Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin dhe aktivizimin e platformës online të bashkëqeverisjes me qytetarët:

Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur!

Sot është një ditë e rëndësishme për këtë mandat që sapo kemi nisur, sepse prezantojmë dhe menjëherë nxjerrim online platformën e bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm. Dua ta them qysh në fillim, platforma e bashkëqeverisjes nuk është një faqe më shumë në internet, nuk është një portal, – larg qoftë! – nuk është as një mekanizëm si të tjerët deri më sot, por është një mekanizëm i ri për t’iu dhënë mundësinë të gjithë atyre që duan të marrin pjesë aktive në bashkëqeverisje, që ta realizojnë këtë duke u regjistruar dhe duke e shfrytëzuar këtë mekanizëm për të gjitha ato aspekte që ne kemi përfshirë në përmbajtjen e kësaj platforme dhe njëkohësisht duke patur mundësinë të bëjë sugjerime për çka mbase mungon në tërësinë e këtij mekanizmi.

Para sesa të nis me prezantimin konkret të çdo elementi të mekanizmit të bashkëqeverisjes, do përpiqem t’i përgjigjem shumë shkurt disa kritikave, apo le të themi rezervave që kemi dëgjuar për këtë përpjekje të Partisë Socialiste që të ndërtojmë një koalicion real me njerëzit e zakonshëm, duke i bërë ata pjesë të procesit vendimmarrës, por siç do ta shikoni, në kuptimin e vërtetë të fjalës, jo si një proces që përmendet vazhdimisht nëpër fushata dhe as si procese konsultimesh përgjithësisht formale me të cilat jemi mësuar në gjithë këto vite.

Lidhur me këtë, besoj edhe ju keni dëgjuar rezervën që ky do të ishte një kapërcim i parlamentit, një kapërcim i institucioneve demokratike. Në fakt, kjo është një rezervë që nuk ka asnjë bazë, sepse ky mekanizëm e përforcon më shumë demokracinë dhe forcon më shumë edhe vetë institucionet, si dhe vetë Kuvendin e Shqipërisë, të paktën përsa na takon ne, përsa i takon rolit që ne kemi dhe cilësisë me të cilën duhet ta përmbushim këtë rol në Kuvendin e Shqipërisë.

Ky mekanizëm nuk anashkalon asnjë mekanizëm kushtetues, ligjor, institucional. Por i jep në dorë çdo njeriu, çdo qytetari që ka një akses në internet, përmes celularit apo kompjuterit në shtëpi, apo që mund ta gjejë këtë akses në pikën më të afërt, për të qënë pjesë e procesit bashkëqeverisës dhe vendimmarrës në kuptimin më konkret të fjalës.

Një rezervë tjetër, që besoj edhe ju e keni dëgjuar, është që përmes këtij mekanizmi mund të hapet një gjueti shtrigash, për shkak se njerëzit mund të turren dhe të bëjnë denoncime e të marrin nëpër gojë njerëz të tjerë. As kjo nuk qëndron, sepse platforma pranon vetëm anëtarë dhe anëtare realë, me identitet të verifikuar si pjesëtarë të këtij koalicioni qeverisës dhe nuk është si të themi Facebook, apo portale ku bëhen komente, ku individë të ndryshëm mund të futen me emra të tjerë, apo një individ mund të futet me shtatë palë emra dhe të shkruajë çfarë të dojë dhe të marrë nëpër gojë kë të dojë.

Çdo person që do të regjistrohet për të qënë pjesë e këtij procesi dhe për t’i dhënë vetes statusin e anëtarit, apo anëtares së koalicionit do të mbajë përgjegjësinë e vet për atë që shkruan, në kuptimin që do t’i dalë për zot edhe çdo denoncimi për sjellje abuzive, për sjellje korruptive, për ngjarje, apo informacione shqetësuese që do t’i ndajë me ne. Do t’i dalë për zot, do të thotë që pas këtij ekrani është përgatitur dhe do të qëndrojë një grup i tërë njerëzish që do të ndjekin në kohë reale çdo opinion, kërkesë, ankesë dhe do të bëjnë verifikimin në një afat të përcaktuar të të gjitha atyre ankesave që lidhen me persona, me zyra, ose institucione të caktuara.

