Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Takimi i Kryeministrit Edi Rama me kryetarë të bashkive, deputetë dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, mbi situatën e shkaktuar nga tërmetet:

Kryeministri Edi Rama: Ju falënderoj për praninë e të gjithëve, kryetarëve të bashkive, deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë, lidhur me domosdoshmërinë për të bashkuar të gjitha forcat në mbështetje të njerëzve që janë prekur më shumë psikologjikisht nga tërmetet  e mbrëmshme dhe për të bërë të mundur që nga ky moment dhe më pas, të funksionojmë si një rrjet i integruar, duke u fokusuar më shumë tek Tirana dhe tek Durrësi. Është shumë e rëndësishme në radhë të parë prania njerëzorë, për të realizuar një kontakt të drejtpërdrejtë me të gjithë familjet që figurojnë si banorë të pikave të identifikuara me dëme, pasi ankthi dhe potenciali për konfuzion që vjen nga ankthi është gjëja e parë që duhet përballur me shpjegime shumë  të thjeshta dhe me garancinë që pas kapërcimit të këtij momenti psikologjik do të fillojë procesi i mbështetjes për të zhdëmtuar këdo që figuron në listën e të dëmtuarve. Mbrëmë besoj që e keni ndjekur veçanërisht në Durrës ka patur goxha ankth në familjet që janë prekur më shumë dhe kjo ka bërë që një pjesë e konsiderueshme njerëzish të qëndrojnë jashtë banesave. Ashtu sikundër edhe pse janë vënë në dispozicion të dyja strukturat të shtëpive të pushimit të ministrisë së mbrojtjes dhe të brendshme që kanë rreth 700 shtretër së bashku, nuk ka patur fluks, kjo edhe për shkak   të nevojës së njerëzve për të qëndruar me njeri-tjetrin, gjë që ka krijuar një grumbullim të konsiderueshëm tek stadiumi i qytetit.

Sigurisht në këtë situatë funksionojnë shumë dhe fantazitë dhe frika që duhen adresuar me komunikim. Për të këtë arsye, unë dëshiroj që të gjithë sëbashku ne ta kushtojmë gjithë pjesën e mbetur të ditës sot, në kontakte me njerëzit në çdo zonë ku janë identifikuar pikat. Ndërkohë, bashkë me ministren e Mbrojtjes dhe ministrin e Brendshëm, ne patëm një komunikim me drejtuesit e strukturave të përfshirë në rrjetin e emergjencës, me prefektët dhe me emergjencat civile, me policinë e shtetit dhe natyrisht vajtja e të gjithëve në terren dhe kontaktet që kanë nisur është mirë që të fuqizohet edhe me kontributin e të gjithë ve ne, jo vetëm me deputetë e Durrësit dhe të Tiranës, por edhe të gjithë të tjerët në mënyrë që të mbulojmë brenda ditës së sotme çdo familje që ka nevojë për komunikim. Ka shume shtëpi, sikundër ka dhe një sërë pallatesh që kanë plasaritje dhe krisje. Ka shumë rëndësi që t’u shpjegohet njerëzve që jo domosdoshmërish të gjitha plasaritjet dhe krisjet përbëjnë rrezik, sepse janë një shfaqe sipërfaqësore e pasojës. Por njëkohësisht, në vijim instituti i  ndërtimit ka filluar punën në bashkëpunim edhe me një grup ekspertësh të ministrisë mbrojtjes, por edhe me grup tjetër që po krijohet nga ministrja e infrastrukturës që po krijohet me burime njerëzore të specializuar në kompani ndërtimi, do të realizojnë në një kohë të shpejt të inventarit teknik për të ndarë plasaritjet sipërfaqësore që nuk kanë prekur strukturën dhe nuk përbëjnë rrezik – edhe pse do të adresohen për riparime të nevojshme, – nga krisjet që kanë cenuar strukturën.

Nga ana tjetër është e rëndësishme po ashtu, shumë thjesht t’u shpjegohet njerëzve që në disa raste godinat që kanë një ndarje të brendshme janë absolutisht të garantuar sepse bëhet fjalë për funksionim si duhet të fugës sizmike në këtë mes, që është pjesë  e gjithë projektit, pikërisht në funksion të përballimit të lëkundjeve të tërmetit. Jo çdo ndarje, apo në dukje çarje vertikale e godinave është negative. Përkundrazi është tregues që ka funksionuar për atë që është projektuar. Jo më larg se 30 metra nga këtu është krejt e dukshme fuga sizmike që ndan korpusin qendror të kryeministrisë me korpusin e mëpasshëm të ish ministrisë së financave. Pra nuk kemi të bëjmë me një problem strukturor, por kemi të bëjmë  me një reagim të strukturës nga lëkundjet sepse për  këtë është projektuar. Por nga ana tjetër duhet identifikuar qartësisht çdo shfaqë e tillë në sipërfaqen e pallateve dhe mund të jetë kjo – dhe nga një vështrim i parë me fotot e marra në dispozicion sipas specialisteve është kjo, por mund të jetë dhe diçka më e thelle që përbën një rrezik.

