Me sipërmarrës të Malësisë së Madhe, mikpritës bujtinash e përfaqësues të sektorit privat u takua sot Kryeministri Rama, në një diskutim mbi mundësitë e reja për zhvillimin e turizmit rural, i cili është e ardhmja premtuese e kësaj zone.
Në Agroturizmin “Hysaj”, në Gruemirë, një sipërmarrje e suksesshme e mbështetur nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural, AZHBR, përmes programit IPARD II, Kryeministri siguroi se mbështetja e qeverisë do të jetë e pakursyer për çdo iniciativë të njerëzve të punës që përmes projekteve të tilla kontriboojnë në rritjen e aktivitetit ekonomik në këto zona, duke sjellë rritjen e punësimit dhe të ardhurave për ekonomitë familjare dhe jo vetëm.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit edhe në radhë të parë dua të falenderoj familjen Hysaj! Unë e filloj nga Shpresa, bashkëvuajtësja e Gëzimit. Pa Shpresën s’do ishte as ti, s’do dinte njeri ku je, s’do kishit as çunin që ta keni sa malet edhe që e duam shumë që të gjithë sepse na nderon flamurin, fanellën e kombëtares dhe është një shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë, por përtej shakave qe në këtë rast janë të gjitha të vërteta, as gjysma e të vërtetës, unë dua realisht të shpreh respektin për këtë familje punëtore dhe dua të them që ky është një shembull shumë i mirë për të gjithë sepse kjo familje i ka pas të gjitha mundësitë qe të jetonte në Itali, por ka zgjedhur Shqipërinë për të investuar kursimet dhe në fakt është një zgjedhje sa atdhedashurie aq edhe një zgjedhje e mençur edhe për interesin ekonomik sepse nëse sot këto investime janë të vështira në aspektin që kërkojnë guxim, nesër këto investime janë e ardhmja dhe do të sjellin të ardhura që kurrën e kurrës nuk i bën dot njeriu në emigracion duke punuar për të tjerët dhe fatmirësisht ky nuk është i vetmi shembull.
Ne këtu kemi mbështetur këtë projekt. Frida ka qenë si gjithmonë në fakt, e meriton një respekt të veçantë sepse nuk është ministre zyre, është ministre terreni edhe pse udhëheq me shumë mençuri e me shumë këmbëngulje proceset e negocimit të fondeve me BE-në, duke e kthyer AZHBR-në, nga agjencia e fundit në rajon për thithje të fondeve të Bashkimit Europian, në ta parën në rajon dhe ndërkohë duke bërë që edhe Ministria e Bujqësisë të kthehet në një promotore të sipërmarrjes, në një mbështetëse të sipërmarrjes, në një partner i sigurtë të sipërmarrjes dhe në këtë rast, si në çdo rast, kush guxon, kush ka një ide dhe e ka këmbënguljen të çojë përpara një projekt, ne na ka në dispozicion dhe ky është vetëm fillimi i këtij projekti sepse Gëzimi ka idenë e kampusit sportiv për ta kthyer këtë zonë edhe në një destinacion për skuadrat që kanë nevojë të përgatiten në sezonet përgatitore të verës dhe të dimrit dhe vend i mrekullueshëm këtu për ta bërë këtë gjë. Natyrisht që siguron edhe të ardhura më shumë dhe po ashtu fatmirësisht nuk është vetëm Gëzimi, tanimë nuk mund të flasësh vetëm për 1,2,3 dallëndyshe të para, tani mund të flasësh për një gjeneratë të parë sipërmarrësish në Malësinë e Madhe që kanë hedhur baza.
Unë për shembull kam shkuar bashkë me Lindën e me Zahon tek Buni i Bajraktarit dhe kemi kaluar një mbrëmje, një natë, një të nesërme fantastike. Domethënë unë nuk e di ça ka në Zvicër, më shumë sesa aty përveç tangërllikut edhe përveç faktit që fatura mund të të shkojë në stratosferë.
