Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me përfaqësues të biznesit të vogël:

Mirëdita të gjithëve!

Jam sot këtu për të përcjellë për të gjithë familjet dhe individët që jetojnë me punën e ndershme në një biznes të vogël, një rezultat të drejtpërdrejtë të prekshëm të operacionit kundër informalitetit.

Përpara sesa të kaloj në një angazhim konkret të qeverisë, dua të përfitoj nga rasti për të bërë me dije se paraprakisht për dy vite radhazi, ne kemi miratuar bashkë me buxhetin paketa fiskale, të cilat kanë ardhur me masa lehtësuese dhe jo shtrënguese, si për qytetarët ashtu dhe për biznesin. Dua ta kujtoj në vitin 2013-të ku ne përgatitëm edhe buxhetin e parë, dhe paketën e parë fiskale pasi morëm detyrën në mesin e shtatorit të atij viti, ishim larg së qeni në kushtet të favorshme për të ecur më tej me masa lehtësuese. Faktikisht në paketën e parë, atë të 2014-ës, ne prezantuam dhe vumë në zbatim dhjetë masa lehtësuese me një efekt prej 9.75 miliardë lekësh ose e thënë ndryshe, 97.5 milionë dollarë.

97.5 milionë dollarë, të cilat i kaluam nga xhepat e shtetit në arkën e familjeve shqiptare.

Së pari, duke rivendosur një të drejtë të mohuar për vite të tëra nga famëkeqja taksë e sheshtë dhe duke kaluar tek taksimi i ndershëm që uli taksat mbi pagën e 97% të qytetarëve, që punojnë në shtet ose në privat.

Së dyti, zeruam taksën prej 80 mijë lekësh ose 800 dollarësh të biznesit të vogël. Një taksë që ju e mbanit mend mirë e paguanit mbi tatimin mbi fitimin që ishte 10%, të cilin ne e ulëm në 7.5%.

Zgjeruam listën e makinerive dhe të pajisjeve të përjashtuara nga TVSH-ja për të nxitur më tutje importin e makinerive, që shkojnë drejtpërdrejt për investime prodhuese dhe që janë një nga elementët e patjetërsueshëm të modelit tonë të ri ekonomik.

Hoqëm penalitetet për tatimpaguesit që ndryshonin deklaratën fillestare, duke i dhënë kështu të gjithë subjekteve një instrument nxitës për t’u rregulluar, vetërregulluar përmes deklarimeve.

Më parë, ju të gjithë e dini ishit të detyruar të paguanit një gjobë të barabartë me 5% të shumës së detyrimit të papaguar.

Falëm 26 milionë dollarë gjoba elektorale të vitit 2013-të dhe rimbursuam 82 milionë dollarë detyrime ndaj biznesit që ishin TVSH e parimbursuar, pra e mbajtur peng në mënyrë të dhunshëm nga qeveria e mëparshme.

Më pas në paketën e dytë atë të vitit 2015, ne prezantuam 12 masa të reja lehtësuese me efekt 14.8 milionë dollarë, kryesisht për të nxitur prodhimin vendas për të hequr taksën doganore për lëndët e para që përdoren në bujqësi dhe në agrobiznes, si dhe për të hequr TVSH-në për disa shërbime dhe produkte ashtu dhe për të ulur rentën minerare. Ulëm me 5 herë gjobat e administratës tatimore. Në ndërkohë, vazhduam intensisvisht punën me një projekt që transformon rrënjësisht funksionimin e administratës tatimore përmes një sistemi të ri IT-je në tatime. Një sistem të teknologjisë dixhitale që sjell një sërë ndryshimesh të drejtpërdrejta të ndjeshme tek biznesi.

Ndryshimin më të fundit do ta them më tutje, por përmend se falë këtij sistemi sot TVSH-ja rimbursohet automatikisht dhe ky rimbursim kryhet brenda 30 ditëve për fasonët dhe eksportuesit dhe brenda 60 ditëve për bizneset e tjera, duke i dhënë fund kalvarit të pafund të vonesave që e kanë karakterizuar në të shkuarën këtë proces të korruptuar, klientelist dhe dëmtues për biznesin.