Në këtë proces verifikimi, çdo person që do të denoncojë do të jetë pjesë aktive, për të goditur sëbashku një shfaqje korruptive, për të ndëshkuar sëbashku një sjellje abuzive, për të punuar sëbashku që një zyrë e caktuar të ndryshojë qasje, në rastet kur vërtetohet se denoncimi është i saktë. Pra, edhe kjo rezervë nuk qëndron.

Më e rëndësishmja është që në këtë vend ku tradicionalisht, historikisht, njerëzit janë mësuar me fjalën “mik” dhe ku, edhe kur kanë të drejtë, edhe kur e kanë pothuajse, apo e kanë të sigurt që do ta marrin atë që u takon, rëndom kërkojnë një mik dhe fusin një mik, ne duam që ky të jetë miku më i madh, më i fortë dhe me aksesin më të shpejtë për këdo.

Të paktën nga pikëpamja e përpjekjes për ta organizuar të gjithë këtë mekanizëm, ne kemi bërë gjithçka kemi mundur që çka po them të jetë e vërtetë dhe të jetë reale, që do të thotë që cilido që ka nevojë për një mik lart në politikë, apo lart në qeveri, për një të drejtë, apo për të penguar që të tjerët t’i bëjnë një padrejtësi, të ketë rrugën më të shpejtë dhe më të kollajtë përmes këtij mekanizmi inovativ, që është vërtet një ekran për këdo që e përdor, por pas ekranit ka një grup të tërë njerëzish.

Po e filloj nga ky grup njerëzish. Kush janë ata dhe si do të organizohet puna e tyre? Këta janë një grup njerëzish të përzgjedhur pas një thirrjeje publike që ne kemi bërë pak a shumë dy muaj më parë, mes më shumë se 800 aplikantëve. Ata kanë paraqitur dosjet e tyre, kanë paraqitur dy letra rekomandimi nga persona të tjerë dhe një letër motivimi. Mbi bazën e dosjes është bërë një paraseleksionim dhe janë kualifikuar afro 50 persona, prej të cilëve filtrohen dhe qysh ditën e hënë do të jenë në gatishmëri afro 25-30 persona. Këta do të ndahen në grupe. Një grup qendror do të jetë në Kryeministri dhe grupet e tjera do të jenë në çdo ministri.

Sipas të gjitha kategorive që ka platforma: opinionet, kërkesat, ankesat, sugjerimet, nismat, ndahen në bazë të kategorive dhe trajtohen në mënyrë sektoriale nga çdonjëri prej këtyre grupeve në çdo institucion qendror. Qëllimi është që për çdo çështje që kërkon zgjidhje dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga titullari i institucionit, zgjidhja të jepet në afatin e përcaktuar nga titullari i institucionit. Ndërkohë, çdo anëtar dhe anëtare e kabinetit qeverisës do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për trajtimin e të gjitha adresimeve, të cilësdo natyrë që lidhen me institucionin e vet, në kuptimin e përgjigjes.

Çfarë ndodh deri sot, tradicionalisht, me ato që quhen letra nga populli, apo ankesa nga populli? Prej 100 vjetësh, në Kryeministri funksionon një zyrë, e cila më parë quhej hallet e popullit, tani quhet Marrëdhëniet me Publikun, ku njerëzit shkruajnë letra. Ka një sasi të konsiderueshme letrash, shumica e të cilave janë ankesa, kërkesa, apo probleme që kërkojnë zgjidhje. Drejtoria përkatëse e Marrëdhënieve me Publikun historikisht ka bërë dhe bën, – por s’do bëjë më, sepse në kuadrin e ristrukturimit, ajo do shkrihet dhe do përfshihet në këtë mekanizëm, – marrjen e letrave dhe dërgimin e tyre nëpër institucionet përkatëse, me kërkesën që t’i jepet përgjigje qytetarit. Thjesht ka bërë një punë që nuk ka zgjidhur në të shumtën e herës problemet apo hallet e njerëzve, një punë dispeçeri, merre letrën, me një letër shoqëruese çoje nëpër institucione dhe pastaj, institucionet le t’i përgjigjen qytetarit. Me këtë mekanizëm, kjo logjikë përmbyset plotësisht, sepse institucionet, që nga anëtarët e qeverisë, që janë përgjegjësit e drejtpërdrejtë për funksionimin e marrëdhënieve brenda këtij koalicioni me njerëzit e zakonshëm, duhet të raportojnë në mënyrë periodike për gjithçka që adresohet në këtë platformë dhe që faktikisht është e regjistruar.

