Hetimi i plotë e nxjerrja e përgjegjësive çliron publikun dhe politikën

Prononcim i Kryeministrit Edi Rama pas dhënies së dëshmisë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda:

Koha kur Kryeministri i Shqipërisë e trajtonte Prokurorinë si ushqim për qentë ka mbaruar në 23 qershor të 2013-s.

Uroj që ftesa për të ardhur sot, këtu, të jetë shprehje e vullnetit të Prokurorisë për ta zbardhur plotësisht të vërtetën e kësaj historie të shëmtuar.

Publiku është marrë peng në këtë histori me personazhe politike dhe me gangsterë, të cilët aktrojnë në bazë të një skenari, që pas serisë së djeshme në parlament ka vendosur në rolin e protagonistit kryesor të filmit edhe ish kryeministrin. Megjithatë, çfarëdo të themi ne mbeten fjalë dhe shqiptarët janë mbingopur me fjalë.

Vetëm hetimi i plotë dhe nxjerrja e përgjegjësive ligjore të kujtdo qoftë mund ta çlirojnë edhe publikun, por edhe politikën. Unë besoj se e gjithë kjo shëmti e turpshme mund të kthehet në një mirësi për publikun dhe për politikën, nëse organi i akuzës bën me vullnet të plotë detyrën dhe nxjerr fajtorët që duhet të përgjigjen ligjërisht, kushdo qofshin. Kjo histori e shëmtuar nuk mund të mbarojë si një film dhe jeta politike e shqiptarëve nuk mund të vazhdojë më tutje, nga filmi në film.

Faleminderit!