Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin në ZOS, për raportimin e rezultateve të Planit Kombëtar të Luftës për Parandalimin e Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit:
Faleminderit të gjithëve!
Besoj që nuk është e tepër të thuhet që në fillim që objektivi i parë i Planit Kombëtar për reduktimin në minimumin historik të sasisë së kanabisit të kultivuar në vend, mund të konsiderohet i përmbushur në mënyrën më shembullore.
Pa diskutim për këtë, të gjitha strukturat e përfshira, drejtuesit e Policisë së Shtetit, meritojnë një falënderim të veçantë.
Thënë kjo, është e domosdoshme të nënvizohet po menjëherë, se kjo është një luftë që vazhdon, dhe sot në këtë fazë të vitit, ka hyrë në një kapitull vendimtar.
Është e vërtetë dhe unë kam pasur kënaqësinë ta konstatoj dhe nga komunikimet e drejtpërdrejta nga partnerët ndërkombëtarë se ky vit shënon vitin me sasinë më të ulët, me herë, të kanabisit të kultivuar në Shqipëri, që nga viti 1991.
Po ashtu, është po kaq e vërtetë se ky rezultat spektakolar, nga njëra anë ka krijuar mbresë shumë të fortë tek partnerët tanë, por nga ana tjetër ka nxitur edhe përfshirjen e vetë BE-së, në këtë proces me një fond mbështetjeje për zgjatjen me një muaj të periudhës së fluturimeve monitoruese në mënyrë që deri në kufirin e fundit kohor të mundshëm për sa i përket spektrit kohor të mundësive për kultivim të kanabisit, ne të kemi një kontroll të plotë të situatës.
Ky është një sukses shumë i rëndësishëm, por nga ana tjetër, më lejoni ta them deri në fund është edhe një shembull shumë kuptimplotë për sa shumë mund të bëjë policia e shtetit, sa shumë mund të bëhet përmes bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes gjithë agjencive dhe strukturave ligj zbatuese, në raport me problematika e çështje specifike, që për një kohë të caktuar, duken si të pazgjidhshme në mënyrë rrënjësore.
Rezultatet që u bënë këtu me dije, janë patjetër një pasqyrë shumë inkurajuese, por kjo qasje e re, e cila është rezultat i Planit tonë Kombëtar kërkon një shtrirje horizontale dhe vertikale, shumë më agresive tani për të luftuar kundër rrjeteve të kultivimit e trafikimit, e për të arritur jo thjesht në disa shifra që mund të jenë domethënëse, të numrit të grupeve kriminale të arrestuara, por tek asetet kriminale.
Nuk diskutohet se edhe largimi nga sytë e publikut i skenave të shfaqjes së policisë me drapër në dorë e me luftëra në mes të tymit e në mes të vapës është një arritje në vetvete, pasi qasja e re sistemike me fokus të qartë në të gjithë territorin, të vendeve ku është konstatuar kultivim më parë, me përcaktim të qartë të përgjegjësive për çdo punonjës policie, për çdo komisariat, për çdo strukturë drejtuese, natyrisht që është rrjedhojë e këtij ndryshimi përmbajtjesor të natyrës së këtij operacioni.
Fakti që policët nuk merren më me prerje bimësh, por me imponimin me vendosmëri, me profesionalizëm të ligjit në të gjithë territorin, është një arritje domethënëse dhe është fryt i bashkëpunimit e ndërveprimit mes të gjitha agjencive dhe institucioneve.
Ky sukses i madh i arritur në zbatimin e planit të ri kombëtar duhet parë si një hap, jo si e gjithë rruga që na takon të bëjmë drejt realizimit të plotë të një objektivi themelor, jo vetëm për të hequr Shqipërinë nga harta e vendeve që kultivojnë dhe që janë vende origjinë të kanabisit dhe të një historie që njollos vendin dhe shoqërinë, por një hap i parë për të kuptuar se, e përsëris, sa shumë mund të bëhet në këtë drejtim dhe për të kuptuar se është detyra e shtetit, është detyra e drejtuesve të Policisë së Shtetit në radhë të parë, që goditjen ekzemplare që po i japim kanabisit në këtë periudhë të kohës ta shtrijmë drejt elementëve kriminalë të lidhur ose jo, me veprimtarinë e kultivimit të kanabisit, por që vazhdojnë të jenë prezent në jetën e përditshme të qytetarëve.
