Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me konkurrentët për Akademinë e Policisë:
Ky konkurs nisi si një vazhdë e zakonshme e traditës së konkurseve për Policinë e Shtetit, por shumë shpejt u transformua në një valë të jashtëzakonshme aplikimesh që, si asnjëherë më parë, solli për të trokitur në derën e Policisë së Shtetit me shumë se 10.000 aplikantë, për një numër shumë të vogël vendesh, i cili në fillim ishte 250, pastaj, përgjatë valës së aplikimeve, shkoi në 500. Sot unë besoj se është dita që me miratimin tuaj t’i kërkojmë Ministrit të Punëve të Brendshme, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe gjithë skuadrës që ka përgatitur dhe do të ndjekë deri në fund këtë konkurs, që të paktën ta dyfishojmë, ta bëjmë 1.000.
Jo sepse “u bë deti kos”, por për një arsye shumë të thjeshtë; Ne nuk kemi kohë për të humbur në betejën për më shumë siguri, për më shumë inovacion, për më shumë progres. Pjesë themelore e kësaj beteje është transformimi rrënjësor i strukturës së Policisë së Shtetit, duke rritur cilësinë e kapitalit njerëzor në polici dhe duke bërë që Policia e Shtetit shqiptar sot, që është policia me moshën më të vjetër mesatare në Evropë dhe në rajon, në një kohë të shpejtë, të ketë një moshë mesatare më të re dhe të krahasuar me të gjithë rajonin dhe me të gjithë Evropën, për të qenë vend normal.
Me gjithë respektin për më të moshuarit, Policia e Shtetit nuk mund të jetë streha e atyre që presin të dalin në pension dhe nuk mund të jetë as vendi për të marrë asistencë sociale ata që nuk bëjnë dot një punë tjetër. Ky është vendi i vajzave, i djemve, i grave, i burrave më kurajozë, më të vendosur dhe më patriotët. Ky është qëllimi ynë dhe këtë qëllim duam të ndajmë sëbashku me të gjithë ju, për t’i dhënë shqiptarëve një orë e më parë Policinë e Shtetit që shqiptarët meritojnë, bashkë me shtetin që ditë pas dite po e ndërtojmë dhe do ta ndërtojmë të gjithë sëbashku si një shtet evropian, në mes të Evropës ku jetojmë.
Është jashtëzakonisht e kënaqshme që në këta mbi 10.000 aplikantë, 1.400 janë vajza. Unë besoj, me gjithë zemër, se sa më shumë vajza dhe gra të marrin rol në jetën e këtij vendi, aq më shpejtë ky vend do të kapërcejë fazën e errësirës së gjatë sociale dhe e rrënimit të vazhdueshëm, që për vitet të tëra karakterizoi rrugën tonë të përbashkët. Pa asnjë dyshim, është më shumë sesa për të qenë krenar fakti se nga ky konkurs fituesit do të jenë 50 % vajza dhe 50 % djem. E ndjej murmurimën e djemve, por nuk mundet dot më të fitoni vende duke dalë më të fortë se vajzat. Tregoni që jeni të fortë mes njëri – tjetrit dhe e bëni garën me njëri – tjetrin. Sepse e keni parë edhe nëpër kampionate, nëpër olimpiada ka basketboll djemsh ka basketboll vajzash; ka futboll djemsh ka futboll vajzash; ka volejboll djemsh ka volejboll vajzash. Kështu që nuk mund të ketë garë këtu në Policinë e Shtetit, ku një pjesë e rëndësishme e konkursit është edhe testi fizik, ku djemtë mundin vajzat. Aq më tepër pastaj që në testin intelektual, vajzat janë më të zonjat se ne djemtë. Ne e dimë këtë gjë.
Në vitet 60’, këtu e gjysmë shekulli më parë, një prej kolonelëve të mirënjohur të policisë britanike, Arthur Young, një kolonel policie që do t’i ishte harruar emri si shumë e shumë të tjerëve, hyri në histori. E dini pse? Sepse u bë promotori i dy gjërave, dy gjera që transformuan policinë britanike;
Punësimi sipas meritës.
