Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
Kryeministri Edi Rama: Mirëmëngjesi! Faleminderit për praninë tuaj në një orë, jo fort të zakonshme, por e pamë të arsyeshme ta nisim qysh në fillim të ditës këtë komunikim për të informuar publikun lidhur me krijimin e një Komiteti të posaçëm ndërministror për përballimin e pasojave të luftës.
Ne nuk jemi në kushtet e një kërcënimi ushtarak, por jemi, si të gjithë vendet e tjera të NATO-s, por edhe më gjerë sesa vendet e NATO-s në kushtet e kërcënimit të përditshëm ekonomik, si rezultat i daljes krejtësisht nga binarët e normalitetit të kostove dhe të vlerave në çmim të mallrave të konsumit.
Sot, dëshirojmë që të flasim në mënyrë specifike për energjinë, pasi është edhe palca e shtyllës kurrizore të të gjithë sistemit ekonomik, ndërkohë që kërcënimi i thellimit të krizës energjetike vjen duke u rritur dhe jo më çdo muaj, por çdo ditë.
Besoj e kujtoni fare mirë se para disa muajsh unë e paralajmërova atë që po vinte, por natyrisht, pa më shkuar ndërmend për asnjë sekondë se lëvizja e lexueshme gjeopolitike e Rusisë në ato momente për të ndikuar mbi çmimet në energji dhe hidrokarbure ishte preludi i një agresioni të armatosur.
Sot, faktikisht, përsëri çmimi i brand-it ka kërcyer dhe vazhdon të kërceje me orë e jo me muaj apo me javë, ndërkohë që, sa për të bërë një vendosje në perspektive, nuk ka qenë e largët koha kur fuçia ishte 40 dhe sot jemi në 127 sot, në këtë moment, para se të hynim këtu. Jo më larg se dje, një prej përfaqësuesve të lartë të qeverisë ruse, ka kërcënuar me një çmim prej 300 dollarë për fuçi, që është diçka e pa ndodhur në historinë e tregtisë së naftës, e pa ndodhur as në krizat më të mëdha.
Kjo vjen si rezultat i diskutimit të brendshëm mes vendeve të aleancës për bojkotimin e naftës ruse dhe njëkohësisht, si rezultat i diskutimit lidhur me varësinë nga gazi rus, që përbën 40% të furnizimit në Europë. Ndërkohë që, vendet e mëdha të Aleancës ndeshen me kritikën në rritje se po financojnë luftën, duke blerë gazin, mirëpo kjo domethënë bojkoti i naftës dhe gazit do ishte një ndryshim tektonik me pasoja vështirësish të parashikueshme në afat të shkurtër, edhe pse në afat të mesëm apo në afat të gjatë po e po, çështja do zgjidhej. Në këtë kontekst, Shqipëria nuk përbën asnjë përjashtim, përkundrazi, është drejtpërdrejtë e prekur njësoj si gjithë vendet e tjera. Me këtë rast, dua ta sqaroj për më shumë se të njëmijtën herë se diskutimi për çmimin e naftës në Shqipëri, i cili si në çdo vend tjetër ndikohet drejtpërdrejtë nga tregu e jo nga vendimet e qeverisë, është i pjesshëm për shkak se nuk merret parasysh që në strukturën e çmimit ne kemi kontribute që në vendet e tjera paguhen veçmas. Pra, shumatorja e shpenzimeve të atyre që konsumojnë naftë është njësoj, mjafton të merrni dhe të bëni përllogaritje të taksave që paguhen në vende të tjera, jashtë çmimit të naftës, taksa e qarkullimit apo taksa e karbonit dhe rezulton e njëjta gjë, me një ndryshim në këtë rast, në favor të atyre që e konsumojnë më pak, që paguajnë më pak.
Ndërkohë, në vende të tjera paguhet fiks, pavarësisht faktit se sa konsumon naftë, ti paguan taksë, karboni dhe taksë qarkullimi. Ky është ndryshimi i vetëm dhe nuk ka asnjë ndryshim tjetër.
Dua ta theksoj shumë qartë edhe njëherë. Çmimi i naftës nuk varet nga qeveria, nuk është qeveria në tregun e lirë, në një vend që e ka zgjedhur, prej 32 vitesh tanimë, ekonominë e tregut, që ngre apo ul çmime të mallrave të konsumit, është tregu dhe tregu është i ndjeshëm ndaj të gjitha krizave të çfarëdo natyre dhe jo më ndaj një lufte.