Vazhdojnë të sfidojnë komunitetin me prezencën e tyre dhe meritojnë një përgjigje të ashpër e pa kompromis të Policisë së Shtetit.
Është me fort rëndësi po ashtu, që të vihet një theks i fortë operacional, aty ku me sa dëgjova, drejtuan gishtin dhe zëvendësministrja dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, tek burimet e konsiderueshme financiare të krijuara, tek lidhjet e krijuara brenda dhe jashtë vendit nga grupet dhe rrjetet kriminale. Goditja e shkatërrimi i këtyre grupeve, i këtyre rrjeteve, nuk mund të kuptohet pa goditjen dhe shkatërrimin e aseteve të tyre materiale dhe financiare që përbën dhe objektivin e radhës. E më lejoni ta them, një objektiv pa plotësimin e të cilit, pjesa e parë, natyrisht shumë e rëndësishme e operacionit që është çrrënjosja e kësaj fare të keqe nga territori i vendit, nuk mund të konsiderohet i plotësuar tërësisht, megjithë ambicien e shpallur në planin e ri kombëtar.
Për plotësimin e këtij objektivi, natyrisht që kërkohet që Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ, Prokuroria, Drejtoria e përgjithshme e parandalimit të pastrimit të parave, organet e hetimit tatimor dhe doganor e gjithë strukturat e tjera të lidhura me to, të intensifikojnë dhe sofistikojnë bashkëpunimin për të rritur cilësinë dhe vëllimin e informacionit. Për të analizuar në mënyrë të thellë dhe profesionale të gjithë këtë vëllim informacioni, për të intensifikuar hetimet e përbashkëta si në rrafshin e brendshëm ashtu dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe për të projektuar dhe realizuar goditjet e këtyre rrjeteve, grupeve dhe organizatave.
Nëse për fazën e parë të zbatimit të planit, suksesi është matur, jo me numrin e bimëve të asgjësuara, por me numrin e personave të vënë para përgjegjësisë e siç u dëgjua dhe nga raporti i detajuar, i dhënë këtu, pjesa kuptimplotë nuk ishte se sa bimë ishin asgjësuar pasi numri i bimëve të asgjësuara është thuajse simbolik, po të kemi parasysh vitin dhe vitet e shkuara, por ama numri i rrjeteve dhe i elementëve të goditur ishte më i lartë. Pra, për një sasi 25 herë më të ulët, siç u konstatua këtu nga Drejtori i Përgjithshëm, kemi një goditje më të madhe në sasi dhe nëse mund ta themi kështu në cilësi, të këtyre individëve dhe grupeve pasi është shkuar më lart në hierarkinë e botës së këtij krimi. Që do të thotë se në fazën ky hymë tani, do të ketë një tregues edhe më të fortë për të matur suksesin, jo thjesht me numrin e personave të konstatuar, por me numrin e rrjeteve të shkatërruar, atë të grupeve kriminale të vëna para përgjegjësisë ligjore dhe veçanërisht me sasinë e aseteve kriminale të sekuestruara.
Prandaj, duhet të jetë shumë qartë. Unë e kam diskutuar ngushtësisht me lidershipin e ministrisë të Brendshme dhe me drejtorin e Përgjithshëm në më shumë se një rast, që në fazën ku po hymë kërkohet një goditje e cila të jetë shembullore dhe kapilare.
