Kantieri i spitali rajonal të Fierit është tashmë i hapur dhe po punohet natë e ditë, me tre turne për të përmbushur angazhimin e qeverisë turke për realizimin e tij në një afat kohor prej 3 muajsh. 1200 punëtorë parashikohet të punësohen në këtë vepër madhore infrastrukturore dhe me rëndësi të madhe në sistemin tonë shëndetësor, që pritet të lehtësojë edhe fluksin e pacientëve që marrin shërbim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Kryeministri Rama, bashkë me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe të Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ishin në Fier për të ndjekur ecurinë e punimeve të këtij spitali. “Kemi nisur nga puna pasi kemi bërë 1 javë punë përgatitore me të gjitha procedurat dhe lejet. Kemi përmbyllur dhe fazën e shpronësimit të 12 familjeve që ndodhen këtu, në bashkëpunim të plotë me Bashkinë e Fierit dhe janë treguar mjaft të mire kuptueshëm. Procesi është përmbyllur me sukses dhe agjencia e shpronësimeve ka bërë gjithë procedurën ndërkohë që prej disa ditësh kemi nisur punën dhe me OSHEE për t’i dhënë këtij kantieri energji elektrike dhe me ujësjellësin për të sjellë sa më parë linjën e ujit”, – u shpreh ministrja Balluku.
5000 metra katrorë do të shërbejnë për ndërtimin e këtij spitali të ri nga ku 3000 metra katrorë do të jetë ndërtim, kurse pjesa tjetër ambiente ndihmëse dhe parkim. “Ne kemi përfunduar gjithë projektin, anën teknike mjekësore në gjithë spitalin. Kemi përfunduar me Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë gjithë detajet sa i përket pajisjeve dhe aparaturave. Tashmë do të kalojë marrëveshja në Këshillin e Ministrave, e cila përcakton gjithashtu dhe të gjithë detajet sa i përket mobilimit spitalor dhe pajisjeve mjekësore. Shërbimet janë përcaktuar nga ekspertët e të dy palëve dhe gjithashtu janë përcaktuar dhe modalitetet për administrimin dypalësh, duke përfshirë dhe ekipin turk që do të vijë për administrimin dypalësh. Do të përfshihen nga Shërbimi i Urgjencës, shërbimet e ORL, Okulistikës dhe kirurgjia që do të përfshijë dhe një departament special për kirurgjinë Speciale dhe pavionin e sëmundjeve infektive ku do të përfshijë një pavion COVID për të rritur kapacitetet aktuale”, – sqaroi ministrja e Shëndetësisë Manastirliu.
Punëtorët që do të punojnë në këtë kantier pritet të akomodohen në fshatrat përreth, pasi zona ku po ndërtohet nuk ofron kapacitete të mjaftueshme, ndërkohë që pavarësisht motit jo të favorshëm puna vazhdon në kantier. Ministrja Balluku tha se “punëtorët do jenë shumë që do vijnë dhe kjo zonë nuk është se ka kapacitete të mëdha akomoduese, megjithatë i kemi akomoduar dhe në Patos dhe në zona të tjera, e kemi ndihmën e bashkisë sa i përket transportit dhe bashkia do mundohet ta mbulojë pa rënduar donatorët në këtë rast”.
Nga ana tjetër, Kryeministri kishte një kërkesë të veçantë për kompaninë turke që po punon në këtë vepër infrastrukturore të rëndësishme. “Unë kam një kërkesë që atyre familjeve që janë faktikisht shpronësuar dhe me mirëkuptim, duhet t’i takosh dhe që nga ai zotëria që unë fola ato ditë dhe ta zotërinjtë e tjerë t’i ofroni mundësinë që të punojnë këtu, në çfarëdo lloj pozicioni që mund të punojnë, duke pasur parasysh aftësitë e tyre dhe duke pasur parasysh nevojën e tyre që të jenë të përfshirë këtu, që nga roje kantierit deri tek punëtorë e teknik. Nuk e di çfarë aftësisht kanë, por unë do doja t’i kontaktosh sot e t’u thuash që të japin të dhënat e tyre dhe të flisni me kompaninë dhe mundësisht të jepni mundësinë që të përfshihen. Nëse duan apo nuk duan është temë tjetër”, – u shpreh Rama.