Kështu që unë në Zvicër nuk kam vajtur për të kaluar ndonjë ditë nëpër ato alpet e Zvicrës, por tek Buni i Bajraktarit unë gjeta të njëjtën atmosferë që kam parë në Davos, në Zvicër kur kemi vajtur për takimin e madh atje dhe është një tjetër këtu ,‘’Shkodra Lake’’ më duket, që me thënë të drejtën unë s’kam gjetur vend. Nuk kam dashur të fus Toninin mik, as kam dashur të fus mik njeri. Kemi bërë një provë për të rezervuar, s’ka vend.
Se më thanë që është një nga kampingjet më të bukur në Evropë. Pashë dhe mu duk vërtetë shumë i bukur, por nuk gjeta vend. Tani fakti që nuk ka vend, nuk tregon vetëm që është një kamping i bukur, por tregon që ka kërkesë, që nevoja është shumë më e madhe dhe me Gëzimin atë natë që kemi ndenjur, kemi diskutuar që ajo zonë, mund të bëhej një destinacion turistik i jashtëzakonshëm masiv. Kur them masiv, kam parasysh më shumë hotele, me shumë njerëz që vijnë për ski dhe ne do ta realizojmë. Unë jam i bindur që do ta realizojmë bashkë me bashkinë, bashkë me Gëzimin, jam i bindur që do kemi edhe kampingje të tjera. Jam i bindur që kjo që po bën ky Gëzimi tjetër këtu, do të jetë përsëri një model për ta ndjek sepse kjo është një zonë që ka nevojë për investime shumë të kujdesshme cilësore. Këtu nuk mund të bësh pallate e hotele, se shkatërron atë që është në fakt forca tërheqëse e zonës, se në fakt nuk vijnë këtu për pallatet. Pallatet i gjejnë në vende të tjera. Këtu vijnë pikërisht për këtë, për natyrë, për ushqimin, për mikpritjen dhe për cilësi shumë të mirë shërbimesh, edhe për të fjetur në një dyshek shumë të mirë, por jo për t’u futur nëpër pallate dhe nuk është vetëm kjo.
Agroturizimi dhe zhvillimi i turizmit malor është njëra anë e medaljes që tani kërkon vetëm suport dhe suporti kryesor është që ne të bëjmë atë që duhet për të zbatuar ligjin 20/20 që e kemi bërë, të nxitur nga Malësia e Madhe bashkë me Paulin Sterkën. E kemi marrë si iniciativë unë bashkë me Paulinin se ishte një tmerr. Nuk e pranojnë 7501 por nuk kanë probleme me njëri-tjetrin. Atëherë ça problemi ka? Atëherë të merren vesh me njëri-tjetrin, por edhe këtu kemi nevojë të shtyjmë më fort dhe ne do të ngremë një task forcë të veçantë se unë e shoh që ka probleme me burokracinë, një task forcë të veçantë për të regjistruar në kohë rekord të gjitha pronat që janë në dosje gati, që kanë marrëveshje njerëzit. Se ka edhe zona, në Gruemirë për shembull, që kanë sherr me njëri-tjetrin po aty ku s’kanë sherr dhe janë të gjithë dakord, tek Buni i bajraktarit poshtë aty, të gjithë bien dakord. 60 e ca familje, s’kanë ato probleme. Atëherë ta zgjidhim.
Në Reç kemi gati të gjithën, do ta zgjidhim dhe kjo ka marrë kohë, por duan kohë gjërat, nuk bëhen sepse do ti të bëhen sot, por duan kohën e vetë, por kjo do të nxisë investime të tjera, se është gjynah. E kanë tokën, s’kanë probleme me komshinjtë e të aplikojnë për të marrë mbështetjen tonë. Ja dhe për fazën tjetër të projektit këtu ka nevojë për një regjistrim të tokës. Është blerë toka me të gjitha, me kontratë e me të gjitha, pronarët janë në rregull, por duhet regjistruar, por s’janë vetëm këto.
Janë edhe bimët medicinale që po bëhen një industri gjithmonë e më serioze e që kanë çarë gjithë kufijtë dhe që shkojnë kudo për eksport. Është agropërpunimi. Kemi fabrika këtu të agropërpunimit që që janë shembuj fantastikë, patjetër të mbështetura.