Fillojmë të bëjmë ekspozimin e platformës.

“Dritarja e Ankesave”

Në dritaren e parë, “Dritarja e Ankesave”, ka një grup dritaresh për të bërë zgjedhjen se ku drejtohet ankesa. Është harta e Shqipërisë, qarku përkatës, institucioni përkatës, nëse bëhet fjalë për një institucion qendror, nëse bëhet fjalë për një institucion vendor dhe pjesa e institucioneve vendore paskëtaj, ne do fillojmë të nënshkruajmë një marrëveshje mirëkuptimi me të gjithë kryetarët e bashkive, pa dallim, që do të përfshihen në këtë proces në funksion të zgjedhjeve së problemeve të qytetarëve. Në këtë drejtim, njerëzit mund të ankohen qoftë për politika të caktuara, për reforma të caktuara, projektligje apo për projektvendime të caktuara dhe padiskutim për sjellje abuzive, për sjellje korruptive, për marrëdhënie të vështira me institucionet, apo me zyrat e shtetit.

Ata që kanë akses në këtë mekanizëm dhe në çdo dritare të këtij mekanizmi janë anëtarë dhe anëtare të regjistruara të këtij koalicioni. Por nuk janë absolutisht të detyruar që të ankohen vetëm për vete. Mund të ankohen për diçka që ndodh në komunitetin e tyre, mund të ankohen për diçka që ndodh në rrethin e tyre shoqëror, në rrethin e tyre familjar, sepse figura e çdo anëtari dhe anëtareje të këtij koalicion është, le të themi, figurë përfaqësuese e koalicionit aty ku jeton, aty ku punon, aty ku shkollohet, aty ku studion.

Në një kuptim, – nga kjo ka dalë dhe një rezervë tjetër, – është secili dhe secila njësoj si një deputet nga pikëpamja e aksesit në të gjithë procesin. Do shikoni më poshtë që në bazë të pëlqyeshmërisë për fusha të caktuara, – dikush nuk është i interesuar për të gjitha fushat, është i interesuar, p.sh, vetëm për mjedisin, dikush tjetër vetëm për reformën në drejtësi, – ata që regjistrohen shprehin dëshirën e tyre, që nga kjo apo ajo fushë, unë dua t’i marr përpara sesa të kalojnë në qeveri, të gjitha projektvendimet dhe dua t’i marr menjëherë sapo kalojnë të gjitha vendimet e qeverisë, dua t’i marr të gjitha projektligjet që janë në proces.  Siç i marrin anëtarët e qeverisë projektvendimet që do të kalojnë në qeveri, do t’i marrin të gjithë anëtaret e këtij koalicioni; Siç marrin deputetët dijeni për projektligjet, do të marrin dijeni të gjithë anëtarët e këtij koalicioni kudo ku jetojnë, në qytet, apo në fshat, janë me universitet, apo janë pa shkollë; janë të moshuar, pensionistë, apo janë zgjedhës për herë të parë.

“Nisma Ime”

Shumëkush ka ide, shumëkush ka dëshirë që të përfshihet në aktivitet publik, komunitar, vullnetar dhe ka nevojë për mbështetje. Kjo nuk do të thotë që për çdo nismë, qeveria mund të japë mbështetje, por kushdo që e ka një ide dhe kushdo që dëshiron të ndërmarrë një nismë komunitare, apo ka një projekt konkret, me interes publik, mund ta ndajë atë me ne, mund ta ndajë ata me qeverinë e Shqipërisë dhe brenda 20 ditësh do të marrë përgjigje nga sektori përkatës, nga ministria përkatëse, për mundësinë ose jo të mbështetjes së nismës. Po ashtu, ne do të ndërmjetësojmë me pushtetin vendor, për të parë mundësinë që bashkërisht t’i mbështesim këto nisma komunitare, t’i mbështesim këto projekte me interes publik, në të gjitha rastet kur ato vlerësohen si jo thjesht të mundshme, por në radhë të parë si vërtetë me interes kombëtar dhe publik.