Në rast se biznesi ka TVSH për të marrë dhe të papaguar nga tatimet, sot ai e përdor këtë shumë për të paguar detyrimet e tjera tatimore. Pra, sot, ligjërisht biznesi ka të drejtën të thotë nuk më rimburson TVSH-në atëherë nuk të paguaj më nga xhepi, por të paguaj mbi shumën që më ke borxh. Ky sistem i ri që ne kemi aplikuar për herë të parë në Shqipëri, falë futjes së teknologjisë së lartë na ka çuar tani në një fazë të re. Në fazën që ne jemi të gatshëm të eliminojmë kontrollet e vazhdueshme, rëndom shumë të bezdisshme dhe shpesh arbitrare të administratës tatimore në dyert e biznesit.

Ju jeni dëshmitarë për këtë, ju këtu jeni ftuar edhe si biznese të rregullta, që rregullisht keni paguar detyrime ndaj shtetit dhe jam i bindur që nëse do të merrnit fjalën dhe do të thoshit të vërtetën do të kishit shumë për të kritikuar në raport me inspektorët tatimorë dhe me mënyrën se si kontrollet e njëpasnjëshme, jo vetëm ju marrin kohë dhe ju shtojnë stresin, por jo rrallë kthehen në praktika që ju cenojnë financiarisht në mënyrë abuzive.

Nga ana tjetër, përfunduam edhe një rinegocim të një marrëveshje koncensionare të bërë për skanime në dogana dhe arritëm ta ulim koston e deklaratës doganore nga 39 në 22 euro, duke ulur koston e biznesit me rreth 44%, duke realizuar një kursim për ekonominë dhe biznesin me 180 milionë euro. Me buxhetin e ri kemi marrë përsipër që pjesën e detyrueshme për të paguar nga eksportuesit, nga material porositësi do ta paguajmë ne, për të mos rritur kostot e tyre, për të mos ulur konkurrueshmërinë e tyre në tregjet ndërkombëtare dhe për të mos frenuar një industri që në kushtet e sotme të Shqipërisë është kyç për punësimin.

Përgjatë gjithë periudhës që pararendi çeljen e operacionit frontal kundër informalitetit ne bëmë jo pak, por ajo që bëmë ishte e pamjaftueshme për të kaluar në një stad të ri, gjë që na shtyu në çeljen e këtij operacioni. Një operacion që unë kam kënaqësinë të them, sot na jep një mundësi të re për të lehtësuar biznesin e vogël.

Nga fillimi i shtatorit, deri në javën e parë të nëntorit u kryen 128.978 kontrolle në rang territori. U konstatua një numër i konsiderueshëm subjektesh me shkelje. Ndërkohë që nga fillimi i shtatorit deri në javën e parë të nëntorit pati një bum historik formalizimi me vullnet të lirë të subjekteve që rendën të regjistrohen. Pra, 8.638 subjekte të gjetura në shkelje janë një numër realtativisht shumë i vogël, krahasuar me numrin shumë të madh të subjekteve që do ishin gjetur në shkelje nëse nuk do të formalizoheshin vetë.

Sidoqoftë, sot kemi një pamje tërësisht tjetër.

Vetëm gjatë javës së fundit janë instaluar 2.142 pajisje fiskale dhe janë nënshkruar 1.596 kontrata të reja, çka ka bërë që në vetëm 60 ditë, përfshi edhe javën e parë të nëntorit 70 ditë, të instalohen 17.943 pajisje fiskale dhe të lidhen 25.184 kontrata të reja, shifra këto që nuk mund të krahasohen me asgjë në të shkuarën e afërt.

Numri i kuponave të lëshuar nga 1 shtatori deri në javën e parë të nëntorit është rritur nga 42 milionë, në të njëjtën periudhë të një viti më pare, në 71 milionë, pra një rritje me 70% në vetëm 70 ditë.

Ndërsa, xhiroja totale e regjistruar nga pajisjet standard është rritur me 39% krahasuar me një vit më parë.

Një tjetër rezultat fantastik i këtij operacioni është numri i punonjësve të rinj të regjistruar që e ka çuar numrin e përgjithshëm të rritur që nga shtatori i 2013-s në 156 mijë persona.

156 mijë persona, një pjesë e tyre janë punonjës për herë të parë, por një pjesë e konsiderueshme e tyre janë punonjës që sot kanë dalë nga skllavëria e punës në të zezë.

