Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Rama, në takimin me Shkollën e Formacionit Teknik e Manaxherial Grupi Bosch:

Unë e prita me kënaqësi këtë ftesë, sepse është një Grup shumë i veçantë që përfaqëson jo vetëm vlera të rëndësishme të sipërmarrjes, por edhe vlera të rëndësishme etike dhe sociale. Patëm fatin të takoheshim gjatë vizitës sonë në Itali dhe të njiheshim më nga afër, duke bërë të mundur që kjo vizitë të realizohet në një kohë shumë të shpejtë dhe të jetë shprehja e parë e një mundësie reale që ne kemi konstatuar vijimësisht, për të forcuar lidhjet me botën e sipërmarrjes italiane dhe përmes këtyre lidhjeve për të rritur praninë e investimeve italiane në Shqipëri.

Grupi Bosch është më shumë se kaq, siç e thashë. Për këtë arsye, vlera e shtuar e pranisë së tyre nuk është vetëm e lidhur me atë çka Grupi përfaqëson financiarisht, por me atë çka Grupi përfaqëson në aspektin etik dhe social, si dhe me forcën e jashtëzakonshme për të ndikuar drejtpërdrejt në të ardhmen e tregut të punës përmes formimit profesional.

Është padyshim, pastaj, qershia mbi tortë, që sot është i pranishëm, bashkë me të tjerët edhe një kampion bote. Këtu në sallë, unë shoh një kampion kombëtar, për vite me radhë, në volejboll. Në atë kohë, kur ishte në kulmin e vet, ndoshta mund të kishte qenë edhe me ekipin e kampionëve të botës të Italisë, Adrian Doçin që e përshëndes, por e kam fjalën për Pasquale Gravina-n, që është një nga heronjtë e një skuadre të famshme, me një histori të jashtëzakonshme që e ngriti Italinë nga një vend i panjohur për volejbollin në një kampion bote.

Duke u përgatitur për të ardhur këtu sot, më ra në sy një fakt që në vitet ’30-të, në Shqipëri ka pasur shumë shkolla profesionale, më shumë se sot, të drejtuara nga specialistë italianë dhe me shumë mësues italianë. Ka qenë një rrjet i tërë shkollash, i cili është zhvilluar si bashkëpunim mes dy shteteve, por në themelin e vet ka pasur nga njëra anë, iniciativën e sipërmarrësve italianë, të pranishëm në vendin tonë dhe nga ana tjetër, bashkëpunimin mes shqiptarësh që studionin në Itali apo që jetonin në Itali dhe sipërmarrësish të interesuar që e kanë filluar rrugëtimin e tyre në botën e vogël të sipërmarrjes shqiptare, pikërisht, duke hapur një shkollë profesionale. Kjo është historia e viteve ’30-të. Madje, madje, në fund të viteve ’20-të dhe fillim të viteve ’30-të një sportist i njohur italian, një çiklist, Pasquale Lissoni, ka qenë për shumë vite instruktor i edukimit fizik në prefekturën e Korçës, ku ka kontribuar për të ndërtuar të gjithë sistemin e edukimit fizik dhe për të organizuar shumë aktivitete lokale të asaj kohe. Dihet që edhe Kampionatet kombëtare të Futbollit në Shqipëri dhe të Atletikës, fillimisht janë organizuar me asistencën e specialistëve italianë. Në atë kohë nuk u arrit deri te volejbolli.

Ja ku jemi këtu, sot, për të hapur një faqe të rëndësishme bashkëpunimi me Grupin Bosch dhe për të përfituar nga eksperienca e shkëlqyer, cilësore, që ky Grup mund të na ofrojë, pasi kemi marrë angazhimin se do të hapin një bërthamë, fillimisht të reduktuar, por shumë cilësore, të formimit profesional, për të shkuar më tutje, pastaj, me zgjerimin  e këtij aktiviteti. Ne shpresojmë edhe me diversifikimin e këtij aktiviteti, sigurisht bazuar edhe në suksesin e bashkëpunimit mes nesh.

Grupi Bosch ka një eksperiencë suksesi që e transmeton tek të tjerët dhe kjo është një tjetër vlerë e shtuar e këtij Grupi, që ka të bëjë pikërisht me aspektin etik dhe social të të gjithë kësaj sipërmarrjeje të madhe. Është një eksperiencë suksesi dhe inovacioni të vazhdueshëm, është një eksperiencë suksesi në administrimin e burimeve njerëzore dhe rritjen e cilësisë së vazhdueshme të burimeve njerëzore dhe besoj se Grupi Bosch është një nga bankat më të fuqishme të kapitalit njerëzor, në të paktën zonën e gjeografisë dhe të njohjes më të afërt që ne kemi këtu në kontinentin tonë.

Unë edhe një herë t’i falënderoj që të gjithë miqtë tanë, dua të falenderoj ambasadorin dhe jo formalisht, sepse ka luajtur dhe luan përditë një rol shumë të çmuar, për të çuar përpara projektin tonë të përbashkët, të një qasjeje aktive për nxitjen e investimeve italiane në Shqipëri dhe për rritjen e njohjes së italianëve, veçanërisht sipërmarrjes italiane, për Shqipërinë, për tregun në Shqipëri, për potencialet e Shqipërisë, për mundësitë që ofron sot realiteti ynë, për çdokënd që dëshiron të vijë e të merret me biznes në Shqipëri, bashkë me shqiptarët natyrisht.

Dua ta mbyll me një shprehje që besoj është e përshtatshme për çka ka të bëjë qoftë me trajnimin profesional, qoftë me rrugën e ndërtimit të një sipërmarrjeje, qoftë dhe në tërësi me rrugën drejt një sfide. Një shprehje që thotë: ‘Që edhe pse gjithkush nga ne e ka me siguri një stacion, udhëtimi është në fund të fundit, gjëja që ka më shumë rëndësi dhe që mbetet në fund’.

Ju falenderoj edhe një herë dhe me shumë kënaqësi, po ia kaloj fjalën përsëri mikpritësit tonë, këtu në Tiranë, Roberto Vecchiono, që pati mirësinë të vijë dhe po ashtu edhe të organizojë takimin këtu në Tiranë, sepse këta janë shumë perfeksionistë dhe nuk pranojnë që çfarëdo qoftë t’ua bëjnë të tjerët, madje nuk pranojnë as ndihmën e të tjerëve.

***

Kryeministri Rama ishte sot në mbrëmje i ftuar në takimin me sipërmarrës italianë, të organizuar nga Grupi i mirënjohur Bosch. Kryeministri përshëndeti vendosjen e këtij Grupi në Shqipëri, duke e konsideruar atë vetëm fillimin e një rrugëtimi të suksesshëm të Bosch në vendin tonë, një grup që, siç u shpreh Kryeministri, përfaqëson jo vetëm vlera të rëndësishme të sipërmarrjes, por edhe vlera të rëndësishme etike dhe sociale

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.