Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën Jubilare organizuar në nderim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, të mbajtur në vitin 1972, një ngjarje themelore e zyrtarizimit të shqipes standarde.
* * *
Shumë të nderuar të pranishëm! Jo shumë kohë më parë Ismail Kadareja ka shkruar se “gjuha është një pakt i vështirë, më i vështiri pakt që njerëzit kanë lidhur mes tyre” dhe kjo frazë më përkoi më së miri me këta flamujt, duke pasur parasysh se sa shumë rrugë është bërë që këta tre flamuj të qëndrojnë këtu sot së bashku si flamuj që mishërojnë ndër të tjera dhe në të njëjtën kohë, një pakt të vështirë siç është gjuha.
E dimë shumë mirë, por rreziku gjithnjë e më i madh është që ta marrim si diçka që ka qenë gjithnjë aty sesa e vështirë, sesa e stërmundimshme dhe sesa e pamundur është dukur, jo shumë shekujt më parë, por vetëm deri disa vite më parë që gjuha shqipe të flitej, të shkruhej dhe te pranohej lirisht si e drejta më themelore e shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, edhe në Maqedoninë e Veriut.
Nga ana tjetër, i vetmi flamur që nuk kuptova këtu pse është, është flamuri i NATO-s dhe s’munda të rri pa ia thënë dhe organizatorëve, se deri te flamuri i BE dakord, por flamuri i NATO-s çfarë do tek 50 vjetori i Kongresit të drejtshkrimit, nuk e mora vesh. Se shyqyr Zotit akademia ka shpëtuar nga ai ankthi i madh për të luftuar komunizmin pas vdekjes së komunizmit. Nejse!
Tamam 3 dhjetë vjetor pas rënies së komunizmit edhe drejtshkrimi ne na duket njësoj, na duket sikur ka qenë gjithmonë aty. Sikur e kemi një mundësi që mund edhe ta shpërdorojmë, mund edhe ta vëmë në pikëpyetje. Ndërkohë që, unë dua ta falënderoj akademinë për këtë konferencë, e cila vlen për të kujtuar të kundërtën, për të kujtuar se konsensusi gati unanim që u gjet rreth drejtshkrimit 50 vjet më parë, është mahnitës, po të kesh parasysh se në çfarë konfliktesh të përgjakshme dhe në çfarë procesesh rraskapitëse kanë ecur gjuhë të tjera për të arritur njësimin e tyre dhe për t’u bërë palca e gjithë skeletit të paqes sociale. Mjafton të mos shkojmë larg, por tek fqinjët tanë jugorë dhe të kujtojmë ndasinë akute shekullore mes demotikws dhe katharevousas dhe historia na mëson se drejtshkrimi dhe gjuha e njësuar nuk janë gjë tjetër, veçse një proces konsolidimi i frymës dhe i germës së një kombi, i qenies së një kombi.
Nismëtarët e Kongresit të Manastirit iu futën punës me bindjen se alfabeti unik dëshmon që kombi ynë është bërë një si komb. Dhe kombi nuk mund të mbajë gjatë në këmbë vetëm prej mistikës dhe miteve, ndaj i nevojitet kjo sintezë racionale, e ka të domosdoshëm këtë kodifikim të vazhdueshëm të një semiotike përbashkuese dhe për këtë arsye drejtshkrimi dhe gjuha e njësuar i nënshtrohen në vijimësi dhe e pamundur të ndodhë ndryshe, edhe një lloj arbitrazhi publik ose shtetëror. Por edhe kur kanë qenë arbitrare, por janë ratifikuar pastaj nga koha dhe nga përdorimi i pa penguar. Praktikisht këto arbitrazhe janë përligjur dhe janë kthyer në institucione, janë kthyer në ligje që për gjithë traditën liberale kontinentale, siç e citon Rusoi (Rousseau) konsiderohen si shprehje e vullnetit të përgjithshme të kombit, sado zë të ketë pakica dhe sado të drejtë të ketë pakica që t’i kundërshtojë.