Rritja e punësimit të grave dhe të vajzave në polici.
Të dyja këto janë edhe dy gjërat që unë do t’i kërkoja sot organizatorëve të konkursit, që të kenë parasysh. T’i kenë parasysh, për të garantuar që në këtë konkurs do të fitojnë më të mirët; për të garantuar që në këtë konkurs do të fitojë merita dhe nuk do të fitojë kushëriri; do fitojë vajza dhe djali më i mirë, jo vajza e hallës dhe djali i dajës; do fitojnë ata të cilët në këtë moment do të jenë më të përgatiturit, jo ata të cilët në këtë moment kanë meritën e vetme që të jenë të njohurit e të njohurve të të njohurve, të komshinjve, të kushërinjve, të fisit apo qoftë edhe më keq, të partisë, së partisë, së partisë. Këtu, ne jemi të gjithë sëbashku për të garantuar që konkursi për nga organizimi, për nga transparenca, për nga merita të jetë në lartësinë e ëndrrave dhe të shpresave të mbi 10.000 vajzave dhe djemve që erdhën dhe trokitën këtu për t’u vlerësuar për atë që janë; për t’u vlerësuar për atë që dinë; për t’u vlerësuar për atë që mund t’i ofrojnë Policisë së Shtetit dhe jo për t’u vlerësuar se çfarë mbiemri kanë, se nga çfarë qyteti janë apo se kë njohin. Kjo është në një rëndësi të dorës së parë. Se nuk mund të fitojnë të gjithë, por pa asnjë dyshim edhe ata që nuk do të mund të dalin fitues, nuk duhet të dalin të zhgënjyer, nuk dihet të dalin të nëpërkëmbur, nuk duhet të dalin të tradhtuar në ëndrrën e tyre për t’u trajtuar në mënyrë të drejtë, në mënyrë të barabartë, në mënyrë transparente, në vlerësim të meritës së tyre.
Unë jam i bindur që ashtu sikundër sot Shqipëria ka një Ministër të Punëve të Brendshme që është aty për shkak të talentit, të aftësisë dhe të vullnetit të tij për ta luajtur atë rol në mënyrë vizionare dhe kurajoze, ashtu sikundër sot Shqipëria ka në krye të Policisë së Shtetit një Drejtor të Përgjithshëm që është aty vetëm falë meritës dhe një karriere pa asnjë njollë në Policinë e Shtetit. Ashtu edhe Ministri edhe Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë organizatorët duhet të garantojnë që atë që në rrugën e tyre e kanë fituar përmes aftësisë së tyre, t’ua bëjnë të mundur, përmes aftësisë, të gjithë atyre ndër ju që do të dalin dhe meritojnë të dalin fitues.
Reforma në Policinë e Shtetit është një gjë që nuk mbaron asnjëherë. Ju përmenda një shembull të viteve ’60, po ju përmend një shembull të vitit 2013, jo në Shqipëri, por në Francë. Në Francën e një tradite shumë të gjatë, shumë solide dhe ndoshta e njërës prej traditave më të vjetra të policisë së shtetit. Në Francë ka filluar një reformë rrënjësore për të modernizuar policinë e shtetit. Për ta modernizuar në funksion të sigurisë, në funksion të sigurisë që nuk është asnjëherë e dhënë njëherë e përgjithmonë. Sepse të mos harrojmë asnjë herë që nga njëra anë shteti modernizohet, nga ana tjetër krimi modernizohet; nga njëra anë Policia e Shtetit reformohet, nga ana tjetër krimi reformohet; nga njëra anë Policia e Shtetit sofistikohet, trajnohet, specializohet, mundohet të bëjë pjesë të vetën të gjitha armët që ofron dija e sotme, qoftë në pikëpamje të eksperiencës, qoftë në pikëpamje të teknologjisë dhe nga ana tjetër krimi bën të njëjtën gjë. E mes makinerisë së rëndë të Policisë së Shtetit dhe këmbëve të lehta të krimit, krimi është më i shpejtë dhe për këtë arsye sfida është gjithmonë e hapur. Është e hapur në Francë, është e hapur në Amerikë, është e hapur në Bashkimin Evropian dhe sigurisht, është e hapur më shumë sesa në shumë vende të tjera, këtu në Shqipëri. Këtu në Shqipëri, ku ne jemi angazhuar me mish e me shpirt në një transformim rrënjësor të Policisë së Shtetit, që nuk mund të vijë as për 1 ditë, as për 1 muaj, as për 1 vit, por që në vetëm 6 muaj ka provuar se është konceptuar ashtu siç duhet dhe është vënë në rrugën e duhur. Jo thjesht, sepse shifrat sot flasin për një rënie të të gjithë figurave të krimit, duke filluar nga vrasjet deri tek drogat, me rreth 33%, por më shumë se kaq. Sepse sot, për mua, besoj për shumëkënd, është bërë e zakonshme që të takoj njerëz që vijnë nga jashtë dhe që më thonë “ka ndryshuar Polica e Shtetit. Është një tjetër polici që shikojmë në rrugë. Është shumë më e lehtë sot të qarkullosh dhe të komunikosh me përfaqësuesit e Policisë së Shtetit”.
