Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Rama në ceremoninë e çeljes së sezonit të ri të Akademisë së Policisë së Shtetit:

Përpara disa kohësh, unë pata mundësinë që të jem përpara jush, kur ishit në fazën e parë të paraqitjes së ambicies tuaj për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit dhe sot jam këtu, përsëri, pasi ju tanimë këtu të pranishëm, 500 vajza e djem keni kaluar në këtë fazë të dytë, duke lënë pas shumë të tjerë e të tjera, që erdhën në këtë rrugë me të njëjtën ambicie, por që nuk mundën t’i kalojnë provat gjatë rrugës.

Sigurisht që, përsëri, provat vazhdojnë. Ju këtu jeni tanimë në kujdesin e një grupi pedagogësh që vijnë nga eksperienca e drejtpërdrejtë në Policinë e Shtetit dhe po ashtu jeni përpara testesh të përdyjavshme, që do të tregojnë nëse jeni apo jo të denjë për të vazhduar rrugën. Dhe kështu do të vazhdojë e gjithë rruga juaj, siç vazhdon rruga e çdokujt që është në karrierë në Policinë e Shtetit, me prova pas provash, me sfida pas sfidash dhe me rreziqe pas rreziqesh. E kjo e bën punën e çdonjërit që zgjedh këtë rrugë, një punë krejt të ndryshme nga çdo punë tjetër dhe një punë shumë të admirueshme e të respektueshme për çdokënd që nën uniformën e Policisë së Shtetit nuk harron asnjëherë, gjatë punës së tij, vlerat dhe parimet e këtij komuniteti njerëzish, ku sigurisht ka shumë për të pastruar, ka shumë për të ndryshuar, por ka edhe jo pak për të respektuar dhe për të kuptuar. Duke u nisur në radhën më të parë, nga ata që nën uniformën e Policisë së Shtetit dhanë jetën e tyre dhe lanë pas nëna, baballarë, gra e fëmijë, motra e vëllezër, të afërm, që sot vazhdojnë t’i kujtojnë me lot në sy. I takon secilit prej jush, të dashur djem e të dashura vajza, që sot filloni këtë Akademi, që të mos i harrojë pavarësisht se s’i ka njohur, të gjithë ata që gjithë këto vite kanë derdhur gjak, për ta mbajtur pastër emrin dhe nderin e kësaj uniforme.

Nga ana tjetër, pa asnjë dyshim, Policia e Shtetit ka plot burra dhe gra, që jo vetëm meritojnë respektin tuaj dhe mirënjohjen tuaj, po ashtu, por janë për ju një burim frymëzimi dhe eksperience, sepse, përndryshe, Policia e Shtetit nuk do t’ia kishte dalë të shkulte farën e keqe, që për vite të tëra kishte mbirë dhe i kishte mbirë në sy Shqipërisë, duke dëmtuar ndërkombëtarisht pamjen e saj, “Republikën e drogës” në Lazarat, sepse përndryshe nuk do të ishte bërë e mundur që forca goditëse e Policisë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme ishte rritur kaq shumë, në një periudhë kaq të shkurtër.

Padyshim që lufta ndaj krimit dhe lufta për të vendosur rendin ligjor dhe për ta kthyer marrëdhënien me ligjin në një marrëdhënie të patjetërsueshme të qytetarit me qytetarin, me pronën publike dhe private, me vetë komunitetin, është një luftë që nuk mbaron as shpejt dhe nuk mbaron as ndonjëherë. Por është një luftë që ia vlen të bëhet çdo ditë dhe çdo hap në rrugën e duhur në këtë luftë nuk duhet ta harrojmë asnjëherë, që është një hap për ta pasur më të mbrojtur, më të sigurt dhe më të mirëqenë, vendin tonë, popullin tonë dhe cilindo prej të njohurve apo të afërmve tanë rreth nesh.

18 herë më shumë djem e vajza aplikuan këtë vit, në krahasim me një vit më parë. Dhe është hera e parë që në sheshin e kësaj Akademie rreshtohen 500 studentë dhe studente për t’iu nënshtruar një kursi të plotë. Edhe kjo tregon se Policia e Shtetit, pavarësisht gjithë problemeve të rënda që ka kaluar, ka bërë për të merituar respekt dhe për të qenë tërheqëse për shumë të reja e të rinj, që duan sot të bëhen pjesë e saj, sikundër dhe ju që jeni këtu të pranishëm, apo 500 të tjerët që do të vijnë pas jush, në janar, që vetëm për shkaqe të infrastrukturës dhe të pamundësisë logjistike të Akademisë nuk janë këtu të pranishëm.

Transformimi i Policisë së Shtetit, ne besojmë se fillon nga këtu, fillon nga ky oborr, fillon nga këto godina, fillon nga kjo marrëdhënie mes jush dhe pedagogëve që ju presin këtu, sot, për të vazhduar bashkë me ju rrugën e njohjes me këtë punë kaq fisnike.

