kur të kem këtë detyrë, për opozitën, për të gjithë ata që janë njësoj si unë dhe si ne, të interesuar që Shqipëria të bëhet sa më parë pjesë e Bashkimit Europian, që të dëgjojmë zërin e arsyes kombëtare dhe të jemi bashkë lidhur me këtë objektiv kaq të rëndësishëm strategjik. Kemi shumë gjëra, na mjaftojnë dhe na teprojnë, për të cilat mund të debatojmë me zjarr, mund të përplasemi me pasion, mund të zhurmojmë çdo hapësirë publike, por kjo e çeljes së negociatave është një arsye që nuk hyn në këto që sapo thashë, është një arsye që është shumë më e madhe se të gjitha këto sëbashku dhe është një arsye e mjaftueshme për të mos e përfshirë në politikën e debateve, shpeshherë të tepërta të ditës. Ka qenë gjithnjë e qartë ama se në këtë proces, ne nuk jemi dhe nuk do të jemi vetëm dhe se interesi dhe përftimi ynë nga ky proces është reciprok.

Ne duam dhe do të vazhdojmë të zhvillohemi më shpejt, do të vazhdojmë ta kërkojmë gjithmonë e me më shumë këmbëngulje rifitimin e kohës së humbur, do vazhdojmë të ecim me gjithmonë e më shumë vendosmëri drejt të ardhmes dhe mirëqenies, por të dyja këto fjalë janë të lidhura pazgjidhshmërisht me të ardhmen tonë në Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër është po ashtu një investim jo vetëm pa humbje, por është investimi i duhur me përfitim edhe për Bashkimin Europian, çelja e negociatave me Shqipërinë dhe dhënia shqiptarëve e mundësisë për ta parë veten në të njëjtën vijë me fqinjët, të cilët kanë nisur negociatat, apo dhe me të tjerët që dëshirojnë t’i nisin negociatat.

Unë pak ditë më parë jam kthyer nga një vizitë në institucionet europiane dhe në disa vende anëtare të Bashkimit Europian. Më ka ardhur shumë mirë të dëgjoj vlerësime pozitive nga të gjithë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Bashkimit Europian. Patjetër që të gjitha këto vlerësime, ne i marrim si inkurajim, jo si certifikata për një punë të kryer.

Dua të besoj fort se pas këtyre vlerësimeve të merituara besoj për Shqipërinë do të vijë edhe ai që është në fakt vlerësimi për të cilin, ne kemi kaq kohë që përpiqemi dhe për të cilin, ne kemi arritur të realizojmë edhe atë reformë themelore për të cilën fola më parë, apo edhe shumë reforma të tjera; çelja e negociatave për anëtarësim. Nga ana tjetër dua shumë të besoj se të gjithë ju do të jeni avokatët e shqiptarëve në këtë proces kaq të rëndësishëm dhe kaq themelor.

Problemet për të cilat diskutojmë vazhdimisht, prioritetet kyçe që kemi çdo ditë para syve janë aty dhe ne jemi të vetëdijshëm për nevojën për të bërë edhe më shumë progres në të gjitha drejtimet. Por asnjë vend i vetë Bashkimit Europian nuk mund të çohet e të thotë që, nëse do t’i shkonim një e nga një prioriteteve, i ka mbyllur një herë e mirë kapitujt me vetveten në raport me shkëlqimin e administratës, në raport me krimin, në raport me korrupsionin, në raport me të gjitha ato aspekte që në fakt janë pikërisht buqeta e vlerave që e mishërojnë familjen tonë europiane.

Natyrisht, në këtë aspekt ka shkallë dhe unë jam shumë i vetëdijshëm që ne kemi shkallë për t’u ngjitur, për t’u krahasuar me këdo qoftë nga ata që janë sot anëtarë të Bashkimit Europian. Por ama, edhe në këtë aspekt, ne kemi në këtë vit, një histori të vërtetë suksesi. Vazhdon të lexohet tek-tuk mbi situatën e kanabisit në Shqipëri, vazhdon të diskutohet tek-tuk mbi kanabisin dhe Shqipërinë, por situata ka ndryshuar kryekëput dhe pasqyrimi i këtij ndryshimi jam i bindur që do të jetë gjithmonë e më shumë dominant në muajt që vijnë e lëre më pastaj, në vitet që vijnë.

Pikërisht dje, ministri i Brendshëm i Shqipërisë dhe ministri i Brendshëm i Italisë i kanë dërguar një letër të përbashkët autoriteteve të Bashkimit Europian dhe të vendeve anëtare, për të konfirmuar sëbashku rezultatet shumë domethënëse që janë arritur në luftën ndaj këtij fenomeni. Nuk diskutohet që, nëse ky vit shënoi praktikisht fshirjen nga harta e kultivimit të kanabisit, viti tjetër duhet të përcaktojë konfirmimin përfundimtar të kësaj arritjeje. Ashtu sikundër nuk diskutohet se fshirja nga harta e kanabisit përbën vetëm njërën pjesë të luftës sonë ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, luftë që do të përshkallëzohet vijimësisht dhe që jam i bindur që në vitin që na pret do të shënojë rezultate shembullore.