Europa ka hyrë në luftë. Ushtarakisht lufta zhvillohet mes një agresori dhe një vendi nën agresion, ndërsa në të gjitha aspektet e tjera, ku aspekti ekonomik është themelori, lufta zhvillohet mes të gjitha vendeve që refuzojnë kategorikisht agresionin dhe agresorin.
Kjo do të thotë që duhet të jemi të vetëdijshëm se në luftë nuk ka mundësi për të kërkuar të njëjtat gjëra që kërkonim përpara fillimit të luftës dhe se duhet të përgatitemi për çdo skenar. Askush nuk e di sa do zgjasë kjo luftë, që do të thotë jemi në të njëjtat kushte të të panjohurës siç ishim edhe me luftën tjetër, që ende nuk ka mbaruar, me pandeminë, me armikun e padukshëm ku nuk e dinim kohëzgjatjen, ku nuk dinim zhvillimin në dinamikën e tyre dhe ku u përgatitëm për disa skenarë.
E njëjta gjë ndodh dhe sot. Përgatitemi për disa skenarë, e për këtë arsye, kemi vendosur të ngremë Komitetin Special dhe për këtë arsye, jemi ulur qysh në ditën e parë të nisjes së kësaj katastrofe për të përgatitur skenarët e mundshëm, nga skenarët më të thjeshtë e deri tek skenarët më të vështirë. Skenari më i vështirë është që duhet të përgatitemi psikologjikisht edhe për situata shkurtimesh dramatike të gjithë furnizimeve me energji apo naftë, duhet të përgatitemi edhe për këtë. Të jemi të qartë që edhe kjo mund të vijë, edhe pse ky është skenari më dramatik, sepse zëvendësimi i burimeve që prej kaq shumë vitesh janë burime që janë siguruar nga Rusia është jashtëzakonisht i komplikuar. Por njëkohësisht, detyrimi për të mbrojtur jetët e njerëzve, detyrimi për të qëndruar në front në mbështetje të Ukrainës dhe detyrimi për të bërë çmos që lufta të mos përhapet ushtarakisht është i pashmangshëm.
Të gjitha këto shtrëngime që unë uroj dhe do bëjmë çmos të mos kthehen në sakrifica reale të natyrës ekonomike, kanë një qëllim që është të mbrojmë jetën, të mbrojmë shëndetin, të mbrojmë atë që është më e rëndësishmja, të mbrojmë Shqipërinë nga agresioni, nga përshkallëzimi i agresionit deri në ushtarak, dhe kur them Shqipërinë, them Shqipërinë si pjesë e këtyre vendeve që po bëjnë të njëjtën përpjekje. Pra, qëllimi është të mbrohemi tani.
Përsa na takon ne, në përmasën tonë modeste, do bëjmë çmos ne, qeveria, të mbrojmë njerëzit tanë. Nuk është absolutisht një film ajo që shikojmë në ekrane orë e çast. Është një luftë reale siç e kemi parë në filmat e Luftës së Dytë Botërore, siç e kemi parë në vitin famëkeq të përpjekjes shtazarake për spastrim etnik në Kosovë, por kjo ka brenda dimensionin e një fuqie ushtarake të paneglizhueshme që mund të përshkallëzojë verbërisht agresionin e vet, edhe jashtë edhe brenda kufijve të NATO-s.
Kjo është pamja e përgjithshme, nuk ju thashë asgjë të re besoj, por insistoj në faktin që të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se ka ndryshuar bota ku jetojmë në këto 10 ditë, apo 12 ditë sa u bënë, dhe është kthyer përmbys. Jemi në kushte lufte.
Lufta, për fat të mirë, nuk zhvillohet fizikisht këtu, bombat nuk janë mbi kokat tona, familjet tona, lavdi Zotit, nuk janë kërcënuar nga ndarja e dhunshme, siç po ndahen qindra e mijëra familje në Ukrainë, por impakti i asaj që po ndodh atje, është qartësisht i prekshëm këtu në ekonominë e vendit dhe detyrimi ynë është që të garantojmë vazhdimësinë me sa më pak dhimbje, por luftë pa dhimbje nuk ka.