Numri i bizneseve të regjistruara për periudhën korrik-nëntor të këtij viti, përfshijmë edhe korrikun, pasi ishte paralajmëruar operacioni kundër informaliteti, është pesë herë më i madh se i gjithë viti 2014.

Numri i bizneseve të regjistruara nga fillimi i vitit, është 36.866 ose 120% më shumë se totali i vitit 2014. Çregjistrimet për të cilat flitet shumë dhe me të cilat abuzohet shumë, janë 3.371 ose 8,11% më pak se në 2014-n.

Ndërkohë që vërehet një rritje e pezullimeve, 6.419, rreth 25% më shumë se në 2014-n, që konsiderohet duke e parë të analizuar natyrën e pezullimeve në masën më të madhe pezullime për t’u formalizuar, pra për të mos u gjetur në shkelje.

Çfarë na ka sjellë nga pikëpamja e xhiros ky operacion në një kohë kaq të shkurtër? Na ka sjellë që kemi nga kontrolli tatimor ndryshimin e përgjegjësisë tatimore për 3.614 subjekte, afro gjysma e tyre tanimë kanë kaluar në biznes të vogël me TVSH, nga biznesi i vogël pa TVSH, pra kanë kaluar pragun e 5 milionëshit apo 50 mijë dollarëve xhiro vjetore që përcakton edhe limitin midis biznesit me ose pa TVSH.

33% kanë kaluar nga biznesi i vogël me xhiro nën 2 milionë, në biznes i vogël me xhiro nga 2-5 milionë.

24% ose 877 subjekte që deri dje figuronin biznes i vogël pasi fshihnin xhiron kanë kaluar në biznes i madh, siç kanë rezultuar realisht edhe nga kontrollet. Ndërkohë, që rreth 3 mijë subjekte, të cilat prej vitesh nuk paguanin tatimin mbi qiratë kanë marrë tashmë përsipër përgjegjësinë tatimore dhe po derdhin rregullisht detyrimet.

Gjithashtu, u mundësua pajisja në një kohë rekord me NIPT të mbi 10 mijë fermerëve që duke marrë NIPT-in hynë tek subjektet të cilat mund të marrin mbrapsht rimbursimin e TVSH-së. Dua ta përsëris, për të gjithë ata që e dëgjojnë, kush punon në fshat, kush prodhon nga puna në tokën e tij, duke marrë NIPT-in nuk rrezikon që të paguajë ndonjë taksë, por vetëm përfiton mundësi që të rimbursojë TVSH-në mbi prodhimin e vet, prodhim i cilit kur është i paregjistruar ia jep grumbulluesit dhe është grumbulluesi që përfiton rimbursimin e TVSH-së, ndërkohë që fermeri nuk përfiton asgjë përveç çmimit që i vendos atij grumbulluesi nga prodhimi i tij.

Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme të theksoj se nuk kemi shpallur një operacion kundër informalitetit që ka vetëm një anë, anën e kontrollit mbi biznesin, por kemi shpallur një operacion kundër informalitetit që ka dy anë, ana tjetër është kontrolli i administratës tatimore. Ka 1.060 vendime të Komisionit Disiplinor të administratës tatimore për shkelje të gjetura nga ana e punonjësve, një pjesë e tyre falë kurajos qytetare dhe kryerjes së detyrimit qytetar të bizneseve që kanë denoncuar sjellje apo veprime në shkelje të ligjit dhe procedurave të inspektorëve tatimorë. Përveç shkeljeve administrative janë mbi 40 raste shkeljesh të konsideruara vepra penale dhe janë 40 inspektorë të cilët janë arrestuar dhe janë çuar për ndjekje penale.

Pra, s’ka asgjë të vërtetë në gjithë sa thuhet se ky është një operacion që synon thjesht dhe vetëm të godasë më të vegjlit dhe më të dobëtit.

Biznesi i vogël, sigurisht që duke përbërë 85% të bizneseve në total e krijon këtë perceptim, por ndërkohë kontrolli tek biznesi i madh dhe ju e dini shumë mirë nuk është e njëjta gjë si një kontroll në një dyqan për të parë ke kasë apo s’ke kasë, për të parë a pret kupton apo nuk pret kupon, me një kontroll në një magazinë apo një biznes të madh.