Sidoqoftë është e rëndësishme që njerëzit,  sepse i kam ndjekur me shumë vëmendje komentet, i kam marrë dhe informacionet për komentet e mëngjesit nëpër media, të qetësohen lidhur me qëndrueshmërinë e çdo godine dhe shtëpie në momentin që flasim. Në rast se larg qoftë, nuk ka një tërmet më të fortë, ato janë njësoj si të tjerat. Nuk përbëjnë asnjë lloj rreziku eminent.  As plasaritjet, as ato kanalet që mund të jenë shfaqur mes kanalit dhe murit, as ato të ndarat e dukshme në pallat. Nuk ka asnjë problem. Ashtu sikundër, – dihet botërisht që nuk është krijuar akoma kapaciteti i njerëzimit për të parashikuar tërmete, – çfarë ndodhi, nuk do të thotë fare se ka vazhdimësi. Lëkundjet e mëpastajme kanë ardhur duke u ulur dhe kanë qenë të parashikuara siç ndodh në çdo tërmet që pas lëkundjes së fortë ka lëkundje të tjera që stabilizojnë pllakat tektonike. Janë gjëra të thjeshta, nuk janë shkencë, janë argumente që ndihmojnë për të komunikuar dhe qetësuar njerëzit. Sepse në këtë moment paniku është gjëja më legjitime dhe kërkon kontakt. Të gjithë sëbashku të ndahemi sipas zonave dhe pjesa tjetër kryetarët e bashkive, sikundër dhe prefektët e tjerë të fokusohemi në pikat kritike, duke u përpjekur të mbulojmë të gjithë shtëpitë apo godinat, duke u përpjekur që për çdo familje të ketë një kontakt sot. Nga informacionet që kemi janë të mjaftueshme për të bërë një ndarje të thjeshtë dhe të shpejt të punës, duke mbuluar të gjithë spektrin nga Tirana në zonën rurale të saj, Vora dhe gjithë pjesët e saj deri në Durrës.

Aspekti tjetër i rëndësishëm që duhet mbajtur parasysh është pjesa që vazhdon nesër e në vijim me zhdëmtimet. Inventari siç thashë do të saktësohet. Ne kemi një eksperiencë pozitive nga tërmeti që ndodhi në disa fshatra në qarkun e Korçës, ku pati realisht shtëpi të shembura dhe ku sot që flasin ka familje që jetojnë në çadër. Nuk është rasti ky për zonën që ndodhi dje, sepse nuk ka faktikisht asnjë shtëpi të rrafshuar.

Të gjithë kryetarët e bashkive të para 30 qershorit kanë mobilizuar me këshillat bashkiakë fonde. Është krijuar një fond solidariteti me të cilin po bëhet rindërtim sipas planit dhe të dhënave të para 48 orëve që unë i kam parë besoj do të realizojmë objektivin e para fillimit të shirave asnjë familje të mos jetë më në çadër. Të gjithë do të kthehen në shtëpitë e tyre tashmë të rindërtuara. Edhe Partia Socialiste ka dhënë një kontribut nga fondi i fushatës elektorale që ka shkuar për të prekurit nga tërmeti në fshatrat e Korçës dhe një grup kompanish me ftesë të ministres së Infrastrukturës janë përfshirë në këtë proces. Edhe nga buxheti i shtetit kemi vendosur fonde. Kështu që të njëjtën gjë do të bëjmë përsëri në vazhdim. Çdo bashki do të përfshihet më një kontribut sado modest. Këtu nuk është thjesht çështje fondesh sepse ministria e financave që dje ka përgatitur disa skenarë edhe për skenarin më të shtrenjtë, jemi gati. Por këtu është më shumë se kaq. Është çështje e një solidariteti real dhe padiskutim që paralelisht me këtë strukturat e ministrisë dhe të mirëqenies sociale janë  të angazhuara për të asistuar familjet edhe me ndihmat e periudhës së ndërmjetme. Prandaj besoj që një ndarje  e shpejtë e zonave do të na nevojitet për t’i ngarkuar çdo bashkie një pjesë sado të vogël të solidaritetit, sidomos me familjet, jo thjeshtë infrastruktura, se për atë sigurisht që përballimin e situatës do ta bëjë kryesisht buxheti i shtetit.

