Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Me mbi 750 hotele në më shumë se 55 shtete vjen në Shqipëri, një ndër emrat prestigjiozë, Hyatt, një nga brand-et më të suksesshme ndërkombëtare në menaxhimin e hoteleve luksoze. Marrëveshja e nënshkruar sot, në prani edhe të Kryeministrit Edi Edi Rama, shënon fillimin e një faze të re investimi që do zgjasë dy vite dhe do ta kthejë strukturën ekzistuese në hotel me 5 yje.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e firmosjes së kontratës mes MAK Albania dhe Hyatt Regency Residences:

Nëse i referohesh TripAdvisor, portalit më të famshëm të turizmit në botë, mund të gjesh mbi 100 mijë komente dhe opinione për Shqipërinë si destinacion turistik. Dy gjëra bien në sy, pothuajse në të gjitha këto 100 mijë komente. Së pari, mbresat e jashtëzakonshme për pasuritë natyrore dhe kulturore, kombinuar me bujarinë e shqiptarëve dhe së dyti, pakënaqësia për cilësinë e shërbimit në njësitë akomoduese. Pikërisht, kjo e dyta është një ndër sfidat më kryesore që vendi ynë ka patur dhe vazhdon të ketë në funksion të fuqizimit të një industrie që pa as më të voglin dyshim ka një potencial në masën më të madhe të paeksploruar dhe do të jetë baza e ekonomisë së nesërme të shqiptarëve.

Ky event sot është një stacion në këtë rrugëtim aspak të lehtë për ta fituar këtë sfidë. Shumëkush e ngatërron përqendrimin tonë dhe politikën mbështetëse për hotelet dhe resortet me 5 yje me mbështetjen për të pasurit. Në fakt, krejt e kundërta është e vërtetë. Hotelet dhe resortet me 5 yje janë elita e një industrie, jo thjesht sepse ofrojnë kushte shumë herë më të mira sesa nivelet e tjera, por sepse sjellin edhe shumë më tepër të ardhura në funksionimin e kësaj industrie, sjellin punësim më cilësor, sjellin ekonomi të lidhur të territoreve me konsumin e tyre dhe sjellin një kategori turistësh që janë të prirur të shpenzojnë shumë më tepër brenda ditës sesa kategoritë e tjera. Pra, mbështetja e hoteleve me 5 yje me politikën tonë të re të incentivave domethënës dhe shumë konkurrues në të gjithë rajonin është pjesë e strategjisë së rritjes së kësaj industrie, në funksion të rritjes ekonomike dhe të punësimit në vendin tonë.

Më vjen shumë mirë që brenda pak më shumë se një viti të mandatit tonë të dytë, ne ia kemi dalë të hapim një rrugë që deri dje dukej e pamundur. Kemi qenë i vetmi vend në Europë dhe në rajon pa asnjë hotel me 5 yje. Jemi sot e gjithë ditën, në fakt, sepse do ta themi që i kemi kur të përfundojnë këto investime. Të gjithëve iu kujtohet mbresa negative që la tek të gjithë, edhe momenti i mbylljes së Sheratonit, i cili edhe pse vetëquhej me 5 yje, nuk i kishte 5 yjet në realitetin e kësaj ngrehine dhe këtë e dimë shumë mirë që të gjithë. Ja ku jemi sot, kemi nënshkruar me Mariott-in, nënshkruajmë sot me “Hyatt”-in dhe në vijim janë një sërë emrash të njohur globalisht në turizmin botëror që presin të përfundojnë marrëveshjet me sipërmarrësit dhe aktorët në tregun shqiptar.

Kjo përbën edhe një vlerë të shtuar në imazhin e vendit. Imazhi në fuqizimin e kësaj industrie dhe në rritjen e fluksit të turistëve është themelor. Këtë e dimë dhe në këtë drejtim, edhe kjo firmë sot do të ketë një impakt absolutisht të rëndësishëm dhe të konsiderueshëm, pa llogaritur vlerën e shtuar që do të sjellë investimi që do të bëhet, pasi nuk bëhet fjalë thjesht për një transferim emri, por bëhet fjalë për një investim të konsiderueshëm, transformues, nga pikëpamja e të gjithë strukturës dhe infrastrukturës këtu në këtë territor, që do t’i japë Tiranës, një tjetër pol atraksioni, të kombinuar me stadiumin e ri, të kombinuar me të gjithë zonën rreth e rrotull.

Më lejoni t’ju them 2-3 shifra, përpara se ta përfundoj fjalën time. Ne kemi një rritje të vazhdueshme të numrit të turistëve, këtë e provojnë të gjitha shifrat, kemi një rritje të të ardhurave nga turizmi dhe kjo provohet nga shifrat, por ajo që është më e rëndësishmja, është që kemi një rritje, e cila çdo vit ka tendencën të jetë shumë më e lartë sesa viti i mëparshëm.

Vetëm në vitin 2017 janë 53 hotele që kanë nisur të ndërtohen, që janë më shumë sesa në 4 vite të mëparshme të marra sëbashku. Ndërtimi i hoteleve është një prirje gjithmonë e më fortë që fuqizohet edhe nga ardhja e firmave të mëdha, të cilat, si të thuash, konfirmojnë dhe vulosin një tendencë. Vulosin, po ashtu, edhe një fakt që në 10 vitet e ardhshme, turizmi do të jetë burimi kryesor i rritjes në Shqipëri.

Duke i uruar sukses në këtë bashkëpunim kompanisë së njohur shqiptare me kompaninë e njohur globale, Hyatt Regency & Residences, nuk më mbetet tjetër veçse të falënderoj të gjithë ata që e bënë të mundur këtë marrëveshje dhe të uroj që shumë shpejt do të jemi të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes së radhës, me një tjetër brand të njohur global të hotelerisë me 5 yje, në funksion të fuqizimit të industrisë dhe të rritjes së mëtejshme të besueshmërisë së vendit tonë, që, siç e nisa, duke sjellë këtu shembullin e komenteve në TripAdvisor, i ka të gjitha ato që i duhen, për t’u kthyer në një aktor të rëndësishëm në këtë pellg në aspektin e turizmit, por duhet të rrisë me shpejtësi cilësinë e shërbimit. Këto kompani, përveç të tjerave sjellin edhe një kulturë dhe një eksperiencë të re, absolutisht të panjohur më parë, shërbimi në industrinë e turizmit.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe suksese!  

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.