Njësimi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe standardizimi i saj është një nga ato procese historike që për fatin më të madh të shqiptareve është përvijuar ngjashmërisht me proceset e njësimit të gjuhëve europiane. Por e para, siç e preka më lart, ka kaluar gjithsesi më butë sesa proceset e tjera njësimi gjuhësh të tjera dhe e dyta, është nga të paktët procese që në historinë tonë na njëson për nga struktura dhe për nga metoda me vende të tjera europiane. Dhe kjo, e përsëris, i detyrohet dhe një fati që ne kemi pasur si shqiptarw. Ndonëse pa një shtet tonin, që edhe kur e patëm nuk e patëm me mundësi dhe mjete të konsiderueshme, fati ynë ka qenë mendja e ndritur dhe talenti i mahnitshëm i njerëzve të dalluar të këtij kombi. Burime njerëzore dhe karaktere të hatashme shqiptare, personalitete me një vizion shumë më të madh sesa gjeografia dhe ngushtësia e Shqipërisë dhe në tërësi e zonës ku është vendosur shqiptaria, emrat e të cilave ndjekin njeri pas tjetrin në një zinxhirë që është një zinxhir i artë, fatmirësisht i pandërprerë deri vonë. Por duhet ta them, kur hap faqet e fundit këtu dhe kur lexon emrat në faqet e fundit dhe kur kërkon të ngjashmit e shumëkujt prej këtyre që sot nuk janë më në jetën tonë të përditshme, është e pamundur të mos ndjesh një ankth të thellë sepse me gjithë respektin, por të ngjashmit e Eqerem Çabejit, Mahir Domit, të Androkli Kostallarit, të Aleks Budës, e kështu me radhë dhe jo vetëm ata që kanë ikur, por të ngjashmit e gjeneratës së re profesor Emilit që është aty, vështirë, shumë vështirë. Nejse!
Shoqëria e të shtypurit të shkronjave shqip në 1879, duke kaluar nga Kongresi i Manastirit në 1908 tek Komisia letrare në 15-16 ën, tek Konsulta letrare e Prishtinës në 68-ën dhe për të përfunduar tek Kongresi që ne sot kujtojmë, janë mishërim mendjesh shqiptare të ndritura, talentesh te jashtëzakonshme, karakteresh të hatashme që shekulli i ri nuk do t’i mblidhte dot bashkë, pavarësisht gjithë ndryshimeve që kanë ndodhur dhe kjo është mendoj unë, një nga pikëpyetjet më të mëdha në rrugën tonë drejt së ardhmes. Dhe ky është edhe një nga boshllëqet më të mëdha që e kërcënon kulturën, që e kërcënon integritetin tonë si popull e si komb sepse siç e keni parë kërcënon drejtpërdrejtë gjuhën tonë shqipe. Dhe kushdo që ka sy dhe gjykim të kthjellet të gjitha këto momente, që nga 1879 tek 1972-shi, mund t’i shohë që janë një zinxhir në koherencë të plotë me një amanet të brendshëm, të cilin e kanë mishëruar njerëz specifikë në kohëra të ndryshme dhe secili prej këtyre njerëzve, në secilin prek këtyre momenteve ka përmbushur një objektiv të kohës, dhe ka shfrytëzuar deri në fund hapësirën që lejonte kufiri i përparimit të përgjithshëm. Në asnjë nga këto momente nuk ka pasur nxitim dhe në asnjë fazë midis këtyre momenteve nuk është parë nxitimi racional i kësaj faze të fundit, të këtyre 3 dekadave për të shkuar me çdo kusht në qorrsokak duke guxuar të tentohen shtrembërime të frikshme të një arritje që mbase, mbas pavarësisë në 1912 e mbas ndonjë ngjarje tjetër ,është arritja më e madhe e shqiptarëve, gjuha e njehsuar shqipe. Dhe edhe në Kongresin e Drejtshkrimit nuk është se s’ka pasur debate, të paktën nga sa mund t’i thonë një njeriu si unë që s’jam as i zanatit, as i përkas tamam asaj kohe, leximet sporadike me thënë të drejtën, jo shumë sistematike, por një gjë është sot e gjithë ditën një pikë referimi për këdo që do të logjikojë e do të shohë me arsye në të gjitha dilemat natyrale që shfaqen mbi gjuhën në rezolutën e kongresit.
Kongresi porosit që duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj si dhe çështjet e reja që nxjerr praktika gjuhësore, rregullave të drejtshkrimit t’u bëhen në të ardhmen që kur të jetë e nevojshme përmirësime dhe plotësimet e duhura. Dhe vazhdon, pikërisht këtu qëndron rëndësia themelore e drejtshkrimit, si në aspektin thjesht gjuhësor, ashtu edhe në aspektin kulturor dhe shoqëror. Kjo kërkon që drejtshkrimi i gjuhës shqipe të ketë parasysh, jo vetëm gjendjen e gjuhës sotme letrare, por edhe prirjet kryesore të zhvillimit të saj të mëtejshëm dhe faktikisht mua më vjen të qesh si “dashnor” i paepur i gjuhës shqipe, në këtë status kryesor po flas sot këtu dhe prandaj erdha me kaq dëshirë sot këtu, se as mund dhe as dua dhe as kam pse të qaj kur ndjek këtë debatin fantastik ku Kongresi i Drejtshkrimit i qortohet si një mëkat i pashlyeshëm që vë në diskutim dhe vetë kongresin, fakti që u zhvillua nën patronazhin e një pushteti absolut.
