Pas përfundimit të projektit të transformimit të sheshit të Çerçizit në hapësirë këmbësore, me një parking nëntokësor trekatësh prej 300 vendesh, sigurimit të financimit e përfundimit të garës për zgjedhjen e kompanisë fituese, ka nisur ndërtimi që do t’i japë fund një prej probleme e të mprehta të qytetit. “Edhe pse periudhë e vështirë pandemie, vizitorët në Gjirokastër nuk kanë munguar, por parkimi ka qenë një problem i kahershëm pasi gjithë mjetet në Qafën e Pazarit grumbullohen në shesh”, – shprehet kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, gjatë inspektimit të Kryeministrit Edi Rama në kantierin e parkimit të ri nëntokësor. Ndërhyrja, shpjegon Golemi, do të vazhdojë edhe me sheshin, duke e kthyer në pedonale e duke u lidhur lart me kalanë.
Deputeti i zonës Bledi Çuçi thotë se me këto ndërhyrje më në fund, sheshi do të marrë rëndësinë që i takon, pasi deri më sot ka qenë “i pushtuar nga mjetet”. “Lehtësimi më i madh është parkimi me 300 vende. Edhe meraku u operatorëve të biznesit në Qafën e Pazarit zgjidhet”, – veçon si një nga efektet e rëndësishme të projektit, Çuçi.
Për të gjithë ata që thonë “pse kaq vonë kjo ndërhyrje”, Kryeministri sqaron se janë disa etapa nëpër të cilat kalon një projekt deri në hapjen e kantierit. “Veprat publike nuk fillojnë kur shfaqet ekskavatori, por qëkur ideohen, më pas bëhet konceptimi i përmbajtjes së tyre, sigurohet financimi, fillojnë procedurat për garën për projektin e zbatimit. Më pas kalohet në garën e realizimit të projektit të zbatimit, lidhet kontrata e fillon puna. Kjo është një punë që ne, bashkë me kryetarin e bashkisë dhe FSHZH-në e kemi nisur në terma konkretë prej pothuajse dy vitesh. Sot jemi këtu për të filluar zbatimin e punës. Është diçka që unë e kam pasur fiksim shumë vite përpara, kur vija në Gjirokastër e shikoja zemrën e qytetit si një parkim. Një asfalt me gropa e shtresa njëra pas tjetrës dhe mbingarkesa e mjeteve ishte e madhe. Është e pamundur të hysh në një qytet që është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore dhe gjëja e parë që ndesh është një parking dhe vështirësia për të lëvizur.’
Me këtë projekt. zemra e Gjirokastrës kthehet në një hapësirë këmbësore, brenda së cilës edhe parkimi i mjeteve, çka garanton jo vetëm lëvizjen e lirë në të gjithë zonën historike të qytetit të gurtë, por i jep frymëmarrje edhe bizneseve. “Janë 106 biznese të reja të regjistruara në Gjirokastër pas projektit të Rilindjes Urbane. Është një tjetër mësim për ata që flasin për fasada. Sepse në fakt, Rilindja Urbane nuk është projekt fasadash, por projekt ekonomik”- thekson Kryeministri rëndësinë dhe impaktin e kantiereve të Rilindjes Urbane.
Çka mbështetet edhe nga të dhënat e vetë qytetit, i cili më parë numëronte vetëm dy hotele. “Vetëm në zonën historike kemi më shumë se 700 shtretër në strukturat akomoduese, të cilës i vjen shumë në ndihmë ky parkim dhe kalimi i sheshit në pedonale”, – thotë kryebashkiaku Golemi.
Me kalimin e sheshit në pedonale do të vazhdohet edhe me kthimin e të gjithë hapësirës rreth tij në një hapësirë publike të integruar dhe të gjelbëruar në funksion të qytetarëve dhe vizitorëve.