Individë me një imunitet të marrë dhe të imponuar përmes rrugës së veprimtarisë kriminale si një imunitet në komunitet, nuk duhet të gjejnë vrimë të futen në këtë vend dhe jo më të shfaqen si faktorë shoqëror me influencë në komunitetet tona. E po ashtu, askush nuk duhet të guxojë t’i bëjë karshillëk këtij populli, t’i bëjë karshillëk familjeve të zakonshme të këtij vendi, t’i bëjë karshillëk vajzave dhe djemve të rinj në qytete, në shkolla, në lagje me shfaqjet më spektakolare të brutalitetit përmes shkeljeve të gjithë normave të bashkëjetesës, me mjete që kushtojnë qimet e kokës dhe me forma që çojnë deri në marrjen e jetës së të rinjve të pafajshëm nëpër klube dhe nëpër mjedise ku të rinjtë mblidhen për t’u argëtuar.
Këto janë situata ndaj të cilave, ne duhet të adoptojmë të njëjtën qasje që kemi adoptuar ndaj kanabisit këtë vit. Pra, jo të presim që të shkojmë me drapër për të prerë bimët, por t’i dalim të keqes përpara me forcën e ligjit me vendosmërinë e gjithë agjensive ligjzbatuese, e në radhë të parë të Policisë së Shtetit që ka treguar dhe njëherë që kur do nuk ka gjë që e ndal.
Makinat luksoze që sfidojnë ligjin, sfidojnë sigurinë publike, pasuritë e paluajtshme të këtyre shoferëve që zotërohen prej tyre, që janë të papunë luksi në këtë vend, llogari bankare të pajustifikueshme, biznese të palidhura me një historik rritjeje financiare, duhet t’i nënshtrohen një procesi kapilar dhe rigoroz verifikimi ligjor. Ashtu sikundër, me shumë përgjegjshmëri, me shumë profesionalizëm drejtimit politik dhe profesional. Drejtimi politik, në kuptimin e lidershipit dhe drejtimi profesional, në kuptimin e Drejtorit të Përgjithshëm dhe të drejtuesve kryesorë, tregojnë se një plan i strukturuar me shumë qasje strategjike u implementua plotësisht falë ndarjes së përgjegjësive.
Pra, çdo komisariat në Republikën e Shqipërisë e kishte të qartë se ku ishte zona dhe e ka akoma sot, ku është zona e veprimit. Çdo punonjës policie e ka të qartë se ku është zona e vet e veprimit dhe nëse në atë zonë konstatohet një bimë e vetme ndihet përgjegjësi. Po ashtu duhet të ndahet përgjegjësia kapilare për sa thash.
Çdo makinë luksoze që sfidon ligjin, sigurinë publike dhe që sfidon me prezencën e vet perceptimin e opinionit publik dhe perceptimin e komunitetit për çfarë duhet të bëjë dhe si mund të jetojë një qytetar në këtë vend, me punë të ndershme, duhet të kalojë në skanerin e forcave ligjzbatuese.
Çdo pasuri e paluajtshme që zotërohet në territor dhe që është e pajustifikuar apo e dyshuar se nuk justifikohet, duhet të kalojë në skaner. Çdo biznes i dyshimtë, duhet të kalojë në skaner dhe duhet t’i nënshtrohen të gjitha këto një procesi verifikimi ligjor.
Ashtu sikundër, duke falënderuar edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Parandalimit të Pastrimit të Parave, çdo llogari bankare e dyshimtë apo qoftë edhe në pamje të parë e pajustifikueshme duhet të kalojë në skaner. E kushdo që zotëron asete të tilla duhet që të provojë dhe justifikojë origjinën e tyre ose këto asete duhen konfiskuar, duhen sekuestruar dhe zotëruesit e tyre duhet të përgjigjen përpara ligjit. Besoj shumë që kjo është plotësisht e mundur dhe besoj shumë që Policia e Shtetit, në radhë të parë dhe gjithë aktorët e tjerë në këtë tryezë do t’u japin qytetarëve të këtij vendi sovranitetin ne plotë në territor. Në kuptimin që qytetarët e këtij vendi janë sovranë në territorin ku jetojnë dhe sovraniteti i tyre nuk është i kushtëzuar nga feudalët e krimit që kanë ndërtuar feudet e tyre dhe që imponojnë një cenim apo reduktim të sovranitetit të familjeve të zakonshme dhe të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Kjo është sfida!
