Hap dyert Spitali Memorial Fier

Hapi dyert Spitali Memorial Fier. Një investim që i shton sistemit shëndetësor shqiptar jo vetëm një qendër shërbimesh mjekësore, por edhe një qendër ekselence dhe dijeje. Spitali ka 150 shtretër, 6 shërbime poliklinike, 6 salla operacioni dhe me një personel mjekësor mbi 400 vetë.  Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe ministrat respektivë të Shëndetësisë së Turqisë dhe Shqipërisë, ambasadori turk në Tiranë, drejtues të pushtetit lokal.

 

Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama:

I nderuar miku im i shtrenjtë, President i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan!

I nderuar zoti ministër!

Shumë i dashur Gramoz dhe të gjithë ju të tjerët, përfshirë edhe miqtë që u angazhuan në këtë kantier!

Është realisht një moment shumë frymëzues. Një moment që simbolizon diellin që po lind sërisht në Shqipëri, pas një periudhe kaq të gjatë zymtie dhe ankthi përmes një tuneli sfilitës ku hyri e gjithë bota dhe ku ne sot po shohim dritën që zmadhohet në fund të tij.

Dua të flas disa fjalë për vlerën e jashtëzakonshme që ky spital ka, përtej shërbimeve që do të ofrojë, për vlerën si një qendër e transferimit të asaj dijë të madhe që Turqia mike ka krijuar dhe që bujarisht do e ndajë me ne, në mënyrë që modeli aq i suksesshëm i shëndetësisë publike në Republikën e Turqisë, një model botërisht i duartrokitur dhe admiruar, të bëhet edhe modeli i shëndetësisë shqiptare në vitet që kemi përpara nesh.

Turqia shihet nga jashtë dhe nga larg si një vend që ka pasur zhvillime të mëdha në të gjitha drejtimet, por zhvillimi më i madh, më domethënës dhe më strategjik i Turqisë, në vitet e udhëheqjes së Kryeministrit dhe pastaj Presidentit të Republikës, është bagazhi i shumëfishuar i dijes që edhe njëherë provon më së miri, duke parë të sotmen dhe të shkuarën jo shumë të largët të Turqisë, se vendet nuk dallohen për atë që kanë, por nga ajo që dinë. Unë besoj se jemi me fat që të kemi një vend kaq mik dhe njëkohësisht kaq të gatshëm për të ndarë me ne dijen e vet.

Çka më bën ta them me plot gojën se ky spital nuk është fundi, por është fillimi i një pune të përbashkët që do ta kthejë në vitet në vijim edhe shëndetësinë shqiptare në një histori suksesi, natyrisht, në përmasat tona të vogla, njësoj si shëndetësinë turke.

Në këtë spital, jo vetëm do të punohet 24 orë për t’u shërbyer njerëzve dhe unë jam i bindur që ministri ka shumë të drejtë që këtu jo vetëm jugu i Shqipërisë, as thjesht Shqipëria, por edhe vendet fqinje përreth do kenë një pikë referimi, por edhe do të punohet përditë për fazën e re të reformës sonë në shëndetësi. Që do të thotë jetësimin e autonomisë spitalore dhe zbatimin në praktikë të atij modeli që e ka bërë shëndetësinë në Turqi një sektor ekselence.

Kjo fazë e re e reformës do të thotë fund atyre bishtave që vazhdojnë e zgjaten në inercinë e kohës nga e kaluara në shërbimin tonë. Sot, ne kemi infrastrukturën thuajse të rindërtuar plotësisht, sot ne kemi një shëndetësi, të cilës nuk i mungojnë pajisjet, nuk i mungojnë as burimet njerëzore. Modeli i ri i menaxhimit do të na çojë në atë modernizim 360 gradë të sistemit që do t’i bëjë qytetarët shqiptarë të ndjehen krenarë kur hyjnë në spitale, kur shoqërojnë njerëzit e tyre të familjes apo kur kanë nevojë për kujdesin shëndetësor të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti na ndjek nga zyra e tij në Ankara. Dëshiroj ta pranoj se keni bërë shumë mirë që i kemi ndaluar bastet. Turqia i ka ndaluar, ne i kemi ndaluar se faktikisht, unë sot do isha një bastexhi i humbur dhe ai do kishte fituar bastin. Por nuk e vumë bastin e jemi në rregull. Fjala e dhënë u mbajt plotësisht dhe as 3 milionë supervizorët shqiptarë nuk i gjejnë dot një bisht kësaj pune. Ky është sukses mbi suksesin.

