Sheshi i rilindur i Derviçanit në Gjirokastër, do të mbajë emrin e Konstantinos Mitsotakis, i pari kryeministër i Greqisë që vizitoi Dropullin.
Në ceremoninë e posaçme organizuar me këtë rast, ku u zbulua dhe busti i tij, kryeministri Rama përshëndeti banorët e tha se “Rikthimi i tij në këtë shesh sot është një rikthim i duhur në vendin e duhur dhe në kohën e duhur i njeriut të duhur për të mishëruar me praninë e vet të përjetshme këtu lidhjen e pandashme të minoriteti grek me Greqinë, të cilën ai e rivendosi pas një këputje të gjatë dhe të dhimbshme me ardhjen e tij 33 vjet më parë.”
* * *
“Të dashur miq,
Agapiti filoi, agapites files
motra e vëllezër,
Adhelfes qe adhelfia,
Sot e kujtojmë dhe kremtojmë me vendosjen e bustit, jetën e një personazhi historik të Greqisë fqinje.
Ajo ngjan si imitimi i një rrëfimi romanesk ku e shkuara, e tashmja dhe ardhmja e një vendi ndërthuren me personazhin në një formë që sa e krijon atë, aq edhe i shkrin ato gati pabesueshëm me rrugëtimin, ngjarjet, ngjitjet, rrëzimet dhe ri ngjitjet e tij.
Kostandinos Mitsotakis ishte në qendër të vorbullës të politikës greke nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fillimin e shekullit XXI. Ajo vorbull ishte djepi i tij, jo vetëm sepse në shtëpinë ku lindi 105 vjet më parë ishte firmosur konventa e Alepas e cila u dha kretasve privilegjet e para përpara bashkimit të ishullit me Greqinë, por edhe sepse ai erdhi në jetë si djali i dytë i një deputeti grek me emrin Kiriakos Mitsotakis dhe si stërnipi i kryeministrit grek të kohës së luftërave ballkanike, legjendarit Elefteros Venizelos.
Nga një fond vetja i caktuar enkas prej stërgjyshit kryeministër, për studimet e djaloshit, Kostandinosi ndoqi shkollën e ligjit të Athinës kundrës dëshirës së vet, por siç provoi koha, formimi juridik do ta ndihmonte atë gjithë jetën në betejat epike për mbrojtjen e bindjeve të tij të patundura.
Ndërsa Lufta e Dytë Botërore e rreshtoi të riun Kostandinos si lejtnant në llogoren kundër pushtimit gjerman të Greqisë, pastaj si militant të lëvizjes kombëtare të Kretës, pastaj si të burgosur në duart e nazistëve dhe si të dënuar me vdekje në pritje të ekzekutimit. Ky imponim tjetër në fatin e tij do ta pajiste liderin e mëvonshëm me guximin e njeriut që pasi ka prekur fundin, nuk i trembet më asgjëje kur lufton për të imponuar bindjet e veta të panegociueshme.
Në lëvizjen kombëtarë të Kretës e cila i përshtatej bindjeve të djaloshit që nuk anonte majtas dhe nuk ishte me komunistët asnjë dakordësi tjetër përveç dëshirës patriotike për çlirimin e Greqisë, ai luajti një rol të dorës së parë në marrëveshjen që shmangu edhe konfliktin civil në Kretë në 1943. U burgos dhe u dënua dy herë me vdekje nga nazistët por mbijetoi për mrekulli të fatit, falë një shkëmbimi mes 30 të burgosurish gjermanë dhe 10 të burgosurish grekë. Për kontributin dhe aktet e tij të spikatura të rezistencës, i riu që do të ngjitej në majën e politikës greke vetëm në kapërcyellin e moshës së tretë u dekorua dy herë pas luftës nga qeveritë e Greqisë dhe të Britanisë së Madhe.
Viti 1955 e rreshtoi juristin 37-vjeçar në krahët e legjendës të Greqisë të shekullit XX, shkrimtarit Nikos Kazanzakis me të cilin ai paraqiti parlamentit grek një hulumtim mbi sekuestrimin librave të këtij të fundit në provincat e Greqisë, si rezultat i një hetimi dritëshkurtër për paragjykime fetare.