Nuk është as vullneti ynë, nuk është as në mundësitë tona që ta shmangim, duhet ta përballim, dhe duhet të kemi bindjen që siç ia dolëm me dy përballjet e tjera, do t’ia dalim edhe me këtë. Nuk e zgjodhëm as tërmetin, nuk e zgjodhëm as pandeminë, këtë nuk e zgjodhëm jo e jo, kjo është më e keqja nga të treja, por duhet të kemi shumë vendosmëri dhe besim.
Me siguri do t’ia dalim.
Dua t’ia kaloj fjalën ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës sepse në ndërkohë që, me të drejtë, të gjithë shqetësohen për çmimin e naftës dhe i kërkojnë qeverisë të bëjë diçka, madje ka dhe propozime absurde për të hequr taksat e naftës. Kjo qeveri po bën atë që nuk e ka bërë deri tani dhe nuk ka si ta bëjë deri tani asnjë qeveri tjetër rreth e rrotull dhe më gjerë, po mban të pa lëvizur, në kushtet e një kërcimi shumë herë më të lartë të çmimit sesa të naftës, çmimin e energjisë për familjarët dhe për biznesin e vogël, padiskutim.
Kjo kushton çdo ditë shumë dhe kjo kosto përballet pikërsisht falë kontributeve, se është kollaj të thuhet hiqni këtë e hiqni atë, ndërkohë që kemi hequr gjithçka që kemi mundur nga të gjitha llojet e taksave dhe nuk ka më asnjë hapësirë për të hequr asgjë. Kemi me zero taksë mbi fitimin, zero TVSH biznesin e vogël. Kemi çuar pagat – dhe të gjitha këto hyjnë për pak kohë me efekt të plotë, – deri në 400 mijë lekë me zero, kemi përgjysmuar taksën mbi pagën 500 mijë lekë të vjetra, kemi ulur pjesën tjetër të sipërme dhe nuk ka ku lëvizim më, nga pikëpamja e heqjeve, ndërkohë që ministrja do t’iu tregojë se çfarë ka ndodhur në vendet e tjera me strukturën e çmimit të energjisë, çfarë ka ndodhur me faturat e konsumatorëve familjarë, çfarë paralajmërohet të ndodhë në vende që janë në trend rritës të furnizimit me energji.
Mjafton të shikoni Kosovën fqinje apo Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi. Nuk kërkojmë asnjë kredit për këtë, por thjesht për të pasur parasysh që ne nuk jemi thjesht në kushte vëzhgimi, jemi në kushte përpjekje të vazhdueshme, me dhëmbë po e mbajmë çmimin e energjisë, sepse është çmim i një malli që sidoqoftë, mundësia për të ndërhyrë është aty sepse nuk është si nafta dhe jo si mallrat e tjera, që janë komplet operacione të sipërmarrjes private.
* * *
– Zoti Kryeministër, ju e quajtët absurde si pyetje, por unë gjithsesi do ta bëj sërish këtë pyetje që bëjnë të gjithë shqiptarët. Pse Shqipëria ka çmimin më të lartë, ju e shpjeguat që janë dhe taksat, ju thoni që duhet të përgatitemi të gjithë për të patur shkurtime, por a mundet që qeveria dhe konsumatori t’i ndajnë bashkë të gjitha këto kosto? Sepse shteti mbahet me taksa, por dhe qytetarët kanë të njëjtat të ardhura e duke pasur kosto kaq të larta është e pamundur për t’i përballuar. Ky komitet special që keni ngritur, a nuk po e shikon mundësinë të paktën për këtë periudhë tranzitore sa kohë kriza vazhdon? Jo t’i heqi taksat, por t’i reduktojë sepse edhe Maqedonia, por dhe Kosova janë shtete që mbahen me taksa, por nuk e kanë çmimin e naftës që ka Shqipëria.
