Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala  e Kryeministrit Rama mbajtur në ditën e dytë të dhënies së çmimeve të Festivalit të Librit dhe Artit:

Përshëndetje të gjithëve!

Është e qëllimshme që unë jam këtu për të dytën ditë më radhë në dhënien e këtyre çmimeve, sepse dëshiroj që me këtë prani të dëshmoj vlerësimin dhe interesimin e posaçëm që ne si qeveri përmes Ministrisë së Kulturës i japim këtij aktiviteti, jo në vetvete, por si shprehje e një përpjekje për të krijuar hapësira të reja për librin dhe për artin.

Dua me gjithë zemër ti falenderoj organizatorët, shoqërinë e librit si dhe dy kujdestarët e këtij festivali, Arlinda Dudaj dhe Vladimir Myrtezain, që me shumë përpjekje, por besoj edhe me një qasje të re, krijuan mundësinë që libri dhe arti pamor të shfaqën në një formë alternative që është besoj unë, pikënisja  e një rruge ku do të formësohet një institucion kulturor i ri, siç është ky festival.

Krijimi i këtyre institucioneve që i përkasin komunitetit të shkrimtarëve, artistëve, dashamirëve të librit dhe të artit dhe rritja e tyre në përmasa, duke kaluar jo vetëm kufijtë që ndajnë hapësirën ku jetojnë shqiptarët, por edhe kufijtë që ndajnë shqiptarët me pjesën tjetër të botës, është një synim i yni.

Ne duam shumë që ky festival të marrë një përmasë ndërkombëtare dhe të kthehet ne një eveniment që të tërheqë çdo vit e më shumë artdashësit, dashamirësit e librit, por edhe protagonistët e jetës artistike dhe kulturore, jo vetëm të vendit tonë, por dhe më gjerë.

Unë jam i bindur se për kohën e shkurtër dhe me vështirësitë e natyrshme të lindjes, festivali e justifikoi plotësisht vetveten dhe dëshmoi potencialin e madh që ka për tu kthyer në një hapësirë të re artistike dhe kulturore të përvitshme, në kryeqytetin e Shqipërisë, por për protagonist nga më të ndryshmit të artit dhe të letrave nëpër botë.

Sigurisht që libri shqip është qendra e gravitetit të Festivalit, por po ashtu përmes librit shqip vijnë për lexuesin shqiptar, autorë nga e gjithë bota dhe kjo i jep Festivalit mundësinë që të jetë një derë e hapur për të ftuar miq të mëdhenj të lexuesve dhe për ti njohur ata me lexuesit shqiptarë. E nga ana tjetër padyshim e njëjta gjë mund të ndodhë dhe do të ndodhë për hapësirën e dedikuar për artin pamor.

Nga ana tjetër besoj që siç dëshmoi edhe çmimi i dhënë dje, për një libër shumë të veçante, publicistik të Ardian Vehbiut “Sende që nxjerr deti”, edhe sot e njëjta gjë do të ndodhë për të dëshmuar se ky festival është në të njëjtën kohë një vullnet i shprehur kundër mediokritetit dhe mënyrave le të themi “bajate” të të menduarit dhe të të konceptuarit të gjërave.

Në fund të fundit, ky është një mision fisnik i Festivalit për tu bërë hapësirë e të gjitha alternativave, për tu bërë hapësirë e të gjithë këndvështrimeve, për tu bërë hapësirë e të gjithë autorëve që sjellin me vete prurje nga më të ndryshmet. Pra, për ta thënë me titullin e Ardian Vebiut, për tu bërë vendi i sendeve që nxjerr çdo vit deti i hapur i një krijimtarie tanimë të çliruar nga shumë vargonj dhe nga shumë kufizime të së shkuarës, por jo për këtë të imunizuar nga mediokriteti, nga vulgariteti, nga banaliteti. Ajo që vlen të thuhet për Festivalin, sot në shfaqen e tij të parë, është se nuk është një shfaqe e zakonshme e radhës dhe as një shfaqe e prekur nga banaliteti i të përditshmes. Sigurisht ka shumë rrugë për të bërë siç çdo gjë e re që nis, por duke i komplimentuar me gjithë zemër të dy kujdestarët e festivalit dhe duke e falënderuar Shoqërinë e Librit Shqip për këtë nisëm, dua të nënvizoj po ashtu, atë që e tha me të drejtë Arlinda që në fillim se: Ky festival nisi si një ide e të ndjerit mikut tonë Ardian Klosit dhe sot mishërohet si një përpjekje e përbashkët e shumë njerëzve të interesuar për të zgjeruar hapësirat e kulturës.