Po çfarë shoh unë të paktën, i interesuar thashë, si një “dashnor’’ i paepur i gjuhës shqipe Në 1879 shoqëria e të shtypurit të shkronjave shqip, u autorizua të veprojë nën patronazhin e një monarku absolut, Sulltan Abdyl Hamiti I II-të të cilit iu dhurua ekzemplari i parë i abetares që përpunohej shoqëria. Shoh që Kongresi i Manastirit në 1908 u zhvillua me lejen dhe nën patronazhin e Valiut Xhonturk të Manastirit, i cili mori pjesë në çeljen solemne te Manastirit, vlerësoi lëvdatat që kongresistët i adresuan atij, domethënë Valiut, dhe sovranit të madhërishëm të osmanëve. Por kongresi bëri punën e vet, as për Valiun, as për Sovranin e Madhërishëm, por për gjuhën shqipe. Komisia letrare e Shkodrës më pas u mblodh nën autoritetin e një fuqie pushtuese, asaj austro-hungareze të bab krajlit që i thoshin dhe në kundërshtim me të gjitha mbledhjet e tjera kombëtare, ajo u patronazhua nga gjuhëtarë të huaj, austriakë të vlerësuar e të nderuar sot e gjithë ditën, por nuk ishin vendas. Në 1923 në mungesë të një dakordësie shkencore përfundimtare mbi gjuhën, standarde u desh që dialekti i Elbasanit të shërbente për disa kohë si gjuhë administrative dhe ky dialekt me dekret të njëanshëm, u caktua përsëri nga një pushtet jo demokratik. Dhe çfarë shohim po të shkojmë dhe përtej Shqipërisë në Evropë, gjuhën e njehsuar teologjike të botës së krishterë e bën “koncile ekumenike” të mbajtura në prezencë dhe nën arbitrazhin e perandorëve romako-bizantin; gjuhën frënge të kodifikuar në bazë të të folurës së Parisit, ishullit të Francës etj etj, e bënë shkencëtarët, por në bekimin e Risheljesë dhe nën patronazhin e burbonëve dhe ça ka të qortueshme në këtë aspekt Kongresi i drejtshkrimit në vitin 1972 nëse mund ta thotë kush. Përkundrazi Kongresi i Drejtshkrimit ka të veçantë dhe madje edhe te paarritshme, provoni ta bëni sot një kongres, provoni ta bëni se është e vetmja shpresë që Eqrem Çabej të ngrihet nga varri bashkë më gjithë këta nënshkruesit që kanë ikur në botën e përtejme, mbasi i kanë lënë kësaj bote një thesar që është një pasuri kombëtare me te cilën nuk mund të lejojmë dot të luhet hajgare që është gjuha e njehsuar. E para, një punë përgatitore shkencore gjithëpërfshirëse 20 vjet, për Kongresin e Drejtshkrimit. Imagjinoni sot një punë përgatitore shkencore 20 vjet. Gjë që e bëri Kongresi i Drejtshkrimit dhe nuk e kanë bërë ato të tjerët që përmenda. Një nismë e ardhur nga shqiptarët e Kosovës, në një atmosferë entuziazmi që më mirë se kushdo tjetër e ka përshkruar, gjejeni, Rexhep Ismajli, një gjuhëtar që nuk mund të thuash se është tërësisht në sintoni me Kongresin e Drejtshkrimit. Një gjithëpërfshirje nga trevat shqipfolëse deri në viset arbëreshe. Dhe vijmë tek delegatët, e thashë dhe po e përsëris, emrat e të cilëve janë marramendës, kur kujton kontributet e tyre, punën e tyre shkencore. Kontributet dhe puna shkencore e bërë në vitet e jetës se delegatëve të kongresit të drejtshkrimit, më falni, nuk më takon ta them mbase formalisht sepse jam dhe kryeministër i këtij vendi. Është një volum që sikur të mblidhen sot të gjithë doktorët dhe profesorët e të gjitha llojeve të shkencave të pas rënies së komunizmit, nuk e bëjnë dot jo në gjithë volumet e veta, po as në 1 të 100 e volumeve të veta. Ky është fakt. Kështu që, përtej të gjitha këtyre mbi kryet e Kongresit vazhdon rëndon gjithë kohës si mëkat fakti që u mbajt dhe përfundoi punimet në Tiranën që ishte kryeqyteti i Shqipërisë komuniste. Po pastaj?!