Sidoqoftë, procedurat që zgjasin më shumë dhe që ndonjëherë kërkojnë edhe muaj, pasi bëhet fjalë për qarkullim shumë më të lartë, pasi bëhet fjalë për magazina të tëra me mallra për biznes dhe me transaksione shumë më komplekse, – na kanë sjellë në rezultatin e parë që 16 biznese të mëdha me qarkullim 150 milionë dollarë në vit, t’u evidentojmë detyrime të pashlyera ndaj shtetit në masën 34 milionë dollarë, pra një evazion thuajse në një të katërtën të veprimtarisë së tyre.

Kontrolli vazhdon. Janë 24 subjekte të tjera të cilat po kontrollohen dhe që janë në të shumtën e herës objekt në këndvështrimin e administratës i shkeljeve penale dhe procedimet penale kanë nisur dhe do të vazhdojnë intensivisht, por të gjitha këto kanë sjellë edhe një rezultat të parë dhe ky është një tregues kuptimplotë i faktit që reformat kanë kosto, reformat kanë dhimbje, por reformat japin rezultate dhe kush është rezultati i parë?

Rezultati i parë është një rezultat që do të gëzojë sot që flasim të gjithë ata që merren me biznes të vogël. Sepse ne jemi gati që këtë rezultat të parë, pra, këtë ndryshim të dukshëm që do të vazhdojë, por që në këtë fazë është i mjaftueshëm për të kuptuar se kemi kthyer fort rrugën në drejtimin e duhur, ta kthejmë në një përfitim për ju në radhë të parë. Atëherë, kemi sot një fashë xhiroje nga 0-2 milionë, pra 0-20 mijë dollarë po e themi apo 20 milionë lekë të vjetra në vit, të cilën do ta ndryshojmë dhe do të kalojmë në një fashë nga 0-50 milionë, pra deri 50 mijë dollarë në vit dhe të gjitha bizneset nga 0 deri në 50 milionë lekë xhiro në vit, do të çregjistrohen nga tatimi thjeshtuar mbi fitimin, pra nuk do të paguajnë më asnjë taksë.

Deri sot, ata që ishin deri 20 milionë paguanin 250 mijë lekë tarifë vjetore, ata që ishin nga 20-50 paguanin 7,5% taksë mbi fitimin, nuk do të paguajnë më asgjë, zero taksë.

Të gjitha bizneset midis 5 dhe 8, sepse ju e dini që 8 milionë të reja apo 80 milionë lekë të vjetra është kufiri për t’u konsideruar biznes i vogël, por nëse sot fasha nga 5 në 8 ishte subjekt i TVSH-së, mbetet subjekt i TVSH-së, por për këto biznese do të ulim tatimin mbi fitimin nga 7,5% në 5%. Që do të thotë vijmë tek realizimi i plotë i zotimit tonë të para dy viteve dhe t’ju them të drejtën nuk e kemi menduar që do të vinim brenda 2 vitesh në realizimin e plotë të zotimit, për ta përgjysmuar taksën nga 10% në 5% për biznesin e vogël dhe për të hequr komplet taksën për biznesin e vogël që e hoqëm, atë 800 mijë lekëshin famëkeq që ju paguanit.

Përveç këtyre ndryshimeve, të gjitha bizneset me xhiro nga zero në 80 milionë lekë të vjetra do të vazhdojnë të deklarojnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sipas legjislacionit në fuqi.

Bizneset nga 0-50 milionë nuk do të gjobiten më për mosdeklarim për punonjësit e papaguar të familjes. Është një çështje që e kemi ndeshur në mënyrë të vazhdueshme, që janë dy prindër që kanë një dyqan, mamaja shkon të bëjë darkën, babai ka ndenjur gjithë ditën aty, djali kthehet nga shkolla rri në banak, vjen inspektori dhe e gjobit biznesin sepse e konsideron punonjës të padeklaruar. Këtë do ta heqim, nuk do të jetë më kjo gjë.

Të gjitha bizneset me xhiro nga zero në 50 milionë lekë të vjetra do të duhet të dorëzojnë një herë në vit një deklaratë në vit të të ardhurave dhe shpenzimeve të tyre vjetore, s’kanë më historirat që kishin deri më sot.