Ndryshimi i prekshëm, e thotë fort bukur një ndër luftëtarët më shquar politikë kundër krimit, kryetari i famshëm i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, fillon tek vijat e bardha, fillon tek respektimi i semaforëve, vazhdon tek respektimi i normave të bashkëjetesës qytetare, duke e bërë mjedisin e bashkëjetesës qytetare, një mjedis ku krimi nuk gjen rrëmujën që i duhet, nuk gjen anarkinë që i duhet, nuk gjen kaosin që i duhet dhe ku, për shkak të rregullit të vendosur, fillon tërhiqet. Tërhiqet në zonat e tij të influencës, ku policia ka hyrë tanimë.
E nëse kemi pasur reagime të forta nga ana e krimit, janë reagimet e një kriminalitet që po goditet si asnjëherë më parë, janë reagimet e një kriminaliteti që po provon forcën për të kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht. A është e njëjta histori e zakonshme që kur ndërron një qeveri, ka një furi të parë, apo është diçka tjetër? Diçka e qendrueshme, diçka që synon të vendoset në mënyrë afatgjatë, përmes Policisë së Shtetit, si sundimi i ligjit përmes shtetit dhe sundimi i shtetit mbi krimin, përmes Policisë së Shtetit.
E pra, kjo e dyta e ka bërë krimin të shfaqet në momente të caktuara, më agresiv. Kjo e dyta ka bërë edhe diçka tjetër. Shikoni vrasjet. Në të shumtën e herës janë larje hesapesh mes kriminelësh të dorës së parë. Larje hesapesh si në një nguc, përpara sesa të gjenden prapa hekurave dhe të mos mund më t’i lajnë hesapet mes tyre. Sigurisht janë vrasje, sigurisht janë krime, sigurisht janë vepra të patolerueshme, të pështira dhe të ndëshkueshme, por janë një tjetër shenjë që krimi po e ndjen që koha e sundimit të tij në të gjithë rrugët e Shqipërisë, koha e nëpërkëmbjes nga ana e tij, e uniformës së Policisë së Shtetit, koha e lidhjeve së tij me kupolën e lartë të Policisë së Shtetit ka marrë fund.
Edhe sot, cilido nga ata që do ta ndjekin këtë ngjarje në anën tjetër të barrikadës, në anën e krimit, do të marrin një mesazh shumë të qartë. Prania e kaq shumë vajzave, e kaq shumë djemve që vijnë e trokasin si kurrë më parë, 10-fish, 15-fish më shumë sesa një vit më parë, për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit, tregon një gjë, që Policia e Shtetit është bërë trupa që ka filluar jo vetëm që të krijojë besim tek qytetarët, por edhe të tërheqë qytetarë të tjerë për të qenë pjesë e saj, pa u ndjerë se janë njerëz të kategorisë së dytë, apo bëjnë një punë të kategorisë së dytë.