Ligji i ri për Policinë e Shtetit përbën një hap shumë të rëndësishëm përpara, në funksion të ambicies suaj dhe të ambicies sonë për të pasur një Polici Shteti ku karriera të jetë e sigurt, ku rruga në karrierë garantohet përmes meritës, përmes rezultateve, përmes profesionalizmit dhe integritetit moral të çdo pjesëtari të Policisë së Shtetit. Mos harroni se është një shembull i rëndësishëm për të kuptuar rëndësinë e madhe që ka sfida jonë e përbashkët, sot, e juaja nën uniformë dhe e jona, për të mbështetur përpjekjet, ambiciet dhe gjithë veprimtarinë e Policisë së Shtetit në rrugën e vet. Fakti që pavarësisht në një vit shumë të vështirë financiar, pavarësisht se me barrën e një krize dhe të një mali borxhesh në kurriz, pavarësisht se me detyrimin për t’iu nënshtruar një programi disiplinimi financiar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ne rritëm pagat e Policisë së Shtetit me 25%.

Ne i rritëm pagat e Policisë së Shtetit me 25 %, si asnjëherë më parë dhe për një numër të konsiderueshëm punonjësish të policisë, ato u dyfishuan. E, kjo mjafton për t’ju thënë se ju, jo vetëm nuk jeni vetëm, por se në rrugën ku hyni sot, në rast se do t’i kaloni të gjitha provat, përpara sesa pedagogët tuaj të firmosin që jeni gati për të dalë në terren, do të keni hap pas hapi mbështetje, respekt dhe motivim, jo vetëm moral, por edhe financiar, për ta kryer me sukses detyrën, në të gjitha nivelet e karrierës.

Sigurisht që ne jemi të vetëdijshëm që Policia e Shtetit ka ende shumë nevoja të mëdha. Raportet e bëra nga të tjerë, jo nga ne, nga ekspertë të ngarkuar për të bërë këto raporte, tregojnë se gjendja e automjeteve në 70% të rasteve është jashtëzakonisht e vështirë dhe se 52% e automjeteve në përgjithësi janë jashtë çdo standardi për transport policor. Megjithatë, ne jo vetëm që besojmë se kjo nuk përbën një arsye për të mos vazhduar të shkojmë më tutje, me shpejtësi dhe me vendosmëri, për t’i rritur standardet e punës, por vetë rezultatet e arritura më gjithë këto vështirësi janë vetëm fillimi i një pune jashtëzakonisht intensive që na pret, por edhe tregues, që edhe i vetëm mjafton, për të kuptuar se sa shumë akoma mund të bëjmë duke përmirësuar cilësinë e infrastrukturës, të mjeteve të transportit, të automjeteve të patrullave e me radhë, të gjithë logjistikës, pa të cilën, sigurisht, policia nuk mund të japë maksimumin e vet.

Me vetëm 300 ditë qeverisje, – dua ta ndaj këtë me ju, jo si meritë të qeverisë, por si meritë të një Policie të Shtetit, të rikthyer në krye të detyrës, – është ulur me 15% numri i vrasjeve dhe i krimeve të rënda kundër personit. Është një shifër, si ta marrësh. Sigurisht është një hap i rëndësishëm përpara, por pa asnjë dyshim, ambicia jonë është për ende shumë më tepër. E këto 300 ditë na mjaftojnë për të kuptuar se, nëse në këto kushte arritëm t’i bëjmë një ulje kaq domethënëse përqindjes së vrasjeve dhe krimeve të rënda kundër personit, me siguri edhe falë forcave të reja që po i bashkohen Policisë së Shtetit, por në radhë të parë, falë moralit të rigjetur të Policisë së Shtetit, ne do të mund të bëjmë në vijim shumë më tepër. Ne do të bëjmë në vijim shumë më tepër, sepse ndërkohë, falë jush që jeni këtu po rrisim dy cilësi kryesore, pa të cilat perspektiva e Policisë së Shtetit nuk mund të jetë ajo që duam;

E para, po ulim moshën. Pasi ju të përfshiheni në Policinë e Shtetit, do të kemi Polici Shteti më të re, edhe pse ende jo aty ku duhet të jetë, por viti i parë, hapi i parë.

E dyta, po rrisim mesataren e të arsimuarve në Policinë e Shtetit.

Dua t’ju them se janë dy cilësi që ne i kemi më të ulëtat në rajon dhe në Europë. E, ne së bashku duhet t’i japim fund qëndrimit në fund të klasifikimit për këto dy cilësi që përcaktojnë shumë në cilësinë e punës dhe rezultateve të Policisë së Shtetit.