Kjo deklaratë do të duhet të dorëzohet brenda 25 shkurtit të vitit pasardhës, por të gjitha bizneset e vogla me xhiro nga 0-80 milionë do të duhet që të paraqesin fatura të rregullta tatimore për blerjen e çdo malli. S’kanë më arsye përse mos t’i paraqesin. Nga sot, me hyrjen në fuqi në javët e ardhshme gjithë ky plan, ne i konsiderojmë bizneset e vogla aleatë në betejën kundër informalitetit, për të bllokuar shkarkimin e paligjshëm të TVSH-së nga të mëdhenjtë.

Janë 83 mijë e 300 biznese të vogla, familje apo individë të vetpunësuar që përfitojnë drejtpërdrejtë nga zerimi i çdo detyrimi tjetër përveç detyrimit për të paguar sigurime shoqërore dhe shëndetësore dhe detyrimit për të mbajtur kasë dhe për të dhënë kupon.

Kush pastaj nuk do të paguajë asnjë taksë dhe s’do të mbajë as këto, s’po e them atë fjalën se më thonë mos e përmend shumë atë fjalën se nuk e kanë njerëzit me qejf, ka rrugë tjetër, të shkojë pastaj të paguajë avokat. 15.900 biznese të tjera, ata që janë midis 5 dhe 8 milionëshit do të përfitojnë uljen e taksës nga 7.5 në 5 %. Konkretisht për t’u sqaruar me të gjithë ata që na dëgjojnë dhe që do të na dëgjojnë.

Marrim rastin e një dyqani, market ushqimor apo të tjera. Ka një të vetëpunësuar të vetëm. Për vitin 2015 ka paguar 250 mijë lekë, faturën e përvitshme të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, faturën fikse. Nuk do ta paguajë më. Do të paguajë vetëm sigurime shëndetësore dhe sigurime shoqërore, siç i ka paguar edhe deri sot.

Fasha e xhiros 2-3 milionë,  një shërbim fast-food, burrë e grua të vetëpunësuar. Për vitin 2015 ka paguar 410.998 lekë tatim të thjeshtësuar mbi fitimin. Në total ka paguar së bashku me sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, 1 milion e 206 mijë lekë. Me këtë ndryshim do të kursejë 35 mijë lekë të vjetra çdo muaj. Nuk do të paguajë më tatimin e thjeshtuar mbi fitimin.

Fasha e xhiros 3-4 milionë lekë, prodhime brumërash dhe ëmbëlsirash, po marr sërish të njëjtin rast tipik të një familje të vetëpunësuar, cila do të kursejë 86.650 lekë në muaj, sepse i paguante si taksë, nuk do t’i paguajë më.

Fasha e xhiros 4-5 milionë lekë, një bar kafe, vetëpunësim dhe punësim të të tjerëve. Ka paguar 112.087 lekë të reja, si tatim të thjeshtuar mbi fitimin. Do të kursejë çdo muaj 93.400 lekë të vjetra. Pra, deri në 50 milion lekë të vjetra xhiro, nuk ka më taksa, zero, me kushtin e të qenit qytetarë të mirë që zbatojnë ligjin, sigurime shoqërore, sigurime shëndetësore, kupon, faturë tatimore nga distributori.

Vijmë tek fasha e xhiros 50-60 milionë lekë, tregti me pakicë tekstilesh. Në këtë rast ka paguar një tatim të thjeshtuar mbi fitimin me 7.5%, 1 milion e 355 mijë lekë dhe do të paguajë 900 mijë lekë. Do të kursejë 450 mijë lekë.

Vijmë tek fasha e xhiros 60-70 milionë lekë. Ka paguar për 2015, 1 milion e 722 mijë lekë, do të kursejë 574 mijë lekë.

Fasha e xhiros 70 – 80 milion lekë, ka paguar 2 milion e 149 mijë lekë, do të kursejë 720 mijë lekë, pra do të paguajë 720 mijë lekë më pak.

Të gjitha këto janë për të thënë një gjë;

Ja pse janë reformat, ja pse janë masat që i shoqërojnë reformat, ja pse duhen duruar edhe dhimbjet, duhen përballuar edhe kostot e reformave, jo për të mbetur siç jemi, as për të qenë më keq, por për të qenë më mirë.

