Komuniteti lokal në Sharrë, por edhe banorët e zonës Kombinat prej vitesh janë ankuar për erërat e pakëndshme dhe ndotjen që vinte prej landfillit dhe vend depozitimit në Sharrë. Prej 2 muajsh, falë nisjes së fazës së parë të projektit të “Zonës së Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë”, i pari në llojin e vet, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor kjo situatë alarmante ka marrë fund. Në realizimin e këtij projekti madhor, jo vetëm për Qarkun e Tiranës, por edhe vendin tonë, janë angazhuar partnerë seriozë ndërkombëtarë, liderë në tregun evropian në industrinë e menaxhimit të mbetjeve dhe ndërtimit të veprave të tilla.
Garanci e projektit është edhe Paul Wurth, investitor dhe aksioneri i shoqërisë koncesionare Integrated Energy BV Spv, kompani lider e shtrirë globalisht, që do të operojë për 30 vite projektin “Zona e Trajtimit të Mbetjeve Tirane”: “Është një linjë botërore për impiantet e trajtimit të mbetjeve e cila merr pjesë në projekt sipas standardeve europiane të avancuara për mbrojtjen e ambientit. E gjithë teknologjia e përdorur në projektin e Tiranës garanton respektim të ambientit dhe eficiencë në konvertimin në energji elektrike të mbetjeve që digjen, energji e cila do të shpërndahet në rrjetin elektrik,” shprehet Wurth.
Ky projekt është në përputhje të plotë me kuadrin ligjor për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe mjedisit, me Strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Mbetjeve 2010-2025 dhe respekton limitet e parashikuara në Direktivat e Mbetjeve të Bashkimit Europian në lidhje me emetimet në atmosferë. “Ky është një model që është absolutisht me avantazhe të mëdha në raport me landfillet tradicionale, ndryshe nga çfarë broçkullohet këtu tek ne, sepse landfillet tradicionale kanë një shtrirje të pafundme në terren. Nga ana tjetër, i gjithë procesi i trajtimit është një proces shumë më i sofistikuar dhe shumë më kualitativ këtu. Prodhimi i biogazit, i kombinuar me asgjësimin e të gjithë pjesës së hirëzuar është me standarde optimale, sipas normave të Bashkimit Europian, duke pasir parasysh që në këtë investim është një nga liderët globalë të kësaj fushe, që është Paul Wurth,” shprehet Kryeministri Edi Rama.
Kontributet pozitive të metodës së djegies së mbetjeve me përfitim energjie janë të njohura nga Bashkimi Europian dhe shumë shtete anëtare të saj, si Suedia, Norvegjia, Gjermania, Danimarka dhe Franca janë avangardë në këtë proces. “Edhe tendenca e përgjithshme europiane është drejt termovalorizimit, nuk është drejt landfilleve. Në shumë vende europiane janë ndaluar të ndërtohen të reja. Ka programe të tëra për mbylljen e tyre dhe për kalimin në termovalorizim. Është tendencë e qartë kjo,” nënvizoi Rama.
Kryeministri ka deklaruar se këto projekte do të zgjerohen në të gjithë vendin. “Ajo që është e rëndësishme për ne është që ne të rajonalizojmë, sepse, nëse u ndërtua në Elbasan nuk mund të jetë vetëm Bashkia e Elbasanit, duhet të jetë e gjithë zona përreth, nëse u ndërtua në Tiranë, duhet të jetë Durrësi, Kruja, Kavaja dhe të gjithë bashkitë, Kamza padiskutim. E njëjta gjë me Fierin. E gjithë rezistenca ndaj landfillit të Fierit është injorancë dhe nga ana tjetër krijon një panik komplet të paarsyeshëm te njerëzit që kujtojnë se duke mos u ndërtuar termovalizatori në Fier janë më të mbrojtur. Ndërkohë që sot në të gjithë zonë e Fierit, për shkak të situatës së trashëguar është ndotje permanente. Mirëpo, në momentin që vjen fabrika për përpunim krijohet ideja se erdhi një industri tani që do na ndotë. Ndërkohë që është e kundërta. Parametrat e Elbasanit janë parametra europianë. Është katastrofë. Nxitja e njerëzve për shkak të edhe mungesës së dijes mbi këtë proces, por për shkak edhe të dyshimeve që krijohen nga propaganda negative është realisht armiqësore, është krijim paniku me qëllim, është skandal,” tha ai.
Projekti ka të parashikuar ndërtimin e Impiantit të Seleksionimit që do të sigurojë lëndën e parë për industrinë e riciklimit. Në termovalizator për djegie do të shkojnë mbetjet që nuk arrijnë të jenë burim i përshtatshëm si lëndë e parë për industrinë e riciklimit. “Termovalorizimi ka një avantazh të dyfishtë, e para, është reduktimi i volumit të mbetjeve, nga ajo që shkarkohet del vetëm hiri dhe inertet në volume minimale në krahasim me volumin fillestar dhe prodhimi i energjisë elektrike”, shpjegon Fabrizio Strobino, përfaqësues i ekipit drejtues teknik.
Ndërkohë, landfilli ekzistues i Sharrës është në proces kapsulimi dhe gjelbërimi që do të shndërrohet në një lulishte të gjelbëruar me përfundimin e projektit. “Zonës i është dhënë jete. Janë mbjellë bimë, 600 pemë, 900 lule dhe bimë të ndryshme në anën e hyrjes. Në të ardhmen do të jetë një zonë e hapur për ata, të cilët do të kenë ndryshime të vizitojnë ose kontrollojnë procesin, duke ju dhënë mundësinë të gjithëve për të parë,” shprehet administratori i Integrated Energy BV Spv, z. Giuseppe Gariola.
Kjo metodë për trajtimin e mbetjeve ofron qëndrueshmëri dhe kontribut më të lartë për ruajtjen e klimës sesa metodat tradicionale për trajtimin e mbetjeve sikundër janë landfill-et, të konsideruara në hierarkinë e mbetjeve dhe si forma më pak e dëshiruar. Tirana do fitojë një park, park real. Edhe Durrësi do fitojë një park. Parqe nga 20, 30 ha që nuk ka mundësi të imagjinohen më në situatën që është toka sot që do jenë parqe për qytetin,” deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Qarku i Tiranës gjeneron rreth 38% të totalit të mbetjeve në rang vendi, ose rreth 1.350 tonë në ditë mbetje të ngurta urbane.