Asnjë gjë në të gjithë këtë proces nuk do të ishte më inkurajuese për të gjithë shqiptarët, sesa vendimi të cilin po e përsëris ndoshta shpesh për dikë ose për disa që na dëgjojnë, por jo mjaftueshëm për sa më takon, çelja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

E thashë më parë dhe duhet të jem më specifik, ne jemi shumë të kënaqur që sot, Serbia negocion anëtarësimin. Jemi shumë të kënaqur që Mali i Zi negocion anëtarësimin. Por jemi të bindur katërcipërisht, jo me opinion, por me fakte se ne meritojmë po aq sa Serbia dhe po aq sa Mali i Zi, të paktën, që të negociojmë anëtarësimin. Ashtu sikundër jemi të bindur që e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe për Maqedoninë, edhe për Kosovën, edhe për Bosnjë-Hercegovinën më tutje.

Në këtë fazë, besoj se çfarë kemi bërë dhe çka është e shënuar në të gjithë fletoret e detyrave të shtëpisë flet shumë qartë. Ajo çka ende nuk flet shumë qartë është aspekti i perceptimit dhe patjetër është edhe barriera e paragjykimeve tek-tuk.

Do ju tregoj një histori shumë domethënëse. Një mik, kryetar bashkie në një qytet të Bashkimit Europian vizitoi Tiranën përpara pak javësh dhe pati një problem, sepse kërkonte roje me pushkë dhe makina të blinduar për të lënë aeroportin dhe për të hyrë në Tiranë. Natyrisht që nuk mund t’ia garantonim këto dhe sidoqoftë, ai hyri në Tiranë. Unë e takova, pasi kishte qëndruar një ditë në Tiranë. Ndërkohë në qytetin e tij ka dyfish vrasje krahasuar me Tiranën, që të mos flasim për kryeqytetin e vendit të tij. Ishte shumë domethënëse biseda me të dhe më tha me shumë sinqeritet dhe me shumë dashamirësi se ndjehej vërtetë i befasuar nga Shqipëria, se nuk e kishte menduar se Shqipëria mund të ishte kjo që gjeti dhe se Tirana do të ishte ky qytet ku dhe ai e konfirmoi se do të dëshironte të rikthehej.

E solla këtë shembull dhe është një nga shumë shembujt që mund të merren për vizitorë që vijnë drejt Tiranës për arsye pune, vijnë drejt Tiranës për arsye se i sjell rruga dhe ndeshen me diçka që as nuk e kanë imagjinuar se do të jetë. E pra, kjo është sidoqoftë Shqipëria. Në këtë aspekt besoj se ka shumë për të bërë, nga ne, në radhë të parë.

Jam i bindur që rritja e numrit të vizitorëve, rritja e numrit të turistëve është një element që do të na ndihmojë. Por në këto 6 muaj, koha është shumë e shkurtër për të pritur efektin e përgjithshëm dhe është e mjaftueshme për të çuar drejt një vendimmarrjeje të përbashkët të gjitha vendet anëtare dhe për të mos e lënë më Shqipërinë peng në justifikime, alibi, apo arsyetime që nuk lidhen as me 5 prioritetet, as me çfarë ka bërë Shqipëria, as me çfarë ka konstatuar, apo do të konstatojë Komisioni Europian, por lidhen me politikën e brendshme në një vend, apo në një vend tjetër.

Sot është dita për t’ju falënderuar dhe një herë, të gjithëve ata ndër ju që na u gjendën pranë në një moment shumë të vështirë, siç ishte momenti i përmbytjeve të fundit. Në radhë të parë, për të falenderuar ata të cilët qysh pas përmbytjeve të vitit 2015 na ndihmuan, na asistuan dhe na mbështetën financiarisht dhe konkretisht, Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara, Bankën Botërore, për të marrë masa të rëndësishme e bërë investime të rëndësishme në shumë pika të dobëta, pa të cilat përmbytja e fundit do të kishte sjellë pasoja shumë herë më të mëdha.

Po ashtu, kam qenë sinqerisht i emocionuar nga fakti se pa e kërkuar, ndihma na është ofruar menjëherë nga të gjithë vendet e rajonit. Presidenti i Serbisë ka telefonuar menjëherë. Po kështu ka bërë Kryeministri i Maqedonisë. Na janë gjendur pranë menjëherë që nga fqinjët tanë në Greqi, Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe si gjithmonë, edhe Italia, e pandarë në asnjë rast nga momentet tona të vështira.

