Nga mbikalimi i Plepave në hyrje të qytetit, në rrugën e plazhit drejt shëtitores Taulantia deri në Curila, me korsi të veçanta për makina e biçikleta dhe trotuare, është trajektorja më e re turistike e Durrësit. Pjesë e kësaj trajektoreje është rruga hyrëse që ka transformuar krejtësisht hapësirën që lidh qytetin me plazhin, duke krijuar një vije të pandërprerë për lëvizje buzë detit, si dhe lehtëson trafikun e rënduar që krijohet në hyrje të qytetit, sidomos në sezonin veror. Pas një investimi prej rreth 354 milionë lekë, rruga është në dispozicion të banorëve, turistëve dhe vizitorëve të Durrësit.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako, inspektuan sot këtë investim të rëndësishëm për qytetin bregdetar, ku ka përfunduar asfaltimi i korsive të lëvizjes me makinë, i korsisë prej 7 kilometrash për biçikleta dhe shtrimi i trotuareve. Ndërkohë po punohet për sistemin e ndriçimit me vendosjen e 246 ndriçuesve dhe për mbjelljen e 416 pemëve anëve të saj.
Ndërtimin e trajektores turistike, kryetari i bashkisë Vangush Dako e vlerësoi një ndër investimet më të rëndësishme për Durrësin, që u jetësua falë mbështetjes që ju nga dha qeveria qendrore. “Kjo rrugë është pjesë e trajektores turistike të qytetit të Durrësit, ku ne kemi bërë ndërhyrjen për të gjithë vizitorët që vijnë nga Jugu, nga mbikalimi i Plepave, vazhdojmë me rrugën e Plazhit, me mbikalimin e urës së Dajlanit, me këtë rrugë të cilën po e shijojmë të gjithë sot, me vazhdimin për në shëtitoren Taulantia, deri në zonën e Curilave. Kjo rrugë, pjesë e kësaj trajektore shumë të rëndësishme turistike, është një nga rrugët, e cila do të bëjë të mundur lidhjen e qytetit të vjetër me plazhin, jo vetëm nëpërmjet makinave, por risia e kësaj rruge është pista e biçikletave, një korsi e dedikuar për 7 kilometra për të gjithë banorët e Durrësit.”
Kryeministri Rama e quajti një projekt transformues, që do të pasohet nga projekte të tjera ambicioze për Durrësin. “Ka ende shumë për të bërë edhe për Durrësin, por, nëse vetëm në 18 muaj ndodhën këto ndryshime të mëdha, që sigurisht ishin meritë e Vangjushit që nuk e humbi kot kohën, kur ishte i rrethuar, por u përgatit me shumë projekte ambicioze, në katër vitet e ardhshëm, pa as më të voglin ndryshim do të bëjmë shumë e shumë më tepër. Është një rrugë e sigurt, pasi projektet janë në radhë dhe administrimi tanimë ka fituar një automatizëm, falë edhe një eksperience, por edhe një këmbëngulje menaxheriale në drejtim.”