E këtu, padashur t’ju marr kohë nga koha e përtej festivalit, dua të shtoj vetëm se qëllimi ynë është që stimulojmë dhe të mbështesim sa më shumë nisma të njerëzve të lirë, të artistëve, të shkrimtarëve, të prodhuesve dhe punëtorëve të kulturës, sa herë që ata do të dëshirojnë të bëhen bashkë për të çelur dritare të reja.

Në këtë këndvështrim duhet parë edhe plani ynë i një reforme tërësore të institucioneve të artit dhe të kulturës, të institucioneve publike të cilat do të jenë gjithmonë e më shumë të hapura ndaj risive dhe ndaj talenteve dhe nuk mund të jenë përveçse hapësirat ku hierarkinë e vendos merita, e vendos publiku dhe asgjë e paracaktuar më parë, në çfarëdo forme qoftë ajo. Sepse le ta themi hapur në këtë aspekt jemi shumë mbrapa botës dhe Evropës ku duam të integrohemi. Në këtë aspekt kemi shumë për të bërë dhe mund të bëjmë shumë më tepër sepse nuk na mungon cilësia e burimeve njerëzore në këtë fushë. Kemi artistë dhe shkrimtarë mjaftueshmërisht cilësorë për të pasur një skenë shumë vibrante në të gjitha aspektet e shprehjes artistike. Kemi edhe  një mundësi që na jep koha e re që artistët pavarësisht se jetojnë këtu apo gjetkë, të jenë pjesë e kësaj skene. Dëshmia më e freskët, ajo e Ermonela Jahos që pavarësisht se shkëlqen dhe qëndron në skenat më të mëdha të botës shfaqet edhe në skenën tonë. Skena jonë duhet të jetë  e gatshme ti bëjë vend dhe ti mirëpresë të gjithë ata, që mund të japin diçka për publikun, qofshin ata të njohur, qofshin të panjohur, por në fund të fundit, ne nuk kemi luksin që ti lëmë pas dyerve, artistët e rinj, interpretët e rinj, zërat  e rinj për shkak të strukturave të konsoliduara në format e një demokracie që e pengon zhvillimin normal të kulturës dhe të artit.

Është  një reformë tërësore që duhet të ishte bërë kohë më parë, por kurrë nuk është vonë dhe për më tepër sot, kur eksperienca e mbledhur është shumë e vyer, në krahasim me atë të një dekade apo dy dekadave më parë. I kemi të gjitha mundësitë që ta çojmë përpara këtë reformë në të mirë të publikut dhe pa asnjë dyshim në të mirë të kulturës sonë, duke i krijuar kushtet që çdo talent, pavarësisht nga vjen, pavarësisht çfarë moshe ka, pavarësisht se çfarë mundësish vetjake ka, të ketë mundësinë e madhe që ti japi skenës së kulturës sonë, kontributin dhe produktin e vet. Kjo deri më sot nuk ka qenë e mundur. Dëshmitë  e njerëzve, që për shkak se konsiderohen të shkuar moshe, apo për shkak se konsiderohen shumë të rinj, detyrohen ta lënë skenën apo të mos hipin dot në skenë, janë të shumta ose të tepërta për një vend të vogël si ky i yni.

Ne do ta çojmë përpara këtë reformë duke dëshiruar të përfshijmë sa më shumë mendje, sa më shumë zemra, sa më shumë ide dhe vullnete, duke filluar nga nivelet e edukimit artistik, nga Liceu Artistik, nga Akademia e Arteve apo si i thonë, nuk e di për çfarë arsye Universiteti i Arteve, e duke vazhduar pastaj me institucionet tona të artit , me Teatrin e Operës dhe Baletit, me Teatrin Kombëtar, me Galerinë Kombëtare, me Muzeun, e me radhe, – të vetëdijshëm se është koha për të hedhur një hap përpara e për të hapur një kapitull tjetër , bazuar në kapitujt e shkruar deri tani, mbi njerëzit që nuk mungojnë, e mbi eksperiencat që nuk mungojnë, mbi dijet dhe dëshirat e jashtëzakonshme që nuk mungojnë.