Nuk dua që të harroj edhe Malin e Zi, personalisht Kryeministren e Malit të Zi, një solidaritet i menjëhershëm dhe i pakërkuar, çka tregon se në rajon po krijohet një model bashkëpunimi, një model bashkëjetese, një model për të cilin rajoni ka pasur tmerrësisht shumë nevojë dhe i cili sot është një model ku Bashkimi Europian, ku vendet anëtare të Bashkimit Europian duhet të shikojnë fuqinë e madhe ndikuese që ka pikërisht Bashkimi Europian mbi vendet dhe mbi popujt e këtij rajoni. Duke u nisur nga kjo, duhet të kuptojnë deri në fund rëndësinë e madhe që ka për çdo vend në këtë rajon, ecuria e mëtejshme në procesin e negociatave dhe të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Nuk dua t’ju marrë kohë me gjithë Procesin e nisur në Berlin nga Kancelarja Merkel dhe të vazhduar hap pas hapi në disa stacione, sepse jeni të njohur me këtë proces dhe jeni pjesë, shumëkush nga ju këtu, e këtij Procesi. Por nuk dua të harroj rëndësinë e madhe që ka ky proces, si një proces i përfshirjes deri në fund në familjen e bashkuar europiane.

Ashtu sikundër nuk dua të harroj në asnjë mënyrë, prandaj e ndava nga vendet e tjera, Kosovën. Kosova që meriton të shoqërohet dhe të përparojë dora-dorazi me fqinjët dhe nuk meriton të mbetet e akoma e izoluar. Është i katërti vit që unë e mbaj këtë fjalë dhe janë katër vjet ku duhet ta përsëris, i vetmi popull në gjithë kontinentin që nuk lëviz dot lirisht. Unë i di edhe arsyet e thëna, vija e kufirit me Malin e Zi arsyeja e fundit e thënë, nuk jam i sigurt nëse po u zgjidh kjo, nuk do dalë një arsye tjetër, por jam i sigurt për një gjë, që asnjë arsye nuk është mbi arsyen e qytetarëve të Kosovës për të qenë të barabartë në lëvizjen e tyre të lirë, sepse ndryshe nga ne shqiptarët e Shqipërisë, ata kanë dhe një problem tjetër të vështirë për të zgjidhur në mendjen e tyre, ishin nën diktaturë dhe lëviznin lirisht në Europë, janë të pavarur dhe nuk lëvizin dot lirisht në Europë.

Nga ana tjetër, besoj dhe shpresoj shumë që vitin e ardhshëm, ne do të shkojmë përpara jo vetëm me Procesin e Berlinit, por dhe me një proces tjetër të rëndësishëm që meriton të nënvizohet, sepse për ne ka rëndësi, procesin e kapërcimit të mosmarrëveshjeve me Greqinë. Ne dëshirojmë dhe do të përpiqemi vendosmërisht që ajo çka ne parashohim dhe kuptojmë me marrëdhënie fqinjësie strategjike me Greqinë të bëhet realitet. Përpjekjet e nisura janë pozitive. Kam shumë besim se ky do jetë viti i fundit i marrëdhënieve të tkurrura në një raport historik dhe në një raport miqësor të padiskutueshëm, në radhë të parë mes popujve, prej të cilëve të dyja palët që i përfaqësojnë nuk kanë asnjë arsye tjetër, përveçse arsyeve që i shtyjnë dhe duhet t’i shtyjnë drejt kapërcimit të çdo mosmarrëveshjeje.

Së fundi, viti që vjen do të jetë Viti i Skënderbeut. Pati disa ndër ju që kur e dëgjuan në fillim, e morën si një sinjal shqetësues të ndonjë tundimi nacionalist. Besoj që tani të gjithë e kanë kuptuar që vendosja e vitit që vjen, i cili në fakt si Vit i Skënderbeut ka nisur që në ditën e përvjetorit të pavarësisë nën shenjën e Skënderbeut, nuk ka asnjë lidhje me asgjë që të shkuarën e lidh me nacionalizmin, nuk ka asnjë lidhje me asgjë që të shkuarën e lidh me ndasitë, me idetë e supremacisë njëri ndaj tjetrit, apo me llogaritë e të shkuarës që vetëm për mendjeshkurtrit janë llogari të pambyllura. Përkundrazi, është një vit që ne duam të kthehet në një vit i të ardhmes. Nuk do të kishte asnjë mënyrë më spektakolare dhe asnjë moment më spektakolar sesa çelja e negociatave për anëtarësim, për ta përcaktuar në histori këtë Vit të Skënderbeut si vitin e të ardhmes.

Do ta kishte mishëruar me shpirt këtë ngjarje të madhe, albanologu i ndjerë Robert Elsie, në venat, genet dhe në mendjen e të cilit ndërthureshin aq hirshëm, çka në një omeli të tijën Nunci Apostolik, Imzot Charles Brown ka cilësuar si një thirrje për universalen dhe dashuri për më të veçantën e një kombi. Ky është mesazhi i vërtetësisë së Vitit të Skënderbeut.

Pas fjalës time të gjatë, edhe të lodhshme ndoshta, si zakonisht, ju do të keni mundësinë të merrni një dhuratë simbolike në shenjën e Robert Elsie-t, përmes së cilës unë dëshiroj që t’ju uroj të gjithëve ju, familjeve tuaja, të gjithë njerëzve tuaj të dashur, padiskutim vendeve tuaja, një Vit të Ri sa më të gëzuar, sa më të mbarë e sa më të paqtë.

Shumë faleminderit të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.