-Pyetja e dytë ka lidhje me situatën politike…
Kryeministri Edi Rama: Situata politike është një lule që më mirë mos merremi fare. Atëherë pyetja ime është kjo: Do ishit dakord ju që ne të ndërhynim, gjë që nuk e bën asnjë vend, sepse kemi zgjedhur në vitin 1990 që të jemi vend që është ekonomi e lirë e tregut, por pyetja është hipotetike, meqë më përmendët Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Do ishit dakord ju që ne të ndërhynim me diçka që e përsëris, është artificiale? Sepse Kosova dhe Maqedonia e Veriut, edhe vende të tjera, i kanë veç këto taksa. Po e them dhe një herë tjetër, i kanë veç, nuk është se nuk i kanë fare. nuk i kanë në strukturën e çmimit, por i kanë veç. E para! E dyta, Kosova dhe Maqedonia e Veriut që i sollët ju si rast kanë rritur çmimin e energjisë në mënyrë shumë të ndjeshme në faturën e familjarëve. Ju do ishit dakord që të ndodhte kjo në Shqipëri? Mund të ndodhë më tutje, por sot që flasim e tha ministrja dhe e përsëris, ne bëjmë rregullisht çdo vit, 45 milionë dollarë subvencion për familjet në nevojë, për të mbajtur kilovatin e tyre 7 lekë, ndërkohë që pjesa tjetër e paguan 9.5 lekë dhe sot kilovatin në treg qeveria, shteti, strukturat përkatëse e blejnë 61 lekë. Pra 61 lekë paguhen nga buxheti dhe në faturën tonë në familje vjen 9.5 lekë.
Është e drejtë që të ndërhyjmë sot tek çmimi i energjisë e të godasim të gjithë pa përjashtim për të ulur, – që unë nuk e besoj që ndodh ulja, sidoqoftë, – çmimin e naftës për ata që kanë vetura, që kanë makina? Është e drejtë kjo? Unë mendoj që jo. Kjo qeveri është e vetmja që po rri kokëfortësisht në vend dhe nuk po lëviz për të rritur çmimin e energjisë. E vetmja po ju them. Keni miq, të afërm në Itali, në Greqi, pyetini. Pyetini se çfarë jete po bëjnë sot që flasim, me gazin, me faturën e energjisë elektrike. Pyetini sa i ka vajtur. Se këtu bëhet dhe një diskutim rrogash në raport me çmimet. Problemi është që ne kemi hyrë në treg si ekonomi tregu dhe nafta, energjia apo të tjera, por po marrim këto të dyja, blihen në tregun e lirë që nuk pyet sa e ke rrogën ti, sa i ka rrogat ai. Çmimi është i njëjti. Edhe një herë po e përsëris, sot prapë jemi mirë se ka dhe më keq. Përfaqësuesi, në mos gabohem zëvendëskryeministrja por nuk e di ekzaktësisht cili prej tyre, i qeverisë ruse, dje, kërcënoi se Europa duhet të përgatitet për 300 dollarë fuçia e naftës. Është më shumë se sa dyfishi i çmimit aktual, i cili është një çmim marramendës, në raport me ku ishim. Kemi qenë në 45 dollarë fuçia, jemi në 127, ishim, para se të fillonim konferencën, tani nuk e di sa është se lëviz çdo minutë.
Edhe një herë po e them, të gjithë duhet të jemi të qartë, këtu problemi më i madh që është përpara nesh nuk është çmimi. Është mungesa, që të jemi shumë të qartë. Është mungesa. Lufta dhe gjithë kjo shtresë e luftës që zhvillohet në fushën ekonomike me Rusinë, ka si një nga zhvillimet e veta të mundshme mungesën. Domethënë ti të dalësh në treg, flitet sot, nuk e di a e keni parasysh kur flisnim para disa muajsh po këtu në këtë sallë që ne parashikonim, jo ne, por duke u bazuar në parashikimet e të gjithëve që kjo krizë e energjisë, e cila po shpërfaqej e u përqesh kur flisja unë sepse thonin “kjo nuk ekziston, kjo është kot” e të tjera e të tjera, mund të zgjaste deri në qershor thonin, e pa qenë lufta në mes fare, me çmime të cilat sot janë kapërcyer dhe sot kemi vajtur në 550 euro të një malli që ishte jo më larg se në të njëjtën kohë të vitit të shkuar 52 euro. Nga 52 në 550 dhe flitet për 1000 euro dhe problemi është që nuk do ketë energji. Mund të mos ketë në treg, ti mund të thuash “ok do ta blej 1000 e do vazhdoj ta mbaj çmimin kështu, le të bëhet nami”, nuk ka. Sot që flasim është i njëjti problem që ndihet. Nuk ka. Nuk gjendet në treg. Në tregun europian flas dhe ky problem i mungesës është problemi kryesor dhe kur ne flasim për një plan kursimi, jemi në kushtet kur jemi realistë, nuk jemi as pesimistë, as alarmistë. Jemi realisht, plani i kursimit është i domosdoshëm. Është luftë. Unë nuk hyj tek ata që thonë është fillimi i Luftës së Tretë Botërore, por fakti që kjo thuhet edhe nga njerëz me shumë peshë në arenën e debatit politik global, domethënë që jemi në një luftë shumë më me impakt mbi të sotmen e të nesërmen se sa çdo gjë tjetër që kemi parë sot ne në të gjallën tonë. Çfarë diskutimesh ka këtu?
