Fjala e Kryeministrit Edi Rama në eventin për hapjen e dosjes së Sigurimit të Shtetit për një prej figurave të shkëlqyera të botës shqiptare, Martin Camaj:
Sot kam ardhur këtu, me kënaqësi të shumëfishtë, natyrisht si Kryeministër, por do të isha këtu edhe po të mos isha Kryeministër, sepse Martin Camajn e kam njohur, fatkeqësisht jo sy për sy, por kemi pasur një kontakt të vazhdueshëm sëbashku. Jemi njohur me zë dhe kam pasur nderin që ta përcjell në banesën e fundit, në atë ditë kur u nda nga të gjithë ata që e shoqëruan në dëborë.
Natyrisht që si Kryeministër vij me kënaqësi për t’i shprehur konsideratën time Autoritetit të Dosjeve për punën aspak të lehtë, por gjithashtu të madhe që ka bërë dhe për ta inkurajuar Autoritetin e Dosjeve që jo vetëm të vazhdojë punën që ka bërë deri më sot, por edhe të dalë më shumë nga suaza e vet, për t’i përcjellë më shumë publikut shqiptar fjalë si ato që tha me shumë ndjeshmëri dhe njëkohësisht kompetencë mbresëlënëse drejtuesja.
Është për mua një kënaqësi, por edhe nder që të marr pjesë në një tjetër “varrim” sot, këtu, në varrimin e shpifjeve dhe të akuzave që Martin Camaj mori jo më nga ata që i privuan atdheun, por nga ata që nuk e lanë as në botën tjetër të qetë. Sipas tyre, edhe unë jam bashkëpunëtor përderisa kam në shtëpi një vëllim të librave të Martin Camajt me dedikimin e tij, ku ka dhe një firmë që me mendjen e mbrapshtë të “studiuesve” është firma e një subjekti 2A. Unë jam kontakt i subjektit 2A, Zoti Simon.
Është për të qeshur dhe për të qarë, sepse është e papërballueshme lehtësia me të cilën një masë gjithmonë më e madhe njerëzish që janë askush, që janë të destinuar të mbeten askush, kërkojnë të bëhen dikush, duke guxuar që të prekin deri aty ku gjenden dikushët për të cilët De Rada thoshte: “Engjëjt që e bëjnë gostinë më vete”. Që e bëjnë veç gostinë e tyre dhe prishja e këtij rendi dhe përpjekja e shfrenuar e një luzme pseudosh që duke shfrytëzuar të gjithë parametrat dhe për fat të keq, të gjithë kushtet që ka krijuar kjo kohë e re, për të hyrë në gostinë e tyre me dhunë dhe për t’ju zënë vendin, pra, për të zëvendësuar engjëjt me djajtë, në atë gostinë e përvetshme, është e frikshme por meriton të luftohet e do të luftohet pa u dorëzuar.
Për këtë arsye besoj që kjo që bëhet sot është përtej thjesht detyrës së Autoritetit të Dosjeve dhe dua t’i them Zotit Simon, për të cilin kam në distancë të largët një respekt të posatshëm për atë që është dhe arsyeja pse ai gjendet në këtë Autoritet, që ky është një akt human dhe një detyrim i kryer ndaj jo thjesht Martin Camajt, por ndaj vetes, ndaj shoqërisë, ndaj vendit. Në fund të ditës, Martin Camaj mbase na sheh nga lart e buzëqesh sëbashku me Musine Kokalarin për të cilën me një aktivitet të Autoritetit të Dosjeve do bëhet dhe hapja e procesit. Ai ishte i fundit trashëgimtar i denjë i brezit të rilindësve shqiptarë dhe pa asnjë diskutim ai është në atë tryezën e epërme ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë e ku nuk ngjiten zhurmat e vogla dhe as nuk afrohen profilet e rëndomta, – thotë Ismail Kadareja. Atje, – thotë, – ka përherë mirëkuptim e harmoni ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos. E ndërkohë, Ismaili këtë e ka shkruar përpara sesa të shfaqeshin djajtë dhe të dilnin nga të gjitha llojet e shisheve dixhitale dhe nga të gjitha llojet e skutave ku është kultivuar mllefi hakmarrës i zhargavinave dhe mediokërve e të turreshin ndaj as më shumë e as më pak, por një njeriu që në jetën e tij, jo thjesht shkruajti në një mënyrë që zuri vendin tek krenajat e letërsisë, por mishëroi të gjithë sfilitjen fizike, shpirtërore, psikologjike të asaj që ishte persekutimi komunist.