“Fjala Ime”

Këtu nuk bëhet fjalë për ankesa. Këtu bëhet fjalë për kontributin e gjithsecilit, përmes opinionit mbi reformat dhe projektet që janë aktualisht në diskutim dhe sugjerime, ide, apo propozime për se si mund të përmirësohet qeverisja në tërësi, apo rezultatet në një fushë të caktuar, kur flitet konkretisht për një reformë. Për shembull, bëhet një diskutim për mbetjet. Nuk mund t’ia lëmë këtë “monopol” portaleve, apo Facebook-ut, ku një grusht njerëzish, apo shumë njerëz të apasionuar, të nxitur, apo të paguar turren e nuk lënë gjë pa thënë, por duam ta kthejmë në një mekanizëm të strukturuar brenda nesh, mes nesh dhe të gjithë atyre që janë pjesëtarë të këtij koalicioni. Jo thjesht një diskutim mes nesh brenda kabinetit qeveritar, mes nesh brenda grupit parlamentar, mes nesh brenda forumeve të larta të partisë, por mes nesh dhe të gjithë atyre që bashkë me ne janë përfshirë në këtë rrugëtim katër vjeçar dhe brenda 20 ditësh, gjithkush që shkruan një opinion merr një përgjigje. Ndërkohë që më pas do shikoni se ka edhe një rubrikë tjetër, ku përfshihet konsultimi publik në bazë të ligjit për konsultimin publik.

“Interpelanca”

Përmes këtij mekanizmi ne do iu japim mundësinë njerëzve të zakonshëm, anëtarëve të këtij koalicioni që të thërrasin në interpelancë Kryeministrin, zv/kryeministren, ministrat, njësoj siç e bëjnë këtë gjë deputetët. Kuptohet, me disa kushte, duhet një numër i caktuar, jo shumë i madh anëtarësh të regjistruar, që për një problem komunitar, për një problem me ndjeshmëri rajonale, për një problem të nxehtë kombëtar mund të kërkojnë në interpelancë cilindo prej nesh dhe platforma do të ketë ekranin e vet, ku, në kohë reale do të bëhet interpelanca me Kryeministrin, zv/Kryeministrin, apo cilindo anëtar të kabinetit, sipas tematikës që qytetarët e regjistruar e kërkojnë. Në platformë mund të kenë akses për të parë dhe për të lexuar që të gjithë, por këto të drejta dhe këto detyrime, që burojnë nga gjithë ky mekanizëm do t’i kenë vetëm ata që janë anëtarë aktiv të koalicionit qeverisës.

“Nota ime”

“Nota Ime” është një vlerësim që secili që shkon në një zyrë dhe merr një shërbim mund të bëjë. Në bazë të këtij vlerësimi, siç bëhen vlerësimet për shërbime të natyrave të ndryshme, do gjenerohet periodikisht në këtë platformë një notë mesatare, e cila do bëhet publike për të gjitha zyrat që i shërbejnë publikut. Nga njëra anë, ky vlerësim do vlejë për të informuar publikun për nivelin e pëlqyeshmërisë së një shërbimi, por edhe për të informuar drejtpërdrejtë, në kohë reale çdo anëtar të kabinetit qeveritar, lidhur me pëlqyeshmërinë e një shërbimi të caktuar në piramidën e varësisë së dikasterit që ai drejton.

“Shkolla ime”

“Shkolla ime” është një dritare e veçantë për nxënësit. Ne kemi nisur një proces që është në vazhdim për të jetësuar programin e “Shkollës qendër komunitare”. Në të gjitha shkollat ka nxënës, ka nxënëse, ka mësues, mësuese, ka prindër që janë shumë aktivë dhe që realisht përpiqen të bëjnë së bashku gjëra që nuk janë thjesht argëtim, apo për të kaluar kohën e lirë, por që janë me vlerë për komunitetin e shkollës, gjithashtu që janë me vlerë dhe për komunitetin ku është shkolla.

