Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shkolla “Charles Telford Erikson”, në Golem, Kavajë e themeluar prej misionarit, diplomatit dhe historianit amerikan me të njëjtin emër, në vitin 1925, është një shkollat më të vjetra të profilit bujqësor në Shqipëri.  Këtë vit, kjo shkollë e rëndësishme profesionale u ndërtua krejtësisht e re, sëbashku me bazën prodhuese, me një investim të buxhetit të shtetit prej 250 milionë lekësh.

Kryeministri Edi Rama vizitoi shkollën e rindërtuar, ku aktualisht mësojnë 162 nxënës në 3 drejtime mësimore, Agrobiznes, Veterinari dhe Ekonomi. “Shkolla është ndërtuar tërësisht e re. Ka qenë një shkollë paraprake e ndërtuar në 1925. Një investim 250 milionë lekë. Shkollën rishtas këtu e themeloi misionari amerikan “Charles Telford Erikson”, emrin e të cilit mban shkolla sot. Ka si degë agrobiznesin, veterinarinë dhe ekonomikun. Ne kemi gjithsej 162 nxënës,” – shpjegoi drejtorja e shkollës.

Megjithëse shkolla aktualisht nuk ka një sipërfaqe të mjaftueshme për bazën e saj prodhuese, me investimin e ri, ajo ofron një bazë eksperimentale model edhe për shkollat e tjera profesionale. Por baza ende nuk është kompletuar tërësisht dhe kjo do të bëhet në një fazë të dytë investimi. Kërkesës së mësuesve për mbulimin e serave të bazës prodhuese, kryeministri iu përgjigj se mund të realizohet menjëherë, përmes mbështetjes së AZHBR.  “Ajo që duhet të bëjmë fillimisht është të sillni një project për bazën prodhuese, lidhur me mbulimin e serave Na e bëni projektin gati, na e sillni. Këtë mund ta bëjmë më shpejt me Ministrinë e Bujqësisë. Besojmë se nuk përbën një kosto të madhe dhe do ta mbulojmë me AZHBR, siç bëmë me Universitetin Bujqësor që i dhamë 1 milionë euro për bazën prodhuese.”

Shkolla “Charles Telford Erikson”, në Golem, nuk frekuentohet vetëm nga nxënësit e zonës. Një interes të madh për t’u shkolluar në të kanë edhe të rinjtë e qyteteve të tjera si Kukësi, Librazhdi etj. Por konviktet të administruara nga bashkia mbeten prej vitesh problematika më e madhe për shkollën.  Shpesh, gjendja e tyre e mjerueshme bëhet pengesë për prindërit që duan të arsimojnë fëmijët e tyre në profilet që shkolla ofron. “Të treja degët janë degët më të mira që mund të ketë arsimi profesional. Ne, edhe për vetë zonën ku jemi mendojmë që shkolla ti ketë këto degët. I ka pasur historikisht dhe duhet ti ketë. Një interes të madh ka edhe nga nxënës që nuk janë të kësaj zone si Kukësi, Librazhdi, etj. Agrobiznesi dhe veterinaria marrin bursa. Kështu që prindërit janë të interesuar t’i sjellin edhe për bursën, por problemi është akomodimi dhe ky është një minus shumë i madh. Konviktet janë në administrimin e bashkisë dhe janë në gjendje të mjerueshme.”

Pasi dëgjoi shqetësimin e mësuesve lidhur me konviktet, Kryeministri kërkoi prej tyre hartimin e një projekti dhe premtoi mbështetje për zgjidhjen më të mirë të mundshme.  “Të bëhet një projekt për konviktet dhe bëjmë konviktin si pjesë e shkollës dhe t’ia lëmë shkollës, ose të gjejmë një formë administrimi se bashkia këtu nuk ka ndërmend të bëjë as konvikte as shkolla. Bashkia këtu ndërton pallate në rërë, akoma sot e gjithë ditën dhe s’kanë faj përderisa sot akoma s’ka ardhur dora e prokurorisë.  Ndërkohë bëni projektin ose në qoftë se e keni çuar në bashki ta merrni mbrapsht. Ta bashkojmë shkollën me konviktin dhe të gjithë këtë ta bëjmë si kampus për nxënësit dhe pastaj të shikojmë edhe projektin e shkollës 9 vjeçare Golem. “ –  u shpreh kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.