Reformat pa dyshim kërkojnë kohën e tyre. Reformat, padyshim janë të vështira kudo. Janë ende më të vështira këtu, sepse bëhet fjalë jo vetëm për të ndryshuar disa njerëz me disa njerëz të tjerë, jo për të ndryshuar disa ligje në letër, as për të ndryshuar disa instrumente me disa instrumente të tjerë, makina apo kompjuter, por bëhet fjalë për të ndryshuar një mendësi. Një mendësi që, fatkeqësisht, në Shqipëri është trashëguar për një kohë shumë të gjatë, nga një e kaluar ku kujtimet e publicistëve apo të udhëtarëve të kohës ngjajnë sikur janë shkruar gjashtë muaj më parë.
Një udhëtar i huaj i kohës, 100 vjet më parë shkruan: “Komandanti dhe 100 policët e tij i marrin detyrat nga doganieri…” A nuk është sikur është shkruar vetëm gjashtë muaj më parë!?
Apo ajo që shkruan Faik Konica, përmes Doktor Gjilpërës, që duke përshkruar policinë thotë: “Policë brutalë që shtynin në të mëngjër dhe në të djathë…”. A nuk është sikur është shkruar gjashtë muaj më parë!?
E pra, fakti që vetëm gjashtë muaj më pas nuk kemi më as doganierë që urdhërojnë komandantin e policisë dhe as policë që shtyjnë në të mëngjër e në të djathtë tregon se e kemi vënë gurin e parë të themelit të këtij transformimi historik për Policinë e Shtetit dhe për shtetin shqiptar.
Nga ana tjetër, arsyeja pse ne, sot kemi ardhur këtu, bashkë me ministrin dhe arsyeja pse si asnjëherë më parë, një kryeministër është këtu, sot, jeni ju, nuk jemi ne. Jeni ju që me këtë valë të madhe kërkesash na keni dhënë energji të madhe pozitive, për t’u ndjerë mirë me çka kemi bërë, por për t’u ndjerë edhe më të motivuar për atë çka mund të bëjmë, sepse keni sjellë këtu jo vetëm nevojën e një gjenerate të re për punë, se të jemi realistë, ju kërkoni një punë, por edhe besimin e një pjesë të kësaj gjenerate të re se kjo punë mund të jetë një punë me dinjitet, me të ardhura dhe me të gjithë krenarinë e nevojshme përpara rrethit familjar e shoqëror, nën uniformën e Policisë së Shtetit. Kjo është e reja e mrekullueshme që ne na ka sjellë këtu dhe që na bën t’ju themi se përveç tjerash, ju sot i jepni një mesazh shumë të qartë shoqërisë. Mesazhin që e thoshte në shekullin e 19-të, Kryeministri i Britanisë së Madhe, Robert Peel: “Policia është publiku dhe publiku policia.”.
E pra, për sa kohë policia nuk është publiku dhe publiku nuk është policia nuk ka siguri. Atëherë kur polica e publiku janë e njëjta gjë, atëherë, pa asnjë dyshim jemi shumë më të sigurt dhe jo vetëm jemi më të sigurt në raport me krimin, por jemi më të sigurt në rrugën e një progresi të vazhdueshëm.
Keni ardhur në kohë të bukur, miqtë e mi. Keni ardhur në kohë të bukur, sepse është koha kur në Policinë e Shtetit vepron fuqishëm një vullnet i ri. Një vullnet i ri për t’i bërë gjërat ashtu siç ju, prindërit tuaj dhe njerëzit e komunitetit prej nga ju vini dëshirojnë. E pra, keni ardhur në një kohë të bukur, sepse jo vetëm ata që do të fitojnë do të jenë pjesë e këtij transformimi, por nga ana tjetër do të jetojnë një moment historik në Policinë e Shtetit, që do t’i vlejë si një eksperiencë shumë e vyer për të ardhmen. Jam i bindur se kur dikush nga ju, pas 2-3 vjetësh të dalë këtu, siç doli Bora, do shesë pak më shumë mend se Bora.
