Kryeministri Rama ishte sot shkollën e Mesme të Bashkuar “Ymer Lala” në Surrel, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj ku panë ambientet e rikonstruktuara të kësaj shkolle ku mësojnë 290 nxënës. Shkolla me mjediset e saj të transformuara rrënjësisht, krijon kushte optimale për nxënësit e mësuesit me investimin e parë serioz për këtë shkollë qysh nga viti 1969. Ndërkohë, në rankimin e fundit, shkolla “Ymer Lala” është renditur e dymbëdhjeta në rang vendi.
Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Rama në inaugurimin e shkollës së Mesme e Bashkuar “Ymer Lala” në Surrel:
Më vjen shumë mirë që sot ka përfunduar ky projekt. Në fakt tek shkolla kemi ardhur disa herë, sepse këtu kemi pasur dhe ato votimet e fitoreve të Surrelit dhe shkolla ka qenë në një gjendje realisht të keqe. Drejtori po më thoshte që nuk është investuar që nga viti 1969. Në ’69-n kam qenë sa Zaho, 5 vjeç. E rëndësishme është që gjithçka është bërë me shumë përkushtim dhe me cilësi, si kudo kur lali Eri vë dorë dhe përpiqet që të jenë shembuj, jo vetëm për t’ju krijuar kushte optimale atyre që vijnë në shkollë, por dhe për t’i dhënë shpresë dhe optimizëm atyre që presin që t’u vijë radha, sepse gjërat bëhen me radhë. Ne përpiqemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht mundësie, por mundësitë nuk i kemi të pakufizuara. Do donim t’i bënim të gjitha përnjëherë, por të gjitha përnjëherë nuk bëhen. Nga ana tjetër, besoj shumë dhe shpresoj shumë që edhe disa nevoja të tjera të komunitetit që nuk po i përmendim këtu tani, se nuk duam t’ju vëmë në pozitë të vështirë, na keni ardhur në shtëpi dhe sot na takon që t’ju mbajmë me të mira. Vazhdimisht jemi në kontakt për çështjet e zonës dhe tani na takon edhe moralisht. Nuk dua që t’i forcoj shumë presionin se do thonë pastaj që po i merr Surreli të gjitha, ne presim, por tolerancën tonë mos e merrni për dobësi, durimin tonë mos e merrni se ne nuk shohim se çfarë bëni rreth e rrotull e se ne nuk kuptojmë. Nuk na gënjeni dot as me dajre, me fizarmonika, as me këto tendat që keni vënë këtu, mirë e keni bërë, por ne kemi nevojë për më shumë. Përtej shakave që janë gjysma e të vërtetës, unë i falënderoj shumë mësuesit, mësueset. Këtu në fakt duhet me e thënë që ta marrin vesh të gjithë, se ne jemi njerëz që lexojmë, jemi njerëz që studiojmë këtu në Surrel. Jemi shkolla e dymbëdhjetë në gjithë territorin e kur them në të gjithë, që nga shkollat që janë në qendër të Tiranës, deri tek këto në Kërrabë. Fola pak me çunat dhe me gocat brenda dhe ambicia është që të futemi tek dhjetëshja e parë. Ne nuk po themi të dalim të parët fare se nuk duam ta turpërojmë kryeqytetin andej. Ne katundarët e dimë vendin tonë, por kujdes, mos na nënvlerësoni. Na merrni seriozisht. Ne jemi në punën tonë, shohim punën tonë, shkojmë mirë me njëri tjetrin, jemi solidarë, e presim zhvillimin me durim. Japim kontributin tonë, por nënvlerësim mos na bëni. Mos na shihni që jemi me shallvare se gaboni shumë, se për pantallona, për kravata, për xhaketa e për jelek, me dash, ju vëmë përpara. Si ishte ai çuni atje në kopsht, me kostum, perfekt. Asnjë deputet nuk vishet si ai, qe puna për kostum. Ne jemi modest, por mos na provokoni.Shumë faleminderit drejtorit të madh të arsimit që na ka nderuar sot këtu dhe gjithë ekipit të drejtorisë së madhe arsimore. Kemi bërë dhe një reformë të të gjithë sistemit dhe jemi më të sigurt që gjërat mund t’i kemi shumë më mirë nën kontroll për nga pikëpamja e cilësisë, për nga pikëpamja e ecurisë. Me librat kemi bërë një progres të jashtëzakonshëm. Sot fëmijët tanë kanë librat e Oxfordit, të Cambridge, të Person, janë libra që përdoren në gjithë Europën. Nga ana tjetër edhe programet janë lehtësuar nga një pikëpamje e ngarkesës dhe mësuesit janë gjithmonë e më shumë në dispozicion, jo se nuk kanë qenë përpara por janë të sigurt, nuk janë të kërcënuar nga influencat politike, nuk lëvizin lart e poshtë për arsye politike, ose për arsye të tjetra. I është dhënë respekti, kanë të gjithë autoritetin e tyre. E dimë shumë mirë që duhet t’u rrisim më tej edhe pagat, jo vetëm mësuesve, por dhe të tjerëve dhe të gjitha këto përbëjnë arsye për të qenë të inkurajuar për të nesërmen. Nuk jemi aty ku duam të jemi, por po të kthejmë pak kokën mbrapa, nuk krahasohet në asnjë aspekt me ku ishim, kështu që gjithmonë ju të qytetit na keni mbështetje, por na mbani afër se vetëm të mira keni nga ne. Ne ju japim këshillën e mirë po të na e kërkoni, ju japim mbështetje po të na e kërkoni, për punë na keni ne dhe përshëndes të gjithë prindërit që janë këtu, sidomos gjyshet që janë prezentë, që janë shtylla e fortë e katundit tonë. Në këtë katund, burrat e kanë shumë të qartë, që pa gratë janë si në tërmet. Kështu që me gratë, me gjyshet, me mësueset, me të gjithë vajzat, motrat dhe pastaj dhe me çunat, ne kemi përpara punë për të bërë e kemi sigurinë që do të jemi më mirë nesër. Shumë faleminderit të gjithëve dhe mos ikni kur të mbarojë inaugurimi, rrini pak këtu e kaloni tezgë më tezgë, blini ca produkte. Mbushini qeset dhe do shihini që nuk ka si ullinjtë tonë e nuk ka si vaji jonë. Shumë faleminderit!