Ai ishte mik shumë i afërt me Gjelosh Gjokajn, një tjetër shqiptar, por nga Mali i Zi e të dy i kishte lidhur si të thuash hapësira përtej këtyre kufijve që ishin shumë të vegjël për ta. Ndërkohë që Gjeloshi vinte nga një komplet rrugë tjetër dhe realizonte kopertinat e librave të tij, duke u përpjekur të vizualizonte ato bishat dhe ato egërsirat dhe ato fantazmat e shkrimtarisë së Martin Camajt, që me thënë të drejtën ishin bisha të bukura, ishin egërsira të mrekullueshme në krahasim me bishat dhe me egërsirat që e përndoqën Martin Camajn.
Martini zbriti në Shkodër nga malet e Temalit dhe pati fatin të kishte për rektor një erudit, një dëshmor të kishës, At Zef Valentinin dhe shkollimi iu ndërpre në ’46-n, kur ishte regjimi që i ndaloi vazhdimin e kolegjit, në funksion të shënjestrimit të atyre, që fëmijë, gjë që ne kur na erdhi radha e njohëm si term, njollë në biografi.
Po ashtu, pjesë e këtij mikrokozmosi po themi, ishte dhe Arshi Pipa, i cili po ashtu ishte një i arratisur. Kur flet për Martin Camajn, thotë që ai është tipiku i intelektualit europiano-lindor që për arsye politike e braktis atdheun, shëtit nga një vend në një vend tjetër, por me t’u ngulitur diku, nuk është më i ri në moshë dhe kupton që e ka të pamundur që të lëshojë rrënjë në tokën e re ku është vendosur, sepse e përndjek nostalgjia për atdheun e vet dhe nëse qëllon të jetë shkrimtar, – shkruan Arshi Pipa, – do ta shprehë këtë nostalgji, duke u përpjekur të sillet rreth një teme bazë që është humusi i vet kulturor. Faktikisht, edhe ai vetë, nëse do të ishte zog, do të ishte shtegtar i panënshtruar ndaj motit të keq e në kërkim të një vendi të ngrohtë, që nuk e gjeti dot asnjëherë dhe që e kërkoi nëpërmjet gjuhës shqipe tek vargjet dhe tek rreshtat e librave të tij.
Është shumë interesant besoj, por këtë duhet ta bënin “studiuesit”, që nuk hyjnë kaq thellë kur duan të shfaqen si studiues, se studiues nuk janë dhe të përpiqeshin që në vend se të përkthenin në shpifje ato që kanë marrë direkt nga dosja e survejimit, jo dosja e bashkëpunimit, por e survejimit, të çkodonin mesazhet e Martin Camajt kur thotë, “refuzoj gjuhën e gjarpnit dhe nata e vetmia plastë mbi malin e Thatë, mbi andrrën e keqe, e liga ndër leqe”.
Është një piskamë e dikujt që nuk e ka pirë kupën e helmit, që e refuzon kupën e helmit dhe që mund të kishte bërë një pakt, që shumëkush e ka argumentuar si paktin e pashmangshëm me egërsinë e diktaturës dhe atë firmën e subjektit 2A ta kishte hedhur për bashkëpunim, por nuk e ka bërë.