Së fundi dua të them edhe diçka që lidhet përsëri me konkursin, sepse në fund të fundit ju sot keni ardhur për konkursin dhe pasi ne të largohemi ju do të bëni konkursin dhe nuk dua që as të krijohet ideja se tani, këtu fituan të gjithë dhe as të krijohet aq më pak ideja tek ata që nuk do të fitojnë, se ata humbën përgjithmonë.
Dua t’ju them në radhë të parë, disa fjalë të një tjetër burri të madh, Abraham Lincoln, i cili thoshte: “Nuk jam i detyruar të fitoj, por jam i detyruar të jem i drejtë. Nuk jam i detyruar të kem sukses, por jam i detyruar të ndjek dritën brenda vetes. Duhet t’i rri pranë çdokujt që është me të drejtën dhe përderisa sa është në rrugën e të drejtës, vazhdoj me të dhe të ndahem me këdo që i ikën kësaj rruge.”
E pra, në shërbim të Patrullës së Përgjithshme të Policisë, tani që po flasim janë planifikuar 500 vetë. Unë shpresoj që propozimi që ne bëmë në fillim të merret parasysh e të bëhet 1 mijë, por nga ana tjetër janë thuajse 9 mijë të tjerë që nuk do jenë fitues dhe atyre unë dua t’u them që duhet të vazhdojnë të ndjekin dritën brenda vetes; duhet të vazhdojnë të jenë me të drejtën për veten dhe nëse drita që nga brenda vetes i ka sjellë deri këtu, sot, do të vazhdojë të jetë e fortë; duhet të vazhdojnë të provojnë, sepse ky nuk është fundi, është fillimi i transformimit të Policisë së Shtetit.
Nga ana tjetër, ne kemi menduar që edhe një pjesë tjetër, përveç fituesve, t’i mbajmë afër. T’i mbajmë afër, t’i ndihmojmë, t’i trajnojmë e t’i bëjmë gati për konkursin e ardhshëm, në mënyrë që ky hap i parë të jetë një eksperiencë, të mos jetë një dështim dhe e në mënyrë që nga ky hap i parë të vijë një hap i dytë. E kështu me radhë.
Në fund të fundit, më lejoni të ndaj me ju një fjali që më vjen hera-herës në ndihmë, kur gjendem përballë njerëzish, fjalësh, zhurmash, nga ato që i prodhon dëshira apo imagjinata e dikujt apo e disave, që nuk duan që të ketë sukses. Jam i bindur që edhe në këtë rast, me siguri, priteni kur të dalin të thonë ‘ky ishte një dështim i radhës; ky takim ishte një …. etj. etj.’, se unë nuk i riprodhoj dot, se po të isha në gjendje t’i riprodhoja, do të isha i dështuar si ata.
Gjëja që, në fund të fundit, ka rëndësi, është që të provosh, të përpiqesh, të luftosh, është gjithmonë shumë më mirë sesa të qahesh, të ankohesh apo të shash. Përpjekja juaj sapo ka filluar. Konkurrimi juaj sapo do të vazhdojë. Unë përsëri do të vij me siguri, të takohem me fituesit dhe kam shumë dëshirë të vij e të marr pjesë kur të fillojnë testet fizike, sepse ajo është një pjesë e rëndësishme e përpjekjes për të përmirësuar performancën e Policisë së Shtetit, të kemi një polici me peshë mesatare më të ulët dhe me këmbë më të shpejta dhe pastaj dihet se mendja e shëndoshë, në trup të shëndoshë. E kështu me radhë.
Edhe një herë, nuk do kemi fatin të takohemi shpejt, me ata që nuk do të jenë fitues, por do të kisha shumë dëshirë që të mos jetë hera e fundit që takohemi, por që të ketë përsëri një herë tjetër, se ka gjithmonë një shans të dytë. Nga eksperienca kam mësuar se Napoleon Bonaparti kishte shumë të drejtë kur thoshte: “Shpesh herë një humbje është shumë më e vlefshme sesa dy fitore.”
Faleminderit!