I sapodiplomuar jashtë, Enri Hasanaj kishte një ëndërr, të kthehej në Shqipëri dhe të ngrinte një aktivitet të tijin. Nuk ishte i sigurt nëse do t’ia dilte, por ia arrin të themeloi “The Independent Media Group”, një platformë online dhe print me revistën Jeta, që i jep zë kujtdo të riu që dëshiron të vërë në jetë idetë e tij. Me Enrin dhe ekipin e tij, Kryeministri Rama zhvilloi sot një bisedë në ambientet e kompanisë së tyre.
Enri thotë se ndryshe nga sa dukej në nisje, nuk e pati të vështirë dhe tregon pse. “Heqja e taksës për biznesin e vogël i ka dhënë stimul shumë të madh biznesit të vogël. Është një ndihmë sidomos në fillim. Edhe procedurat janë shumë të thjeshta. Informacionet, kur do të hapësh diçka, i ke shumë të prekshme, është aq e thjeshtë sa në letër. Më parë ka qenë një element pasigurie. Kur ti nisje diçka, të dukej si diçka shumë e madhe. Tani realisht të gjithë këtu nuk e kanë ndjerë këtë pjesë.”
E nisi i vetëm, por sot Enri ka 5 të rinj të tjerë, të punësuar. Enri thotë se janë shumë të rinj që me sukses kanë vënë në zbatim idenë e tyre. Ai vetë ka bashkëpunime me shumë të rinj që suksesshëm kanë start-up e tyre. Për Kryeministrin Rama, këta të rinj të talentuar janë shembuj sesi idetë e këmbëngulja shpërblehen me sukses. “Janë të rinj të talentuar, që në vend të rrinë të ankohen në FB dhe kafe, vetëpunësohen dhe punësojnë dhe të tjerë. Arrijnë jo vetëm të zënë veten me punë, po aty ku ka ide e këmbëngulje, ka edhe sukses financiar. Këto janë shembuj pozitivë dhe janë të shumtë,” – shprehet Kryeministri.
Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi informon se në Shqipëri janë 479 kompani aktive online.
Ambiciet e Enrit si arkitekt i ri shtrihen edhe në design dhe interior, për të cilën thotë se kanë shumë projekt-ide. Edhe në këtë fushë, thekson Kryeministri, gjithnjë e më shumë rriten sfidat, por edhe pretendimet. E bukura dhe estetika i rrisin vlerën jo vetëm hapësirës urbane, por edhe pasurisë vetjake.
“Rilindja Urbane, – shprehet Kryeministri, – rrit menjëherë vlerën e pasurisë. Akoma nuk ka mbaruar Lungomare në Vlorë dhe çmimet e dyqaneve dhe apartamenteve aty janë rritur që tani. Edhe në Përmet që ishte katastrofë. Kanë efektin e akupunturës që prek disa pika kyçe dhe shëron të gjitha. Ne kemi nxitur me kompanitë e vogla, 5 vjet, një mbështetje modeste financiare sipas ideve dhe ajo që bën më shumë përshtypje, kanë ecur dhe nuk ka asnjë që të jetë mbyllur deri tani. Krijon goxha energji për t’u rritur e fuqizuar.”
Statistikat tregojnë një dukuri interesante, thekson Kryeministri. Janë kryesisht të kthyerit nga emigracioni të punësuarit më së shumti nga zyrat e punës. Refuzimi i punës në sektorin privat, veçanërisht nga të rinjtë, përbën një fenomen që duhet adresuar dhe përgjigja më e mirë është shembulli i këtyre të rinjve.
“Në statistikat e zyrës së punës, ne kemi aktualisht 38 mijë vende pune nga të gjitha llojet. Pjesa më e madhe e atyre që marrin vendin e punës në zyrat e punës janë shqiptarë të kthyer nga emigracioni, sepse vijnë nga një kulturë pune dhe nga një psikologji komplet tjetër. Kur shkon në emigracion nuk ka aty as kushëri, as mik, as ryshfet, as miq. Atje je ti, mendja, krahët dhe rruga e përpjetë. Faktikisht shqiptarët si individë, duke pasur parasysh nga dolën e ku ishin, kanë bërë sukses. Kurse kur vjen puna tek kërkimi i punës me insistim në sektorin privat, këtu gjithmonë ka një lloj refuzimi, sepse duan punë në shtet, se puna në shtet është më e lehtë. Kjo më bën jashtëzakonisht shumë përshtypje që ata që kthehen nga emigracioni janë shumë më të prirur dhe pa naze te puna.”
Duke i përgëzuar për iniciativën, guximin dhe besimin tek idetë e tyre, Kryeministri i fton të jenë këmbëngulës deri në fund, pavarësisht pengesave që mund të hasin rrugës: “Kam bindjen se një ëndërr që njeriu e shoh me sy hapur mund ta realizojë, por duhet ta ndajë mendjen se për ta realizuar mund të kalojë vështirësi e pengesa. Po e pe me sy hapur, aty ku të shkon mendja, aty mund të arrish. Duhet forcë e madhe e brendshme, vullnet i madh dhe luftë e madhe, por nuk diskutohet se ia del.”