Ne besojmë që është një mundësi e mirë që për këdo që ka një ide, për këdo që ka një projekt dhe sigurisht me një mbështetje të caktuar, – në mos gabohem në rastin konkret duhet të bëhen bashkë 5 nxënës, 10 prindër dhe 5 mësues, – pra një numër i caktuar protagonistësh në shkollë mund të dërgojnë këtu projektin e tyre. Brenda 20 ditësh Ministria e Arsimit duhet tu japë përgjigje, jo thjesht që e morëm, e lexuam dhe ishte i bukur, por, sigurisht, përgjigje të gjithëve njëherë, por edhe të ndërtojë një proces për të mbështetur sa më shumë nga këto projekte komunitare, në bashkëpunim me bashkitë, në bashkëpunim me biznesin, në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, çka është plotësisht e mundur, sepse shpesh herë bëhet fjalë për projekte që kushtojnë shumë pak dhe që nuk realizohen, ndërkohë që në ato raste kur realizohen kanë një impakt të jashtëzakonshëm në komunitetin e nxënësve, mësueseve, të prindërve.

“Biznesi im”

Për biznesin ka një dritare të veçantë. Ne i kemi dhënë një rëndësi edhe më të madhe partneritetit me biznesin dhe mbrojtjes së biznesit. Mbrojtjes së biznesit nga qeveria, mbrojtjes së biznesit nga institucionet, nga administrata, nga inspektorët, nga tatimorët, nga doganierët e kështu me radhë, duke përfshirë në kabinet dhe një ministre për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Ky do të jetë një mekanizëm plus, ku çdo njeri që ka një biznes do të mundet në kohë reale të drejtohet tek ne, jo vetëm për të bërë sugjerime, apo kritika, por edhe për të denoncuar çdo sjellje të papranueshme, çdo sjellje abuzive, apo korruptive me të cilën ndeshet. Në 10 ditë, qeveria duhet t’i japë përgjigje. Për çdo çështje të biznesit, të çdo qytetari ku ne do të kemi të bëjmë me një akt, apo me një sjellje të papëlqyeshme, apo të dënueshme të dikujt që përfaqëson shtetin, mekanizmi është ndërtuar në mënyrë të tillë që askush nuk do t’i shpëtojë dot ndëshkimit. Askush!

“Kuvendimi ynë”

Kuvendimi ynë është një dritare për tema që ne, qeveria, Partia Socialiste si forca udhëheqëse e këtij koalicioni me njerëzit ka nevojë të debatojë me njerëzit për tema ku kërkojnë opinionet e tyre. Një hapësirë për të diskutuar së bashku dhe për të kuptuar çfarë mendon shumica e anëtarëve të koalicionit për diçka që ne kemi në diskutim, për diçka që ne duam të bëjmë, apo për diçka që neve na shqetëson. Pra, në një farë kuptimi është një tryezë shumë më e gjerë sesa tryeza e qeverisë, tryeza e grupit, tryeza e forumeve të larta të partisë, por që bën të njëjtën gjë dhe ku kanë akses të gjithë ata që janë të regjistruar.

“Dua të kontribuoj”

Këtu bëhet fjalë për mundësinë që çdo individ që ka një CV, që beson që është e vlefshme, që ka një eksperiencë që beson se është e vlefshme, që ka një dëshirë për të kontribuar mund të regjistrohet, duke hyrë në bazën e të dhënave të burime njerëzore të koalicionit tonë, që do të na vlejë për çdo herë kur do të na duhen njerëz për një punë, apo për një punë tjetër në interes të përbashkët dhe sigurisht për të informuar në mënyrë të personalizuar këdo që do të bëhet pjesë e administratës publikë, se cilat janë kriteret, çfarë hapash duhet të ndjekë, për të asistuar në përgatitjen e konkursit e kështu me radhë.

“Historia ime”

Historia ime do të jetë një rubrikë ku vazhdimisht do të shfaqen protagonistë të këtij koalicioni me historinë e tyre, njerëz që e përdorin këtë mekanizëm, njerëz që përmes këtij mekanizmi zgjidhin një problem, njerëz që përmes këtij mekanizmi marrim mbështetje për një projekt dhe kështu e me radhë.

Një rezervë tjetër që vjen dhe kjo nga tradita është që sa do funksionojë ky mekanizëm? Ka pasur shumë dhe ka portale, faqe në internet, rrjete sociale. Ka pasur prej tyre nisma qëllimmira. Për shembull, ne vetë kemi nisur më parë një faqe që quhej “Stop korrupsionit!” dhe për hir të të vërtetës nuk ka funksionuar siç ne do të dëshironim. Kësaj pyetjeje unë nuk ia di përgjigjen sot, por unë di se çfarë duhet bëjmë ne që përgjigja të jetë: po, kjo do të funksionojë.