Njësoj për të njëjtat arsye që shkohet tek mjeku, për të njëjtat arsye për të pirë ilaçe të hidhura, për të njëjtat arsye pse duhet për të bërë një operacion të dhimbshëm, për ta bërë organizmin që të përballojë me sukses një sëmundje, të përballojë me sukses edhe një kancer, por duke përballuar dhimbjen. E duhet ta përfytyrojnë të gjithë, vetëm në 70 ditë arritëm të kemi një rezultat që t’i themi biznesit të vogël, falë këtij operacioni, falë këtyre dhimbjeve, falë edhe kostos, stresit, shqetësimit që keni pasur, merrni mbrapsht një përfitim kaq të madh, një përfitim që është i merituar dhe që unë e shoh si një angazhim të qeverisë për t’ju lehtësuar, por dhe si një angazhim tuajin për të qenë bashkë që t’i vëmë fre informalitetit të madh, që t’i vëmë fre atyre të cilët fshihen prej vitesh pas biznesit të vogël, duke shfrytëzuar vështirësitë dhe ngarkesat fiskale të biznesit të vogël, duke i përfshirë në krimin e evazionit fiskal. Sot besoj që i gjithë biznesi i vogël ka interes maksimal që të mos kapet më në shkelje.

Ne do t’i tërheqim inspektorët e tatimeve, duke filluar nga janari, në një proces që ne parashikojmë të zgjasë 6 muaj.

Ju nuk do të keni më problemin e madh që është dhimbje koke, përveç dhimbjes së trupit në rastin e një të sëmuri, që të keni në derë inspektorë që vijnë një herë, dy e tre herë. 9 herë i kishin shkuar dikujt, në Lezhë. 9 herë! Kjo mbasi e kishin gjetur të rregullt herën e  parë. Ai tha jam gati të paguaj edhe kaq e aq taksa, vetëm të mos i shoh më.

Nuk do të vijnë më kështu. Kontrollet nuk do të bëhen më kështu. Nuk do të ketë më inspektorë tatimesh që janë aty dhe që çdo mëngjes në Durrës, në Vlorë, në Shkodër, në Lezë, në Korçë dalin nga zyrat për të gjuajtur. E gjuajnë tek ata që janë në rregull, se me ata që nuk janë në rregull i kishin lidhur fijet prej vitesh. Arsyeja pse jo pak prej tyre kanë dhënë dorëheqjen ka qenë se nuk kishin kurajën të shkonin tek ata që i kishin marrë lekë për të mos e regjistruar, për të mos e parë dhe t’i thoshin se ka ardhur koha tani që ti të paguash.

Kontrollet do të bëhen qendrore. Do të ketë kontrolle, por nuk do të jenë si sot, të tilla që kushëriri tek tatimet kontrollon biznesin që është në krah të kushëririt të vet dhe nuk e lë të marrë frymë, që të shesë vetëm kushëriri. Do të ketë kontrolle mbi bazën e sistemit të teknologjisë së lartë që ne kemi ndërtuar, duke mbledhur të dhënat nga kasat fiskale dhe mbi bazën e të dhënave, sistemi vetë jep alarme për biznese ku xhiroja fillon lëvizë në mënyrë të panatyrshme. Sigurisht që, mund të ketë një biznes që pezullohet dhe nuk punon kasa se nuk ka çfarë shet, por kontrolli do të shkojë ta verifikojë. Sikurse mund të ketë ndonjë biznes që kujton se mund t’i ikë kontrollit, ngaqë ikën inspektorët dhe mos të japë kuponin. Por nuk ka për ta bërë dot.

Ne do të mundohemi ta sqarojmë vijimisht, që kontrolli i qendërzuar nuk është ulje e vigjilencës së administratës tatimore, por çuarja e vigjilencës në një nivel të ri, për t’u marrë me ata që shkelin ligjin dhe jo për të shkuar për t’u marrë me të gjithë dhe kush e di, po kapin edhe atë që shkel. Ai që bën biznes të vogël me ligj dhe me zakon nuk ka për të parë inspektor në derë, as nga qendra dhe as nga zona, nëse shtyp kasën për çdo transaksion dhe nëse nuk manipulon me xhiron. Kjo bën që masat ndëshkuese të jenë masa ndëshkuese të domosdoshme për ata të cilëve nuk iu mjafton as kjo. Më shumë nuk e di se çfarë mund të bëhet!

Taksa zero dhe të vazhdosh të bësh numra, domethënë se të është mërzitur liria. Nuk e kuptoj dot se për çfarë arsye më, biznesi, këta 83 mijë në radhë të parë, por dhe ata 16 mijë e kusur të tjerë që do të vazhdojnë të jenë në sistemin e TVSH-së dhe që do vazhdojnë të paguajnë tatim fitimin, por tanimë 2.5% më pak, të mos kthehen në aleatë, jo të qeverisë, por në aleatë të këtij operacioni që është për fëmijët tanë.