Sot jam shumë i lumtur që pas kaq shumë vitesh, kur si një mallkim në fakt e ka ndjekur hija e persekutorëve të vet, jo më me duart e regjimit komunist, por me mashat e mllefit që ka mediokriteti, arrijmë që të bëjmë dritë në këtë, ose më saktë u arrit që të bëhet dritë, sepse arritja i takon Autoritetit, i takon të gjithë atyre që janë këtu të pranishëm për këtë arsye e që kanë kontribuuar në këtë drejtim e që natyrisht, e vetmja që gjë unë shoh si pjesë edhe të kontributit tim është mbështetja për krijimin e Autoritetit të Dosjeve. Besoj që them të vërtetën këtu, pavarësisht se Autoriteti është pluralist, nuk ma ha mendja që dikush të thotë që… inkurajimi i vazhdueshëm dhe asnjëherë pengimi i punës së Autoritetit. Dua ta them shumë hapur dhe shumë sinqerisht, kam qenë i terrorizuar nga ideja se fatin e Martin Camajt në publik, për shkak të këtyre shkurtabiqëve të pashërueshëm e të pangushëllueshëm, që kapin një penë, shkruajnë një libër, bëjnë një promovim, gjejnë një sponsor, që zakonisht shet sallam, ose shet kikirikë, mund ta pësonin as më shumë e as më pak, por klerikët katolikë të Shqipërisë. Sepse gati-gati dukej si një plan, por në fakt nuk është plan, se fatmirësisht sot, ndryshe nga dje nuk ka kush i planifikon në shkallë të gjerë këto lloj ofensivash demaskuese, ose më saktë ka kush i planifikon, por jo në fushën e kulturës, ato zhvillohen në një fushë tjetër, – se më shkon gjuha tek deti, por nuk po merrem me detin në këtë moment, se është një rast tipik kur nuk ka marrëveshje, nuk ka negociata, prej disa vitesh tani nuk kanë vazhduar negociatat, sepse nuk kemi rënë dakord, të thonë bëj transparencë. Domethënë, thellohu, thellohu. Domethënë, ti diçka ke. Dhe kështu pashë që po shfaqeshin duart e këtyre mbi engjëjt e asaj gostisë së De Radës, të veshur me veladonin e martirëve, e dëshmorëve, e të sakrifikuarve të klerit katolik, që do të ishte kulmi dhe fundi, për të gjithë ne si shoqëri, si institucione, si njerëz dhe si prindër.
Prandaj pa Autoritetin e Dosjeve, debati për Martin Camajn, por dhe debati për të tjerë do të ishte i destinuar të bëhej si pseudodebati i detit.
Duke qenë se populli shqiptar e ka përcaktuar më së miri që, kur gënjeshtra ka mbaruar xhiron e botës, e vërteta akoma nuk i ka ngritur pantallonat, fiton gjithmonë në këtë fushë ku mungon një autoritet, një pikë referimi, një burim i respektuar informacioni, shpifja, gënjeshtra, demaskimi. Plus, për faktin se prirja, fatkeqësisht kombëtare, në raste të caktuara për të besuar të keqen, për të besuar shpifjen, për të besuar në një moment të caktuar, prevalon dhe pa këtë Aitoritet nuk do të dihej edhe fakti i thjeshtë që dosja e survejimit është diçka tjetër nga dosja e bashkëpunimit. Ka dosje, po, ka dosje patjetër. Martin Camaj dhe plot të tjerë kanë dosje, por janë dosje që janë njësoj si kartelat tona mjekësore. Kartela ekstra e njerëzve të lindur me njollë, sipas asaj kohe, ishte aty për të gjithë dhe mbushej siç e tregojnë faktikisht dosjet që ju keni bërë publike, me të dhëna të vazhdueshme dhe bënte që, kur vinte dita që fëmija të shkonte në shkollë, dikush që nuk kishte lidhje me dosjen informohej që ky fëmijë nuk mund të shkojë në shkollë. Gjithashtu nuk do dihej as arsyeja e arratisjes së tij, se e dimë shumë mirë çfarë spekulimi është bërë për arratisjen.
Ndërkohë që Martin Camaj, për të mos çuar në burg dy shokë të tij, më fal për fjalën shokë, por shokë i kishte, që i kërkonte Sigurimi, Gjon Destanishtën dhe Lazër Palin, i informoi para se të arratiseshin dhe ju dha atyre shansin që të iknin dhe ata. Ky është fakti i dosjes, nuk është as një faqe e nië studimi alternativë që synon ta glorifikojë, nuk është as poezi, është fakt.
Faktikisht, kur ne e morëm zotimin për të krijuar këtë Autoritet, ndoqëm shembullin e Gjermanisë që deklasifikoi menjëherë pas ribashkimit dosjet. Mos më kërkoni mua pse nuk u bë kjo menjëherë pas çlirimit të dytë, siç mund ta quajmë fazën e kalimit nga diktatura në demokraci. Unë e di pse, por nuk jam këtu për të hyrë në këtë temë.