Pashë një llogari, sa e ka mbështet këtu, se e bukura këtu është që demokratët, ka demokratë këtu se unë i njoh, demokratë të fortë biles demokratë të fortë biles, por iu ka rënë sakica në mjaltë me PS.
(Por jo s’je vetëm ti, se ti i ke rënë rrugës së shkurtër, punon për shtetin, por ka nga këta të tjerët që i kanë rënë rrugës së gjatë që punojnë për vete. Dhe ja ku e ke, shihe, bën sikur s’kupton. Ky kur ka filluar biznesin punonte me një dorë se dorën tjetër e mbante me dy gishta lart. Me një dorë.)
Dhe po shikoja fondet. Ne vetëm periudhën nga 2018-2022, 4 vjet kemi dhënë fonde mbështetjeje këtu për gjithë sipërmarrjen peswfishin e fondeve të dhëna përpara 2018. Duke i marrë të gjitha bashkë, se patëm dhe ata në prehër.
Tani ne i mbajtëm në prehër, nuk i mbanim dot, tani duan t’i marrin në kokë, në qafë. Por s’kemi ardhur për këtë këtu, punë tjetër.
Do t’i mbështesim fuqimisht. Unë ju kërkoj vetëm një gjë, që ju të mobilizoni të gjithë njerëzit që keni për interesin tuaj, jo për mua, as për parti, as për Tonin, për interesin tuaj.
Interesi juaj është i lidhur me kalin e karrocës. Dhe kalë më të mirë për të tërhequr karrocën tuaj sesa kjo forcë nuk ka. Nuk kemi çfarë të bëjmë. Mund të keni shumë qejf ta keni kalin blu, por kali blu nuk tërheq. Kështu që s’iu pëlqen ngjyra, mbyllni sytë në karrocë, karroca të shkojë përpara, mbaroni punë. Edhe kalin blu mbajeni në fotografi, ose mund t’i mbani sytë hapur, ju shihni fotografinë, karroca vazhdon punën. Jo gomarit t’i merrni të keqen se gomari ka mbajtur Perëndinë në kurriz, por duket më keq, kështu që këtë kam, për interes, asgjë tjetër. Interesi juaj personal, financiar, social, që t’i keni punët në terezi është që karrica të mos ngeci, kali të tërheqë fort.
Kështu që s’keni shansin. Tani i japim fjalën këtij Gëzimi përballë për të folur në emër të të gjithëve për të mos ju lodhur.
Shumë faleminderit vërtetë, shumë faleminderit Gëzim për fjalët e mira dhe shumë respekt për të gjithë sidomos kur këto fjalë vijnë nga njerëz që e dinë peshën e fjalës, e dinë kuptimin e sukseseve, e dinë kuptimin e dështimit, e dinë kuptimin e vështirësive, i dinë të gjitha këto.
Është motivim i madh. Por një gjë dua të them para se t’ju falënderoj dhe t’ju lë rehat për sot, se është shumë domethënëse kjo. Boga i përket Malësisë së Madhe, Thethi i përket Shkodrës apo jo? Ne kemi punuar që të çojmë rrugën deri në Theth më në fund dhe e kemi bërë realitet që rruga për në Theth nuk është më një torture, por është një kënaqësi shumë e madhe, ju e dini shumë mirë. Një pyetje që kam unë tani, se dhe ata në Theth dhe këta në Bogë janë e njëjta gjindje, nuk kanë asnjë ndryshim , një zonë. Edhe ata nw Theth, edhe ata nw Bogw, po t’u hysh në shtëpi, i mbajnë shtëpitë pastër. Ma shpjegoni dot pse Thethi është me plehra dhe Boga s’ka asnjë copë letër në rrugë? Për një arsye shumë të thjeshtë, se Boga është në bashkinë e Malësisë së Madhe që drejtohet nga ne, Thethi është në bashkinë e Shkodrës, që nuk na e kanë dhënë asnjëherë shansin që të tregojmë se dimë të bëjmë.
Shumë faleminderit dhe një herë tjetër, me shumë respekt për të gjithë ju.