Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Materniteti “Koço Gliozheni” në Tiranë do t’i nënshtrohet një projekti transformues të konceptuar në tre faza zhvillimi. Projekti, investim i qeverisë përfshin transformimin e Urgjencës, Qendrës së Gruas dhe sallave të operacionit, me standardet më të mira për nënat dhe të porsalindurit.

Brenda mjediseve të tij ka nisur nga puna po ashtu shërbimi i ri i laboratorit, pjesë e rrjetit ultramodern të laboratorëve të spitaleve publike.

Për t’u njohur me investimin që pritet të nisë këtë verë, si dhe për të vizituar laboratorin e ri, ishte sot në Maternitetin “Koço Gliozheni”, Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,Ogerta Manastirliu.

“Investimi vetëm në fazën e parë i kalon mbi 1 milionë dollarët”, – u shpreh  drejtori i spitalit Genci Hyska, i cili shpjegoi ndër të tjera se “në fazën e parë  të projektit do të përfshihet rikonstruksioni i sallave të operacionit me shtimin e kapaciteteve të tyre me dy salla të reja, rikonstruksionin e plotë të bllokut të lindjes. Ao që është po kaq e rëndësishme është urgjencë-pranimi, i cili sot tek ne është një shërbim i munguar. Duke qenë se prezantimi i parë me pacienten ka shumë rendësi, ne nuk kemi një ambient të mirëfilltë. Së bashku me qendrën e gruas do të behet një ansambël i përbashkët. Në fazën e dytë është rikonstruksioni i Shërbimit të Neonatologjisë, ndërsa në fazën e tretë është gjithë pjesa e veshjes së sistemit kapot me panele diellore në pjesë e tarracës.”

Laboratori i ri është tashmë pjesë e rrjetit të laboratorëve publikë, nëpërmjet partneritetit publik, privat. Ministrja Manastirliu u shpreh se investimi bashkëkohor në këtë laborator ka rritur ndjeshëm gamën e analizave  që kryhen aty.

“Me laboratorin qe kemi patur bënim vetëm 27 lloj ekzaminimesh laboratorike, ndërsa tani, me rritjen e kapacitetit kemi arritur në 163, pa llogaritur që për çfarëdolloj ekzaminimesh që mund të kemi nevojë, qendra kryesore që është në QSUT na përgjigjet”, – u shpreh drejtori i spitalit,  Genci Hyska.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.