Gjatë debatit parlamentar ai e cilësoi Kazanzakisin jo vetëm si një autor të spikatur, por edhe si një patriot të vërtetë dhe një kristian autentik duke dalë një kokë më lart nga rreshti konformist i deputetëve, çka e dalloi karakterin e tij të veçantë politik në më shumë sesa një rast.
Përmendja këtu e Nikos Kazanzakisit, një emër i dashur edhe për dashamirësit shqiptarë të letërsisë, e sjell natyrshëm dhe parantezën mbi faktin se Kostandinos Mitsotakis ishte një poliglot dhe lexues i ethshëm i cili deri kur u nda nga jeta në moshën 98 –vjeçare, me shikimin e pamundur për të lexuar nuk u nda asnjë ditë nga librat.
Falë audio- librave ai vazhdoi të shijonte magjinë e letrave të shkruara në frëngjisht, në gjermanisht dhe greqisht sigurisht, duke ndjekur publikimet e natyrave të ndryshme, por deri në fund mbeti një ndjekës i apasionuar i letërsisë dhe i poezisë, dashurinë për të cilat e mbrojti me xhelozi nga varësia mbytëse e politikës.
Kretani i paepur edhe në këtë kuptim, ai ushqeu gjithmonë pasionin e të nxënit përmendesh të poezive që e tërhiqnin më shumë. Si deputet i unionit të qendrës, Kostandinos Mitsotakis nuk ngurroi të bashkonte forcat në frontin e famshëm anti-qeveritar anendotos. Dhe me kë? Me atë që më vonë do bëhej një tjetër legjendë e Greqisë së re, por edhe kundërshtari i tij më i madh politik Andreas Papandreu.
Përkatësia politike larg bindjeve komuniste nuk e pengoi deputetin liberal Kostandinos Mitsotakis, që në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe të demokracisë, të mbështeste në vitin 1962, legalizimin e partisë komuniste duke u shkëputur nga orbita e mendësisë së përgjithshme mbytëse të asaj periudhe të politikës greke, kur komunistët persekutoheshin egërsisht për idetë e tyre të jashtëligjshme, por mendësia e tij e re, forca e hekurt e bindjeve të tij dhe karakteri i tij kryeneç, do të sprovoheshin fort disa vite të gjata pas grushtit të shtetit në prillin e vitit 1967 dhe vendosjes së juntës famëkeqe të kolonelëve.
Natën e grushtit të shtetit, ai arrestohet nga kolonelët dhe më tej survejohet reptësisht si i dyshuar për organizmin e një kryengritjeje në Kretë kundër diktaturës.
Ia del të arratiset nga Greqia mes shumë peripecive dhe rreziqeve, në gushtin e vitit 1968, falë ndihmës së mikut të tij, ministrit të jashtëm turk Çağlayangil, arrin të fluturojë nga Stambolli për Paris me një avion të flotës pakistaneze për tu zhytur në tallazet e mundimshme të emigracionit politik.
Një vit më vonë bashkohet edhe me gruan dhe 4 fëmijët përmes peripecish që do të meritonin një film më vete nga jeta e tij romaneske. Parisi i trazuar i vitit 1968 u bë dhe kryeqendra e rezistencës greke kundër juntës.
Në atë kryeqytet të lirisë, barazisë dhe vëllazërimit Kostandinos Mitsotakis bashkëpunoi me refugjatë politik grekë të të gjitha bindjeve, të të krahëve, të të gjitha ngjyrave.
Ndërkohë u angazhua në organizime dhe në publike të cilat lanë shenjë në rrugën e opozitarizmit të vështirë demokratik të atyre burrave e grave që i kaluan ato vite jashtë Greqisë, pa lënë gur pa luajtur për të ndihmuar në rrëzimin e juntës kriminale që u kishte marrë peng atdheun.