Dua as të mos e harroj këtu sot, e di që Presidenti mban shënime për gjërat që bisedon, se në takimin historik të Ankarasë, ne kemi nënshkruar disa marrëveshje dhe se për informimin e publikut, ka filluar puna për marrëveshjen për bashkëpunim dhe zhvillim në fushën e turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Skuadrat tona po punojnë për një ndërhyrje masive në Berat dhe Gjirokastër dhe për një rekuperim shumë më të shpejtë në kohë të të gjithë shtëpive që u përkasin historisë dhe trashëgimisë së çmuar kulturore të Shqipërisë.

Po ashtu, skuadrat tona po punojnë për një investim, i cili do sjellë ekselencën e turizmit këtu në Shqipëri, në të gjithë bregdetin e Divjakës, duke ruajtur përsosmërisht harmoninë me natyrën dhe duke bërë këtë qark dhe fillimisht zonën e Divjakës, një destinacion të klasit të parë në rrugën tonë për ta bërë Shqipërinë kampione të turizmit në Ballkan dhe për ta futur Shqipërinë në ligën e kampionëve në turizëm, aty ku janë vendet aq shumë të admiruara prej nesh për turizmin, qoftë në perëndim e qoftë në lindje të Shqipërisë.

Po ashtu, bashku me Presidentin jemi marrë vesh për një hop të ri zhvillimor në fushën e investimeve që sjellin punësim më cilësor, duke sjellë këtu ekselencën e industrisë dhe duke ndërtuar në Shqipëri, fabrika të fjalës së fundit, ku të rinj dhe të reja të këtij vendi të mund të punësohen.

Qershia mbi tortë e këtij bashkëpunimi do jetë në fakt, zhvillimi i dytë më afër dhe besoj, ma ha mendja që ambasadori që e ndjek hap pas hapi këtë bashkëpunim do e thotë, është hapja në Shqipëri e filialit të Universitetit Teknik të Stambollit. Një prej shkollave më të mira të botës, ku prej disa viteve tashmë çojmë më të mirët ndër maturantët tanë, të cilët shkëlqejnë edhe atje. Vjet, studentja më e mirë e atij universiteti ndërkombëtar, ku ka studentë nga e gjithë bota, ishte një shqiptare. Dhënia e mundësisë për më të mirët që mbarojnë gjimnazet tona për të hyrë në universitetet më të mira ndërkombëtare, pa lëvizur nga Shqipëria, por duke i gjetur ato në vendin tonë, është një nga objektivat më themelorë tonat. Universiteti Teknik i Stambollit do jetë dallëndyshja e parë që, njësoj si ky spital që lajmëron një pranverë të re në të gjithë sistemin tonë shëndetësor, do lajmërojë një pranverë të re në të gjithë Sistemin tonë të Arsimit të Lartë.

Shumë faleminderit zoti ministër! Nuk dua të iki nga mikrofoni pa u thënë të gjithë shqiptarëve që sot gjyshet, gjyshërit, nënat dhe baballarët që buzëqeshin të çliruar në shtëpitë tuaja, falë vaksinimit masiv ku Shqipëria ka hyrë shumë më shpejt se vende të tjera rreth nesh, të cilat akoma po përpëliten nga mungesa e vaksinave, nuk do të ishin sot, aq të shumtë, nëse nuk do të ishte miqësia e çmuar dhe shumë e sinqertë mes meje dhe Presidentit të Republikës së Turqisë dhe përtej kësaj, dashuria, respekti dhe vëmendja e tij e posaçme për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

 

*Presidenti i Turqisë Recep Tayip Erdogan: I nderuar kryeministër! I dashur dhe i shtrenjti miku im zoti Edi Rama!

