Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shërbimi i Hemodializës, një proces jetik për pacientët që duhet ta kryejnë atë, ofrohet tashmë dhe në Shkodër, nga një shërbim me kushte mjerane dhe të degraduara në një shërbim me standarde europiane. Qendra e dytë e re e Hemodializës në Shkodër hapet pas asaj të Vlorës, për të vijuar edhe në qytete të tjera, duke lehtësuar për qytetarët barrën e shpenzimeve dhe kursyer kohën e udhëtimit dhe mundimin për në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Deri dje, pacientët e trajtuar në shërbimin e degraduar të Shkodrës përfitonin një proces me kohëzgjatje maksimale, tej normës deri në orët e para të mëngjesit. Tre turne për të kryer procesin e Hemodializës për shkak të mangësive, pajisjeve që kishin kaluar orët e punës, por edhe pamundësisë për pajisje me materiale të konsumit mjekësor.

Trajtimi i tyre kryhej me makina hemodialize thuajse tërësisht të amortizuara, duke shfaqur defekte të shpeshta, të cilat ndikonin në trajtimin e pacientëve në mënyrë të rregullt.

Panorama që ofrohet sot, është krejtësisht e ndryshme. Qendra e re e hemodializës, investim i partneritetit publik privat, me vlerë fillestare prej 900 mijë dollarësh ofron një shërbim bashkëkohor, me aparatura dhe teknologji moderne, me kapacitet të zgjeruar, e gatshme për të pritur pacientët, numri i të cilëve është në rritje, pasi tendenca e kësaj sëmundshmërie është e tillë në këtë qytet. Në qendër janë instaluar 17 + 3 poste trajtimi (dy poste në salla të veçanta për pacientët me Hepatit C dhe HIV), për të kryer trajtimin e pacientëve vetëm në 2 turne.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj vizitoi sot Qendrën dhe u takua me stafin mjekësor e pacientët që po merrnin shërbimin aty.

“Si nata me ditën”, e kanë cilësuar vetë qytetarët trajtimin e përfituar aty. Ndërsa, një lehtësim të jashtëzakonshëm pacientët vlerësojnë heqjen e turnit të natës, i cili në të shumtën e herëve ishte sfilitës për ta. “Tani janë kushte shumë më të mira. E kam bërë turni i 3, tani kam kaluar turni i parë. Ka patur raste që është prishur aparatura dhe kam ndenjur deri në 11-12 të natës,” thotë duke biseduar me Kryeministrin një burrë i moshuar që kryen hemodializën.

“Kemi qënë në kushte mjaft të vështira, shyqyr që ia arritëm kësaj dite. Shkonim në ora 4 e gjysmë hy në proces. Deri në 8 të mbrëmjes na shkonte sepse një makinë e prishur, vinte tekniku punonte veç me vu makinat në gatishmëri. Unë kam qënë turni i tretë. Dhe shkonim në shtëpi në 11-12.” – tregon një tjetër qytetar.

Mjekët që shërbejnë pohojnë se falë shtimit të kapaciteteve përballohet me sukses fluksi i pacientëve “Kanë qënë në kushte shumë më të vështira, kanë qënë dhe me 7 shtretër, kanë qënë të pamundur për të bërë 3 seanca në javë. Falë partneritetit të ri publik privat kemi dhe 3 poltronë dhe 3 makina, të cilat janë gjithmonë rezervë në raste emergjencash, i gjithë shërbimi është me dy turne, nuk ka më turne të treta. Nuk ka më pacientë që vijnë në 12 të drekës e ikin në 2 të natës.”

Ndërsa për një mjeke tjetër, përmirësimi i kushteve të punës për vetë ata, do të thotë cilësi në shërbimin ndaj të sëmurëve. “Kemi pasur aparatura shumë pak, 8 aparatura. Kurse sot është një ndryshim shumë i madh, kemi 20 aparatura, pacientë nga 3 turne janë kthyer në 2 turne. Kushte shumë të mira edhe për ne personelin edhe për ta. Me sistem aspirimi, me sistem kondicionimi. Ne s’i kemi pasur ato kushte, kemi ndenjur në një ambient mbushur me toksina.”

Drejtorja e Qendrës së Hemodializës informoi se shërbimi i ri, ndikon ndjeshëm në rritjen e cilësisë së jetës së të sëmurëve dhe të jetëgjatësisë së tyre. “Asnjëherë nuk e kishim menduar se mund të vijë një shërbim kaq modern në spitalin e Shkodrës, me kapacitete super të mira që mendoj që edhe në të ardhmen ne do të kemi mundësi që ne të kryejmë çdo nevojë për këtë shërbim. Infrastruktura nuk do fjalë pasi shihet vetë që është jashtëzakonisht e mirë. Por ajo që unë mendoj se është më e rëndësishme është se ne do të punojmë me standardet e kohës bashkëkohore, jo vetëm në aspektin fizik, por dhe në aspektin profesional. Këtyre të sëmurëve do t’ju shërbehet me standarde, 3 seanca në javë, nga 4 orë.”

Për ministrin e Shëndetësisë Beqaj, veç përfitimeve që sjell qendra për pacientët, ajo është gjithashtu një inkurajim për mjeket dhe infermierët, për të dhënë maksimumin në punën e tyre. “Ne vazhdojmë zbatimin e kontratës së partneritetit. Pas Vlorës, kjo është njësia e dytë. Praktikisht në një kohë shumë të shkurtër arritëm të rinovojmë teknologjinë, të dyfishojmë kapacitetet. Pajisje të reja, shërbim shumë më të mirë, shumë më cilësor.”

Kryeministri theksoi se shumë shpejt problemi i ecejakeve dhe sorollatjeve të qytetarëve nga një spital në tjetrin do të marrë zgjidhje në të gjithë Shqipërinë. Kjo falë hapjes së qendrave të reja në qytete të tjera.

“Problemi i gjithë këtyre njerëzve që janë torturuar për gjithë këto vite, janë zvarritur me tre turne, që janë detyruar të lëvizin drejt qyteteve të tjera për të marrë këtë shërbim tre herë në javë, – do zgjidhet në rang Shqipërie. Kjo është e dyta, do vazhdojmë me Korçën, me Lezhën, me Elbasanin. Është rezultati i partneritetit publik privat.  I asaj fjalës që u bë si shfaqje e huaj, koncension, por në fakt është një partneritet publik privat, sepse një investim të tillë në gjithë territorin e Shqipërisë, në një kohë kaq të shkurtër shteti nuk e bënte dot. Atëherë bashkëpunimi me privatin sjell që investimi të bëhet menjëherë dhe që personeli shtetëror të ketë në dispozicion të gjithë infrastrukturën dhe jo vetëm, por edhe materialet që duhen, edhe mirëmbajtjen e aparaturave edhe riparimin e aparaturave. Pra, personeli i spitalit ka vetëm një problem, si të trajtojë sa më mirë pacientët.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.