Nafta është mall tregu. Është mall që shitet e blihet nga privati. Struktura e çmimit të naftës, pastaj kjo më e shtrenjtë, shikojeni me vëmendje se nuk është kështu. Shikojeni çfarë ndodh sot në Amerikë, që është një vend prodhues. Janë konjukturat e tregut që janë jashtë kontrollit të qeverive dhe ne, problemi këtu nuk është se po bëjmë këtë, se hajde ta mendojmë se po e bëjmë. Për sa kohë? Me çfarë kostoje? Këtu ne duhet të përgatitemi për një periudhë shumë të vështirë. Fatmirësisht për momentin me afrimin, jemi në fazën e kapërcimit të daljes nga dimri dhe nga i ftohti dhe sigurisht do të ketë më pak nevojë, jo shumë më pak, por më pak nevojë. Po dimri ardhshëm? Çfarë ndodh dimrin e ardhshëm nëse lufta vazhdon, nëse gjërat do të shkojnë keq e më keq? Si do jemi ne? Do rrimë do ngremë duart lart e do themi i harxhuam të gjitha se donim të mitigonim rritjen e çmimit tek pompa? Se nuk ka se si e bën se nuk e bën asnjë vend i botës. E kemi zgjedhur. Po të ishim akoma në komunizëm po. Do e blinte shteti naftën, do e shpërndante shteti naftën e do thoshte ky është çmim fiks dhe mirupafshim. Nuk jemi në komunizëm. Nuk diktojmë dot asgjë mbi çmimet. A ka spekulime? Ka spekulime patjetër. Flas këtu tani për çmimet e tjera. Lufta, një nga shenjat më domethënëse për të kuptuar që je në luftë është spekulimi. Spekulantët lufta i nxjerr në sipërfaqe nga të gjitha anët. Patjetër që ka spekulantë, por prapë po e përsëris, jemi në kushtet e një vendi që ka zgjedhur demokracinë. Nuk jemi një vend totalitar komunist që nuk ka kush spekulon. Duhet të jemi shumë realist e përsëri po ju them që jemi sot jashtëzakonisht qetë, në raport me çfarë mund të ndodhë.
Jemi shumë të shqetësuar në raport me çfarë ishim deri para 10 ditësh sepse sidoqoftë kriza ishte aty, çmimet po shkonin lartë e më lartë, por ideja ishte që deri në fund të pranverës gjërat do të stabilizoheshin. Agresioni ushtarak e shpërtheu fare kutinë. Kjo është një kuti e re brenda të cilës duhet të adoptohemi.
– Lulzim Basha ju akuzon për masakër elektorale, por unë dua t’ju pyes vetëm kaq. Pse nuk ju funksionon ju si Parti Socialiste masakra në Shkodër, asnjëherë?
Kryeministri Edi Rama: Të lutem, nuk dua të bëj fare nga këto debate se këto janë një luks i jashtëzakonshëm dhe unë mendoj që kjo është koha për t’u parë në sy shumë më tepër me njëri-tjetrin, për ta dëgjuar shumë më tepër me respekt njëri-tjetrin e për të kursyer shumë më tepër llafe ndaj njëri-tjetrit sepse po ju them dhe një herë tjetër, larg qoftë, këtu shkojmë drejt një situate ku pastaj gjërat vijnë edhe me jetë, kështu që ta lëmë këtë politikën këtu në punën e vetë. Kush ka nge ta bëjë le ta bëjë, mua nuk më intereson fare. Sot ka vetëm një gjë në kokën time non stop. Si ta mbrojmë sa më mirë shqiptarin, familjarin, konsumatorin, si të mbrojmë sa më mirë popullin shqiptar nga kjo flamë. Kaq. Këto pastaj fituam Dibrën, fituam Rrogozhinën, fituam Vorën, fituam Lushnjën, fituam Durrësin. E po pastaj? Çfarë shije ka kjo në këto kushte kur ne flasim për gjëra që janë një tragjedi e madhe njerëzore? Dakord, shumë mirë, fituam, iku. Nuk mbaj mend kurrë që mos kem pasur mendjen asnjë minutë tek zgjedhjet. Nuk e kam pasur asnjë minutë realisht. Fituam, natyrisht fituam se nuk ka kush fiton tjetër.