E thotë rezoluta e Kongresit, drejtshkrimi nuk është vetëm një çështje shkencore, por është dhe një problem i rëndësishëm shoqëror sepse shprehjet drejtpërdrejt e njësimit të gjuhës letrare kombëtare, e cila luan një rol të dorës së parë në forcimin e vetëdijes kombëtare dhe zhvillimin e jetës mendore. E padiskutim që jeta jonë mendore do kishte qenë edhe më problem sot. Imagjinoni sot, imagjinoni sikur tranzicionit shqiptar t’i shtoheshin dhe dialektet dhe ne mos kishim një gjuhë të njësuar. Çfarë do të kishte ndodhur këtu?! Nëse kongresit do t’i çlegjitimohej puna vetëm e vetëm se u zhvillua në një regjim absolut, atëherë duhet të çlegjitimohet puna e gjitha atyre më parë që nga Kongresi i Manastirit apo nga Komisia letrare, sepse nën pushtet tërësisht absolute janë zhvilluar të gjitha dhe kundërshtarët e rrezikshëm të Kongresit të Drejtshkrimit janë shumë të rrezikshëm se janë dhe injorantë të mëdhenj që fokusohen në këtë pikë. Në fakt, janë ksenomanë që kanë fiksimet e tyre më shumë sesa meraqet e mirëfillta gjuhësore që për hir të së vërtetës nuk kanë kulturën që t’i kenë, që të jemi shumë të qartë.
Me siguri Valiu i Manastirit për shembull, me atë mjekrën e bardhën, me dekoratat i duket shik edhe e pranojmë pa problem në krahasim me anëtarët e byrosë proletare të partisë shtet ose Lamberci i duket më i qytetëruar se gjuhëtarët e komisionit të Kongresit. Mund të jetë edhe kështu, patjetër. Edhe unë figurativisht mes Valiut dhe anëtarit të byrosë politike zgjedh Valiun, direkt. Por vetëm figurativisht, se në përmbajtje janë i njëjti mall.
Në fund të ditës pyetja është e thjeshtë e më falni se po zgjatem pak se nuk e kam dhe zakon të zgjatem siç e dini, po në këtë rast zgjatem se mezi e kam pritur këtë ditë që t’i them disa gjëra duke shfrytëzuar dhe abuzuar dhe postin në këtë rast, se ndryshe nuk do më binte radha se unë vetëm anëtar Akademie s’bëhem dot kurrë se s’kam asnjë gradë shkencore dhe nuk e kërkoj një të tillë, sot që kush nuk ka gradë shkencore i bie të jetë akademiku i vërtetë, nga këta të demokracisë flas.
Të gjitha këto dakord mund të jenë kështu, po a mund të hidhet poshtë puna kolosale që i dha gjuhës shqipe faktikisht aq shumë sa po të mendojmë të kundërtën ne sot nuk do kishim dot një Abetare. Sot edhe Abetaret do t’i kishim si ato tekstet alternative që solli demokracia që në fillim të rrugës ku është njëra shkollë, data e çlirimit është 28 Nëntor, në fund të rrugës ku është shkolla tjetër, data e çlirimit është 29 Nëntor. Do kishim Abetare që Zoti e di se me çfarë sharrash “do sharronte Shabani”. Po një gjë është e sigurt, do ishin sharra që do sharronin gjatë gjithë kohës trungun e përbashkët që na lidh të gjithëve që është trungu që mbolli Kongresi i Drejtshkrimit.