E treta, është domosdoshmëria për të patur një vëmendje të veçantë për të gjithë ato familje që kanë fëmijë të vegjël, sepse aty është mesa kam mundur të lexoj edhe nga komunikimi i drejtpërdrejtë që kam patur me shumë prindër  edhe problemi kryesor. Fatmirësisht, paniku ka qenë shumë më i madh sesa dëmet, në kuptimin që nuk kemi një dëm siç larg qoftë mund të kishim, nëse tërmeti do të ishte edhe pak më i fortë, por kjo nuk do të thotë që të mos shikojmë faktin e thjeshtë se ai që e ka dëmin në kurriz, e ka shumë të madh. Në raport me të tërin dëmi i përgjithshëm është shumë i vogël. Në raport me çdonjërin që e ka është një dëm shumë i madh dhe secili prej nesh do ta shohë këtë si dëmin e vet. Pas kësaj mbledhje duhet të shkojmë në Durrës. Është shumë e nevojshme për të patur një kontakt të drejtpërdrejtë me banorët. Duhet t’i lehtësojmë të gjithë përpara mbrëmjes. Sot, askush nuk duhet të shqetësohet nga pikëpamja e qëndrueshmërisë së godinës së vet, apo pallatit ku banon, pavarësisht krisjeve. Nuk janë kërcënim në momentin që po flasim.

Kryetarja  e  Bashkisë Durrës, Valbona Sako: Ne i kemi identifikuar. Aktualisht kemi 188 shtëpi të plasaritura që nuk cenojnë jetesën në këto banesa. Kemi dy shkolla të plasaritura që janë dëmtime të jashtme. Të dyja këto dëmtime kemi çuar grupet e punës dhe nesër do të jenë gati për të rifilluar ciklin mësimor. Pjesa shqetësuese janë pallatet e plasaritura. Edhe këto janë sipërfaqësore. Një rast e kemi në Sukth. Kam atashuar një inxhinier ndërtimi për të parë nëse këto plasaritje dënojmë banimin në këtë pallate.  Çdo njësi administrative është në krye të detyrës, e cila po identifikon rastet. Nuk kemi dëmtime në njerëz. Shtabet e emergjencës kanë krijuar shtëpitë e emergjencës, shtëpitë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Brendshme. Janë dy familje nga Shijaku në pikën e shtëpisë së Konvaleshencës. Kemi vënë në dispozicion edhe numër telefoni, çdo mesazh e lexojmë në kohë reale. Deri në orën 22:00 dje ishin 26 raste në spitalin e Durrësit, 15 me dëmtime ortopedike dhe pjesa tjetër nga paniku. Situata është nën kontroll.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj: Kemi pasur 42 pallate që kanë pasur çështjen e hapjes së fugës dhe kemi një raportim të detajuar që pastaj inxhinierët të japin një rezultat final. Në fshat, situata më e vështirë. Në zonën e Pezës dhe Ndroqit kemi 70 shtëpi me dëmtime serioze, kryesisht shtëpitë e vjetra që duhet t’i bëjmë nga e para. Kemi një mbledhje të Këshillit Bashkiak sot për të ndryshuar buxhetin, për të akorduar një fond për rastet e Tiranës, apo Durrësin dhe kudo që ka nevojë. Kemi patur 6 pika ku janë vendosur çadrat.  Vetëm në dy kemi patur fluks në 4 të tjera janë  3-4 raste. Kemi hapur të gjitha qendrat sociale, do të ofrojmë vaktet në masë për shumë banorë. Kemi bërë një verifikim të shkollave, kopshteve, çerdheve. Kanë qenë të gjitha solide. Sot do bëjmë një pastrim gjeneral dhe të hënën fillon normalisht aktiviteti.

Kryeministri Edi Rama: Kemi nevojë të bëjmë një ndaje të ngarkesës. Nga inventari aktual rezulton që në total janë 569 banesa ku natyrisht përfshihen edhe 53 pallate me dëmtime midis Tiranës dhe Durrësit kryesisht. Na duhen 569 kontakte të drejtpërdrejta. Deputetët e Tiranës e kanë detyrën e tyre, bashkë me bashkinë. Mendoj që të shtohen edhe disa kryetarë bashkish për ta bërë sa më të lehtë. Midis Tiranë-Durrës duhet mbuluar me më shumë forca komunikimi. T’u shtohen edhe kryebashkiakët e pjesës së sipërme, Pjerini, Majlinda, Ndreca, që të mund të organizohen për të bërë kontaktet. Kryebashkiakët e rajonit të Veriut të fokusohen në Vorë, për të shtuar forcat ndërkohë që të tjerët në Durrës, bashkë më mua, për të vijuar atje. Të gjithë deputetët që janë në pjesën e rajonit të Veriut të qëndrojnë në Tiranë. Në këtë mënyrë, Tirana është e mbuluar. Brenda shumë pak kohëve, kryetarët e njësive administrative të Durrësit të jenë mbledhur bashkë me prefektin, të ketë një listë të çdo njësie, duke përfshire dhe Shijakun, Kavajën. Në mënyrë që aty të shpërndahemi sipas territorit në mënyrë që çdo familje ta kontaktojmë.

Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj: Sapo kemi hapur një pikë në Sheshin Skënderbej dhe ka një solidaritet me ushqime nga qytetarët. Këtë mund ta bëjnë dhe në bashki të tjera.

Kryeministri Edi Rama: Është mirë që kjo gjë të bëhet e strukturuar. Është me shumë rëndësi që në këto situata fillojnë dhe spekulantët e shfaqen si të prekur nga një tërmet më i rëndë, sesa ai që është dukur. Nga ana tjetër dhe eksperiencat e mëparshme me ndihmat jo gjithmonë kanë lënë shije të mire se kanë shkuar gjërat te dikush që s’ka lidhje dhe kanë mbetur ata që e meritojnë. Duke u shpërndare kështu, çdo grup të kenë kohen e nevojshme deri në mbrëmje që të kenë jo më shumë se 5 -6 kontakte.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko: Strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme e tejkaluan të gjithë momentin fillestar. Siç e tha dhe kryetarja e Durrësit, tani është momenti që të kalojmë momentin e panikut. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu: Ne vijojmë të kemi të aktivizuar planin e gatishmërisë në spitale, edhe pse aktualisht deri tani që flasim janë 10 qytetarë që marrin trajtime në Spitalin e Traumës dhe atë rajonal të Durrësit. Situata do të vijojë të monitorohet edhe në orët e mëtejshme. Puna do të ndalet në identifikimin e familjeve që janë të prekura dhe kërkojnë mbështetje sociale nga strukturat e Shërbimit Social Shtetëror. Ne kemi marrë masat me Shërbimin Social Shtetëror të Tiranë dhe të Durrësit për të mbështetur të gjithë ato familje me ndihmat e nevojshme, apo për t’i drejtuar në qendrat sociale që Bashkia e Tiranës dhe Durrësit i ka hapur dhe do të vijojnë të presin familje, qoftë për t’i ofruar një vakt të nxehtë, apo për të marrë këshillimin e nevojshëm psiko-social në këto raste. Do të vijojmë të jemi derë në derë në terren, aty ku komuniteti ka më shumë nevojë. Sigurisht mbështetje maksimale do të jetë për fëmijët e nënat.

Deputeti Paulin Stërkaj: A ka ardhur koha t’i propozojmë qeverisë që të gjithë qeveritë të kenë një fond special meqë ne jemi në një zonë sizmike. Do të ishte shumë më mirë ministrat përkatës të gjejnë specialistët e duhur dhe të bëjmë një panoramë reale publikut të gjerë. Më mirë do ishte një solidaritet me specialistët e fushës në media, sesa mund ta bëjmë ne deputetët. Më e  rëndësishme për mua është krijimi i një fondi për çdo qeveri, duke filluar dhe që nga deputetët duke lënë diçka për këto raste.

Kryeministri Edi Rama: Besoj që është e qartë që edhe dje, edhe sot në vazhdim e kemi shfrytëzuar e shfrytëzojmë maksimalisht aksesin në media për të komunikuar me gjithë opinion publik lidhur me gjithë këto elementë që ndikojnë në qetësimin psikologjik. Por, nga ana tjetër, kontakti i drejtpërdrejtë shtëpi më shtëpi është i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm, edhe për shkak se në këto momente afërsia dhe komunikimi janë të pazëvendësueshme. Përsa i përket fondit, gjithmonë është në buxhet Fondi Rezervë për Emergjencën. Fatmirësisht, me këtë masë dëmesh, ne jemi krejtësisht të qetë nga pikëpamja e kapacitetit mbulues financiar. Ministria e Financave që në momentin e parë i ka bërë skenarët, duke imagjinuar një skenar shumë më të keq sesa ky, ndërkohë që tërmetet kur e kalojnë kufirin e të papërballueshmes, edhe qeveritë e shteteve më të mëdha i drejtohen solidaritetit ndërkombëtar, siç ka ndodhur larg qoftë me Greqinë dhe Italinë. Kjo është arsyeja pse menjëherë dje, punë minutash mua më ka marrë në telefon Kryeministri i Italisë, Presidenti i Francës, Kancelarja Austrisë, komisioneri Avramopulos e të tjerë, për të thënë çfarë doni. Më tutje, Presidenti i Turqisë, po ashtu ata kanë aktivizuar direkt strukturat e tyre, sepse lajmi ka qenë tronditës dhe natyrisht eksperienca ka treguar që në këto raste duhet solidaritet.