Të nderuar ministra, të dashur vëllezër dhe miq shqiptarë, duke ju përshëndetur me ndjenjat e mia të përzemërta dhe me dashuri e respekt.

Me rastin e hapjes së spitalit të miqësisë Turqi – Shqipëri në Fier, megjithëse në një formë virtuale, jam shumë i lumtur që takohem me ju së bashku.

Me këtë rast, ju përgëzoj të gjithëve dhe për muajin e Ramazanit në të cilin ndodhemi dhe shpresoj që ky muaj të sjellë shëndet, bereqet dhe mirësi për vëllezërit e mi shqiptarë dhe për mbarë botën islame.

Marrëdhëniet dhe raportet e miqësisë Turqi- Shqipëri vazhdojnë të zhvillohen nga dita në ditë me fuqinë, e cila merret nga kultura dhe historia jonë e përbashkët.

Siç   e dini, miku im i dashur kryeministër, me rastin e vizitës zyrtare në janar të vitit 2021, ne kemi bërë të mundur përforcimin e lidhjeve tona miqësore dhe vëllazërore mes dy vendeve tona, duke e çuar në një hap më tej dhe kështu kemi zyrtarizuar partneritetin tonë strategjik në nivelet më të larta.

Unë besoj fort se partneriteti ynë strategjik do të shërbejë në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë të vazhdueshëm, si dhe gjithëpërfshirës në të gjitha fushat, si dhe në krijimin e bashkëpunimeve të tjera të larmishme.

Turqia, në mbi 30 vjet me këtë koncept vëllazërie dhe miqësie, ka vazhduar të ofrojë një kontribut të rëndësishëm, në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë.

Njëkohësisht pas tërmeteve të shtatorit dhe nëntorit 2019 si dhe përgjatë pandemisë COVID-19 me të gjitha mundësitë tona, pa asnjë lloj pritshmërie dhe hezitimi, u përpoqëm që të ishim sa më pranë vëllezërve tanë shqiptarë.

Në dhjetorin e kaluar ne së bashku me ju zhvilluam ceremoninë e çeljes së kantierit të rindërtimit në qytetin e Laçit për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, të cilat po ndërtohen nga TOKI.

Spitali pothuajse ka kushtuar 70 milion.

Kështu që partneriteti ynë strategjik tashmë i nivelit të lartë po vazhdon në kushte normale.

Është siç e kemi dhënë dhe fjalën, në spitalin rajonal të Fierit, me pjesëmarrjen e ministrit tonë të Shëndetësisë, po e organizojmë ceremoninë e hapjes së këtij spitali.

Në spitalin që po inaugurojmë sot, do të punojnë afërsisht 400 punonjës turq dhe shqiptarë, që së bashku do të ushtrojnë detyrën.

Kështu që, duke krijuar një shërbim cilësor në fushën e shëndetësisë në kushte moderne dhe bashkëkohore e fokusuar në 23 degë themelore, me 6 salla operacioni, 6 shërbime poliklinike, si dhe 20 njësi të kujdesit intensiv, në total  e përbërë nga 130 shtretër.

Turqia me këto mundësi do të vazhdojë t’i shërbejë Shqipërisë, jo vetëm në qytetin e Fierit, por edhe në të gjithë rajonin.

Uroj që ky spital i miqësisë Turqi-Shqipëri, në Fier duke qenë një tregues dhe një shenje e re për miqësinë mes vendeve tona, dëshiroj nga zemra që në gjeografinë e zemrës sonë të sjellë dobi dhe të shpërndajë sa më shumë shërim për vëllezërit e mi shqiptarë.

Njëkohësisht, ngushëllime për të gjithë ato familje, për ata persona që kanë humbur jetën gjatë pandemisë së Covid 19 dhe njëkohësisht uroj shërim të shpejtë për të gjithë të infektuarit që aktualisht janë të shtruar në spital.

Njëkohësisht një falënderim të veçantë dua të dërgoj për kompaninë kotratuese, e cila ka bërë të mundur ndërtimin e objektit, si dhe stabilizimin dhe shtrimin e rrugëve lidhëse.

*Përkthim simultan