E nëse kjo sfidë përballet me të njëjtën vendosmëri dhe me të njëjtin kapacitet koordinues, siç po përballet sfida për të cilën jemi mbledhur sot, të jeni të sigurtë që dhe suksesi do të jetë i njëjtë, në mos edhe më spektakolar për shkak se dhe fronti për të cilën po flasim është shumë i vështirë dhe shumë më i sofistikuar në mënyrën sesi duhet qasur.
Për ta mbyllur, dua të nënvizoj se një nga çelësat e suksesit të këtij plani, përtej organizimit, përtej koordinimit, ishte, është dhe mbetet vendosmëria për të mos toleruar askënd brenda Policisë së Shtetit që të luajë me dy porta. Ky është çelësi kryesor i suksesit të operacionit në vazhdim për luftën kundër atyre që zotërojnë asete kriminale.
Nuk është askush në këtë vend më i fortë sesa Policia e Shtetit. Forca e të fortëve këtu vjen nga implikimi i Policisë së Shtetit. Forca e të fortëve këtu vjen nga tradhtia brenda radhëve të Policisë së Shtetit.
Tradhtarët brenda radhëve të Policisë së Shtetit duhet të marrin në çdo moment, në çdo hap mësimin më të merituar dhe më ekstrem siç ka ndodhur gjatë gjithë operacionit kundër kanabisit. Dhe e keni parë vetë, e shihni vetë, e shohim të gjithë, do ta shohë gjithë bota që e tregoi Shqipërinë me gisht për këtë gjë, se çfarë suksesi është arritur, falë kësaj vendosmërie. Nëse do ishin toleruar dhe nëse do të tolerohen uniformat blu që të luajnë me dy porta s’ka shans që t’ia dalin aty ku duhet.
E njëjta gjë vlen edhe për të “fortët”, për këta që quhen “të fortët”. Këta e kanë forcën në komisariat. Nuk e kanë forcën në një fuqi të papërballueshme që u buron nga ndonjë drejtim tjetër. Forca e tyre është brenda në komisariatin e policisë dhe aty do të fillojë lufta ndaj tyre. Se dihet kush janë, dihet ku janë dhe mbi të gjitha nuk janë as të fshehur, janë rrugëve me automjete që sfidojnë inteligjencën e çdo njeriu që ka sy në ballë për t’i parë.
Prandaj zoti Drejtor i Përgjithshëm duhet të fillojë dhe duhet të intensifikohet çdo ditë, e të bëhet asfiksues presioni i Policisë së Shtetit në të gjithë territorin, mbi këto lojë shfaqjesh dhe mbi këta lloj artistësh që dominojnë skenën e jetës komunitare. Këtu duhet ta kenë të qartë të gjithë shefat e komisariateve dhe gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. Gjithë sakrifica e shqiptarëve për të paguar me rroga, të pakrahasueshme me 4 vite më parë, Policinë e Shtetit, për të paguar rritjen e kapaciteteve, që do të vazhdojnë të rriten, logjistike dhe materiale të Policisë së Shtetit, duhet të përkthehen në një devizë: Kush nuk i mban me dinjitet kontributet e kësaj sakrifice, jo nuk meriton të jetë në radhët e Policisë së Shtetit, por meriton të shkojë aty ku kanë shkuar ata që ju me plot të drejtë i keni nisur nga Policia e Shtetit drejt ballafaqimit me ligjin, kur janë kontaktuar të përzierë me veprimtarinë kriminale të kultivimit të kanabisit.
Thënë të gjitha këto, edhe njëherë tjetër një falënderim shumë i sinqertë për të gjithë ju që jeni në këtë tryezë dhe për të gjithë ata që e kanë bërë të mundur dhe po e bëjnë të mundur çdo ditë në terren këtë sukses që ka një rëndësi kombëtare sepse i jep një shkëlqim të ri imazhit të cenuar për shkak të këtij fenomeni të vendit tonë dhe të shoqërisë tonë.