Ajo që ne do të bëjmë është që, do angazhohemi në të gjithë territorin për ta promovuar këtë platformë. Do të angazhohemi në të gjithë territorin për t’i bërë thirrje në radhë të parë, atyre që kemi më afër, por pa dallim. Kjo nuk është një platformë që mund të regjistrohen vetëm ata që janë anëtarë të Partisë Socialiste dhe as një platformë ku detyrimisht duhet të ndash bindjet me ne. Kjo është një platformë për të gjithë qytetarët që duan, në fund të fundit, të na vënë në provë për seriozitetin dhe vendosmërinë që ta bëjmë realitet këtë bashkëqeverisje me njerëzit e zakonshëm. Nuk kushton asgjë. Nuk duhet të paguash asnjë qindarkë për t’u regjistruar. Nuk duhet të paguash asnjë ryshfet që ata që marrin ankesën apo kërkesën tënde,  të vihen në lëvizje. Nuk do duhet asnjë mik që, ajo që ti shkruan të lexohet. Në fund të fundit, zgjedhja është shumë e thjeshtë: ose do të pranosh të poshtërohesh nga një zyrtar, – zyrtar është fjalë e madhe, por nga një nëpunës i rëndomtë, – që të kërkon ryshfet; ose do të thuash: “stop, unë këtij nuk i jap ryshfet, por përkundrazi do të shpëtoj dhe të tjerët nga ky dhe do të bëj të mundur që ky mos të jetë më këtu!” Një nga të dyja.

Tradita nuk është në favorin tonë. Unë e di shumë mirë këtë gjë. Patjetër që njerëzit kanë pasur shumë zhgënjime në përpjekjet që kanë bërë për të denoncuar, por unë nuk di një rrugë tjetër përveçse ne të vazhdojmë të përpiqemi. Kjo është një përpjekje e re me një mekanizëm të ri, që sigurisht jam i bindur do përsoset në proces. Jam i bindur që, pavarësisht se ne kemi angazhuar disa njerëz shumë të apasionuar për ta ndërtuar këtë mekanizëm, pavarësisht se ne jemi munduar të shikojmë eksperienca të ngjashme pozitive në vende me probleme të ngjashme si tonat, nuk diskutohet që mekanizmi do përsoset. Ama është këtu, është tani, është në dispozicion të secilit dhe ne duhet ta fillojmë nga ata që kemi më afër, nxitjen për t’u regjistruar. E pastaj, përmes provave që do të japim ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji për funksionimin e këtij mekanizmi, sigurisht që plot të tjerë do të përfshihen në këtë proces. Nuk është as e rastësishme dhe as sepse duam, apo kemi kohë për të humbur, që ne kemi caktuar një koordinator kombëtar për bashkëqeverisjen, që është Sajmir Tahiri, i cili faktikisht do të vërë në dispozicion të këtij procesi një eksperiencë jo të vogël organizative dhe bashkë me koordinatorët për këtë proces në qarqe dhe në bashki do të bëjë pikërisht këtë gjë. Sigurisht, me mbështetjen e të gjithëve ne, se këtu do angazhohemi ne si qeveri, do angazhohen deputetët për të krijuar rrjetin e anëtarëve dhe anëtareve të këtij koalicioni.

Kjo në fazën e parë do bëhet me fjalë, por shumë shpejt do bëhet me vepra, me prova, duke shkuar dhe duke u thënë: “Ja ky rast! Ja ky rast! Ja ky rast! Çfarë doni më? Provojeni dhe ju! Përfshihuni  dhe ju, sepse, sido që të vijë puna është shumë herë më dinjitoze dhe ke shumë herë më tepër shanse të fitosh mbi padrejtësinë duke u përfshirë, sesa duke qëndruar i tërhequr dhe duke thënë: “s’bëhet kjo punë” dhe duke iu nënshtruar lloj-lloj parazitëve, lloj-lloj grabitqarëve në zyrat e administratës shtetërore.