Nga ana tjetër, sigurisht që ishte koha për të përfshirë testet fizike në aktivitetin normal të çdo punonjësi të Policisë së Shtetit. Ju jeni të parët që qysh në hapin e parë e keni filluar bashkë me testet fizike dhe do ta vazhdoni me testet fizike. Më bëhet shumë qejfi që mes jush nuk shoh asnjë që ta ketë bluzën të kthyer nga barku dhe ndërkohë shoh, nga eksperienca ime si sportist, edhe gjurmët e para të stërvitjes që keni bërë, për të lënë pas shumë të tjerë që nuk ia dolën edhe në testet fizike. Por është shumë e rëndësishme që aplikimi rigoroz i testeve fizike të bëhet pjesë e të gjithë trupës së Policisë së Shtetit, siç parashikohet në ligjin e ri dhe ne jemi të bindur që duke bërë këtë do të kemi një rritje të jashtëzakonshme, jo vetëm të efektivitetit të policisë, por edhe të shpirtit të skuadrës brenda policisë. Sado e çuditshme mund të tingëllojë për shumëkënd, por është absolutisht e provuar shkencërisht se marrja me aktivitet fizik e bën njeriun shumë më social. E marrja me aktivitet fizik brenda një grupi që i gjithi angazhohet në aktivitet fizik, e bën grupin shumë më solidar. Një shembull absolutisht konkret brenda strukturave të sotme të Policisë së Shtetit janë forcat RENEA, që, me siguri, në bazën e solidaritetit mes tyre kanë edhe faktin se ushtrohen fizikisht në mënyrë të posaçme, ndryshe nga të tjerët.

E, në fund, dua të nënvizoj edhe barazinë gjinore të respektuar në këtë përzgjedhje. Për shumëkënd mund të jetë dukur në fillim si diçka pa kuptim vënia e theksit tek ky aspekt, por rezultatet e arritura nga ai numër i vogël policesh vajza, që janë përfshirë në punën për qarkullimin më të mirë në rrugët e kryeqytetit, tregojnë se çfarë vlere të shtuar mund të sjellin punonjëset e policisë, krah për krah me djemtë e me burrat.

Edhe njëherë, dua me gjithë zemër t’ju shpreh gjithë respektin dhe gjithë gatishmërinë që të gjithë së bashku ne kemi si qeveri, për t’ju mbështetur, për t’ju inkurajuar, për t’ju përmirësuar vijimisht kushtet, duke filluar nga kjo Akademi, duke filluar nga ju që jeni këtu, sot, por sigurisht duke pasur parasysh të gjithë nivelet e Policisë së Shtetit. Ne duam që çdo nëpunës i Policisë së Shtetit të jetë i mirëshpërblyer, të mos ia ketë zili askujt në sistemin e administratës shtetërore, rrogën apo shpërblimin. Ne duam që, për më tepër, çdo familje e nëpunësve të Policisë së Shtetit, që janë në terren, të jetë e sigurt se çfarëdo që puna e vështirë të sjellë rrugës, askush nga familja nuk do të mbetet pas, askush nuk do të mbetet vetëm. E, sigurisht, ne duam që kur shëndeti i cilitdo punonjësi apo punonjëse të Policisë së Shtetit të rrezikohet, përsëri, ne të jemi pranë dhe gjithkush prej jush të jetë i siguruar.

Me këto fjalë dhe me dëshirën që gjithkush nga ju ta kalojë këtë sprovë disamujore, duke vendosur emrin e vet në grupin e parë të kësaj gjenerate të re, që do të ripërtërijë Policinë e Shtetit në vitet në vijim, unë ju uroj nga zemra sukses dhe të nderoni veten me punën tuaj dhe përmes punës tuaj të nderimit të emrit tuaj, të nderoni edhe prindërit dhe të gjithë ata që keni rreth e rrotull dhe që tek ju kanë sytë dhe shpresat, se përmes jush do të ndjehen krenarë dhe falë jush do të ndjehen më mirë dhe do të ndjehen më të sigurt.

Suksese!

 

***

Në prani të Kryeministri Edi Rama u zhvillua ceremonia e nisjes së Shkollës Bazë të Policisë së Shtetit për 500 studentët e parë nga grupi prej 1000 të rinjsh, të përzgjedhur në fazën e parë për të vazhduar trajnimin policor.

Në mesazhin e tij, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri theksoi se vetëm besimi tek vetja, tek përgatitja, përkushtimi, profesionalizmi dhe rezultatet në detyrë do t’ju garantojnë një karrierë të suksesshme në Policinë e Shtetit.

“Në ligjin e ri kemi parashikuar jo vetëm një sistem të ri gradash që bazohet mbi meritën, profesionalizmin dhe rezultatet në detyrë, por kemi parashikuar ndarjen definitive të policisë nga politika. Por mbi të gjitha, kuptoni që i keni hyrë rrugës për t’i shërbyer qytetarëve. Jo për t’u sjellë më të fortë se ligji, as më të butë sesa ligji. Por për t’u sjellë si zëdhënës të palëkundur vetëm të ligjit, pa asnjë preferencë tjetër. Ndaj kuptoni që ka shumë rëndësi të ndërrojmë mendësinë e punonjësit të policisë,” – u shpreh Ministri i Brendshëm.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe të Komisionit Parlamentar të Sigurisë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.