– Zoti Kryeministër, ministrja përmes shifrave na tregoi se qeveria deri tani ka shpenzuar 320 milionë euro subvencion. Pikërisht ky subvencionim prej 320 milionë euro që pritet të vijojë nga qeveria juaj. A do ta frenojë planin e qeverisë për rritjen e rrogave, për vijimin e investimeve publike dhe më e rëndësishmja a do ta ngadalësojë rritjen ekonomike të Shqipërisë?
Kryeministri Edi Rama: Tani është herët për të folur për këtë, por për momentin natyrisht që ne nuk kemi asnjë tundim apo ide që të shkojmë në drejtim të këputjeve, të shkurtimeve të atyre që kemi përcaktuar si prioritete. Rritja e pagës minimale patjetër, zerimi i taksës mbi rrogën deri në 400 mijë lekë, ose 40 mijë lekë të reja patjetër.
Përgjysmimi i taksës mbi rrogën deri në 500 mijë lekë, ose 50 mijë lekë të reja patjetër.
Mbajtja e biznesit të vogël me zero taksë mbi fitimin dhe zero TVSH deri në 100 milionë xhiro, patjetër.
Zero taksë deri në 140 milionë xhiro patjetër. Rritja e pagave për mësuesit, për mjekët, për ushtarakët e për të gjithë ato kategori të tjera apo nënkategori siç është përcaktuar, patjetër. Investimet patjetër, por të gjitha këto, me ndihmën e Zotit tani, sepse çfarë sjell ora nuk sjell viti më këtu në këtë botë, ku jemi dhe do shohim si do vazhdojë. Duam patjetër ta mbajmë çmimin e energjisë, po e përsëris dhe një herë tjetër, duam patjetër ta mbajmë këtu, por edhe kjo do ketë një kufi. Dhe kufirin nuk e vendosim ne, kufirin do ta vendosin zhvillimet e mëtejshme dhe dua ta them dhe nuk dua të mërzitet njeri – se mbase do e përsëris shpesh në vijim,- kemi zgjedhur t’i përkasim një fronti shtetesh, vendesh, popujsh ku jeta e sjell që në ditë të këqija na duhet të bëjmë sakrifica. Nuk kemi zgjedhur të jemi një shtet neutral, një vend neutral, një komb neutral dhe me plot të drejtë jemi pozicionuar pa diskutim aty ku duhet për interesat tona strategjike si popull, si komb, si shtet dhe kjo vjen me kosto. Sot ne jemi pjesë e një fronti lufte, jo me armë, dhëntë Zoti asnjëherë jo, por me të gjitha këto që po flasim. Solidariteti me Ukrainën nuk është solidaritet me njerëz dhe me popull në një hall shumë të madh. Solidariteti me Ukrainën është vetëmbrojtje e pastër, për të mos lejuar që ajo që ndodhi atje të vijë edhe këtu ose të shkojë të infektojë të gjithë botën tonë. Këto janë sakrificat e luftës, kjo është një luftë që ne nuk mund t’ia lëmë televizorit se na ka ardhur në shtëpi, na ka ardhur tek mallrat e konsumit, na ka ardhur tek pompa e naftës, na ka ardhur tek fatura e energjisë. Tek fatura e energjisë nuk lexohet nga familjarët, nuk lexohet nga biznesi i vogël sepse e mban qeveria në kurriz dhe mendoj që po bën gjënë më të madhe që ka bërë kjo shumicë qeverisëse që prej vitit 2013, për popullin, më të madhen. Kjo është më e madhja nga të gjitha dhe kjo është për të gjithë ata që thonë që ne nuk e kemi mendjen tek njerëzit. Përkundrazi, e kundërta është e vërteta, vetëm tek njerëzit. Shpresoj që të jemi në gjendje ta mbajmë deri në fund, por varet se kur është fundi.