Ka edhe tema të tjera që duhen diskutuar, si ajo e sigurimit të banesave. Është një temë që për fat të keq është trajtuar si tabu. Unë e kam prekur qëkur kam qenë kryetar i bashkisë, më tutje është prekur edhe nga kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, edhe ai i Durrësit, që është e domosdoshme që të ketë një tjetër hap, siç e ka gjithë bota, sigurimin nga fatkeqësitë natyrore. Nuk është e mundur kur ndodh fatkeqësia natyrore të jetë vetëm buxheti i shtetit. Mbi të gjitha kompanitë e ndërtimit. Ka ardhur koha ta përmbyllim këtë proces shekullor më duket mua, edhe pse janë 20 vjet qëkur është trajtuar si çështje, të ndërtimit të lidhur me Policinë e Ndërtimit dhe me kolaudimin në bashki. Ndërtimi i çdo godine, sidomos e në radhë të parë sepse kjo është pjesa më sensitive, për pallatet duhet lidhur me sigurimet. Duhet të jetë kompania e sigurimit që jep visaton dhe mban përgjegjësi për shkeljet në ndërtim, për të cilat në 30 vjet nuk ka mbajtur askush përgjegjësi. Kompania e sigurimit duhet të jetë roja që duhet t’i rrijë tek dera në kantier ndërtuesit, për të mos bërë dalje nga projekti që mund të kërcënojnë strukturën. Nga ana tjetër duhet thënë se ky ishte një test që godinat e kanë tejkaluar parashikimin në qëndrueshmërinë e tyre, për hir të së vërtetës. Një tërmet më i lehtë se ky në një vend në rajon ka rrafshuar godina me 5-6 kate dhe aty është konkluduar se cilësia e ndërtimit ka qenë jashtë standardeve. Ky është një aspekt pozitiv, por ajo që u hap meriton një debat më të gjerë. Patjetër që ne do ta bëjmë duke shfrytëzuar faktin që kjo ndodhi. Pa pritur që njerëzit ta harrojnë dhe pastaj kur të vijë dita që të bëhet debati të thonë jo, kjo është diçka tjetër, edhe pa rënduar njerëzit, por duke u kërkuar kompanive të bëjnë sigurimin dhe kompanive të sigurimit që të bëjnë supervizimin që në fund, ato të jenë përgjegjëse edhe për respektimin e parametrave të ndërtimit, por edhe në rast se ndodh diçka sipas ligjit, ato bëjnë kontributin e tyre në dëmshpërblim.

Deputetja Blerina Gjymaleti: Një gjë që do të kërkoja është që në zonën e Kombinatit, të kishim një grup më të shtuar pasi pavarësisht se janë plasaritje, krisje të lehta më pas do të duhen të verifikohen nëse ka realisht dëmtime strukturore të godina, është një numër i konsideruar i pallateve, janë gati 230 apartamente dhe mendoj se prezenca e shtuar e kolegëve do na ndihmonte. Unë kam qenë dje dhe sot, gjithë strukturat janë në terren, por nuk arrihet realisht të shkohet në çdo familje, ndaj do duhet prezencë e shtuar në zonën e Kombinatit dhe disa fshatra të Kasharit, që janë edhe atje 43 shtëpi.

Kryeministri Edi Rama: Ka rreth 70 banesa të prekura në Elbasan. Kryetarët e bashkisë dhe deputetët e Elbasanit duhet të fokusohen në Elbasan, për të realizuar të gjitha kontaktet e nevojshme. Kryetarët e bashkive të rajonit të veriut, bashkë me gjithë deputetët e rajonit të veriut, bashkë me deputetët e Tiranës të qëndrojnë këtu dhe të bëjnë ndarjen e zonave sipas listës e hartës që ka kryetari i bashkisë. Ndërkohë bashkë me mua, kryetarët e bashkive të pjesës tjetër, bashkë me deputetët do të takohemi në Durrës. Në Fier ka një numër modest dhe unë kam marrë sigurinë nga kryetarët e bashkive që është plotësisht i menaxhueshëm dhe nuk kam nevojë për forca të shtuara.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.