Kur më në fund vendosi të kthehej në Greqi në vitin 1974, me bindjen se rezistenca politike tanimë duhej organizuar nga brenda vendit, ai u gjend përsëri në sallën e gjyqit, këtë herë për botime pa lejen e policisë të konsideruara si nxitëse kundër rendit publik.
Kostandinos Mitsotakis u kthye ne Parlament ne vitin 1977. Fillimisht si lider i partisë Neoliberale dhe pasi u bashkua me Demokracinë e Re një vit më vonë, shërbeu si ministër në disa qeveri derisa në vitin 1984 mori kreun e partisë të cilës i dha fizionominë e vetes së tij politike, duke transformuar nga një forcë klasiciste e ideologjisë së djathtë në një parti reformiste liberale, me ambicien për të hapur horizonte të reja, duke udhëhequr, jo më thjesht për të qeverisur me sytë nga horizonti i vjetër.
Kryeministri Mitsotakis hyri në zyrë gati gjysmë shekulli mbasi hyri në llogoren e luftës çlirimtare. Tamam si mishërimi deri në fund i të vërtetës se asgjë për të nuk ishte e thënë të arrihej pa vështirësi të denja për 31 romancieri, ai ngjiti shkallët e Vilës Maximos pas një sage prej tre palë zgjedhjesh të fituara në vetëm 11 muaj.
Edhe kapitulli i romanit të jetës së tij prej personazhi politik librash në majën e pushtetit, nuk është aspak më i qetë sesa kapitujt e trazuar të rrugës drejt majës ku kryeministri i ri 72 vjeçar i Greqisë ndolli kundër vetes të gjitha erërat e mundshme politike dhe sociale, duke ndërmarrë disa reforma liberale, të cilat trazuan ujërat e ndenjur të një Greqie të ngopur dhe të mpirë nga dominimi populist i aleatit të dikurshëm të frontit rebel parlamentar të Anendotosit dhe kundërshtari i tij super karizmatik Andreas Papandreut.
Ambicia e madhe dhe qasja konfrontuese e patriarkut të demokracisë së re në krye të qeverisë për të zvogëluar sektorin publik, çliruar ekonominë nga zinxhirët burokratikë, tërhequr shtetin nga menaxhimi i ndërmarrjes strategjike dhe rregulluar tregun e punës dhe rrjedhën e kapitaleve, provokuan valë protestash masive dhe kundërshtish nga të katërta anët.
Me fuqinë e atij besimi të pamatë në vete, që e karakterizonte, por që në sytë e kundërshtarëve ngjante si vetëpëlqim acarues, Kostandin Mitsotakis e ktheu plotësisht busullën e politikës së jashtme greke nga perëndimi dhe hodhi spirancën në Washgington duke ringritur në nivelin e aleancës strategjike marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të cilat, botëkuptimi anti-imperialist dhe karshillëku sfidues i paraardhësit të tij ndaj superfuqisë amerikane, i kishte futur në qerthullin e një konflikti permanent.
Zgjedhjet e parakohshme të vitit 1993 e larguan pas vetëm tre vjetësh, kryeministrin 75 vjeçar nga zyra, ku si për t’ia trazuar deri në fund edhe këtë kapitull të jetës, u rikthye në atë zyrë, paraardhësi i tij Andreas Papandreu, dora vetë, ndërkohë që Kostandinos Mitsotakis u tërhoq nga drejtimi i partisë. Ai mbeti President nderi i demokracisë së re deri në fund të epilogut të jetës së tij të jashtëzakonshme.