-Ju deklaruat që ka mungesë të sasisë së energjisë në tregjet ndërkombëtare dhe keni ndërmend të nisni dhe kufizimet. Realisht, a keni një tjetër plan për të rritur kapacitetet gjeneruese të energjisë në vend pasi prej dekadash varemi nga të njëjtat burime të prodhimit të energjisë. Për t’iu rikthyer çmimit të naftës, është konstatuar në treg që rritja e naftës është pothuajse e njëtrajtshme në të gjitha pikat e tregtimit ë naftës. Mos duhet rritur monitorimi dhe kontrolli në këtë moment pasi siç e tha dhe kryeministri, spekulimet nuk mungojnë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku: Do ta nis me sqarimin se unë nuk njoftova që do ketë kufizime, se pastaj do humbasë sensi i asaj që thamë dhe do dalë lajmi që do ketë kufizime. Nuk do ketë kufizime, por ajo që duhet pasur parasysh është që çmimi është një hall shumë i madh, por që sot po mbahet në kurriz nga qeveria shqiptare, nuk po e ndjen familjari dhe ndoshta kjo është arsyeja se pse sot po diskutojmë si të ulim çmimin e naftës.
Ka dhe një mundësi tjetër për naftën. Duhet të konsumojmë më pak e të mos marrim makinën për të blerë cigare apo bukë tek cepi i rrugës, por të ecim në këmbë. Kështu ndodh kur rriten çmimet, duke qenë se ky është produkt që tregtohet në treg nga privatët dhe shteti nuk ka ca bën sepse po e hoqi taksën nga nafta, do ta paguani tek DPSHTRR, apo jo, sepse ajo është taksë e karbonit? Çfarë ka nafta brenda ka dy taksa, taksa e karbonit dhe qarkullimit, të cilat do të paguhen sepse janë taksa që i aplikon gjithë Europa.
Nëse këtu bëhet fjalë që ta heqim dhe ta vendosim atje të patenta apo të jetë në çmimin e naftës që bën më sens sepse kushdo që blen naftë do të thotë që i jep një automjeti, nuk mendoj se shkojnë e blejnë naftë me bidona për përdorime të tjera. Tani, kur flasim për çmimin e naftës, ka dhe diçka tjetër për t’u bërë, për t’u kursyer nafta.
Sa i përket kufizimeve, nuk do ketë kufizime përsa kohë ne garantojmë energjinë. Kur tregu të shkojë në ekstremitete, pasi jua shpjegova, dalim për të blerë në import dhe e kemi shumë të vështirë të plotësojmë atë sasi që kërkohet për të plotësuar kërkesën e tregut përveç gjenerimit vendas që ne kemi. Nuk do të ketë kufizime deri ditën kur ne do arrijmë edhe me këtë çmim të lartë të sigurojmë në treg energjinë.
Po përballet me këtë e gjithë Europa sepse ne shkojmë në të njëjtin treg ku blen Italia, Gjermania e kushdo. Sa i përket rritjes së kapaciteteve, ne kemi një strategji dhe kemi vite që punojmë për të.
Në energji kemi dy çështje kryesore, një që quhet Capital Intensive, pra çdo nukël energjitike kur ndërtohet ka nevojë për kapital të rëndësishëm dhe e dyta, që një nukël energjetike të ndërtohet, qoftë kjo park fotovoltaik, hidrocentral apo park eolik kërkon një kohë nga gjeneza ku është studimi e deri në momentin e operimit.
Tashmë jemi në faza shumë të avancuara për të gjitha projektet që qeveria ka dhe më pas do t’i referohem edhe projekteve private që janë të rëndësishme gjithashtu.
Parku i Karavastasë tashmë ka përmbyllur të gjitha kushtet dhe kërkesat, ka nisur dhe faza e përgatitjes së kantierit, unë dhe kryeministri kemi qenë atje kur ka nisur kjo fazë përgatitje dhe tani jemi në fazën e ndërtimit.
Muaji mars shënon ndërtimin e parkut të Karavastasë, që mua më rezulton që mbaron brenda 12 muajve dhe flasim për një nga parqet më të mëdha në Europë, 140 mega, nga i cili shteti përfiton 70 mega nën PPA.