Aq shumë e befasishme ishte që këtë gjë ta bënim ne, domethënë, ata që kanë persekutuar Martin Camajn, me mua në krye, saqë askush se besonte as kur Autoriteti u ndërtua, që kjo do të ishte fillimi i një rruge vërtetësie. Fakti është që nga hapja e dosjes së parë, mos gabohem, më korrigjoni, në shkurt të 2017-s, për Musine Kokalarin dhe deri më sot janë disa mijëra që janë hapur në tre vjet. Sikur kjo të ishte bërë më parë dhe sikur hapja me kaq kujdes, në kuptimin profesional, jo kujdes për të fshehur gjë, por në kuptimin profesional dhe me kaq kohezion të brendshëm në Autoritet, – e përsëris, Autoriteti është pluralist dhe këtu dëshiroj t’i bëj vërtetë një kompliment të gjithë anëtarëve, – atëherë imagjinoni sa shumë njerëz do të kishim shpëtuar post mortum, nga vazhdimi i persekutimit në një formë tjetër, në formën e hijes së dyshimit, ose më keq akoma, siç ndodhi me Martin Camajn, deri dhe të akuzës që ishte spiun.
Por çfarë ka ikur, ka ikur.
Autoriteti i Dosjeve e ka vendosur një gur themeli moral në këtë histori të re në raport me atë të shkuarën. Nëse e kemi thënë shpesh të gjithë ne, në gjithë këto vite, që komunizmi, diktatura hapi plagë të thella, moshapja e dosjeve për aq shumë vite lejoi apo mundësoi infektimin e shumë prej këtyre plagëve. Infektimi i shumë prej këtyre plagëve shkon përtej studiuesve, përtej lexuesve, shtrihet në shoqëri, helmon shoqërinë, ashtu sikundër pastrimi i këtyre infeksioneve të gjithë këtyre viteve që pasuan trazicionin, pasuan rënien e regjimit dhe transparenca mbi të vërtetën e asaj kohe lehtëson jashtëzakonisht shumë organizmin e shoqërisë sonë si vetëdije dhe krijon një raport të ri me të shkuarën dhe të ardhmen, shumë më të vërtetë dhe patjetër shumë më përbashkues.
Kush nuk ka kontroll mbi të shkuarën, nuk ka shans ta projektojë me siguri të ardhmen. Kjo është një gjë që nuk e them unë, e kanë thënë të tjerë shumë më të mençur dhe vlen pa as më të voglin dyshim për këtë vend dhe vlen për më tepër për Autoritetin e Dosjeve, si një instrument kontrolli i të ardhmes. Kontrollimi në kuptimin e transparencës dhe të të lexuarit drejtë dhe të ardhmes.
E di që u zgjata, nuk e kam zakon në fakt që të zgjatem, por më vjen mirë që Martin Camaj, falë jush, falë Autoritetit dhe gjithë të tjerëve, sot arrin një ngadhënjim të fundit, shpresoj i fundit, apo jo Simon? Djajtë e këtij vendi, çfarë nuk krijojnë, por unë besoj që është e fundit kjo. Kjo është më e saktë, t’i ke parë më shumë, ke jetuar më shumë, qoftë i fundit, nuk i dihet, por është një ngadhënjim që i bën nder atyre që kanë kontribuar të arrihet dhe i bën nder shoqërisë tonë, se për Martin Camajn puna është më e thjeshtë. Helmi na afekton ne, afekton komunitetin tonë, afekton vetëdijen tonë, kurse veprat e këtyre studiuesve, – të mos ma marrin për keq studiuesit që janë këtu dhe që i përkasin kësaj fjale me dinjitetin e punës, flas për këta që botojnë libra me sponsorët që ju përmenda, – do bëhen asgjë. Njësoj si gjethet që bien nga pema, ikin, trungu mbetet dhe Martin Camaj është pjesë e trungut. Këta do ikin, emrat e tyre nuk do t’i mbajë mend askush dhe me këto zhvillimet dixhitale nuk e di, a do t’jua mbajnë mend emrin, mbesat dhe nipat këtyre lloj gjyshërve.
Prandaj një falënderim të veçantë dhe po e mbyll me një fjalë të Martin Camajt. Besoj i shkon më së miri të gjithë punës që keni bërë për të, sepse e keni ndihmuar që të mos jetë si moti i lig, kështu thoshte “s’dua me qenë si moti i lig”. Që do të thotë se të tjerët e bënë si moti i lig, ai nuk ishte këtu që të përgjigjej, megjithëse më mirë që nuk ishte këtu, se po të përgjigjej, do të kishte vazhduar më keq puna dhe do të kishte vuajtur edhe më padrejtësisht. Por ju ishit këtu, ju e bëtë. Respekte dhe besoj që kjo që keni bërë për Martin Camajn do t’ju shërbejë si një nga argumentet që, kur të ndërroni jetë, të paraqisni kredencialet për të shkuar në parajsë. Faleminderit!