Ky mekanizëm mund të bëhet një fshesë e hekurt për t’i pastruar parazitët e grabitqarët shumë më shpejt sesa çdo mekanizëm tjetër. Ky mekanizëm mund të bëhet tmerri i çdokujt që në një zyrë shteti në një sportel është mësuar t’i shikojë qytetarët nga xhepi, apo është mësuar që t’i sorollasë me herë të tëra për t’i dhënë më në fund shërbimin, sepse kushdo që ka përpara mund të jetë një anëtar i koalicionit. Unë di t’ju them vetëm kaq, që, ne nuk do lëmë gurë pa luajtur që anëtarët dhe anëtaret e këtij koalicioni të jenë të paprekshëm nga parazitët dhe nga grabitqarët dhe kështu të shtohen gjithmonë e më shumë dhe ky koalicion të bëhet gjithmonë e më i madh.

Ka dy rrugë; Njëra rrugë është koalicioni ku ishim, koalicionet që kishim 20 e kusur vite; Kjo është një rrugë tjetër. Është një rrugë e re. Do funksionojë, apo nuk do funksionojë, këtë unë nuk e them dot sot. Por është e sigurt që është një rrugë me një qëllim shumë të mirë dhe me të gjitha mundësitë që të na nxjerrë më në fund aty ku duam, të na nxjerrë përfundimisht jashtë batakut dhe zullumit që është trashur në gjithë këto vite për shkak të një ndarjeje me thikë mes elitave të partive dhe popullit që voton e pasi voton rri e pret a do bëhen realitet zotimet. Jo të gjitha zotimet mund të bëhen realitet.

Nëse ka një zotim që duhet medoemos të bëhet realitet dhe mund të bëhet realitet është zotimi që shqiptarët të mos i shikojë më njeri nga xhepi kur hyjnë në një zyrë për të marrë një shërbim; është zotimi që shqiptarët të mos sorollaten më lart e poshtë për të marrë një copë letër; është zotimi që koha e shqiptarëve të kursehet, siç ne kemi filluar ta kursejmë, duke hequr të gjitha ato dokumente dhe do vazhdojmë ta kursejmë duke hequr edhe dokumente të tjera, por, në fund fare, sado dokumente të heqim ne kapakun mund t’ia vëmë kësaj historie vetëm përmes këtij koalicioni të Partisë Socialiste me njerëzit e zakonshëm të udhëheqjes së Partisë Socialiste me vajzat, gratë, djemtë dhe burrat që nuk  duhet të jenë socialistë që na duhen dhe i duam vetëm kur ka fushatë, por duhet të jenë dhe mund të jenë anëtarë të barabartë të koalicionit, njësoj siç jemi ne që jemi ulur të gjithë në radhën e parë, bashkë me mua që jam këtu në këmbë para të gjithëve. Kjo është e mundur, siç është e mundur  dhe për të gjithë ata që janë demokratë.

Jo vetëm demokratët që na votuan ne, se ishin shumë dhe ju siguroj edhe më shumë do bëhen demokratët që do të na votojnë ne, nëse ne do të punojmë me mish e me shpirt, në radhë të parë, që ky koalicion të jetë i vërtetë, të jetë real, të jetë rezultativ dhe të jetë i tillë që ta bëjë qeverinë mikun më të fortë të çdo njeriu që ka nevojë për mik. Kështu që unë po e mbyll me këtë fjali: Kush do mik, kush ka mik për të futur nuk ka nevojë ta kërkojë lart e poshtë. Nuk ka nevojë të shkojë ta gjejë te cilido prej nesh lart e poshtë. Kush ka, kush do të fusë mik mjafton të regjistrohet në këtë platformë dhe e ka bërë mikun më të fortë me vete, sepse me një mesazh mund të vërë në lëvizje, as më shumë e as më pak, por ministrin, apo ministren e fushës ku ka probleme. Të jeni të sigurte që të gjithë anëtarët e qeverisë e kanë shumë të qartë që ky është prioriteti i prioriteteve. Askush që na drejtohet nuk duhet të mbetet në pritje për të marrë përgjigje. Gjithkujt që na drejtohet për t’i zgjidhur një hall për të cilin ka të drejtë ne duhet t’i zgjidhim hallin. Kjo vlen më shumë sesa çdo investim i huaj, sesa çdo reformë në letër, sesa çdo mandat më vete. Po ta bëjmë këtë, kemi bërë atë që duhet për Shqipërinë që Duam.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.