Sot të pëmendim PPA e Karavastasë duket me të vërtetë abstraksion. Sot kur çmimi shitet me 550 euro për megavat/orë, Republika e Shqipërisë ka siguruar 70 mega me 24,86 euro për megavat/orë. Të gjitha këto janë punë dhe veprime të bëra nga kjo qeveri.
Ndërkohë, në të njëjtat hapa ndodhet dhe parku i Spitallës, sigurisht më kohë tjetër pasi kjo është garë që është zhvilluar një vit më pas.
Duhet thënë që shumë shpejt po ecën dhe kemi ecuri të shkëlqyer në atë pikë, TEC-i i Vlorës, i cili ka katër faza për implementin dhe siç e dini, bëhet nga një konsorcium amerikan, i udhëhequr nga Accelerate Poëer. Ndërkohë, kemi nisur punën edhe për ndërtimin e Skavicës. Shumë i përfolur, e përdorur politikisht, i kemi të mërzitur pjesën e opozitës pasi ka qenë një projekt në sirtar prej vitesh por ne nuk mund të merremi kujt i prishen ëndrrat që kanë dashur ta bëjnë vetë e nuk e bëjnë dot e meqenëse nuk e kanë bërë dot vetë, tani cfarë nuk po thonë dhe po shqetësojnë njerëzit që jetojnë në atë zonë. Skavica është një realitet, Bechtel është në terren, studimi gjeologjik që është pjesa e parë dhe markimi i liqenit që do ndërtohet për llogari të kaskadës, duke qenë se Skavica nuk është thjesht hidrocentral, por optimizues i kaskadës, është drejt përfundimit.
Menjëherë pas përfundimit të studimit gjeologjik dhe të atij fizibilitetit nisim fazën e negocimit sa i përket termave financiare dhe menjëherë do niset projekt i detajuar për të qenë në terren dhe për të nisur ndërtimin rreth janarit të 2023.
Këto janë të gjitha masat që ka marrë qeveria shqiptare për rritjen e kapaciteteve që do fillojnë të kenë duke duke nisur nga viti 2023 e në vazhdim, duke rritur kapacitet tona dhe duke i shumëfishuar ato.
Duhet thënë gjithashtu që kemi nisur një projekt të ri të mbështetur nga BERZH-i sa i përket eolikëve, dhe jo vetëm eolikëve që deri më tash mund të ketë pasur disa përpjekje të sektorit privat në Shqipëri por të eolikëve të vendosur ofshore, pra në det. Jemi duke bërë studimin në këto momente, duke qenë se besojmë se ofshorë, pra vendosja e eolikëve në det, mund të jetë potencial shumë i rëndësishëm për plotësimin e kapaciteteve gjeneruese në Republikën e Shqipërisë.
Megjithatë, unë do t’i rikthehem një fakti shumë të rëndësishëm, që kam dëshirë ta ndaj me ju edhe pse jemi ngushtë edhe me kohën. Kaskada ka qenë e dizenjuar me tre hidrocentralet që janë sot dhe me tre hidrocentrale të tjerë, të cilët janë privatizuar në mënyrën më flagrante, thjesht në shkëmbim të një TVSH-je të papaguar.
Kaskada sot vuan edhe për shkak të privatizimit të Shkopetit, Ulzës dhe të Bistricës. Kështu që, paguajmë kosto edhe të veprimeve të papërgjegjshme që janë bërë ndër vite. Sot, ne na duhet të minimizojmë problemin që kemi, na duhet të zgjidhim padyshim pavarësinë energjinë elektrike të Republikës së Shqipërisë, të cilën mund ta arrijmë, por nuk duhet të harroni faktin që jemi përballur me tërmetin, pandeminë dhe na është dashur shpesh që investimet, jo t’i ndërpresim, por ama t’i kemi më të kontrollueshme pikërisht për të subvencionuar energjinë, por edhe kërkesa të tjera që ka pasur. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Për ta mbyllur me pyetjen tjetër që bëri vajza për reflektimin e menjëhershëm të çmimit sipas bursës, kjo vlen si rezultat sepse në momentin që çmimi ndryshon në bursë, edhe c’ doganimi i rezervave bëhet në bazë të atij çmimi. Pavarësisht se rezerva mund të jetë krijuar më parë, në momentin kur del nga rezerva për të shkuar në treg, c’doganimi i referohet çmimit të menjëhershëm të bursës. Kjo është arsyeja pse menjëherë çmimi reflektohet tek pompa.