Kantieri për ndërtimin e rrugës Balldren-Bend në Qarkun e Lezhës është hapur pas mbi 20 vitesh. E gjithë rruga prej 19.3 km, që kalon nëpërmjet qendrës së banuar të Torovicës, do t’i nënshtrohet projektit për rikonstruksionin e plotë. E amortizuar dhe me rrezikshëmri të lartë në pjesë të vecanta të saj, ky aks ishte kthyer në pengesë serioze për komunikimin normal të mjeteve dhe këmbësoreve.
Kryeministri Edi Rama inspektoi kantierin në Torovicë. Janë rreth 10.000 banorë të njësive administrative Torovicë, Balldre, Malecajve, Shkëmbit të Kuq e Kolajakave që përfitojnë direkt nga rikonstruksioni i saj.
Kryeministri u takua me banorë të shumtë, për të cilët rruga është e mezipritur. Ata shprehën kënaqësinë që pas më shumë se dy dekadash, do të kenë një rrugë tërësisht të re. Ata tregojnë se shpesh kanë menduar largimin nga zona vetëm për shkak të kushteve të vështira të rrugës. “Ju falenderojmë për ardhjen tuaj këtu se kjo rrugë ka qënë një gjë e jashtëzakonshme. Banorët e zonës kanë vuajtur shumë për këtë rrugë dhe shumica janë larguar. Edhe unë e kam patur në diskutim largimin nga zona. Por më në fund ajo po realizohet. Ju jemi mirënjohës,” – shprehet një prej tyre.
“Keni 25 vjet pa rrugë. Tani ta bëjmë rrugën sipas standardeve. Do fillojmë Shëngjin –Velipojën. Do ketë dhe ajo rrugë një lidhje. Do bëjmë dhe Milot-Balldrenin,” – u shpreh Kryeministri.
Përfundimi i rrugës do të ndikojë direkt në aksesin e fermerëve drejt tregjeve, gjithashtu duke e kthyer këtë nyje në një aks të rëndësishëm për lëvizjen e mjeteve dhe banorëve të saj.