U çel sot në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog në Kryeministri dhe në praninë e Kryeministrit Rama dhe miq nga Europa, ekspozita e Marc Chagall nën titullin “Graviteti Magjik”. Në fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri Rama vlerësoi kuratorët e kësaj ekspozite të cilët bënë të pamundurën për të sjellë Marc Chagall në Shqipëri dhe ia dolën me sukses. ”Është mjaft frymëzuese dhe në të njëjtën kohë mendoj se është mbresëlënëse që të kemi këtë koleksion të këtyre kryeveprave në këtë vend, në Tiranë, në Shqipëri”, – tha Kryeministri Rama.
Në praninë e artistëve, politikanëve dhe ambasadorëve të vendeve europiane në Tiranë, në fjalën e tij Kryeministri duke folur për vështirësitë e Marc Chagall, për te cilin “nuk ishte e lehtë, pasi qe e vështirë që ta donin edhe pse i kushtoi jetën dashurisë dhe besonte fort se dashuria është thelbi i harmonisë në art dhe kudo”, bëri një analogji me përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit: “Ne do të këmbëngulim dhe në fund dashuria do të mbizotërojë”.
Ekspozitën Kryeministri e cilësoi si një përvojë mahnitëse e cila nuk duhet humbur nga artdashësit dhe nga artistët në Shqipëri.“Graviteti Magjik” sjell për herë të parë në Shqipëri më shumë se 180 gravura dhe grafika me një përzgjedhje nga tre ciklet e tij më të njohura ilustrative për libra: “Shpirtra të Vdekur’ të Gogol, ‘Stuhia’ të Shekspirit dhe ‘Fabulat’ e La Fontenit. Ekspozita do të jetë e hapur në 7 ditët e javës dhe kushdo që ka dëshirë dhe interes për veprat e tij mund ta vizitojë ekspozitën kundrejt asnjë detyrimi.