Mu duk e arsyeshme të dashur banorë të Dropullit, ta skicoja sot këtu fillin e romanit të jetuar të këtij personazhi emblematik të politikës së vendit fqinj dhe njërit prej dy atdheve tuaj, i cili ishte kryeministri i parë grek, i cili zbriti në Shqipëri dhe vizitoi Derviçanin. Rikthimi i tij në këtë shesh sot, përmes këtij busti që skulptori, kolegu dhe miku im Adi Dule, e krijoi me sukses dhe me shumë dëshirë për hir të së vërtetës, qoftë se dhe ai ka qenë disa vite në Greqi si emigrant, po qoftë dhe sepse portreti i plakut Mitsotakis është vetiu ndjellës për një skulptor për nga karakteri i formës që ka, mendoj se është një rikthim i duhur, në vendin e duhur, por edhe në kohën e duhur i një njeriu të duhur, për të mishëruar me praninë e vetë të përjetshme lidhjen e pandashme të minoritetit grek me Greqinë, të cilën ai e rivendosi pas një këputje të gjatë dhe të dhimbshme me ardhjen e tij 33 vjet më parë, por mjafton ta kesh parë në një material arkivor të televizioni grek kur ai flet me dashurinë e sprovuar të një jete mes tallazesh edhe me atë sensin e tij aristokratit të humorit për kokëfortësinë e gruas së tij arvanitase, që të kuptosh që kjo prani e tij këtu, ushqen natyrshëm edhe mirësinë kokëfortë të lidhjes së pandashme mes dy gjindjeve tona, të cilat e shkuara i ka përzierë aq shumë saqë po të mos i dallojë gjuha apo këndi i kujtesës së ndryshme të historisë politike, asgjë tjetër nuk i bën të pandashëm si pikat e ujit.
Do kisha dëshiruar shumë që sot të ishte këtu dhe Kiriakos Mitsotakis, djali i Kostandinosit, kryeministri i sotëm i Greqisë dhe miku im i dashur, por me siguri dhe ai do të rikthehet në këtë shesh, aq më tepër që ua ka premtuar, ku që nga sot, sheshi mban emrin e të atit.
Ndërkohë, më vjen shumë mirë, që bashkë me ju dhe me mua, është këtu një deputet tanimë i thinjur i demokracisë së re. Kur e shoqëroi 33 vjet të shkuara kryeministrin Kostandinos Mitsotakis në këtë shesh, ai ishte një djalosh i ri, pa asnjë fije të bardhë në kokë, i cili më vonë do të bëhej krye bashkiaku që i riktheu Athinës flamurin e lojërave olimpike dhe ndër shumë të tjera, edhe njëri prej shembujve të mi frymëzues kur mora drejtimin e bashkisë së Tiranës,
Miku im i shtrenjtë Dimitris Avramopulos!
Nuk e harroj, kur si anëtar i një delegacioni qeveritar, atëherë isha ministër i Kulturës, mora pjesë në takimin tonë me zotin Avramopoulos në bashkinë e Athinës dhe dëgjova të fliste me një respekt të madh për punëtorët shqiptarë në Greqi, rëndësinë e tyre për Greqinë dhe kontributin e tyre për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.
Pas gjysmë shekulli këputje të lidhjes sonë të afërt shumë shekullore, sot të gjithë i thonë këto fjalë të mira, por në atë periudhë të vështirë, kur shqiptarët njehsoheshin të gjithë në mexhlisin publik të vendit fqinj në një pakicë fare të vogël keqbërësish, që bënin lajm në televizione, gazeta teksa kokulur shumica dërrmuese, dërrmohej heshturazi në punët më të vështira, fjalët e krye bashkiakut të Athinës ishin melhem për krenarinë tonë të plagosur nga keqtrajtimi i figurës së shqiptarit në Greqinë e viteve ’90.
E falënderoj me gjithë zemër mikun tonë të vjetër për ardhjen sot, ashtu sikundër falënderoj dhe ambasadoren e Republikës së Greqisë, ambasadoren gjithnjë të buzëqeshur, Kostandinën, e cila na nderon me praninë e saj.
Miqtë e mi, motra dhe vëllezër dropullitë, ju më mirë se kushdo e dini që Shqipëria është atdheu juaj. Vendi ku ju jetoni, njësoj si shqiptarët, në gjak dhe në pasaportë, vendi ku keni varret e të parëve, kujtimet e trojet e atyre që nuk jetojnë më, shtëpitë ku keni lindur dhe lindni fëmijët tuaj.