Imagjinoni pastaj procesin e integrimit, dokumentet. Me çfarë dokumentesh do t’i shkonim. Si do merreshim vesh për të përkthyer në gjuhën e Brukselit 7 palë gjuhët tona se ndërkohë është e sigurtë që demokracia dhe tranzicioni do kishin pjellë dhe gjuhë të tjera se s’do ishin vetëm ato që u diskutuan në ’72-shin. Se do kishte dalë gegnishtja e Shkodrës dhe pastaj ajo e Pukës. Do kishte dalë toskërishtja e Vlorës, po do dilte dhe Tepelena. Se këtu duan të bëhen bashki të gjithë, keni parë reforma territoriale. Ndërkohë që kemi shumë, duhet të jenë më pak. Në ’72-shin ka dhe një gjë tjetër pse procesi, mendoj unë, u përsos krahasimisht me 908-tën dhe 15-tën sepse komuniste, komuniste po Shqipëria ishte një vend me institucione kërkimore shkencore. Ku është Instituti i Gjuhës Shqipe sot? Është me siguri është, po fakti që unë nuk e di ku është për shembull, nuk më dënon mua, apo jo. me gjithë respektin që mund të jetë në krye të atij instituti, nuk besoj që kushdo qoftë ai i garanton Eqerem Çabejt dhe atyre të tjerëve një gjumë të qetë në varrezën në dalje të Tiranës, në raport me standardin. E vërteta është që në kohën kur është bërë Kongresi i Drejtshkrimit këto institucione kërkimore dhe kjo botë akademike, jo vetëm që nuk ishte e shpërfillshme, po ishte e standardeve europiane, meqë kemi mësuar këtë togfjalëshin në këtë fazën e re dhe faktikisht në atë kohë dhe me ato kushte, ishte monarkia, ishte diktatura apo do të ishte një republikë liberale, rezultati do të kishte qenë ky për shkak të atyre njerëzve, për shkak të atyre institucioneve dhe për shkak të asaj pune të madhe 20 vjeçare për ta arritur deri në atë pikë.
Që mos zgjatem edhe më shumë dua ta mbyll duke dalë te vetja sepse të gjitha këto janë shumë të rëndësishme, por ajo që sot është, e shikoni sa faqe kam shkruar për këtë punë, ajo që sot është akoma më e rëndësishme, është rreziku që i kërcënohet gjuhës shqipe dhe po e shpreh me fjalët e të ndierit Robert Elsie kur thotë: “Unë vuaj shumë për fjalor se kur lexoj letërsi shqiptare dhe kur has një fjalë që nuk e kuptoj nuk e gjej në fjalorin e akademisë dhe kjo më mërzit shumë”. Fjalori i shqipes zyrtare është vetëm gjysma e gjuhës së vërtetë. Vetëm gjysma e gjuhës së vërtetë ndërkohë që fjalori i shqipes së folur përditë, është një e njëmijta e gjuhës së vërtetë. “klm, pqf, tdsh” e këto. Kështu që, fjalori i gjuhës shqipe, që është një nga nënproduktet e Kongresit të Drejtshkrimit dhe pasuria e tij leksikologjike, frazeologjike, sot janë në pikëpyetje të madhe dhe jam shumë i lumtur që ta shfrytëzoj këtë moment për të thënë që Akademia e Shkencave e ka çelur siparin e drejtëshkrimit të fjalorit. E u desh një komunist të krye të Akademisë së Shkencave që ta rifillonte punën me themel, të themi të vërtetën e mos u shqetësoni fare se çfarë do të thonë mbas këtij fjalimit tim në ditët në vijim anti komunistët që janë trashëgimia më e tmerrshme që na lanë komunistët në fakt. Unë nuk i vë faj Skënderit se ka qenë komunist, unë Skënderit i vë faj se na la Saliun, nejse se mos ta politizojmë.
Duke folur për fjalorin dua të shpreh urimin, shpresën, dëshirën quajeni si të doni që ne t’ia dalim që ne të kemi një fjalor të ri ashtu sikundër t’ia dalim ta kemi një histori të shqiptarëve çka ka filluar kjo si punë dhe pastaj një enciklopedi, çka ka filluar dhe kjo si punë.
Janë tre libra shumë themelorë që kanë munguar për shumë e shumë vite. Për fat të keq në këto shumë e shumë vite kemi humbur shumë nga ato burime njerëzore që do ishin garanci për cilësinë këtyre tre librave themelorë, por ka ende shprese, ka ende njerëz që mund ta bëjnë këtë, ashtu sikundër barra më e madhe, sfida më e madhe dhe përgjegjësia më e madhe për qeverinë tonë dhe për çdo qeveri shqiptare në vijim, është ajo që preka gjatë gjuhë kohës, jo për të pasur edhe një herë Eqerem Çabej edhe gjithë ata tjerët se kjo është si ambicie, por së paku për të pasur “gardianë’’ seriozë dhe korrektë, dhe të zotë që ta mbrojnë thesarin që na lanë të gjithë ata që e firmosën rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit që Zoti i pastë në sy në mënyrë shumë të veçantë dhe të gjithë përjetësinë dhe përtej tokësinë e tyre. Faleminderit!