Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot homazhe në nderim të Dëshmorit të Atdheut, nënkomisarit të Policisë së Shtetit, Saimir Hoxha, i cili ra në detyrë të martën.

“Është një çast i rëndë për të gjitha forcat tona të Policisë së Shtetit, për shoqërinë dhe shtetin, por, mbi të gjitha, për familjen. Duke i shprehur ngushëllimet vëllazërore familjes, duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera të gjithë kolegëve që e kanë njohur nga afër këtë Dëshmor të ri të Atdheut, por edhe të gjithë punonjësve të policisë, e shoh të udhës të bëj me dije që qeveria sot ka vendosur mbështetje financiare të konsiderueshme për familjen, njëkohësisht, me të hyrë në fuqi ligji, i përcjellë në Parlament pas mbledhjes që parë të qeverisë, për fëmijët nën kujdesin e republikës, fëmijët e të ndjerit do të marrin 170% të pagës së tij deri kur të arrijnë moshën e pjekurisë.

Nuk ka fonde dhe mbështetje materiale që kompenson boshllëkun për familjen, por, njëkohësisht, detyra e shtetit dhe përgjegjësia e republikës është që fëmijët e dëshmorëve që japin jetën në krye të detyrën të mos mbeten vetëm, por të ndjehen deri në fund të mbështetur, të përkrahur dhe të inkurajuar për të hyrë në rrugën e jetës së tyre, duke qenë krenarë jo vetëm për prindin, por edhe për shtetin, të cilit babai i shërbeu deri në momentin e fundit,” – u shpreh Kryeministri Rama.

Qeveria shpalli sot “Dëshmor i Atdheut” nënkomisar Saimir Hoxha, si dhe miratoi vendimin për mbështetjen financiare të fëmijëve dhe familjes Hoxha.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.