Edhe ky festival ishte shprehje e këtij fakti. Pa pasur mundësi që ti ndjek, por duke dëgjuar nga organizatorët, përveç asaj që mund të shihet nga një spektator që hyn dhe kalon, ajo që është zhvilluar në brendinë e festivalit, përmes takimeve, debateve, aktiviteteve të brendshme, është e mjaftueshme për të kuptuar se duhet të zgjerojmë skenën për njerëzit e arteve dhe të kulturës që të mund të gjenden se bashku në kontekste të ndryshme për tu ndjerë pjesë e një përpjekje të përbashkët pavarësisht, të vështrimeve dhe pozicioneve tërësisht individuale, siç është normale në art dhe në gjithë fushat e veprimtarisë artistike.

Faleminderit për durimin!

Nuk doja që të merrja kohë, por siç e thashë në fillim erdha për të dëshmuar gjithë mbështetjen time dhe të qeverisë tonë për gjithë njerëzit e artit dhe të kulturës dhe për të dëshmuar se jemi tërësisht të vetëdijshëm për vështirësitë, por dhe plotësisht të vullnetshëm që së bashku me ju ti kapërcejmë disa nga ato vështirësi që janë, sipas këndvështrimit tim, artificiale dhe të krijuara nga burokracia, nga banaliteti, nga një qasje indiferente dhe nga fatkeqësisht vazhdimi i influencës së vjetër të vlerave dhe të një sistemi që nuk është ai që i duhet kohës sonë, por që është më shumë një përzierje midis asaj që ishte dhe asaj që ende nuk ka mundur dot të vijë.

Shumë faleminderit!

***

 

Kryeministri Rama, ishte sot për të dytën ditë radhazi në dhënien e çmimeve të Festivalit të Librit dhe të Artit, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i cili prej 4 ditësh promovon në mjediset e Muzeut Kombëtar, krijimtarinë në dy fusha të rëndësishme të kulturës: arteve pamore dhe botimeve shqiptare. Ky aktivitet organizohet nga Shoqëria e Librit Shqip, që nisi të ekzistojë dy vjet më parë, nën drejtimin e të ndjerit e të mirënjohurit Ardian Klosi, me pjesëmarrjen e disa prej botuesve më seriozë shqiptarë.

Teksa mori fjalën për të përshëndetur pjesëmarrësit, kryeministri u shpreh se me praninë e tij dëshironte të dëshmonte vlerësimin dhe interesimin e posaçëm që qeveria, përmes ministrisë së kulturës, i jep këtij aktiviteti, si shprehje e një përpjekje për të krijuar hapësira të reja për librin dhe për artin. Kryeministri tha se qëllimi i përbashkët është të stimulohen dhe të mbështeten sa më shumë nisma të njerëzve të lirë, të artistëve, të shkrimtarëve, të prodhuesve dhe punëtorëve të kulturës, sa herë që ata do të dëshirojnë të bëhen bashkë për të çelur dritare të reja.

Dje, kryeministri ishte i pranishëm në dhënien e çmimit “Ardian Klosi”, librit publicistik “Sende që nxjerr deti”, të autorit Ardian Vehbiu.

Ndërsa sot ai i dorëzoi çmimin “Danish Jukniu” për punën më të mirë në artet pamore, artistit Armand Lulaj.  Në dhënie të këtij çmimi, Kryeministri Rama u shpreh: “Është vërtetë një kënaqësi dhe emocion për mua që dorëzoj këtë çmim që mban emrin e një njeriu shumë të dashur, edhe për mua personalisht, dhe të një profesori të dashur për të gjithë Danish Jukniut.

Edhe në këtë rast dua ti përgëzoj organizatorët për këtë gjetje sepse përtej të gjithave, Danish Jukniu ishte pika e referimit për të gjithë talentet e reja dhe si askush tjetër mishëronte dashamirësinë ndaj të rinjve dhe në mënyrë të posaçme ndaj atyre problematikëve në atë kohë. Për këtë mund të dëshmojnë shumë njerëz, që nga më problematiku i të gjitha kohërave Edi Hila e me radhë plot të tjerë, të cilët tek profesor Danishi gjetën gjithmonë një derë të hapur për tu rrëfyer për gjëra që nuk thuheshin dot me zë të lartë dhe gjithmonë një dorë të ngrohtë për tu ndjerë me shpatullat të mbështetura diku dhe për të mos u ndjerë vetëm. Besoj që Armandi e ka merituar këtë çmim dhe marrja e këtij çmimi shpresoj të jetë një ogur i mirë për veprimtarinë  e tij artistike.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.