Ju e dini po ashtu se jeni për Shqipërinë një pasuri e çmuar, një urë e pazëvendësueshme fqinjësie të mirë më Greqinë, një lidhje e pandashme mendjesh e zemrash mes popujve, e cila, jo vetëm nuk këputet kurrë brenda njerëzve, por as nuk dobësohet dot, kur politika hyn në mes tyre së prapthi me tekat dhe arsyet e mos arsyes së saj.
Unë jam krenar për vendin tonë të përbashkët Shqipërinë ku minoritetet gëzojnë me ligj dhe me zakon të drejtat e barabarta me shqiptarët etnikë dhe ku asnjë hall, asnjë problem, asnjë shqetësim nuk ndryshon nga hallet, problemet, shqetësimet e të gjithë qytetarëve të Republikës sonë, por po ashtu nuk ndryshojnë as shkalla e vëmendjes, kujdesit dhe e përpjekjeve tona për t’i adresuar hallet, problemet dhe shqetësimet me të njëjtin pasion dhe angazhim si në Tiranë e në Tropojë e si në Dropull, si në Durrës, Maliq e po ashtu në Finiq, në këtë vend që shërohet përditë nga plagët e mundimshme të një të kaluare sa të rëndë aq dhe të përbashkët, ku minoriteti grek është xhevahiri më i madh i kurorës së artë të bashkëjetesës qytetare mes shqiptarëve dhe pjesëve të komuniteteve të ndryshme etnike.
Fatkeqësisht hera-herës, politika elektorale me nevojat e saj jo domethënëse për fatet e vendeve dhe të popujve tanë trazon edhe rrjedhën e natyrshme të vëllazërisë së plazmuar qysh në lindjen e kohërave mes fqinjëve si Shqipëria dhe Greqia, por janë gjëra që kalojnë edhe pse do të ishte mirë të mos ndodhnin, siç mirë do ishte të mos ndodhin, por herë më lehtë dhe herë më vështirë kalojnë dhe sherret dhe keqkuptimet mes vëllezërish që jetojnë në shtëpi të ndryshme.
E sigurt është që në rrjedhën e jetëve të sotme demokratike, trazimet dhe keqkuptimet jo vetëm kalojnë, por dhe e bëjnë më të fortë kuptimin e lidhjes së pandashme mes të dy popujve dhe vendeve tona për të cilën edhe dy kundërshtarët e paepur, Kostandinos Mitsotakis dhe Adreas Papandreu jo vetëm kishin të njëjtën bindje, por dhe po njësoj bënë gjithçka mundën në kohën e shkurtër që patën pushtet në dispozicion kur Shqipëria sapo doli nga izolimi.
Unë nuk e di nëse kryeministri Kostandinos Mitsotakis po na sheh e po në dëgjon nga atje lart, më pëlqen të mendoj se edhe dielli që u shfaq është buzëqeshja e tij, por me ndjesën se mos u zgjata në këtë fjalë ku u mundova të përmbledh kuptimin e jetës së një burrështetasi besnik të bindjeve të veta i cili jetoi thuajse 100 vjet me gatishmërinë e pagesës së çdo çmimi për të mos i tradhtuar bindjet e tij, po e mbyll duke uruar që Shqipëria e Greqia të kenë më shumë burra e gra të ngjashëm me njeriun në këtë bust dhe që ky bust tu shërbejë brezave për të mos e harruar asnjëherë se çka nganjëherë na ndan nuk e vlen kurrë atë që përjetësisht na bashkon ne shqiptarët dhe grekët si dy popuj që ngjajnë si dy pika ujë.
Më lejoni që të ftoj këtu mikun tim, mikun tuaj, një grek europian njësoj siç ishte Kostandinos Mitsotakis, shoqëruesin e tij të dikurshëm që i kishte të gjithë flokët e zeza dhe sot është i zbardhur i gjithi nga hallet dhe problemet e politikës, por që zemrën e ka si gjithmonë, në vendin e duhur, Dimitris.