Sa më shumë, ne të rrisim të ardhurat reale, aq më shumë mund të bëjmë për fëmijët tanë. Sa më shumë, ne të bëjmë për ta kapërcyer hendekun e informalitetit që na ndan nga një qytetërim normal, sa më shumë ne të gjithë sëbashku të insistojmë qoftë për ta marrë, qoftë për ta dhënë kuponin, -tani nuk keni më arsye që të mos e jepni kuponin, përkundrazi, të thoni vetë “merreni kuponin”, – aq më shumë ne kontribuojmë jo vetëm për të marrë atë që na takon nga puna e përditshme, por edhe për të ardhmen. Të ardhmen e afërme, jo të ardhmen pas 100 viteve, të fëmijëve tanë. Kjo do të sjellë një përmirësim të vazhdueshëm dhe të përbashkët.

Duke kuptuar edhe ndonjërin nga ju që më sheh me mosbesim në është e vërtetë apo jo kjo, unë ju siguroj se është e vërtetë. Ne do ta bëjmë, sepse në radhë të parë, të gjithë ata që jetojnë me biznes të vogël në mënyrë të ndershme e meritojnë këtë gjë. E gjëja më e vogël që ne mund të bëjmë, është që rezultatin e parë të këtij operacioni t’ua dedikojmë juve. Do të ishte më e lehtë që këto para t’i mbanim në arkën e shtetit, për më tepër që nuk është një arkë shteti që është plot, në kuptimin që jemi larg së qeni një shtet që të kemi mundësi të mëdha, se ashtu siç e morëm dy vjet përpara, ishim në prag të kolapsit. Por unë besoj që këto para duhet në radhë të parë të shkojnë tek ju, tek të gjithë ata që jetojnë me punë, tek të gjithë ata që vetëpunësohen.

Kjo uroj që të jetë një nxitje për shumë për të tjerë, që të arrijnë rrugën e biznesit të vogël, që të mos rrinë të kërkojnë vetëm punë në shtet, që të shkojnë edhe më të shumtë në arsimin profesional, për të marrë një zanat dhe për të hapur një biznes të vogël. E kishim thënë përpara që nuk ka më asnjë taksë për berberë, për elektricistë, për rrobaqepës, për zanatçinj të tjerë që jetojnë me zanatin e tyre, në radhë të parë për të ushqyer veten e familjen me punë të ndershme. Pra, do ta bëjnë këtë pa paguar asnjë taksë.

Ndërkohë që sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nuk janë taksë, por janë në radhë të parë, kujdes për veten dhe në një shtet demokratik, kjo detyrë është e patjetërsueshme. Nëse dikush nuk kujdeset për veten, shteti e ndihmon të kujdeset për veten, sepse kostot e përbashkëta janë shumë të mëdha, nëse sëmuresh, apo nëse ke harruar se do të vijë dita e pensionit dhe nuk ke pension. Pra, këto nuk janë taksë. Mbi të gjitha janë të rëndësishme për të mos lejuar më që në këtë vend në mes të Europës të ketë nga të katër anët “skllevër”, baballarë e nëna që punojnë në të zezë dhe që punëdhënësi u thotë “merre këtë copë bukë, haje bashkë me lotë, se pension nuk ke për të pasur ndonjëherë dhe po u sëmure, Zoti të ndihmoftë, se  ti vetë nuk e ndihmon dot veten”.

Shumë faleminderit për ardhjen tuaj këtu! Shumë respekt për punën që bëni të gjithë ju që jeni këtu. I kërkova drejtorisë së tatimeve që të më ndihmojë që të mos ftonin këtu biznese që shkelin ligjin dhe ju jeni vërtet për t’u admiruar se pavarësisht vështirësive, nuk e  keni shkelur ligjin dhe nuk i jeni shmangur detyrimeve. Si ju janë pjesa dërrmuese e atyre 83 mijë apo e atyre 99 mijë e disa qindra që janë regjistruar si biznese të vogla. Prandaj, respekti në këtë rast nuk është vetëm me fjalë, por është edhe pa taksa.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.